22 Dhjetor 2024

Një letër nga Presidentja Jahjaga për vajzat e reja të Kosovës

Shkruar nga Atifete Jahjaga

Të dashura vajza të Kosovës,

Me shumë emocion dhe entuziazëm po e shkruaj këtë letër për ju. Gjatë jetës time kam pasur privilegjin të takoj shumë vajza të reja që kanë arritur suksese të jashtëzakonshme dhe me shumë punë kanë bërë që Kosova të merret si shembull. Jo të gjitha prej tyre janë figura publike.

Në fakt, shumica prej tyre punojnë me shumë zell në prapaskenë, duke dhënë gjithçka për të arritur rezultatet dhe ndryshimin në të cilin besojnë.

Këto vajza më inspirojnë vazhdimisht dhe më shtyjnë që të punoj më shumë e më mirë. Në frymë të këtij inspirimi, po ju shkruaj edhe juve, me shpresë që përvoja ime si dhe mësimet që kam mësuar mund të ju shërbejnë si udhërrëfyes.

Jeta ime është definuar nga ngjarjet aktuale të kohës në të cilën kam kaluar. Si shumë vajza dhe djem në Kosovë, unë i përkas gjeneratës që përfundoi shkollën e mesme në shkollat-shtëpi. Jam shumë e lumtur që jetojmë në një kohë, në të cilën ju nuk po përjetoni diçka të tillë.

Në atë kohë neve nuk na lejohej të shkonim në shkollë, por falë një mobilizimi të jashtëzakonshëm të shumë njerëzve që hapën dyert e shtëpive të tyre dhe mësimdhënësve që punuan pa pagesë, të cilët vendosën veten dhe familjet e tyre në rrezik, ne kishim mundësi të shkollohemi.

Në atë kohë ne luftonim për t’u shkolluar. Klasët tona nuk ishin brenda një objekti. Ne lëviznim nga një shtëpi në tjetrën, në pjesë të ndryshme të qytetit, me fletore të fshehura nën rrobat që kishim.

Patëm vullnet të jashtëzakonshëm për të punuar për ditë më të mira. Nuk e kishim të qartë se çfarë na pret në të ardhmen, por e dinim se do të bëjmë krejt çfarë ishte e mundur për të siguruar që ajo të ishte e ndritur.

Përjetimi i luftës na dha vullnet për të punuar për këtë të ardhme dhe ai veçse vinte e shtohej. Kjo e ardhme u bë vizion për gjeneratën tonë dhe puna drejt saj u bë misioni jonë. Në atë kohë, unë sapo kisha përfunduar studimet në fakultetin juridik dhe fillova punën në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Për një vajzë të sapo diplomuar, kjo ishte një mundësi e mirë prej të cilës kam mësuar shumë. Për më tepër, puna në organizata ndërkombëtare ishte privilegj.

Në atë kohë, Policia e Kosovës sapo ishte themeluar. Puna ime në UNMIK ndërlidhej me punën që po bëhej për themelimin e këtij institucioni dhe kisha informata të sakta për të gjitha sfidat me të cilat ata ballafaqoheshin.

 Por, ajo çfarë unë shihja ishte potenciali i jashtëzakonshëm për njërin ndër institucionet më të rëndësishme të sigurisë. Kështu, vendosa që të kontribuoj duke u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Ky vendim nuk ishte i lehtë për tu marrë, e aq më pak për tu kuptuar nga rrethi. Po lija një punë që cilësohej privilegj për një punë që nuk konsiderohej punë për gra. Edhe pse të befasuar, familja ime më përkrahu në vendimin tim dhe kështu fillova njërën prej sfidave më të mëdha që më prisnin në jetë.

Pas përfundimit të Akademisë Policore mezi prisja të filloja punën. Isha e etur për mundësi për ta treguar veten. Por, këtu pashë për herë të parë rolin e gjinisë time në këtë fushë. Përderisa në Akademinë Policore të gjithë ishim të barabartë dhe kalonim në të njëjtat teste dhe sfida, në praktikë gjinia ime më mbyllte dyert ende pa filluar. Në fillim, detyra ime ishte police statike në hyrje të objektit.

Qëndroja aty me javë të tëra me orare 12 orëshe. Nuk mund të besoja që pas gjithë asaj karriere që kisha ndërtuar deri atëherë, puna ime kryesore ishte kjo! Në këto momente, shumë herë kam menduar të dorëhiqesha, por prapë vazhdoja.

Më pas fillova punën në patrulla dhe duke treguar veten vazhdova të promovohem në detyra të ndryshme dhe të ngritem në grada. Institucioni po rritej dhe duhej të vazhdonte të rritej për të siguruar nevojat e vendit.

Nga një institucion me afër 400 persona duhej të rriteshim në 4,000 dhe të krijonim strukturë funksionale. Në atë kohë isha pjesë e ekipës që punonte në ngitjen e kapaciteteve të brendshme.

Kishim 3 deri në 6 muaj kohë për të krijuar departamente dhe për të trajnuar personelin, në mënyrë që ata të vazhdonin punën të pavarur dhe ne të vazhdonim punën në krijimin e një departamenti tjetër.

Përderisa rritej institucioni, unë ngritesha me të. Puna që po bëja me shumë dedikim më hapte dyer të ndryshme në Kosovë, por edhe nëpër botë. Në mes tjerash, në periudhën 2005 – 2007 pata rastin të shkoj tre herë në trajnime të ndryshme në FBI. Secili program ishte sfidues në vete.

Përveç përgatitjes akademike, kishte edhe ushtrime të jashtëzakonshme fizike. Kujtoj herën e parë kur shkova. Sapo mbërrita në kampusin e Quanticos në mbrëmje vonë më njoftuan që të nesërmen duhet të zgjohem herët në mëngjes për të fillur ushtrimet fizike që përfshinin vrapim për 24 orë në terrenin të hapur. 24 orë! Nuk e di si, por ia dola. Dhe jo vetëm një herë. Ky ishte një nga ushtrimet rutinë atje.

Në vitin 2008 arrita të marr gradën e Gjeneralit dhe isha një ndër personat më të ri në botë me këtë titull. Me këtë gradë, nuk u rritën vetëm përgjegjësitë e mia, por u rritën edhe mundësitë që të bëj ende edhe më shumë për institucionin.

Kështu, vazhdoja punën time duke ushtruar përgjegjësitë e reja, por edhe duke shijuar mundësinë për të marrë iniciativa të ndryshme që përmirësonin punën e institucionit dhe në veçanti ofronin mundësi për gratë e tjera brenda Policisë së Kosovës.

Viti 2011 na gjeti në një situatë politikisht  të vështirë dhe me pengesa. Partitë politike nuk mund të pajtoheshin mbi parimet e ndërtimit të një koalicioni dhe Gjykata Kushtetuese tashmë kishte marrë vendim për dy Presidentë të Kosovës, një pas një, për t’ua ndërprerë mandatet për shkak të shkeljeve kushtetuese. Ballafaqoheshim me një ngërç politik dhe dalja nga kjo situatë dukej e vështirë.

Në atë kohë, përderisa unë vazhdoja punët e mia në Policinë e Kosovës, kuptova se kishte shumë pyetje për mua, si dhe punën e përvojën time brenda institucionit. Informatat që kisha më bënin të dyshoj që po konsiderohem për një pozitë të lartë, por asnjëherë nuk e kam menduar pozitën që mu ofrua.

Pas disa ditësh më ftuan në një takim në Ambasadën Amerikane në Kosovë. Aty më thanë se një zgjidhje e ngërçit politik ishte zgjedhja e një figure apolitike në pozitën e Presidentit të Kosovës dhe që në mesin e emrave të ndryshëm që ishin konsideruar nga hisedarët, unë isha opsioni i preferuar.

Është shumë e lehtë që të mendosh se çfarë do të bënim në një situatë të caktuar, deri sa ajo situatë të të trokasë në derë. Por kur e gjen vetën në një situatë të tillë, ku të ofrohet një mundësi me kaq shumë përgjegjësi në një moment të vështirë politik, përgjigja nuk është e lehtë.

Në fakt, mbetesh e pafjalë. Deri në atë pikë, kisha kaluar sfida të shumta dhe kisha arritur suksese të ndryshme. Në aspektin profesional, kisha arritur majën për të cilën kisha punuar shumë. Kjo mundësi më kërkonte që të lë të gjithën prapa meje, për një rrugë që ishte nder dhe privilegj, por që kishte edhe shumë paqartësi.

Që nga fillimi i këtij diskutimi, unë jam trajtuar si zgjidhje e përkohshme politike. Mendojeni këtë për një çast. Përderisa burrat nuk mund të pajtoheshin për ndërtimin e koalicionit, mua më kërkohej që të shërbej në pozitën e Presidentes së Kosovës, deri sa ata të pajtoheshin në një zgjidhje. Pa filluar mirë, planifikohej largimi im.

Nuk kam pasur shumë kohë për të menduar, e unë nuk dija as ku të nisja. Fillimisht, në atë kohë kishim shumë pak gra në pozita udhëheqëse. Ishte besim i përgjithshëm që ky funksion ju takonte vetëm burrave.

Në Ballkan, kjo gjë nuk mund të mendohej, e aq më pak në Kosovë. Si e para grua në këtë rol, kisha përgjegjësinë që të tregoja se kjo detyrë është po aq e përshtatshme për gratë, sa edhe për burrat. Dhe këtë pritej që ta bëja brenda gjashtë muajve si zgjidhje e përkohshme.

Përveç kësaj, për të shërbyer si Presidente e Kosovës mua më duhej të hiqja dorë nga pozita në Policinë e Kosovës. Ishte kjo puna që unë e doja me zemër, të cilës i isha përkushtuar me vjet.

Nuk ishte vendim i lehtë që të lija gjithë këtë prapa, sidomos duke qenë se e ardhmja ime ishte e padefinuar. Pas gjashtë muajsh, unë pritej që të përfundoja mandatin e Presidentes së Kosovës dhe kështu të pensionohem nga dy funksione të larta, pa i mbushur 36 vjet moshë.

Për më tepër, e dija mirë se të qenurit Presidente e Kosovës do të më vendoste në mikroskop dhe se çdo hap i imi do të analizohej. Kjo nuk më frikësonte, por më brengoste ideja se si familja ime do të përfshihej në të gjithë këtë.

Ne gjithmonë kemi pasur jetë të qetë, jashtë vëmendjes së publikut. Tanimë, kjo do të ndryshonte dhe kisha frikë se kjo do të cenonte qetësinë tonë.

Kisha shumë arsye për të menduar dhe për të hezituar. Ky ishte vendimi më i vështirë që më ishte dashur ta marr ndonjëherë. Por, në një pikë e kam menduar se si do të reagonte një burrë po t’i ofrohej një mundësi e tillë? A do të hezitonte? A do të thoshte jo? Apo do të pranonte pa e menduar dy herë?

Kjo mundësi më ishte ofruar mua. Një gruaje. Një personi me përvojë të gjatë në shërbim civil, gjatë së cilës ishte promovuar dhe rritur në grada në vazhdimësi. Nuk mund të mendoja se kur do të mund t’i vinte një mundësi e tillë një gruaje tjetër.

Dhe deri atëherë, vajzat e gratë e Kosovës do të kishin tavan për arritjet e tyre. Sado që ato do të mund ta tregonin vetën dhe të ngriteshin profesionalisht, pozita e Presidentit të Kosovës do të ishte në funksion të burrave.

Kështu, vendosa që ta pranoj këtë mundësi. Ishte nder i jetës sime që të konsiderohem në rend të parë, e aq më shumë të marrë besimin e përfaqësuesve të popullit. Më mundonte ideja se isha zgjidhja e përkohshme, por u zotova që do të bëja më të mirën për sado kohë që kam dhe se do të shërbej ashtu si e meriton populli dhe vendi.

Një natë para mbledhjes së Kuvendit të Kosovës u dha lajmi për nominimin tim për Presidente të Kosovës. Ju ndoshta jeni shumë të reja të mbani në mend këtë, por shumë njerëz më vonë më kanë treguar se si atë natë kanë hyrë në Google për të kuptuar se kush jam. Për të gjithë ata që nuk më njihnin, unë kisha pikur nga qielli. Ishte thuajse sikur të mos kisha ekzistuar deri atëherë.

Në fushën time, unë nuk isha e panjohur. Por, në fushën time, nuk ka shumë figura publike. E gjithë puna bëhet në prapaskenë. Kjo është natyra e punës. Por, fakti që nuk isha figurë publike nuk do të thotë që nuk kam ekzistuar.

Lajmi për nominimin bëri jehonë shpejtë. Kishte shumë diskutime dhe spekulime. Shumë paqartësi. Por, çka u bë shumë e qartë është se brenda natës unë u ktheva në një figurë krejtësisht tjetër.

Dita e votimit ishte e veçantë për shumë arsye. Kam hyrë në Kuvendin e Kosovës pa e ditur mirë se çfarë do të ndodhë. Unë kisha marrë përkrahjen e partive politike, por vendimi i fundit u mbetej deputetëve.

 Shpesh herë më kanë pyetur se si jam ndjerë në ato momente, por unë nuk mbaj mend ndjenja. Kam hyrë në Kuvendin e Kosovës me misionin që të tregoj gatishmërinë time për të shërbyer në rolin e Presidentes së Kosovës dhe për të rikthyer unitetin që na mungonte. Nuk e dija se a do të merrja besimin për ta bërë këtë, por pasi që veçse kisha pranuar, unë isha gati.

Menjëherë pasi që jam zgjedhur unë kam shkuar në zyrën e Presidentit të Kosovës. Në rrethana të tjera ndoshta edhe do të kujtoja ndjenjat e herës së parë që kam hyrë në zyrë apo mendimet që kam pasur në ato momente.

 Por, pasi që ishte bërë një kohë që Kosova nuk kishte President, mua më priste puna. Menjëherë filluan takimet dhe në mes të takimeve më duhej të gjeja koha për disa çështje administrative që kishin pezulluar funksionimin normal të zyrës.

Ditët, muajt dhe vitet në vijim nuk ishin më ndryshe se dita e parë. Ishte punë dinamike me shumë përgjegjësi, por edhe me shumë mundësi për të bërë ndryshime.

Takimet e shumta në Kosovë dhe jashtë vendit hapnin dyer për bashkëpunime të ndryshme dhe kjo më jepte motiv që të kaloj sfidat e ndryshme që dilnin në çdo ditë.

Ashtu si e pritja, gjithçka çka unë bëja shihej me xham zmadhues. Në parim, kjo nuk më pengonte aspak. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë se çka bënë Presidenti i Kosovës dhe pse, si dhe të kërkojnë llogari. Unë besoj që kjo i ndihmon çdo Presidenti që të bëjë punë më të mirë.

Por ajo çka nuk kam pritur është që spekulimet dhe diskutimet e ndryshme, disa edhe të pavërteta, të më kthehen kundër në atë masë. Unë e dija që emërimi i një gruaje që nuk ishte figurë publike dhe politike do të trajtohej me skepticizëm, por së paku kam besuar që do të më ofrohej një mundësi që ta tregoja veten.

Në fillim paraqitjet publike nuk ishin të lehta. Në karrierën time në Policinë e Kosovës, dalja në publik nuk ishte pjesë e punës.

Punoja për të përmirësuar shërbimet tona nga brenda dhe loboja për mundësi më të mëdha për institucionin kudo që shkoja jashtë vendit. Këto ishin pikat e mia të forta që i sillja edhe në zyrën e Presidentit të Kosovës. Por, paraqitjet publike ishin diçka e re me të cilën më duhej të mësohesha.

Edhe këtu isha e sigurt që të gjithë do të kuptonin emocionet në publik apo edhe gabimet e mia.

Në fund të fundit ishte punë e re. Për më tepër, kisha parë shumë politikanë më herët se si kishin emocione në paraqitje publike dhe bënin gabime, por mirëkuptoheshin nga të gjithë. Unë e kisha marrë si të mirëqenë se as unë nuk do të trajtohesha ndryshe nga këta.

Por, ja që unë u trajtova ndryshe. Çdo gabim i imi apo edhe pauzë e zgjatur përflitej dhe shfrytëzohej si argument që të përforconte idenë se unë nuk isha personi i duhur për pozitën që kisha.

Si person, dikur edhe u mësova, por më frikësonte ideja se si kjo shfrytëzohej si strategji që të jepej një mesazh – ai se gratë nuk përkasin në pozita udhëheqëse.

Përkundër të gjitha fjalëve unë vazhdoja punën time. Në përgjithësi nuk kam reaguar ndaj lajmeve apo komenteve që merreshin me çështje të parëndësishme apo personale. Nuk luftohen fjalët me fjalë. Kjo bëhet me vepra. Kështu që unë vazhdoja punën.

Në muajt e parë unë pashë potencialin e vërtetë të zyrës së Presidentit të Kosovës në sjelljen e ndryshimeve të rëndësishme për shoqërinë. Këtë e shihja më së shumti në takimet me njerëz të ndryshëm, veçanërisht me ata që u takojnë grupeve të margjinalizuara.

Secili takim ishte mundësi për të bërë diçka drejt të drejtave të barabarta dhe lehtësimit të jetës për ata që kanë përjetuar gjëra jashtëzakonisht të vështira. Si Presidente e Kosovës mund të bëja shumë për ata dhe doja të bëja pikërisht këtë.

Ndërkohë, planet rreth meje vazhdonin. Po afrohej koha që zgjidhja e përkohshme të kryente funksionin e saj dhe grupet e caktuara të vazhdonin me planet e tyre për ndarje të pushtetit.

Prej meje pritej që të vazhdoja me planin, sipas marrëveshjes politike që kishin bërë. Mendojeni këtë për një çast. Unë isha pjesë e një marrëveshjeje politike, anipse unë nuk isha nënshkruese e saj.

Në anën tjetër të kësaj marrëveshjeje ishte Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Aty thuhet qartë se pasi të marrë besimin e dy të tretave së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Presidenti ka mandat 5-së vjeçar. Unë e kisha marrë këtë besim.

Dëgjoja argumente të ndryshme se si përzgjedhja ime ishte përjashtim pasi që unë isha rezultat i një marrëveshjeje. Por, kjo nuk ishte aspak më ndryshe se zgjedhja e Presidentëve të tjerë.

Respektimi i Kushtetutës ishte obligimi im primar. Për këtë arsye edhe e dërguam rastin në Gjykatën Kushtetuese. Mandati im nuk ishte çështje e interpretimeve politike. Këtë mund ta bënte vetëm Gjykata Kushtetuese. Dhe ajo foli. Tregoi qartë së kisha të drejtë të vazhdoja mandatin tim deri në fund.

Mua mu ofrua një mundësi dhe unë atë pranova. Nuk isha pjesë e marrëveshjeve të tjera dhe si e tillë nuk kisha për obligim që t’i respektoja ato.

Në fund të fundit, pse duhej ta bëja një gjë të tillë? Vetëm pse disa burra ishin pajtuar që unë të shërbeja si zgjidhje e përkohshme deri sa ata të bënin një zgjidhje që u konvenonte më shumë? Jo.

Unë nuk kam punuar shumë për t’iu shërbyer agjendave të caktuara politike. Prindërit e mi nuk e kanë rritur një vajzë që është zgjidhje e përkohshme deri sa burrat të merren vesh në mes vete. Dhe më e rëndësishmja, vajzat e reja si ju nuk meritonin një shembull të tillë.

Të dashura vajza,

Jeta ime ka marrë kahe të ndryshme. Jam mirënjohëse për gjithçka në të cilën kam kaluar, pasi që më kanë dhënë mundësinë që ta jetësoja shpresën për ndryshim, të cilën e mbaj në zemër që nga klasat në shkollat-shtëpi dhe orët e gjata si police statike. Jam shumë e sigurt se edhe ju do të keni shumë mundësi që t’i realizoni dëshirat tuaja dhe t’i tejkaloni ato.

Do të keni mundësi të ndryshme të cilat do t’ju hapin dyert në drejtime që ndoshta nuk do t’i paramendoni kurrë. Dhe unë mezi pres që të shoh se si ju do t’i shfrytëzoni këto mundësi për të bërë gjëra të jashtëzakonshme.

Vetëm një gjë mbajeni në mend teksa filloni rrugëtimin në rrugëtime të suksesshme – karriera dhe rrethanat e ndryshme që ua ndikojnë vendimet nuk mund të definojnë atë se kush ju jeni si persona. Jeni ju ato që do t’i definoni fushat në të cilat do të punoni dhe rrethanat në të cilat do të jetoni.

Në familjen time e kemi një shprehje që e përdorim shumë – kur e ke qëllimin e mirë, punët kryhen mirë. Me këtë shprehje fillojmë gjithçka dhe gjithmonë punët kryhen mirë edhe në raste kur ka shumë sfida dhe vështirësi. Kështu do të jetë edhe për ju. Krejt çka ju duhet është një qëllim i mirë dhe shumë punë dhe ju mund të mbërrini çkado dhe të ndryshoni edhe shoqërinë.

Ju uroj shumë shëndet dhe suksese. Si tifozja juaj më e madhe, unë sytë i kam në ju.
Me shumë dashuri, e juaja,
Atifete Jahjaga
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)