23 Dhjetor 2024

Oborrtarët e kryeministrit dhe thirrja për arrati politike

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Pse ka ndërruar kursin politika e shteteve perëndimore ndaj Serbisë? Arsyeja mbase është e qartë, pasi ne në këto vitet e fundit përçonim klishe politike të orientimit pro Perëndimor, gjersa shteti i Serbisë me anë të diplomacisë ekonomike shumë aktive, nxiste kompanitë e mëdha të shteteve perëndimore, të hapin repartet e tyre prodhuese në këtë vend dhe, rrjedhimisht, më pas edhe politika ndërron dhe krijohen interesa strategjike të vendeve nga edhe vijnë këto kompani.

Mbase gjendja e tillë nuk na mjaftoi dhe tani oborrtarët e kryeministrit e shpeshherë edhe vet ai, po nxisin politikën e arratisë karshi perëndimorëve.

Të nderuar oborrtarë të kryeministrit.

Kosova nuk guxon ta humbë të tashmen e krijuar me aq punë e sakrificë, pasi humbja e të sotmes të kthen gjithnjë në të djeshmen, e koha është për të punuar për të nesërmen. Ju oborrtar po na ktheni në të djeshmen!

Punësimet familjare, favoret, interesat dhe politika e folklorit na shtyjnë distancën me shtetet të cilat kontribuan shumë në krijim dhe formësim të shtetit të ri të Kosovës. Duhet ta kuptojmë se nuk është mburrje sot nëse dikujt i ofron favore momentale, mbase ky edhe nuk është roli i politikës.

Është mburrje nëse arrin të krijosh kushte që çdo qytetar të ketë mundësi të jetoj nga puna dhe djersa e tij! Për të matur virtytin e një njeriu, nuk duhet ta shohim në rastet e mëdha por në jetën e përditshme

Vëllai , djali, dhëndrri a çika e LLazës!

Shtratin e kulturës së shpresës tek qytetarët( anëtarësia), e prishin politikat që duken në jetën e përditshme.

"E ashtu sikurse një gjethe e vetme nuk vyshket pa ndihmën e heshtur të gjithë pemës"( Gibran).

I nderuar kryeministër, jeni duke u vyshkur me ndihmën e oborrtarëve dhe gjithë pemës tuaj, e mbase po kontribuoni që të vyshket edhe vet shteti ynë..

Por jo vetëm kaq.

Në këtë rrjedhë të zhvillimeve politike, taksa tashmë ka humbur kuptimin dhe ju e keni të qartë këtë gjë, mbase ajo ekziston vetëm në letër.

Mallrat serbe dominojnë në tregun Kosovar (sipas mediave) . Kontrabandë me Mallra, Kontrabandë me Taksën , Kontrabandë me Patriotizmin, Kontrabandë me Punësimet Familjare ........ !Patriotët e Plazma Keksit!

Cili do të duhej të ishte fokusi angazhues i Qeverisë së shtetit tim?

Kosova dhe Shqipëria, mbase së bashku mund ta zhvillojnë diplomacinë ekonomike më lehtë sesa të ndara. Duke qenë si dy shtete që përbëjnë një nyje rajonale dhe jo larg shteteve të qendrës së Evropës dhe Azisë, e bëjnë më të lehtë fuqizimin e diplomacisë ekonomike dhe thënë më thjeshtë tërheqjen e investitorëve nga jashtë.

Për të arritur që në vendet tona t’i kemi kompanitë e mëdha evropiane apo degët e tyre dhe prodhimet, padyshim që na nevojitet një diplomaci efektive ekonomike dhe e cila nuk mund të ndërtohet pa specialistë dhe njerëz të pajisur mirë, përfaqësues të aftë, të edukuar dhe patriot të shteteve nga vijnë.

Rrjeti i misioneve diplomatike duhet të fuqizohet me diplomatë që angazhim primar kanë diplomacinë ekonomike, të cilët janë në gjendje për të bërë prezantim të dinjitetshëm të mundësive të vendeve tona.

Kam bindjen që qeveritë e dy vendeve duhet të bëjnë shumë më tepër në këtë fushë për të mos ta humbur kohën dhe hapin.

Duhet ecur në zhvillimin e diplomacisë ekonomike dypalëshe dhe bërë avokatinë për të sensibilizuar investimet, po aq sa edhe krijimit të imazhit pozitiv të rajonit.

Vizioni për zhvillim të diplomacisë ekonomike, padyshim që ngërthen në vete orientimin që i shërben vendit për zhvillim ekonomik, e me këtë edhe rritjes së stabilitetit dhe qëndrueshmërisë. Diplomati që i shërben këtij vizioni padyshim që duhet të ketë aftësi për të bindur kompanitë e mëdha për të ardhur e investuar me degët e tyre këtu.

Qeveritë e vendeve tona, bashkë me diplomatët duhet t’i shërbejnë kësaj kauze dhe shfrytëzuar të gjitha mundësitë e potencialet që në vend të te bërit të politikës tradicionale ballkanase, t’i vizitojnë kompanitë, për shembull në Zvicër si Glencore, Nestle, pastaj ato të Austrisë si Ëienerberger, Red Bull GmbH, pastaj ato në Gjermani si SAP, Volkswagen, BMW.

Në Britani të Madhe, kompanitë si: Unilever, British American Tobacco, Associated British Food etj. Në Francë, kompanitë si: L’Oreal, Renault, e shumë kompani tjera të suksesshme në Europë, Turqi e tjerë, e të cilat mbase mund të binden drejtuesit e tyre për të hapur linjat prodhuese të tyre në vendet tona.

Mendoj që sot në pozitat ku jemi, politikat tona duhet të zhvillohen në këtë drejtim, duke u larguar nga folklori e popullizmi dhe krijuar kushte maksimale dhe politike ekonomike shumë të favorshme që kjo edhe të ndodhë. Ambasadat tona duhet t’i shërbejnë me fanatizëm këtij vizioni.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)