Një e rënë me shumë goditje
Shkruar nga Gani Qarri
Loja e saj u tregua mjeshtërore, ajo do ta nxjerrë atë edhe një herë fituese mbi të tjerët, ani-pse asgjë nuk është më si më parë dhe as si do duhej të ishte në këtë vend. Madje më kot për të satën herë, të gjithë votuesit e devotshëm që për shumë kohë besuan në premtimet e pa mbajtura të liderëve mrekulli-bërës, ndjehen thellësisht të dëshpëruar nga të zgjedhurit e tyre lajkatar.
Dëshpërimi i tyre, do të vazhdoj si deri më tani,pasi që asnjëra nga ofertat e cilitdo politikan nuk u realizua dhe ato as për së afërmi nuk u plotësuan ashtu si ata përbetoheshin dhe shpresohej gjatë.
Me gjithë pompozitetin e propagandimit galopant, nuk ka fjalë që u mbajt në plotëni dhe gjithmonë ndodhi e kundërta nga sa u tha dhe trumbetua për vite me radhë.
Përkundër të gjithave, udhëheqësit e djallëzuar të rrethuar nga garda e matrapazëve të vjetër, të vetëquajtur menaxher të rinj, si trupë e sprovuar e manipuluesve politik- janë përgatitur herët dhe kujdesur që me kohë, për ta bërë veten dhe partinë ku gravitojnë, lojtar të pa përjashtueshëm nga proceset zgjedhore dhe pazaret politike të cilat pa ndërprerë torturojnë opinionin me stërzgjatjen e tyre, tash e sa muaj.
Madje, edhe pse më në fund u tha e shkrua se gjoja negociatat për krijimin e qeverisë filluan dhe kinse ato ende vazhdojnë, aksioni i lojtarit kryesor politik nuk nisi që vërtetë të arrihet ndonjë zgjidhje e njëmendët, por për të lodhur kundërshtarët dhe shkatërruar parti e koalicione, të cilat pas trazimeve të sapo-ndodhura, edhe në raste e situata të tjera, vështirë se mund të arrijnë ujdi dhe njësohen edhe një herë si më parë.
PDK, përkundër asaj se ende bënë sikur negocion \"seriozisht\" me LDK-n, falë ndërskamceve të Ismet Beqirit e Lutfi Hazirit dhe ndihmës direke të klanit Hamiti, përfaqësuesi i të cilëve në minutat e fundit kur padroni i tyre dha shenja se po humbte durimin dhe shpresat e mbetjes në pushtet, u kujdes të qonte \"selam\" bukur të sertë nga një metropol evropianë, ajo arriti dy-tri qëllimet e saj më të mëdha, të cilat gjatë kohë mund ti ketë ëndërruar, të zhvilloheshin kështu, siç ndodhi përfundimisht-tani:
1. Shkatërroi koalicionin pas-zgjedhor të njohur si \"VLAN, kthyer në barrikadën e parë serioze dhe pengesën më të madhe të deritanishme për ardhjen e PDK-s, në pushtet, grupim i cili në fillim linte përshtypjen se vërtetë ishte unik dhe i vendosur në qëllimin që i kishte vënë vetes, për të siguruar më në fund, \"ndryshimet\" në vend.
Përfaqësuesit e partive në VLAN-ë, më kot betoheshin çdo ditë se koalicioni i tyre ishte i fortë e i pa thyeshëm dhe se ashtu do të qëndronte deri në fund, për tu qarë vetëm pakë kohë -pas aksioneve \"tragjike\" të aktorëve hamletian, ups-pardo, operacioneve tragjikomike të doktorëve-hamitian, të cilët vërtetuan edhe me këtë rast, sa intrigant e përqarës të rafinuar brenda-partiak, kanë mbetur si çdo herë.
Thonë se \"selamxhia\" nga Evropa edhe më herët e paska folur \"rrjedhshëm\" anglishten e përvetësuar nga kurset e përkthimit në QIK, gjatë viteve të 90-ta, apo ai dhe një \"sulltan\"-hamit tjetër, qenkan stolisur edhe me tituj (plagjiat) shkencorë, notat e të cilëve sado që nuk flasin mirë as me nderim për asnjërin, lanë të kuptohet se soji i tyre janë specialist të vërtetë të ndarje-përçarjeve brenda dhe ndër partiake.
Bile ata kryen me aq përpikëri pjesën e detyrës që kishin marrë mbi vete, sa që si pyka më e fort dhe ende e pathyeshme brenda LDK-s, i bënë gropën e përmbysjes së tërësishme partisë, në emër të së cilës veprojnë hapur kundër saj dhe përçanë me sukses e në mënyrë të pariparueshme koalicionin e lartcekur, i cili pas këtij rasti, në asnjë mënyrë nuk mund të bashkohet më si herën e parë.
2.PDK,me ndihmën dhe besnikërinë e personazheve hamletiane brenda LDK-s, dhe instruksionet me zell e profesionalitet sigurimsash që i ofroi klanit i cili i shërben asaj, arriti Qëllimin më të madh, që më në fund ta sjellë buzë greminës dhe qoi para shkatërrimit përfundimtar konkurrenten e saj më të fuqishme në fushën politike, të paktën sa i përket numrit të votave që ajo me gjithë problemet e vazhdueshme përbrenda, deri më tani mori nëpër zgjedhjet vendore.
Ndaj, sido që të zhvillohen ngjarjet, LDK assesi nuk do të dal e pa-lagur thellë nga kjo aventurë, me të cilën PDK, falë punës së klanit të saj besnik aty, përveç tjerash arriti që ta bëjë atë qesharake para të tjerëve, jo-serioze për dialog dhe të pabesueshme për lidhje koalicionesh me partitë konkurruese edhe në të ardhmen.
3.Si rrjedhojë PDK- do të tentoj zgjedhje të reja, kurse loja e krejt këtij plani të mirë-studiuar, si shprehja e gatishmërisë për bisedime nga ana e PDK-s, nuk ishte dhe as nuk është assesi edhe bindje e njëmendët për zgjidhjen e \"ngërqit\" në formën siç ajo deklaron, ani pse përmes joshjes për bashkëqeverisje me cilën do parti duke favorizuar LDK-n,nga VLAN, arriti qëllimin kryesor mometal duke prish përfundimisht dhe në mënyrë të pariparueshme, unitetin ndërmjet koalicionit paszgjedhor.
Përveç kësaj PDK, futi përçarjen më të madhe të kohëve të fundit brenda vet LDK-s, si konkurrenten kryesore politike, dhe tani do të nxjerrë kushte të papranueshme edhe ndaj saj, për të pamundësuar një koalicion qeveritar me kryeministër nga radhët e LDK-s.
E kështu, përfundimisht ajo e çliruar nga shumë barrë, si fitimtare e pa-diskutueshme,do të shkoj në zgjedhje të reja, me kundërshtar tanimë jo vetëm të pa-bashkuar, por edhe të ndarë e të përçarë, si koalicion dhe parti, në mënyrë që kësaj radhe PDK ti fitoi zgjedhjet edhe më bindshëm dhe me numër edhe më të madh të votave, sidomos nga votuesit e frustëruar të LDK-s, e ndoshta edhe të partive tjera, për të vazhduar- vet, kryesimin dhe udhëheqjen qeveritare me partner të dëgjueshëm dhe të gatshëm që tu nënshtrohen si deri më tani, plotësisht dëshirave të saj.