Një Marsh i bardhë, edhe në Prishtinë
Shkruar nga Zejdush Kastrati
Ai që ik nga vetëvetja,nuk meriton të shpëtohet. (proverb hebraik)
Kosovës sonë, më shumë se askujt tjetër në rajon, i nevojitet një marsh protestues, i cili kuptohet nuk mundet kurrsesi ta ketë masivitetin dhe organizimin siç e bëri Qeveria dhe shteti i Francës më 11 janar në shenjë solidariteti për 17 viktimat Charlie Hobdo, por një marsh më modest dhe gjithëpopullor pa ngjyrime e anime politike është momenti i fundit domosdo të organizohet, por gjithsesi paraprakisht të përgatitet mirë e pastaj edhe të menaxhohet me sukses.
Kërkesa e parë dhe ndoshta kryesore duhet të jetë patjetër mbështetja e pakompromis e shtetit të Kosovës sepse dihet se ne shtet tjetër nuk kemi, por jo kështu siç është duke funksionuar me shumë çalime e devijime apo siç po trumbetojnë disa nga ata që po e vjelin e qeverisin, por patjetër një shtet me funksionim të plotë të ligjeve dhe dispozitave të një shteti modern e demokratik, me të cilat edhe identifikohet një shtet funksional e që më së tepërmi tash për tash kemi nevojë dhe dëshirë edhe ne kosovarët ta kemi.
Për të zbërthyer më konkretisht, ne kosovarët kemi nevojë si organizmi i njeriut që ka nevojë për bukë kripë e ujë që urgjentisht përmes një proteste dinjitoze të kërkojmë që institucionet tona relevante përkatësisht Parlamenti i Kosovës urgjentisht të fillojë procedurën për ndryshimet në Kushtetutën aktuale, e cila në masë të madhe cenon subjektivitetin dhe integritetin e vendit e që siç dihet është pjellë e Pakos së Ahtisarit, e që na lejon edhe elementi kohor që ka kaluar nga koha edhe kur është aprovuar kjo pako.
Marshi i Bardhë i nevojitet domosdo edhe Prishtinës sepse përmes këtij defilimi do të kërkonim që eksodi i kosovarëve, si dukuri shumë shqetësuese sidomos kohëve të fundit do të mundë të minimizohej sikur pikërisht faktori ndërkombëtar të ishte korrekt dhe respektativ karshi neve dhe edhe ne kosovarëve të na mundësonte liberalizmin e vizave e që realisht krahasuar me disa shtete të tjera në rajon pa mëdyshje kosovarët janë më të përgatitur në çdo aspekt dhe e meritojnë një të drejtë për qarkullim pa këto kufizime banale që na kanë karantinizuar e që kurrsesi nuk e meritojmë.
Kërkesë tjetër imediate e këtij marshi duhet të jetë që të kërkohet që konkretisht e me argumente të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, si e keqja më e madhe që po i kanoset vendit tonë dhe atë jo me deklarata, por me veprime konkrete me ë për këtë flasin fakte e dëshmi, duke bërë evidentimin dhe hulumtimin e pasurisë marramendëse të disa krerëve të institucioneve tona, të cilët vetëm falë hajnisë dhe pasurisë që kanë krijuar, por edhe vijës koruptive me klane e grupacione të caktuara po kanë fuqi për të qenë të paprekshëm edhe para atyre që duhet ti hetojnë, por edhe para prokurorëve e gjykatësve të pafuqishëm e të korruptuar!
Pra, patjetër përmes këtij marshi duhet treguar çart e haptas se ne jemi dhe mbetemi të pakompromis që të mbështesim Policinë e Kosovës, Inteligjencën, Prokurorinë e Gjyqësorin
por jo kështu siç janë duke vepruar dhe duke u udhëhequr edhe nga persona që vetë janë të dyshuar për tu hetuar, andaj kërkesa për të pastruar radhët nga këta njerëz duhet konkretizuar dhe fuqizuar, duke mos kursyer askënd.
Kosovës si kurrë më parë i nevojitet një lidership i kalibrit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili shndriti edhe në Marshin e Parisit dhe i cili me mund e sakrifica përkundër problemeve e sfidave me të cilat po ballafaqohet për çdo ditë në Shqipëri, po mundohet të vendosë rend e rregull të pakompromis dhe edhe rezultatet dhe pritjet janë shumë krajuese dhe po reflektojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe tek partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe ne kosovarët duhet të kërkojmë të kemi lider me ideal të lartë dhe me veprime konkrete e jo vetëm me deklarata dhe premtime boshe, të cilat posa po dalin nga goja e tyre menjëherë po i merr era!
Kosovës i duhet një marsh protestues edhe që domosdo të kërkojmë që një herë e përgjithmonë të depolitizojmë Universitetin dhe arsimin në përgjithësi, të vendosim rend e rregull dhe jo që të lejojmë që komandant e komandantë, kinse në emër të luftës, të vendosin për fatin e të regjistruarve të diplomuarve e pastaj edhe të punësuarve në këtë Universitet, i cili me çdo mjet dhe pa kursyer asgjë duhet të ruhet si sytë e ballit, sepse simbolizon më së shumti shtetësinë e një vendi.
Kosovës i duhet një marsh protestues edhe për të kërkuar që vendi dhe shteti ynë të funksionojë dhe veprojë vërtet si shtet e të mos lejojë që edhe nga veriu edhe nga lindja, por edhe vendkalimet tjera në këtë vend të mos futet kur të dojë dhe kush të dojë dhe atë të shumtën e rasteve edhe duke na poshtëruar e fyer edhe si shtet edhe kombëtarisht, moralisht e intelektualisht
?!
Na duhet një marsh protestues gjithsesi për të kërkuar që bile nëse deri më tash nuk kemi mundur të ndalojmë se çka po thonë liderët serbë nga Serbia, kur po vizitojnë Kosovën, këtë gjithsesi tia ndalojmë atyre serbëve që janë ulur në institucionet e Kosovës, ku edhe marrin paga e benefite që nuk i gjejnë në asnjë shtet të botës që të mos na fyejnë e poshtërojnë me deklarata ofenduese, të cilave fatkeqësisht liderët tanë u përgjigjen sikur të ishin liderë pa kurrfarë përgjegjësie ideali e morali!
Na duhet një marsh protestues për të kërkuar hetime dhe transparencë e përgjegjësi për mjetet e Trustit e të Privatizimit mjete me të cilat do të mundë të ndihmohej punësimi dhe rivitalizimi ekonomik dhe zbutja e papunësisë dhe kuptohet jo që udhëheqësit e këtyre institucioneve të marrin vetëm para mujore sa paga shtatëvjeçare e një pensionisti!
Na duhet një Marshi Bardhë për të kërkuar sepse më së tepërmi na takon që njëherë e përgjithmonë shëndetësia kosovare të lirohet nga matrapazët, uzurpatorët, kasapët dhe gjakpirësit e shumtë, të cilët në emër të ofrimit shëndetësor po na ofrojnë plaçkë, tmerr e dhunë aprofesionalizëm dhe vdekje të parakohshme!
Na duhet një marsh protestues për të thënë se është koha e fundit që edhe mediet, qofshin ato elektronike apo të shkruara e portalet të luajnë rolin e vet dominant në ndërtimin e shtetit të Kosovës e që është informimi dhe krijimi i opinionit në mënyrë të drejt e korrekte, meqë fenomeni i korrupsionit dezinformimit dhe deballansimit të ngjarjeve e temave në këtë sferë është në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë deri më tash !
Ne kosovarët në një marsh eventual protestues në Prishtinë do të kishim edhe shumë kërkesa tjera që do të ishin shumë reale dhe legjitime, por është edhe një problem tjetër që neve shqiptarëve si kolektivitet na mungon dhe gjithnjë na ka kushtuar më së shumti në momentet kur është dashur të vendoset për fatin tonë. Kush apo cili person, grupacion, apo individ nga shoqëria civile apo ndonjë organizim tjetër në Kosovë tash për tash ka një bagazh dhe autoritet që të udhëheqë me sukses një marsh të kalibrit të tillë është një pikëpyetje e madhe, të cilës vështirë është për ti dhënë përgjigje konkrete.
Fatkeqësisht në Kosovë njerëz të tillë ka kohë që janë djegur kaherë dhe atë kryesisht nga lakmia për pushtet e që pastaj ka rezultuar me pasurinë që vështirë i dihet shifra!
Pra, pranvera e nxehtë me siguri pritet të ndodhë në Kosovë dhe atë me skenarë nga liderë dhe hipokritë të politikës aktuale, të cilët për të ardhur në pushtet janë në gjendje edhe një herë ta djegin këtë vend, por Marshi i Bardhë që përçon dhe simbolizon pozitivitet të përgjithshëm vështirë se mund të ndodhë në Prishtinën dhe Kosovën tonë, që e duam vetëm deklarativisht.
Pra, këta jemi ne!