Ofertat politike për Drenasin
Shkruar nga Bahri Bivolaku
Nastradin, pse qesh kur je keq? Qesh, se çdo e keqe ka një të mirë dhe pas të keqes vjen e mira. Kështu thotë anekdota për të vazhduar me fjalën popullore se kush qesh i fundit, qesh më së miri. Vërtetë a thua kush do të qesh i fundit në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas?
Në garën për të parin e komunës tashmë kemi dy akterë, njërin që e mbështesin një kallabllak partizash e grupimesh, duke pritur se mos vallë pas 17 vitesh po e çlirojnë Drenasin nga vota e popullit dhe akteri i dytë, i cili nuk po merret me një opinion të tillë fare dhe po e vazhdon fushatën elektorale duke ecur për tokë dhe biseduar me bashkëqytetarët, duke ua ofruar atyre një ofertë të qartë programore për komunën e tyre.
Dikush në, dhe për Drenasin në vend të ecjes po mëton të vrapoj për të zënë diçka që ka humbur më parë dhe në këtë vrap në vend të ofrimit të ofertës programore, qartësisht përdorë thashethëmet e ndryshme. Thashethëmet në Drenas por dhe Kosovë janë bërë modë e veprimit politik dhe e etiketimeve të personaliteteve në politikën rivale.
Ato madje në Drenas kanë filluar të përdoren si mjet i politikës atëherë kur asaj nuk ka se çfarë ti jep nga programi i vet. Thonë që thashethëmet janë arti i të thënit hiq gjë, në atë mënyrë që nuk ke asgjë për të thënë.
Bërja e politikës me thashethëme e pa ofruar ofertë programore, është vërtetë një hap që na kthen prapa shumë, mbase në vitin 2000.
E njohur si spiune Mata Hari, e famshme nuk u bë se kishte një histori të dokumentuar të spiunazhit a zhvilluar ndonjë aktivitet të tillë ndaj akcilit vend a komb.
Ajo u shqua dhe dallua tek pasi u ekzekutua në mënyrë dramatike, por që më vonë u kuptua se ishte viktimë e presionit të opinionit shoqëror e medial, për të treguar se gjoja politika (pjesë e saj) po bënë diçka dhe zhvillon aktivitetet siç po mundohet të bëjë dikush tani në Drenas e Kosovë. Rezultatet e thashethëmeve në rast të fundit vetëm epilogje të tilla kanë me zhurmë e propagandë.
Në Drenas thonë që këpuca e huaj ta vret këmbën
Kandidatë të shumtë nga Drenasi ia mësyen garës për ti veshur këpucët e të parit të komunës.
Disa herët e morën vesh se ato këpucë nuk janë për ta dhe iu bien ngushtë e dikush këtë gjë do e kuptoj më vonë se në Drenas, këpucët e huaja janë të vështira për ti mbajtur, veçanërisht ata që politikën e bëjnë jo për ti ofruar qytetarëve diçka konkrete, por të ushqyer nga inatet dhe në këtë rrugëtim po vrapojnë me abstrakten e thashethëmet përpara.
Gjithsesi që drenicakët e Drenasit kuptojnë ecjen e ngadaltë e racionale, e madje fjalën e urtë popullore shpesh e përdorin në odat e tyre se Kush ecë ngadalë shkon larg dhe shëndoshë e mirë.