23 Dhjetor 2024

Një Serbi e trashëgimisë së Milosheviqit

Shkruar nga Lëvizja Vetëvendosje

Përderisa politikanët qeveritarë të Kosovës po bëjnë çmos që të takohen me eksponentët e regjimin antishqiptar të Beogradit, shteti i Serbisë denoi me 116 vite burg 11 pjesëtarë të UÇK-së.

Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti për Krime të Luftës, ashtu sikurse i tërë aparati shtetëror serb, ende mbetet instrument në duart e pinjollëve të Milosheviqit (Nikoliq e Daçiq)në funksion të persekutimit të shqiptarëve dhe me të vetmin synim – spastrimin e heshtur të Serbisë nga shqiptarët.

I gjithë ky persekutim i organizuar shtetëror serb po zhvillohet në sfondin e përpjekjeve të vazhdueshme të krerëve vendës të Republikës së Kosovës për t’i takuar përfaqësuesit e Serbisë drejt rifillimit të negociatave, në të cilat pritet që temë e re të jetë edhe një pjesë e territorit të vendit tonë  (veriu i Kosovës).

Kjo tregon se të shantazhuar janë politikanët tanë: Serbia nuk ka shlyer asnjë borxh ndaj nesh për praninë dhe veprimtarinë e saj sistematike kriminale; Serbia vazhdon ta destabilizojë Kosovën me strukturat e saj të paligjshme brenda Kosovës; Serbia po e spastron Luginën e Preshevës me represion e diskriminim të paparë në Evropën e sotme; kurse Qeveria e Kosovës rri gjithnjë në gjendje gatishmërie për negociata të reja me të, ndërkohë që BE-ja na shet deklarata të stilit – ‘e vlerësojmë lart përparimin e Serbisë në konsolidimin e demokracisë dhe stabilitetin e institucioneve drejt integrimeve evropiane’.

Si mund të jetë evropiane një Serbi që aplikon ndëshkime të pabaza drakonike për shqiptarët që e kanë luftuar regjimin fashist të Milosheviqit?

Kjo tregon se në Serbi nuk ka ndodh luftimi i regjimit të Milosheviqit dhe denazifikimi i Serbisë, por rehabilitimi i këtij pushteti përmes mekanizmave që i persekutojnë ata që e k anë luftuar këtë regjim.

Është e papranueshme se si Tirana e Prishtina po heshtim përballë këtij persekutimi shtetëror ndaj shqiptarëve të Luginës.

Serbia na qenka faktori që duhet të llastohet e të mos qortohet. Ndërkohë që shqiptarët janë ata që u dashka të bëjnë koncesione të vazhdueshme me territorin dhe me të drejtat e tyre.

Ata që duhet të heshtin,. Ata që duhet të rrinë urtë. Ata që për Serbinë u dashka të jenë urë kaluese për në BE, ndërkohë që vetë mbesin gjithnjë jashtë, të lënë anash, të shkelur e të diskriminuar. 

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër fushatën e Serbisë për persekutimin dhe përndjekjen sistematike të shqiptarëve që e luftuan regjimin e Milosheviqit. Një Serbi e tillë e cila vazhdimisht ngulmon në trashëgimin e saj të kaluar gjenocidale nga e cila ende nuk është shkëputur, duhet të kundërshtohet nga i gjithë faktori shqiptar si dhe t’i pengohet hyrja në BE.

Kërkojmë ndërprerjen e dënimit të shqiptarëve si dhe lirimin e menjëhershëm të të ndëshkuarve.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)