26 Dhjetor 2024

Një kujtim për Bajram Rexhepin

Shkruar nga Arianit Bytyçi

Më kishte folur në mënyrë të veçantë babai im për një politikan nga Mitrovica, të cilin e kishte takuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 në një takim të liderëve nga Kosova me drejtues të qeverisë amerikane. Ishte fjala për Bajram Rexhepin.

Dy vite më vonë, në vitin 2001, rreth një muaj para se të formohej qeveria e parë e Kosovës e dalë nga zgjedhjet e lira, Fatmir Limaj më pat thënë se një prej opsioneve më serioze për pozitën e Kryeministrit të Kosovës është Bajram Rexhepi.

Kur ia pata thënë këtë gjë profesor Arsim Bajramit në zyrën e tij në objektin e rektoratit të Universitetit të Prishtinës, para se të realizoje një interviste me të për revistën e Rinisë Demokratike të Kosovës, mu krijua përshtypja se e zuri përmbi çatia e objektit të rektoratit. “Jo, nuk është opsion Bajrami.

Nëse kryetari i partisë nuk zgjidhjet kryeministër, atëherë opsion jam unë ose Hajredini, pasi ne jemi nënkryetarë” më pat thënë profesor Arsimi.

Siç duket, sikur edhe shumë të tjerë nga partia që kishte dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, dukej se edhe Arsimi lobonte nëpër përfaqësitë e huaja diplomatike në Prishtinë për vetveten për t’u bërë i pari i qeverisë.

Por, kjo nuk iu funksionoi. Pas një muaji, Bajram Rexhepi u zgjodh kryeministër i Kosovës. Ai nuk kishte lobuar për vetveten. Për të lobonin të tjerët, ngase ishte i pranueshëm për të gjithë.

Ruaj kujtimet më të mira për Bajram Rexhepin, si njeri dhe si politikan komunikativ, i afërt, i respektueshëm, i thjeshtë dhe human. Kur një koleg yni me vokacion shkrimtar, por që e kryente punën e drejtuesit të zyrës për informim në PDK, në fillimvitet 2000 kishte nevojë për t’i ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë, Bajrami ia pat blerë derën e hyrjes së shtëpisë. Kaq solidar ishte doktori.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e dyta parlamentare, kur për herë të parë promovohej mënyra e komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarë, udhëtuam bashkë me Bajram Rexhepin anë e kënd Kosovës me autobusin e famshëm të mbushur me kandidatë për deputetë.

Edhe pse asokohe mbante pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë, ishte kryeministër, ai në komunikim me të gjithë ishte i thjeshtë, modest, ishte i afërt.

E mbaj mend si sot edhe përkushtimin e tij në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ku me bagazhin e një ish-kryeministri të pakomprometuar dhe pa afera, kësaj radhe nga pozicioni i opozitarit jepte kontributin e tij profesional dhe politik në kuadër të departamentit të shëndetësisë të këtij kabineti.

Doktor Bajrami ishte një politikan modern dhe liberal, shumë i afërt me ne të rinjtë e partisë. Ishte shumë më i afërt sesa disa udhëheqës të partisë, në të cilët patëm investuar gjithë angazhimin dhe përkushtimin tonë si të rinj, shumë më shumë sesa na kishte rënë rasti të investojmë politikisht në doktor Bajramin.

Më kujtohet kur patëm udhëtuar me Landroverin e tij, bashkë me politikanin austriak Jan Kickert dhe disa miq tjerë në një tubim përkujtimor të dëshmorëve të Brigadës 121 në Kleçkë.

Bajrami nuk na la asnjërit prej neve më të rinjve të vozisnim. Ai me thjeshtësinë e tij, tha që unë do ju vozis. Ishte shumë perëndimor, kishte një mentalitet shumë bashkëkohor, pa ngarkesa dhe paragjykime primitive.

Dhe, nën tingujt e muzikës së Pink Floyd-ave, që e pëlqente aq shumë, udhëtuam përmes Maleve të Berishës për në Kleçkë, rrugë të cilën e kisha kaluar edhe në kohë lufte, gjatë fundvitit 1998.

Kur para disa muajsh e pata shikuar në një kronikë televizive, përmes të cilës Bajrami kërkonte t’i njihej ligjërisht statusi i ish-kryeministrit, e që për disa procedura burokratike nuk i ishte njohur deri në atë kohë, u pata prekur shumë.

Për shkak të mungesës së efikasitetit dhe neglizhencës së zyrës ligjore të kryeministrisë dhe mungesës së vullnetit politik institucional, ai ishte detyruar të kthehej në Mitrovicë, për të punuar si mjek.

Jo, pse kjo ishte një gjë shumë problematike për doktor Bajramin, por kjo gjendje ishte një mesazh se partia dhe institucionet në themelimin e të cilave kishte punuar shumë Bajram Rexhepi, e kishin lënë anash, e kishin lënë në harresë një personalitet të kalibrit të lartë politik.

Sot dhe gjithmonë do ta kujtoj Bajram Rexhepin, si njeri dhe si politikan bashkëkohor, për modelin e të cilit vendi ynë do të ketë nevojë gjithherë! Lavdi veprës së tij!

(Autori është një nga themeluesit e organizatës së rinisë të Partisë Demokratike të Kosovës - Rinisë Demokratike të Kosovës)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)