Njeriu, atdhedashësi dhe studiuesi i njohur nga Parisi edhe në Prishtinë
Shkruar nga Mr. Elife Podvorica
Edhe pak ditë kanë mbetur nga data e çmuar e 28 Nëntorit - Datë që shënon 100 vjetorinë e Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe, Përvjetori, sikur vetvetiu merr kuptimin e një rezymeje, të asaj se çështë bërë gjatë këtyre 100 vjetëve, çfarë të arriturash kemi bërë në rrafshin kombëtar si popull, çfarë zhvillimesh ekonomike, politike e shkencore kemi bërë në prosperitetin tonë si komb shqiptar në trojet që kemi jetuar, edhe pse të ndarë shumëcopësh.
Të ndarë në trojet tona etnike na gjeti edhe 100 vjetshi, por me një ndryshim tjetër: Kosova me përpjekjet e gjithë atyre brezave që bënë nëpër vite, si dhe me mbështetjen e po atyre që na ndanë para 100 vjetësh (sidomos të SHBA-së), arriti që me luftën e fundit të UÇK-së, ta bëjë Kosovën shtet të Pavarur dhe të lirë nga pushtuesi ynë shumëshekullor - Sërbia.
Por, edhe këtyre ditëve shtetet e Evropës kanë po të njëjtin hall, siç patën në Kongresin e Londrës më 1913: si të rehatohet çështja e kufinjve shqiptarë? Kësaj radhe në përmasa më të vogla ka mbetur vetëm çështja e Mitrovicës së veriut të zgjidhet dhe Kosova do të ketë rehatinë e saj si shtet i pranuar dita-ditës nga shumë htete të tjera të botës! E shqiptarët, ashtu të arsyeshëm si në çdo periudhë historike (!), edhe gjatë këtyre proceseve me ndërkombtarët dhe Sërbinë, nuk deshën të krijonin telashe të tjera, sepse me siguri se do të kishin mundësinë (dhe duhej) e rivendikimeve të tokave të tyre të vjetra, të cilat jo më larg se viti 1878, ishin të tyret.
Por, nuk deshën që tu krijonin aleatëve kokëdhimbje të tjera dhe tu kërkonin kthimin e tokave të të parëve që janë gjer te molla e kuqe, në kohën kur Serbia i jep vetes të drejtë dhe me atë tupanin demagogjik të saj kërkon ndarjen e Mitrovicës dhe të Kosovës Veriore.
Natyrisht se e kanë të vështirë ta ndërrojnë moton e shprehjes së tyreTrepça radi-Beograd se gradi (Trepça punon, Beogradi ndërtohet) - thënie kjo që ka të vërtetën e saj të madhe për nja 60-70 vjet me radhë, në kohën sa Kosova ishte e pushtuar nga Serbia-Jugosllavisë.
Por, megjithatë, nuk mund të themi se është bërë pak gjatë këtyre 100 vjetëve. Kosova tashmë është një shtet i dytë shqiptar.
Këto dy shtete do të ecin drejt bashkimit të tyre dhe të krahinave tjera shqiptare në një shtet të vetëm një Shqipëri dhe në zhvillimin e kombit shqiptar krahas popujve tjerë liridashës e paqendërtues në Ballkan-ILIRI dhe në Evropë! Pastaj edhe botimi i Abetares së përbashkët kombëtare,Rruga e Kombit , e cila ka edhe pak kilometra të bëjë lidhjen mes dy shteteve shqiptare dhe shumë të arritura tjera.
Të gjitha këto arritje patën çmimin e tyre të madh për popullin shqiptar: Faqet e historisë së tij u stolisën me shumë emra të Dëshmorëve e Heronjve tanë, patriotëve e intelektualëve të shumtë, të cilët punuan e vepruan me përkushtim të thellë për kombin e tyre, të ndarë e të copëtuar nën ombrellën e armiqve!
U bënë shumë manifestime kombëtare e gjithëkombëtare pothuaj gjatë tërë vitit, të cilat në një shkrim as që do të mund të përfshiheshin, por disa janë më të çmuara siç janë arritjet në rrafshin politik, ekonomik dhe shkencor!
Një kësi manifestimi shkencor patëm këtyre ditëve në Prishtinë me ardhjen e z. ARIF Mati (Matjy Aref) - shqiptar me prejardhje nga Mati e që jeton e vepron në Francë për dekada të tëra. Ishte shumë interesante biografia e tij. Arif Mati është shqiptar Egjipti, domethënë i lindur në Kajro, nga prindër shqiptarë - Matjan dhe pjesëtarë të kolonisë së atëhershme shqiptare të Egjiptit.
Në vitin 1952, ushtarakë të udhëhequr nga Muhamed Nagip dhe Gemal Abdel Naser rrëzojnë nga fuqia mbretin Faruk të Egjiptit, i cili ishte i fundit (i dhjeti) i dinastisë shqiptare që sundoi Egjiptin e Sudanin që nga viti 1805.
Mbas rrëzimit të mbretit Faruk, kolonia shqiptare mbi një milionshe e Egjiptit filloi të thërmohet dhe shqiptarët e saj filluan të largohen prej Egjiptit. Familja e Arif Matit arriti në Francë më 1961 dhe që nga ajo kohë Arif Mati ka jetuar atje.
I lindur në Kajro të Egjiptit nga dy prindër shqiptarë nga Mati të emigruar në vitin 1910 në Kajro, i rritur në Paris, ku edhe kreu studimet e tij shumëvjeçare. Studimet e tij mbi 30 vjeçare ishin përkushtim ndaj çështjes së drejtë të prejardhjes së popullit shqiptar.
Dhe ai arriti që me dokumente historike, arkeologjike, antroplologjike, gjuhësore, pra me një fjalë, me hulumtime shkencore shumëvjeçare të dëshmojë para botës se populli i sotëm shqiptar është një trung ilir me rrënjë të thella në Pellazgji!
Janë dy librat e tij shkencorë (të parat të natyrës hulumtuese- shkencore): Shqipëria - Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen, si dhe libri tjetër Mikenët = Pellazgët - Greqia ose zgjidhja e një enigme! Më 2 janar të vitit 2012 ai mbrojti Tezën e Doktoraturës me temë: Studime e kërkime shkencore mbi Pellazgët në prejardhjen e qytetërimit grek.
Mrojtjen e tezës e bëri në Departamentin e Historisë së Vjetër dhe Mesjetës në Universitetin e Sorbonës në Paris.
-Si e pranuan kolegët Tuaj shkenctarë faktin se Greqia Antike nuk është asgjë tjetër, veçse shqiptare me prejardhje pellazge? A ka ndonjë huti ndër historianët, shkencëtarët botëror që kështu, me këto fakte të reja të zbuluara nga ana juaj, ta rrëzojnë mitin e Greqisë antike me gjithë ata alamet filozofësh prej të cilëve bota sot e asaj dite, mbështetet në tezat e tyre për zhvillimin dialektik të civilizimit njerëzor?
- ishte pyetja e parë që pata mundësinë ti bëja gjatë vizitës së tij në Rektorat.
Jo, - tha. Botimi i librit doli së pari në gjuhën frenge dhe u shqyrtua nga shumë ekspertë të shkencës, por këto fakte historike nuk hasën në reagime negative. Sepse, në shkencë, për ta rrëzuar një tezë duhet të kesh fakte.
E deri më sot, askush nuk doli që të vërtetonte të kundërtën e kësaj që kam thënë unë në dy librat e mi. Bile këtu do kisha shtuar një thënie të Karl Otfried Muller(1825), i cili thotë: Sa më shumë që inteligjenca të depërtojë në historinë e Greqisë, aq më shumë vëmendja do të përqëndrohet te elementi pellazgjik i sakrifikuar gjer më tani!
Ndërsa një ditë para vizitës së tij në Rektorat, z. Arif Mati pati promovimin e librit Shqipëria - Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen. Libri bashkë me autorin u mirëpritën dhe u përkrahën nga të gjithë gjatë vizitës së parë në Kosovë.
Instituti Albanalogjik, me përkujdesjen e posaçme të z. Emin Kabashit, organizoi përurimin dhe paraqitjen e librit dhe të autorit. Interesimi dhe pjesëmarrja ishte e madhe.
Pastaj Dekani i Fakultetit Filozofik, z.Bujar Dugolli organizimin dhe mbajtjen e një ligjërate për studentët e këtij Fakulteti nga ana e z. Aref.
Edhe mediat, posaçërisht, RTK-ja, i bëri një prezantim shumë të mirë promovimit të librit, pastaj Milaim Zeka e pati mysafir në emisionin e tij televiziv.
Një vizitë dhe pritje prekëse ishte ajo në kompleksin përkujtimor në Prekaz dhe në Familjen e Madhe JASHARI. Arif Mati nuk i mbajti dotë lotët në takimin me Murat Jasharin.
Një pritje e ngrohtë dhe vëllazërore iu bë edhe në Rektoratin e Universitetit nga ana e menaxhmentit.
Në çdo hap, në çdo takim, ai tregonte kënaqësi e kulturë prej një shqiptari të vërtetë, i cili me fanatizëm i kishte ruajtur traditën dhe vlerat shqiptare të trashëguara nga prindërit e tij.
Ishte gjithë emocion e nostalgji edhe udhëtimi për në qytetin e Prizrenit, i cili u bë kah malet e Sharrit me qëllim që ai të shihte dhe përjetonte edhe këtë pjesë të bukurisë shqiptare.
Mahnitej e kënaqej me çdo gjë që shikonte: me bjeshkët e larta, me ngjyrat e vona vjeshtore, me ujërat dhe rrjedhat e furishme të tyre, sidomos në rrugën për në Brezovicë.
Na luste që ta ndalonim makinën dhe të fotografonte çdo gjë: drunjtë, grykat e maleve, ngjyrat vjeshtore, ujëvarat, pra, mundohej që në atë aparat fotografie të mirrte çdo gjë me vete.
Por, nga mënyra se si e shprehte ai, më dukej se ai të gjitha këto i regjistronte më shumë në shpirtin e tij me mall gyrbetqari.
Fliste pareshtur me atë begati fjalësh të vjetra e burimore shqipe që i kishte ruajtur në fondin e të folurit të tij, që na kënaqi edhe ne aq shumë me ato thënie e shprehje të vjetra, që pothuaj i ka mbuluar pluhuri i harresës, apo më mirë me hënë, janë veshurme fjalë të huaja e që nuk janë aspak shqiptare.
Na dëftonte dhe për prindërit e tij, për babain, i cili kishte mërguar nga Shqipëria në Kajro që në vitin 1910 dhe kurrë më se kishte parë Shqipërinë.
Na dëftonte edhe për nënën e tij dhe zërin e saj të bukur, për përpjekjet e tyre që katër fëmijëve të saj tua mësonte mirë gjuhën amtare shqipe.
Bile me rastin e vdekjes së saj, autori i kishte bërë një Elegji, të cilës i shkoqita ca vargje: Në mërgim ti ke jetue Por Shqipërinë se ke harrue Më vjen keq Nanë moj Lule Se vorrenë tyt natdhe se fute!
Në librin e këngëve që patëm me vete, ai takoi dhe këngën të cilën nëna e tij e këndonte me lot në sy. Ishte kënga Haliti i vogël.
Ndërkohë na e tregoi një foto, e cila kishte Diplomën e tij të Doktoraturës dhe afër saj, të vendosur një kavanoz brenda së cilës kishte DHE. -Dheu i vendlindjes së dy prindërve të mi - tha është!
E kam marrë kur isha herën e kaluar në Mat dhe në nderim të tyre e mbaj në dhomën time të punës që ta kem gjithmonë para syve të mi!
Ndërsa vizita në qytetin e Prizrenit ishte edhe më prekëse dhe mallëngjyese. Qyteti i lashtë tradicional ishte skuqur i gjithi nga flamujt kuq e zi që valonin ashtu krenar në çdo shesh, rrugë, e cep të qytetit.
Edhe këtu pothuaj asgjë nuk mbeti pa hyrënë aparatin fotografik dhe në kamerën që mysafiri e përdorte për të incizuar që të gjitha, sidomos në Lidhjen e Prizrenit, ku babagjyshi i tij kishte qenë pjesëmarrës në Kuvendin e tij më 1878.
Erdhi dhe momenti i ndarjes dhe me mallëngjim e nderim të madh u përshëndetëm me një studjues shqiptar, me një atdhetar të shkëlqyer, me një njeri me vlera të kristalta intelektuale e njerëzore, me një qytetar shqiptar e francez, me një atdhetar mërgate.
Falënderimi i tij për mundësinë e gjithë këtyre ngjarjeve që kishte përjetuar gjatë vizitës së tij në Kosovë nuk kishte të ndalur!
Por, në këtë vazhdë falënderimesh, unë do ti mbetesha shumë borxh, po të mos e përmendja atë personazhin kryesor që e mundësoi ardhjen dhe vizitën e z. Matjy Aref ndërne.
Ishte ky ArbanBislimi, që kishte mbaruar studimet në Paris, i cili me vetiniciativë realizoi edhe promovimin dhe vizitën e z. Aref këtu te ne.
Përpjekja e tij që në kuadër të vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të vinte dhe të nderohej shkencëtari që me dy librat e tij shkencore, kishte arritur që ti shpaloste botës historinë e vërtetë të popullit të tij, flet për angazhimin e vazhdueshëm të mërgatës shqiptare për të lidhur ura bashkëpunimi mes popullit që i përkasin dhe universiteteve ku ata studjojnë nëpër Evropë.
Përpjekja e tyre në çështjen kombëtare, sidomos angazhimi i tyre në vitet për mobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj angazhimi i tyre i pareshtur intelektual në ngritjen dhe avancimin e rinisë shqiptare drejtë arsimimit të mirëfilltë të saj është për tu respektuar dhe për admirim të thellë.
Mërgata meriton një respekt të veçantë nga shteti i Kosovës, kur dihet që kontributi i saj është dhe ka qenë çdo herë pjesë e avancimit të popullit shqiptar të Kosovës.
Është për tu admiruar fakti se rinia shqiptare që jeton, studjon dhe punon jashtë, asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen e prindërve të tyre: as në ditët kur kërkohej që edhe jeta të flijohej për atdhe, as tani kur me përvojën e tyre intelektuale të fituar nëpër universitetet më prestigjioze evropiane, nuk hamenden për asnjë çast, që kjo përvojë dhe dije e fituar të gjejë veten në hapësirën shqiptare.
Pra, janë çdo herë të gatshëm për çdo lloj bashkëpunimi që neve kemi nevojë në fushat e ndryshme, në ndërtimin e jetës sonë shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike.
Edhe z. Mathiy Aref, ishte nga Mërgata. Andaj, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Faleminderit Mërgatë, faleminderit mërgimtarë, për të gjitha!