Një libër i munguar për studentë, hulumtues dhe biznese
Shkruar nga Dr.sc. Xhevat Sopi
Ditë më parë doli nga shtypi libri universitar Hyrje në Statistikë, i autores Prof. Asoc. Dr. Rahmije Mustafa Topxhiu, i cili, mund ta themi që në fillim, ka plotësuar një boshllëk në literaturën shkencore në gjuhën shqipe, sidomos për studentët e fushës së ekonomisë, por që me shumë lehtësi është i shfrytëzueshëm edhe për studentë nga fusha të tjera të shkencave humane, për kërkues shkencorë, të rinj dhe me përvojë, si dhe për menaxherë e drejtues sektorësh të ndryshëm në ekonomi.
Për të argumentuar këtë konstatim për librin nisem që nga përmbajtja, strukturimi dhe mënyra e prezantimit të koncepteve dhe problemeve specifike statistikore.
Për sa i takon përmbajtjes, libri është voluminoz, për faktin se është hartuar për të shërbyer si material mësimor për dy lëndë që ligjërohen në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, e që janë: Bazat e Statistikës dhe Analiza Statistikore.
Përpos kësaj libri përmban edhe një mori ushtrimesh dhe detyrash për secilin kapitull. Rrjedhimisht mund të thuhet se aty janë katër libra në një, pra - dy libra kryesor dhe dy libra ushtrimesh.
Libri është i ndarë 14 kapituj, të cilët përmes një lidhjeje logjike përcjellin njëri - tjetrin, duke filluar me kapitullin hyrës rreth statistikës dhe rëndësisë së aplikimit të saj në botën reale.
Më pas, në kapitujt 2, 3 dhe 4, vazhdohet me statistikën përshkruese, e cila ka të bëjë me mbledhjen, grupimin, përshkrimin dhe prezantimin e informatave statistikore në mënyrë tabelore e grafike.
Këtu janë të prezantuara një varg metodash që përdorën për këto qëllime, siç janë: madhësitë mesatare (tendenca qendrore), madhësitë e variacionit dhe asimetrisë etj.
Në kapitujt 5, 6 dhe 7, prezantohen konceptet bazë të probabilitetit (gjasës për të ndodhë një ngjarje) dhe shpërndarjeve probabilitare.
Materia e shtjelluar në këta tre kapituj përbën bazën për të hyrë në statistikën analitike (inferenciale apo të vendimit), e cila ka të bëjë me nxjerrjen e përfundimeve për popullimin nga të dhënat e mostrës, dhe pastaj marrjes së vendimeve.
Gjithashtu, këta kapituj shërbejnë si një lidhje mes statistikës përshkruese dhe asaj inferenciale. Për të hyrë në statistikën inferenciale, paraprakisht në kapitujt 8 dhe 9, prezantohen metoda dhe teknika që lidhen me mbledhjen e të dhënave përmes mostrës dhe shpërndarjet probabilitare të statistikave të mostrës.
Në kapitujt 10, 11 dhe 12, prezantohen metodat e statistikës inferenciale, siç janë intervali i besueshmërisë, testimi i hipotezave, korrelacioni dhe njëra nga metodat më të aplikuara në statistikë, që është regresioni.
Kapitujt 13 dhe 14 i dedikohen analizës dinamike, ku me një rëndësi të veçantë për ekonomistët janë numrat indeksorë (matjet e ndryshimeve në kushtet e biznesit dhe prodhimit nëpër periudha kohore) si dhe përdorimi i serive kohore për të bërë parashikime por edhe për të evidentuar variacionet që ndodhin si rezultat i ndikimeve sezonale apo cikleve të biznesit.
Çdo kapitull ka një strukturim standard që përbëhet prej: (i) listës me qëllimet dhe objektivat e kapitullit; (ii) hyrjes së shkurtër për problemin që trajtohet ; (iii) pjesës kryesore përmbajtjesore; dhe (iv) përmbledhjes së kapitullit. Po ashtu, në fund të çdo kapitulli ndodhet pjesa e ushtrimeve, ku ka një rishikim të koncepteve bazë përmes pyetjeve me shumë përgjigje (n=270) si dhe detyra (n=330), me qëllim që përdoruesi i librit të mund ti përvetësojë teknikat dhe metodat statistikore që përdoren për problemet e trajtuara.
Vlerë e shtuar e librit është, padyshim, prezantimi në fund të çdo kapitulli i udhëzuesit për zgjidhjen e problemeve statistikore përmes programit kompjuterik EXCEL, si një nga programet më të përhapura të cilin e posedon çdo pako Microsoft Office.
Radhitja dhe strukturimi i kapitujve, përcjell rrjedhën logjike, lidhshmërinë dhe varësinë nga njëri - tjetri, duke e bërë shumë të lehtë kuptimin e problemeve dhe metodave që aplikohen. Kjo, pasi çdo kapitull paraprak, apo çdo seksion përbrenda kapitullit, përbën bazë të domosdoshme dhe të mjaftueshme për ti kuptuar problemet që paraqiten në vazhdim.
Aplikimi i shembujve me të dhëna reale nga jeta e përditshme, duke shfrytëzuar burime të shumta të të dhënave nga institucione, biznese, revista shkencore, e literatura e gjerë, mundësojnë që në mënyrë shumë të përshtatshme të tregohet se si mund të aplikohen metodat dhe teknikave statistikore, në zgjidhjen e problemeve ekonomike nga jeta e përditshme. Ilustrimet figurative, grafikët, tabelat, skemat etj., janë të një kualiteti dhe qartësie shumë të lartë, gjithashtu janë përdorur në mënyrë shumë të përshtatshme dhe efektive.
Edhe frika nga formulat nuk ka vend në këtë libër, pasi jepen sqarime të bollshme për përdorimin e lehtë të tyre.
Në këtë mënyrë, autorja nuk sjell vetëm një material që do të shërbente për studentët që ti kalojnë provimet nga këto dy lëndë, por ajo shkon një hap më tutje duke e bërë atë të shfrytëzueshëm edhe për përdorues të tjerë, pra si një udhëzues për zbatimin në praktikë.
Përdorimi i gjerë i literaturës, por edhe përvoja e gjatë në aktivitetin mësimor universitar, po në këtë fushë, i kanë lejuar dhe mundësuar autores që në mënyrë të suksesshme ta thyej stereotipin e mënyrës së shkrimit dhe strukturimit të librave të kësaj natyre. Ajo, në mënyrë të guximshme dhe me kompetencë, përdor metodologjinë dhe metoda që aplikohen nga autorë me emër të fushës, në literaturën moderne perëndimore.
Për sa i takon gjuhës së përdorur ajo i përshtatet shumë audiencës së cilës i dedikohet. Gjatë leximit të librit, evidentohet përpjekja e autores që ti sqaroj në mënyrë më të thjeshtë problemet e trajtuara.
Megjithëkëtë, duket se në funksion të qëllimit të saj, që materia të jetë sa më e kapshme për përdoruesin, pra - që metodat dhe teknikat statistikore të mund të kuptohen pa ndihmën e pedagogut, në disa momente, duket se bëhen sqarime edhe më tepër se sa që do të duhej. Prandaj, për një ribotim të ardhshëm do të sugjeroja një redaktim profesional që të eliminohet teprimet eventuale.
Sa u tha më sipër, libri Hyrje në Statistikë i Rahmije Mustafa Topxhiu, është i veçantë edhe si format, por edhe si strukturë, që në gjuhën shqipe deri tash i ka munguar bibliotekës së studentit, hulumtuesit dhe bizneseve.