26 Dhjetor 2024

Ngulfatja e ekonomisë nga politika dhe nevoja për ndryshim

Shkruar nga Mr. Fidan Kosumi

Ndonëse jetojmë në stadin më të lartë të zhvillimit shoqëror, në kohën kur shoqëria njerëzore ka arritur kulmin e zhvillimit shkencor dhe teknologjik, ajo vazhdon të përballet me shumë sfida.

Në këtë mori sfidash të kohës moderne, ndër më të theksuarat janë sfidat ekonomike, gjegjësisht sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të mirëqenies sociale të njerëzve.

Sfidat mund të kenë forma, karakter apo intensitet të ndryshëm por rolin kryesor në menaxhimin apo apsorbimin e tyre kanë qeveria dhe banka qëndrore.

Roli i shtetit në ekonomi është i pakontestueshëm për zhvillim normal dhe të qëndrueshëm të tërë aktivitetit ekonomik.

Çdo shtet përpiqet të krijojë një politikë e cila do të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Praktika ka dëshmuar se në vendet në tranzicion, motivet apo interesat partiake të partive në pushtet dominojnë në menaxhimin e politikave makroekonomike ndërsa qeveritë në të njëjtën kohë nuk hezitojnë të ushtrojnë presion mbi bankat qëndrore për qëllime ose nevoja të ndryshme, gjë që vë në pikëpyetje pavarësinë e këtyre institucioneve.

Sigurisht se roli i politikës në artikulimin e interesave është qenësor, por derisa politika bindshëm mbizotëron fushat tjera shoqërore atëherë kemi të bëjmë me dominimin e interesit mbi arsyen.

Ky problem është edhe më i theksuar në vendet në tranzicion ku demokracia nuk ka arritur nivelin e duhur të zhvillimit.

Është e qartë se lufta e subjekteve politike për të fituar pushtetin qëndror po bëhet gjithnjë më e pamëshirshme. Në esencë e tërë kjo luftë i shërben qëllimit të vetëm, fitimit të pushtetit, ndërsa ky i fundit interesave të ngushta partiake.

Aktualisht në skenën politike ekziston një numër shumë i madh i subjekteve politike të cilat garojnë me programe identike politike dhe ekonomike.

Sigurisht se pluralizmi politik i kontribuon zhvillimit të demokracisë por në këtë det të subjekteve pothuajse të njëjta politike qytetarët e kanë të vështirë të përcaktohen për atë të duhurin.

Pothuajse e vetmja gjë që diferencon këto subjekte, paraqitet në raport me publikun, kur partitë politike u japin premtime qytetarëve.

Sa më identike janë partitë politike aq më shumë intesifikohet rivaliteti konkurrues ndërmjet tyre gjë që rritë konkurrencën e pandershme.

Gjeneralisht kjo situatë ka ndikuar që qytetarët sot të jenë të zhgënjyer nga politika, të humbin shpresën tek partitë apo udhëheqësit politikë për shkak të përshtypjes së krijuar se asgjë nuk do të ndryshojë. Në anën tjetër këtë qëndrim kanë forcuar edhe më tepër rezultatet e këqija ekonomike. 

Ekonomia, sidomos në vendet në tranzicion, në masë të madhe ndikohet nga politika partiake e partive në pushtet, kjo për shkak të institucioneve më të dobëta, gjegjësisht shkallës më të ulët të zhvillimit demokratik, por sfidat moderne ekonomike do të shtypin këtë qasje.

Qasja konvencionale e politikës ndaj ekonomisë ka bërë që ekonomia të mbetet në hije të saj, gjegjësisht të bëhet peng i saj por kjo qasje në të ardhmën duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Sigurisht se politika nuk do të humb rëndësinë e as rolin që ka në shoqëri por tani do të preferohet të udhëhiqet në mënyrë më profesionale, më transparente.

Nga subjektet politike të cilat do të synojnë pushtetin qëndror në të ardhmën do të kërkohet të ofrojnë programe konkrete ekonomike.

Programet ekonomike të subjekteve serioze politike do të duhet të jenë të elaboruara mirë, me parashikime dhe zgjidhje të qarta për atë se si do të luftohet papunësia, sa vende të reja të punës do të hapen, si do të mundësohet ky punësim, si do të mbahet inflacioni nën kontroll, si do të përmirësohet ambienti afarist, si do të rriten investimet dhe ku do të investohet, si do të përmirësohet standardi jetësor i qytetarëve etj.

Duhet kuptuar se ekonomia në të ardhmën do të ketë rol kryesor apo vendimtar në politikë.

Vetëm me punësim dhe me hapje të vendeve të reja të punës mund të zhvillohen edhe fushat tjera të jetës shoqërore, gjegjësisht të arrihet një progres gjithëpërfshirës.

Në vendet e zhvilluara demokratike, zgjedhjet fitohen dhe humben pikërisht për shkak të treguesve ekonomikë siç janë papunësia, inflacioni, rritja ekonomike etj.

Me qëllim që ekonomia e një vendi të jetë sa më e suksesshme ajo duhet të menaxhohet në mënyrë profesionale nga ekspertë të ekonomisë, në përputhje me parimet, teoritë dhe praktikat më të mira.

Ky efikasitet i ekonomisë mund të arrihet me kuadro profesionalë, me pavarësimin e politikës monetare, me decentralizimin e intitucioneve, me fuqizimin e institucioneve shtetërore, me rritjen e nivelit të përgjithshëm të demokracisë, me opozitë të fortë politike, me vetëdijësim të qytetarëve etj.

Sa i përket manovrimeve dhe improvizimeve politike, subjektet politike në pushtet me qëllim të shpërqëndrimit të vëmendjes nga ekonomia gjithnjë do të tentojnë të aktualizojnë çështje të ndryshme politike.

Ky politizim me qëllim të kamuflimit të problemeve reale ekonomike është shumë i dëmshëm për qytetarët dhe vendin në afat të gjatë duke marrë parasysh efektet e politikës apo instrumenteve makroekonomike.

Padyshim se lëvizjet makroekonomike do të varën nga qeveria, gjegjësisht nga politikat e partive në pushtet por profesionalizmi dhe serioziteti në vepër do të jenë treguesit më realë dhe më të besueshëm të qëndrimit të mëtejmë apo largimit të këtyre partive nga pushteti.

Shteti, gjegjësisht qeveria para së gjithash duhet të dëshmojë se është një organ stabil dhe i besueshëm i pushtetit si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Ai duhet të luaj rol konstruktiv në krijimin e ambientit sa më të përshtatshëm për biznes dhe ta mbështesë atë, të tërheqë investitorë të huaj, të mundësojë kushte sa më të mira për edukimin e popullatës, të nxisë kompjuterizimin apo aplikimin e teknologjisë më të sofistikuar në vend etj. ndërsa në anën tjetër duhet të respektojë pavarësinë e bankës qëndrore, gjegjësisht politikës monetare.

Se sa ekonomia është bërë e rëndësishme për politikën, qeverinë apo shtetin, më së miri dëshmon kriza aktuale ekonomike e cila ka bërë që ekonomia të shndërrohet në prioritet të të gjitha prioriteteve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)