23 Dhjetor 2024

Opinion nga Milazim Krasniqi

Shkruar nga Milazim Krasniqi


Ushtari japonez, Teruo Nakamuro, u gjet në pyjet e pashkelura të Japonisë tridhjetë vjet pas  përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në përpjekje që të vazhdonte luftën e tij të pazakontë. Ai nuk e dinte që lufta e përgjakshme kishte përfunduar tridhjetë vjet më parë dhe atdheu i tij i mundur në luftë,ishte bërë me përdhunë, njëri nga aleatët më besnik të fitimtarit.

Kur kishte braktisur ai llogoret, lufta kishte qenë ende në kulmin e egërsisë së saj. Në rrëmujën e saj, bashkë me atdheun e tij, ishte përfshirë krejt bota, si nga një epidemi shfarosëse. Dhe nuk ishte në dorë të një ushtari të thjeshtë si Teruo Nakamuro që të parashihte fundin aq të pazakontë (hedhja e bombës atomike dhe kapitullimi pa kushte) të asaj kasaphane.

Kthimi i Teruo Nakamuros në mesin e të gjallëve, tridhjetë vjet pas luftës, ka qenë një senzacion medial dhe politik, një rast për t’iu rikthyer përmasës së tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore, ndryshimeve të bëra pas mbarimit të saj etj. Por, kjo si gjithmonë është ana e jashtme dhe jo fort domethënëse e një të vërtete të madhe që mbarti me vete shembulli i Teruo Nakamuros: e të vërtetës se njeriu është një enigmë, një mister që më shumë di për botën që e rrethon se për veten e vet. Prandaj, askush nuk e ka kuptuar se çfarë ka përjetuar dhe çfarë ka ndier ky njeri për tridhjetë vjet në një mision të ashpër për të mbetur gjallë në një botë të panjohur. Jo çfarë ka ngrënë, sepse atë mënyrë të gjetjes së ushqimit e ka provuar njeriu me mijëra vjet përpara tij:

“Dhe do ta furnizoj prej nga nuk e kujton fare.” (Talak: 3)

Puna është se çfarë ka ndier e çfarë ka menduar njeriu i shekullit XX, i kthyer në një botë të para disa shekujve? Ky është misteri, e jo fshehja në pyje të pashkelura. Mbase as vetë ai kurrë nuk ka arritur ta kuptojë tërësisht se si është transformuar bota shpirtërore e tij, çfarë ka ndier në atë vetmi kolosale, në atë harrim të çuditshëm dhe si ka dalë fitimtar shpirtërisht e mendërisht mbi atë gjithkahnajë të egër. Një jetë e njeriut të formuar në etiken e kohëve moderne, por e shkëputur dhunshëm dhe e detyruar që për tridhjetë vjet të zhvillohet pa këmbyer asnjë fjalë dhe asnjë shikim me një tjetër qenie të të njëjtit lloj, vërtet është e pamundur që të rrëfehet. Por, këto dilema dhe pamundësi nuk janë vetëm prodhim i situatës së pazakonshme në të cilën gjendet njeriu, sepse edhe njeriu që jeton në kushte krejt komode sociale dhe të komunikimit modern nuk arrin të shpjegojë as përafërsisht atë që ndodh në botën e tij shpirtërore. Shumë gjëra i lidhen në grykë si ushtarit Teruo dhe nuk arrinë t’u japë formë me fjalë. Krijuesi Ynë ka thënë qartë:

“Të pyesin për shpirtin, thuaju: Çështja e shpirtit është punë vetëm e Zotit tim, kurse juve u është dhënë fort pak dije.” (Isra: 85)

Njeriu ka bërë zbulime të mëdha në natyrë, aq sa ka saktësuar edhe largësitë ndërmjet pleneteve, vëllimin e tyre, kohën për të cilën ato sillen rreth boshtit të vet dhe rreth diellit etj, por nuk ka zbuluar pothuajse asgjë për përbërjen e shpirtit, për mënyrën si ai hyn në trup, si funksionon dhe si del nga trupi i njeriut. Është një botë që ekziston, por që nuk njihet sa duhet, sepse nuk janë dhënë kompetenca për një njohje më të madhe. Pra, as njeriut në kushte krejt komode, e as njeriut në kushte krejt të pazakonshme.

Më duket se kur ushtari Teruo Nakamuro është nisur për në atë të kaluar/ të tashme tjetër, diçka i ka përshpëritur në mendje e në shpirt që të marrë atë udhë. Prandaj, ai nuk ka dezertuar nga lufta, po ka shkuar atje për ta vërtetuar me shembullin e vet tregimin e lashtë se është krejt e mundshme jeta e njeriut edhe atje ku atij nuk ia merr mendja. Për të dhënë një provë se fuqia e njeriut, edhe kur ai është i larguar nga udha e drejtë, është më e madhe nga sa kujtojmë kur mendojmë sipërfaqësisht, të kompleksuar nga fuqia e makinave dhe e prodhimeve tjera teknologjike, sepse ai është një krijesë e mbrojtur:

“All-llahu i mbron edhe ata të cilët i marrin si mbrojtës në vend të atij.” (Shura: 6)

Ushtari Teruo Nakamuro me shembullin e vet ka dashur të na rikujtojë se njeriu mund të fshehet në një vend të panjohur e të frikshëm, por mendja dhe shpirti i tij janë unikë, sepse gjithkund në tokë janë në truallin e vet dhe gjithkund janë të aftë të adoptohen e të funksionojnë kur e kanë mbrojtjen e Krijuesit. Ky është ai misteri i dhënë i jetës së njeriut. Prandaj, jeta e Nakamuros, për tridhjetë vjet jashtë kontekstit social, është një shembull që duhet të na bëjë të mendojmë më seriozisht për vlerat unikale të vetes sonë.

Së pari, se nuk është vetëm ky realitet social në të cilin gjallojmë vlera absolute e ekzistencës njerëzore. Dhe aq më pak vlera absolute e kuptimit të jetës njerëzore. Edhe në kohë më të mugëta njerëzit kanë mundur të kenë një ekuilibër më të fortë mendor e shpirtëror dhe një aftësi që të përballojnë huqet e natyrës së ashpër. Prandaj, koha që jetojmë nuk është pika kulmore e integritetit të njeriut, as e të kuptuarit të tij të plotë të botës që e rrethon. Janë të pakuptimta egoizmi, makutëria, fragmentariteti dhe agresiviteti i njeriut të sotëm, i cili e ka shndërruar në totem të ri sajesën e vet - teknologjinë e sofistikuar dhe në qëllim të vetëm rezultatin e prodhuar prej saj - komoditetin material. Por, këto dy anë nuk mund të jenë esenca e mrekullisë dhe e fuqisë së njeriut.      

Së dyti, se zhvillimi i njeriut nuk ka qenë dhe nuk është linear, po mund të ketë dhe ka pasur prapakthime të mëdha në zhvillimin e historisë njerëzore, si pasojë e çoroditjes dhe e prirjes turbulluese të njeriut. Nga një gjendje kthjelltësie dhe ekuilibri fillestar, në të cilin e zbriti në tokë Krijuesi, njeriut më vonë i ka ndodhur që të përfshihet nga kaosi, nga amnezia ose së paku nga agnosticizmi, e pastaj të dënohet që të sorrollatet me shekuj nëpër pyje të pashkelura, pa asnjë kuptim, të shprehë pafuqinë e vet me adhurim ndaj sajesave të imagjinatës së tij. Dhe ashtu ta huq misionin e vet të lartë mbi tokë, qoftë dhe përkohësisht, për të shpëtuar nga humbja vetëm falë Shpalljeve të vazhdueshme që ia kanë ndriçuar mendjen.

Më 8 shtator të vitit 2002, TV ARTE ka transmetuar dy filma që në mënyrë të llahtarshme e paraqesin jetën e njeriut të pllakosur nga çoroditja, në një periudhë  gjoja para se të zbulohej zjarri. Është një projeksion nga më morbidët që mund të imagjinohet. Njeriu në një gjendje jashtënjerëzore, i pushtuar nga instiktet, nga agresiviteti, nga perversioni, nga egërsia. Ajo nuk ka qenë kurrsesi gjendja e parë e njeriut. Krejt ajo gjendje mund të ketë qenë vetëm si pasojë e çoroditjes së mëvonshme të njeriut, e largimit nga natyra dhe nga misioni i vet fillestar, kur është krijuar që të jetë zëvendës i Zotit në tokë, e kurrsesi një gjendje natyrore e tij, sepse njeriu gjithnjë ka pasur udhëzues:

“A mos i ka kaluar njeriut pjesë e kohës kur nuk i është shpallur kurrgjë.” (Insan: 1)

Një përkujtim të asaj përvoje, si pasojë e çoroditjes së njeriut, e transmeton ushtari Teruo Nakamuro, sepse po të shkonte Lufta e Dytë Botërore deri në fund të mundësive të saj, po të harxhonin shtetet ndërluftuese të gjitha potencialet dhe resurset luftarake në luftën shkatërrimtare, njerëzit që do të mbeteshin gjallë detyrimisht do të ktheheshin atje ku u kthye Teruo Nakamuro, në gjendjen e parë pas çoroditjes - në egërsi.

Së treti, se njeriu është i mbrojtur nga Krijuesi i vet kudo që të ndodhet, aq sa më i mbrojtur mund të jetë në mes të pyjeve të pashkelura, se në qytetete moderne, ta zëmë në Nagasaki e në Hiroshimë. Bashkëkombasit e Nakamuros në qytetet moderne Hiroshima dhe Nagasaki ishin më të pafat se ai. Jeta e njeriut nuk varet nga rrethanat që i krijohen në kontekstin social, politik e jetësor, po varet ekskluzivisht nga caktimi që i është bërë prej Krijuesit:

“Ai (njeriu) ka përcjellës përpara dhe pas, atë e ruajnë me urdhër të All-llahut.” (R’ad: 11)  

Së katërti, sundimtarët/ fitimtarët e kanë të pamundur ta kontrollojnë deri në fund planetin dhe njerëzimin, sado fuqi që të kenë në duart e tyre. Që nga faraoni e deri te Hitleri, Stalini, Pol Poti e Millosheviqi, asnjë sundimtar nuk ka arritur ta kalojë mundësinë që ka për të vënë kontroll total mbi jetën e njerëzimit, mbi jetët e tyre. Aq më pak mbi shpirtërat e tyre. Prandaj edhe ndodh që një ikanak si Teruo Nakamuro mund të jetë më i fuqishëm se dy armatat ndërluftuese në Luftën e Dytë Botërore. Prandaj, ky dezertor/hero, ose hero/dezertor, është një shembull me domethënie shumplanëshe për njeriun modern.

Por, njeriu modern merret me anën e jashtme, jo fort domethënëse të së vërtetës, për çka ka rrezik që të përsëritë tragjeditë e mëdha dhe rrjedhimisht edhe fatin e Teruo Nakamuros.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)