Një këshillë për shtetin: Mos ma ceno privatsinë
Shkruar nga Besim Mehmeti
E drejta ime në privatësi, është njëra ndër liritë themelore dhe fundamentale të njeriut të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nenin 36.3 i cili shprehimisht thotë: ,,Fshehtlsia e korrespodencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër është e pacenueshme.
Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht vetëm me vendim gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj. si dhe me të gjitha instrumentet tjera ndërkombëtare.
Një formulim pothuajse të ngjashëm për të drejtën në privatësi kanë edhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, të cilat njëherit kanë edhe epërsi ndaj Kushtetutës dhe legjislacionit tonë në fuqi, që na jep të nënkuptojmë se projektligji në fjalë është kundërkushtetues dhe kundër normave me karakter ndërkombtar e të cilat Kosova është e obliguar ti zbatoj.
Edhe pak ditë, një ligj ,,i famshëm do të jetë në dorë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili në draftin aktual siç është, do të jetë cenues i drejtpërdrejtë i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, bëhet fjalë për Ligjin për Përgjimin e Qytetarëve nga Agjencia Kosovare e Intelegjencës, pa lejen e Prokurorisë së Shtetit dhe atë non stop 24 orë.
Si i tillë, ky ligj ma cenon të drejtën time private, nuk më le të qetë që të jam i lirë të shprehem kur të dua dhe ku të dua, por tash e tutje çdoherë dhe në çdo kohë duhet me pasë kujdes se jam duke u përgjuar nga ,,rojet e natës qoftë fizikisht apo përmes teknologjisë, thjesht kam frikë se shteti nuk do tmë lë të qetë ta jetoj jetën time të lirë ashtu siç dua unë dhe pa ndërhyrje nga jashtë.
Me këtë projektligj aktual, nuk jam i lirë të shoh as ëndërra, sepse shteti im ,,inteligjent me inteligjencën e saj po dëshiron të ma kufizoj të drejtën time legjitime për ta jetuar jetën i lirë dhe pa ,,ndërhyrje kirurgjikale.
Thuhet e shkruhet shumë rreth këtij projektligji se pse duhet të ekzistoj ky ligj me këtë variant, por arsyetimet e tilla nuk ekzistojnë.
Ne nuk e patëm në agjendën tonë legjislative këtë projektligj për këtë moment apo ta shqyrtojmë me urgjencë, por në agjendë hyri tek pas sulmeve terroriste në Paris, pra kjo është arsyeja e Qeverisë tonë se pse duhet të shqyrtohet ky projektligj qysh në seancën e parë pas pushimit dimëror.
Por, dorën nzemër, ky projektligj me këtë variant kurr nuk i duhet Kosovës dhe qytetarëve të saj, Kosova mund të zhvillohet edhe pa këtë ligj, fundja Kosova nuk ka rrezik nga terrorizmi, terroristët e vërtetë Kosova i njeh me emër e mbiemër por nuk ka vullnet të merret me ata, andaj qytetarët e thjeshtë duhet ti lë të lirë.
Për fund, shtetit tim ia bëjë me dije se drejtësia i ka parimet e shëndosha, të forta dhe të lashta.
,,E drejta e juaj përfundon aty ku fillon e drejta ime.
Është më se e qartë se me këtë ligj Republika dëshiron ti tejkalojë të drejtat e saj dhe të ndërhyjë në palcë të të drejtave të mia legjitime, por me këtë shkrim ia bëjë me dije se do të jetë e papranueshme për mua si individ dhe se do ta kundërshtoj me çdo mjet juridik.
(Autori është në përfundim të studimeve Postdiplomike të Masterit Kushtetues-Administrativ, si dhe në Fakultetin e Filologjisë-Dega Letërsi Shqipe në UP)