Një mijë ditë për të mbajtur premtimin e mijëvjeçarit
Shkruar nga Ban Ki-moon
Një udhëtim i gjatë me mijëra kilometra fillon me një hap të vetëm, mirëpo duke filluar nga kjo javë mund të marshojmë një mijë ditë përpara në një të ardhme të re.
Më 5 prill, bota do të arrijë një moment jetik për shtytjen më të madhe dhe më të suksesshme në historinë e luftës kundër varfërisë caku 1,000-ditësh para datës së synuar, për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Këto tetë qëllime konkrete u caktuan në vitin 2000, kur një numër liderësh, më i madh se kurrë më parë, u bashkuan në Kombet e Bashkuara dhe u dakorduan të përgjysmojnë varfërinë dhe urinë globale, të luftojnë ndryshimin e klimës dhe sëmundjet, të shqyrtojnë ujin dhe higjienën e pasigurtë publike, të shtojnë arsimimin dhe të hapin dyert e mundësive për vajzat dhe gratë.
Kjo nuk ishte hera e parë që liderët të kenë dhënë premtime të larta. Cinikët supozonin se OZhM do të lihen pas dore duke qënë se ishin shumë ambicioze. Në vend të kësaj, Objektivat kanë ndihmuar për të përcaktuar prioritetet globale dhe nacionale, për të mobilizuar veprim dhe për të arritur rezultate të shquara.
Në dekadën e fundit, 600 milionë njerëz janë ngritur nga varfëria e skajshme që do të thotë pesëdhjetë përqind zvogëlim.
Një numër rekord i fëmijëve janë në shkollë fillore për herë të parë me numër të barabartë të vajzave dhe djemve. Është zvogëluar vdekshmëria e nënave dhe fëmijëve. Investimet që synojnë luftën kundër malaries, HIV/AIDS dhe tuberkulozës, kanë shpëtuar miliona jetë njerëzish. Në gjashtë vitet e fundit, në Afrikë janë zvogëluar vdekjet që kanë të bëjnë me AIDS për një të tretën.
Ekzistojnë edhe Objektiva dhe synime ku kemi nevojë për më shumë progres. Shumë femra ende vdesin gjatë lindjes, ndërsa ne kemi mjetet për të shpëtuar ato. Në shumë komunitete mungon ende higjiena themelore sanitare, gjë që shkakton që uji i fëlliqur të jetë kërcënim vdekjeprurës.
Në shumë vende të botës, të pasura dhe të varfëra, pabarazitë janë gjithnjë e më të mëdha. Ende mbeten shumë njerëz prapa.
Për të përshpejtuar masat, komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë katër hapa.
Së pari, të shtojë suksesin përmes investimeve strategjike dhe të synuara, të cilat kanë efekt shumëzues, duke rritur rezultatet në të gjitha fushat e tjera: një milion punëtorë të shëndetësisë në Afrikë do të shërbejnë në zonat e largëta për të mbrojtur nënat dhe fëmijët nga vdekja si pasojë e kushteve që parandalohen ose shërohen lehtë; rritjen e përqindjes së investimeve në higjienën publike; qasje universale në shërbimet primare shëndetësore, duke përfshirë këtu kujdesin obstetrik emergjent; si dhe furnizimet adekuate për trajtimin e HIV dhe malaries.
Sigurimi i qasjes së barabartë të grave dhe vajzave në arsim, kujdes shëndetësor, në të ushqyer dhe mundësi ekonomike, janë disa nga shtytësit më të fuqishëm të progresit për të gjitha Objektivat.
Së dyti, le të përqëndrohemi në vendet më të varfëra dhe më të cenueshme, ku jetojnë rreth 1.5 miliardë njerëz. Shpesh të ndjekura nga uria, konflikti, qeverisja e dobët dhe dhuna e krimit të organizuar, këto vende e shohin shumë të vështirë arritjen e progresit pavarësisht nga përpjekjete tyre maksimale. Shumë nga ato nuk kanë arritur akoma një Objektivë të vetme të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Duke investuar në rajonet siç është Sahel, Briri i Afrikës, Azia Qendrore, ne mund të promovojmë një qark të virtytshëm të zhvillimeve ekonomike, sigurisë njerëzore dhe ndërtimin e paqes.
E treta, ne duhet të mbajmë premtimet tona financiare. Buxhetet nuk mund të jenë të balancuara mbi kurrizin e njerëzve të varfër dhe më të rrezikuar. Kjo nuk është e pranueshme etikisht dhe nuk do ti ndihmojë as donatorit e as pranuesit. Përkundër periudhës së rreptë, shumë vende kanë qënë shembullore në respektimin e premtimeve. Në pah janë duke dalur edhe donatorë të rinj nga ekonomitë në zhvillim. Këto përpjekje duhet ti përgëzojmë dhe të inkurajojmë më tepër.
E katërta, caku 1,000-ditësh duhet të jetë një thirrje për veprim për lëvizje globale nga qeveritë ndaj nivelit vendor, të cilat kanë qenë thelbësore për suksesin. Ne duhet gjithashtu të shfrytëzojmë fuqinë e plotë të teknologjisë dhe mediave sociale mundësitë që nuk kanë qënë në dispozicion në kohën e hartimit të Objektivave në fillim të shekullit.
OZhM kanë dëshmuar se synimet e fokusuara të zhvillimit global mund të bëjnë ndryshime të thella. Ato mund të mobilizojnë, të bashkojnë dhe të frymëzojnë. Ato mund të nxisin risi dhe të ndryshojnë botën.
Suksesi gjatë 1,000 ditëve të ardhshme, jo vetëm që do të përmirësojë jetën e mijëra njerëzve, por do të shtojë vrullin e asaj që planifikojmë edhe pas vitit 2015 dhe sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Do të mbetet shumë punë pa bërë. Mirëpo, duke parë gjeneratën e re të qëllimeve të qëndrueshme zhvillimore, mund të frymëzohemi nga fakti se OZhM kanë treguar se, me vullnet politik, dhënia fund varfërisë së skajshme është e arritshme dhe ne e kemi në dorë.
Le të shfrytëzojmë deri në maksimum 1,000 ditët e ardhshme dhe të plotësojmë premtimin tonë për mijëvjeçarin.
(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara)