Një vdekje pa bujë
Javën që shkoi ndërroi jetë një prej shkrimtarëve disidentë shqiptarë, Kasem Trebeshina. Por, për dallim prej herëve të tjera kur vdes një emër i shquar i letërsisë, nuk pati atë bujën që dimë ndonjëherë t’u japim këtyre ngjarjeve.
Trebeshina u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare. Me një jetë të trazuar gjatë sistemit komunist, i burgosur, pas viteve 90-të Trebeshina zgjodhi të bënte një jetë të tërhequr.
Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës.
Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim.
Pjesa më e madhe e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 në Prishtinë: “Stina e stinëve”, 1991; “Mekami, melodi turke”, 1994; “Historia e atyre që s’janë”, dramë, 1995, “Tregtari i skeleteve”, 2006, “Këngë për Kosovën”, 2007, “Shtigjet e shekujve”, 2007 dhe në Tiranë: “Legjenda e asaj që iku” (ribotim i “Stina e stinëve”), 1992; “Koha tani, vendi këtu”, 1992; “Qezari niset për në luftë”, 1993; “Rruga e Golgotës”, 1993; “Lirika dhe satirë” 1994: “Hijet e shekujve”, 1996; “Ëndrra dhe hije” drama; 1996 etj.
Por pse kjo heshtje e qarqeve letrare, kulturore e politike për vdekjen e një figure si ajo e Kasem Trebeshinës?
Në hapësirën shqiptare asnjëherë nuk kemi pasur më shumë institucione të arsimit të lartë, universitete publike e private në çdo cep të trojeve shqiptare. Kemi dy Akademi të Shkencave dhe institute të ndryshme. Kemi aq shumë doktorantë e studiues, por askush nuk doli të thotë një fjalë për vdekjen e shkrimtarit disident.
Letra e Trebeshinës “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e metodës së realizmit socialist.
Mirëpo, ka pasur studiues që e kanë kontestuar vërtetësinë e këtij dokumenti. Madje, disa studiues pretendojnë se ka pasur ndonjëherë disidentë në Shqipërinë komuniste. Kësaj teorie i ka kontribuar edhe shkrimtari me nam Ismail Kadare.
Kadare, i cili shpesh është cilësuar si “shkrimtar i oborrit”, është kujdesur që të ndërtojë një rrëfim tjetër për veten e tij. Tani, Kadare më tepër shihet si një prej atyre shkrimtarëve që më gjeturinë e tij prej shkrimtari arriti të përbirojë censurën komuniste. Por, ata që kanë refuzuar këtë rrëfim për Kadarenë, si në rastin e akademikut Rexhep Qosja, i cili e ka kritikuar pa mëshirë shkrimtarin e madh, është përballë me linçim publik.
Vetë shkrimtari Kasem Trebeshina është në konflikt të përhershëm më shkrimtarët e oborrit, të cilët i portretizon në veprat e tij. Një prej dramave më tronditëse është edhe “Historia e atyre që s’janë”. Aty shihet sesi klika komuniste depërton edhe brenda familjes.
Heshtja që po i bëhet një figure si ajo e Trebeshinës flet për një krizë intelektuale në hapësirën shqiptare. Prishtina ndonjëherë i ka paraprirë disa proceseve, duke botuar më herët shkrimtarët e ndaluar. Por, është për të ardhur keq që edhe Prishtina është ndikuar ashtu si më parë nga Tirana për promovimin e “modelit zyrtar” të letërsisë.
Kështu shkrimtari Anton Nikë Berishaj në një intervistë për publicistin Shefqet Rexhepi fajëson si Tiranën, ashtu edhe Prishtinën që shpesh i botuan veprat të gjymtuara.
Miti për shkrimtarin Ismail Kadare dhe shkrimtarët e tjerë të socrealizmit duket se ka dominuar mbi mendimin tonë letrar. Edhe pse pas vitit 1990, ne iu kthyem shkrimtarëve të ndaluar, duket se nuk mund të shkëputemi lehtë nga ata emra me të cilët thjeshtë jemi mësuar dhe sikur nuk mund të bëjmë pa ta.
Ideologjia komuniste ndonjëherë po kthehet në trajtë të mbeturinave, apo të nostalgjisë për atë periudhë. Psikologët flasin për “konstruksion mendor” të një gjenerate, apo siç thuhet në popull “u është pjekur në mendje”. Dikush thotë se nuk mund ta përqafosh ideologjinë e komunizmit nëse nuk ke jetuar atë kohë, por mendoj se mund të gjesh të rinj që janë të “infektuar” me këtë ideologji edhe në ditët e sotme.
Është për të ardhur keq se si një moderatore emisioni si Rudina Xhunga kur bën intervistë me Nexhmije Hoxhën, gruan e diktatorit Enver Hoxha, në vend se ta gozhdojë me pyetje për rolin e saj në diktaturë, krekoset dhe bën fotografi me të.
Pra, kemi një konflikt mes shkrimtarëve të oborrit dhe shkrimtarëve që iu kundërvunë regjimit. Numri i tyre nuk ishte i paktë. I tillë ishte ta zëmë edhe Lasgush Poradeci, i cili nuk deshi të shkruajë në frymën e realizmit socialist.
Por, me gjithë heshtjen që po i bëhet nga institucionet zyrtare, mendoj se studiues të rinj po i kthehen gjithnjë e më tepër punimeve për letërsinë e ndaluar. Vitet e fundit veprat e shkruara prej Trebeshinës kanë qenë shpesh pjesë e referateve shkencore në Universitetin e Prishtinës apo Tiranës.
Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Për kritikët, veprat e Trebeshinës qëndrojnë ndërmjet traditës kuteliane dhe surrealizmit, por atij vetë i pëlqen ta quajë realizëm simbolik. “Kasëm Trebeshina profet“ e quan Robert Elsie në një artikull të vitit 1992.
Vendi i veprës së Trebeshinës ne letërsinë shqipe mbetet ende i papërcaktuar përfundimisht. Pjesa me e madhe e veprës së Trebeshinës është në dorëshkrim, numër që mendohet të arrijë deri në 140 dorëshkrime, përmbledhje poezish, tregime, novela, romane, drama, komedi, tragjikomedi, shkrime kritike, eseistike dhe publicistike.
“Stina e stinëve” është vepra më përfaqësuese e atyre që janë botuar deri më sot e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”.