Nuk ka neutralitet ndaj realitetit të Kosovës
Shkruar nga Blerim Shala
Çfarë po ndodh në bisedimet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në fakt, nuk është diç neutrale ndaj statusit të Kosovës, ndaj realitetit të Kosovës, ndaj organizimit ligjor dhe kushtetues të Kosovës.
Beogradi zyrtar ka bërë me dije ditëve të fundit qëndrimin e tij për pjesëmarrjen e qytetarëve serbë të Veriut të Kosovës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë. Serbët e Veriut të Kosovës do të duhej të votonin në këto zgjedhje.
Njëkohësisht, autoritetet e Serbisë kanë nënvizuar, në porositë publike drejtuar autoriteteve të Kosovës por edhe atyre ndërkombëtare, para se të gjithash Zyrës së Catherine Ashton, e cila iu prin bisedimeve të Brukselit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, që zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, duhet të mbahen me modelin e neutralitetit ndaj statusit të Kosovës, sepse ky model është njëri prej parimeve të dialogut politik të Brukselit.
Asnjanësia stausore e Kosovës në dialogun politik Kosovë Serbi, që nisi në tetorin e vitit të shkuar, nisët e soset me qëndrimin që aktualisht, në rrethanat e tanishme, ky dialog, nuk e obligon Serbinë që ta njoh shtetin e Kosovës.
Por në esencë, ky dialog, me rrjedhën e tij, me rezultatet e tij, nuk bën gjë tjetër pos që përgatitë rrethanat politike, legale, dhe të gjitha rrethanat e tjera që kur Serbia të afrohet anëtarësimit në BE, ta bëjë edhe njohjen e shtetit të Kosovës.
Çfarë është tjetër IBM-i, çfarë është tjetër Marrëveshja e 19 prillit, e cila hapi udhën për largimin e strukturave të Serbisë nga Kosova?
Çfarë do të jenë edhe marrëveshjet e tjera që do të pasojnë, e të cilat do të duhej të arriheshin nën titullin e normalizimit (të synuar) të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Çfarë është tjetër, tek e fundit, vetë nocioni i normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë?
Serbia nuk mund dot të anëtarësohet në BE pa e bërë hapin final të njohjes së Kosovës. Kjo është e qartë për të gjithë zyrtarët dhe politikanët e Serbisë. Po të kishte largpamësi në udhëheqësinë e Serbisë tash e pesë vjet, apo që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në dyzimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe të vullnetit të Botës demokratike, çështja e njohjes së shtetit të Kosovës do të trajtohej me një qëllim të vetëm që këto dy shtete të krijojnë marrëdhënie krejtësisht të reja, të cilat madje do të mund të ishin shembull për gjithë rajonin.
Nëse Beogradi ka mbajtur një fije shprese që ICJ(Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), do ta mëdyshë, ligjërisht, pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ndodhi, tash e tre vjet në Hagë. Përkundrazi.
ICJ dha mendimin që nuk e kontestonte bërjen e shtetit të Kosovës nga pozicioni i të Drejtës ndërkombëtare.
Vuk Jeremiqi, Shefi i diplomacisë së Serbisë dhe kryeprotagonisti i kontestimit të pavarësisë së Kosovës në ICJ, pati thënë edhe publikisht që nëse ICJ nuk e mohon pavarësimin e Kosovës, atëherë Serbia nuk do të ketë zgjidhje tjetër pos të dorëzohet.
Por ja që mentaliteti i mbrapshtë politik i elitës politike në Serbi, bëri që as pas vendimit të ICJ-së të mos ndodhë kthesa e madhe në drejtimin e duhur.
Megjithatë, rezultat i verdiktit të ICJ-së është dialogu Prishtinë Beograd i nisur, fillimisht në temat që klasifikoheshin si teknike (e që u pa shpejt që kanë dimensionin e qartë politik), dhe i vazhduar me ato që menjëherë u cilësuan si bisedime politike.
Lidershipi serb synon që këtë ndërmarrje politike, rajonale dhe ndërkombëtare, e cila është elementi kyç i rrugëtimit të Serbisë kah Bashkimi Evropian (kjo është e ditur për të gjithë tashmë), ta prezantojë, para opinionit në Serbi dhe para qytetarëve serbë në Veri të Kosovës, si një proces që nuk e obligon Serbinë ta ndryshojë pozicionin karshi Kosovës, sepse nuk e detyron ta njohë shtetin e Kosovës.
Por, njëkohësisht, këtu duhet shtuar që edhe ky prononcim ka dalë në shesh prej kryepolitikanë institucional të Serbisë, Beogradi zyrtar e pranon realitetin në Kosovë dhe madje, (kjo deklaratë është dëgjuar midis tjerash në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, instancën më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare), pranon edhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Po ashtu, Serbia, përmes bisedimeve të Brukselit, ka pranuar që në Kosovë ka struktura të saj të sigurisë, që ato duhet të zhbëhen, që pjesëtarët e tyre duhet të integrohen në strukturat e Kosovës, dhe që për suksesin e këtij operacioni parakusht është Ligji për Amnistinë, i cili në ndërkohë është miratuar prej Kuvendit të Kosovës.
Tërësia territorial e Kosovës, plus realiteti i Kosovës, plus zhbërja e strukturave të Serbisë, plus integrimi në strukturat kosovare të sigurisë, nuk bënë gjë tjetër, në tërësinë e saj pos hapin e parë të Beogradit zyrtar ndaj njohjes së shtetit të Kosovës, e cila do të mbërrijë pas normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Po të kishte mençuri politike dhe guxim në Beograd, njohja e shtetit të Kosovës, do të ishte hapi i parë i madh drejt normalizimit të këtyre marrëdhënieve.
Po del, sipas logjikës që tash është në fuqi, që njohja do të jetë hapi i fundit në procesin e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe hapi paraprak dhe kushtëzues i Serbisë për të marrë statusin e shtetit anëtar të BE-së.
Pra, çfarë po ndodhë tash e sa kohë në bisedimet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nën udhëheqjen e Ashton, nuk është një proces që është neutral ndaj statusit të Kosovës, ndaj realitetit të Kosovës, ndaj organizimit ligjor dhe kushtetues të Kosovës (shih tek e fundit përmbajtjen e Marrëveshjes së parë të 19 prillit), ndaj zhvillimeve që tash e tutje duhet të ndodhin në Kosovë, një herë me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit e pastaj me zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në vitin 2014.