26 Dhjetor 2024

Nga kush po linçohet UP dhe rektori Gashi

Shkruar nga Lularta Aliu

Situata e krijuar kohët e fundit në Universitetin e Prishtinës është bërë tema më e përfolur në territorin e Kosovës, në një kohë kur vendi përballet me shumë probleme akute, si mungesa e ujit, shkalla tejet e lartë e papunësisë, kërkesat e pensionistëve, mungesa e barërave të listës elementare, apo zhvillimet e bujshme politike si shkalla e korrupsionit në vendet e BE-së, çështja e gjykatave në Komunat me shumicë serbe, apo paralajmërimi i Fatmir Limajt për krijimin e partisë së re, e deri tek zgjedhjet e parakohshme, që si duket shumë kujt i ka shtuar apetitin për pushtet.

A është vërtetë shqetësimi i shoqërisë civile aq i madh për universitet sa ta bëj veshin e shurdhër përpara të gjithë këtyre zhvillimeve, apo tema e universitetit dhe sensibiliteti i opinionit të gjerë për këtë temë ishte ajo që po i shtyn ata të shfrytëzojnë tërë atë energji, duke u bërë pjesë e një agjende revolucionare partiake kundër kreut të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, me kërkesën ultimative për dorëheqje të tij pa asnjë kusht?!

Shtrohet pyetja cili është “faji” i rektorit në këtë mes dhe kush janë ata që po e kërkojnë dorëheqjen e tij.

Rektori Gashi, të cilin e kam njohur si profesor, por edhe si panelist në shumë konferenca e tryeza të rrumbullakëta, para shumë vitesh, që atëherë edhe përkundër përbaltjes së madhe që po i bëhet, për mua mbetet nga pedagogët më të kompletuar që kam hasur gjatë karrierës sime si student në Kosovë, por edhe i krahasueshëm me ata profesorë përtej Atlantikut, ku unë kam vazhduar studimet kohë më parë.

Ai tani akuzohet se paska botuar në një revistë të cilësisë së dobët, por assesi fiktive, të rreme, apo inekzistente, siç po e thonë pa asnjë të drejtë pothuaj pa dallim të gjitha mediumet. Vallë ky është mëkati për të cilin duhet të linçohet ai?! Sa e sa shkencëtarë sot në botë bien në lajthitje në përzgjedhjen e revistave virtuale.?

Zoti Gashi është nga historianët që ka shkruar më se shumti studime monografike dhe tekste universitare. Ato janë me vlerë të padiskutueshme, por këtë askush se thotë! Z. Gashi ka nisur edhe shumë reforma dhe ndryshime pozitive në UP.

Që nga themelimi i UP-së, për herë të parë  mund të shohim një uebfaqe që përafërsisht e krahasueshme me ato të universiteteve evropiane dhe amerikane, ku e sjellë studentin dhe pedagogun me afër njëri tjetrit, më afër shkencës dhe mundësive për studime jashtë vendit. Ai po luftohet shumë padrejtësisht nga të gjithë. Si duke ai po paguan çmimin e një mendësie degjeneruese të shoqërisë sonë. Lufto ata që punojnë, mbaj afër poltronet dhe servilet.

Po kush po e kërkon dorëheqjen e tij?

Sipas asaj që ka dalë në disa media rezulton se nga 35 studentët që bllokuan për disa ditë ndërtesën e rektoratit, 32 ishin anëtarë aktiv të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq nga ata të arrestuarit gjatë protestave, jo të gjithë ishin student.

Studentët protestues ishin pjesë e një organizate studentore që vepron brenda UP-së, si filalë e Lëvizjës Vetëvendosje dhe që pothuaj ka bojkotuar çdo nismë të studentëve për të adresuar probleme reale të studentëve me rrugë institucionale, duke iniciuar zgjidhje me metoda revolucionare të secilit problem.

Për ta vërtetuar këtë gjë, nuk do mund shumë, mjafton të përcjellësh debatet televizive, ku grupet studentore janë të ftuarit, ndërkaq aty debatohet, garohet, kryesisht për politikat ditore, përkatësisht për subjektet politike. Thuajse të njëjtit që sot shfaqen para ekranit të thirrur si ‘’ shpëtimtarët’’ e universitetit,  qenë në ballë të protestave për faturat e fryra të KEK-ut, një vit më parë dhe çdo proteste tjetër duke kërkuar përmbysjen e pushtetit.

Ne që i njohim, por edhe që edukojmë student jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe nga mbarë bota, por edhe opinioni i gjerë nuk e ka të vështirë t’i identifikoj këta “student” revolucionar.

Në profilet e tyre në facebook ata mbajnë portretet dhe thurin elegji për Leninin, Hugo Chavezin dhe Che Guevara-n. Kjo s’do koment se çfarë ideologjie përfaqësojnë këta. Secili le ta vlerësoj vet dhe në bazë të vlerësimit të tij të përkrah apo refuzoj thirrjet e tyre.

Po kush ishin pjesëtarët e shoqërisë civile? Çfarë raporti kishin apo kanë ata me Universitetin e Prishtinës dhe studentët e tij? Sa kishin kontribuar ata apo familjet e tyre në ngritjen dhe ruajtjen e UP-së dhe sa nga ata e  kanë thënë mëse njëherë publikisht se ky universitet duhet të mbyllet?

Pa dashur të përmendim emra, nuk duhet shumë mund për të kuptuar se kjo lagje e kritikuesve kronik ndaj universitetit janë pikërisht ata apo bijtë e atyre që s’bënë asgjë të mirë për UP-në dhe as për Kosovën.

Madje ka nga ata që asnjë ditë nuk ju ka shkelur këmba në UP, por që kanë kryer shkolla private të palicencuara në Kosovë. Janë po ata që kur e marrin megafonin hedhin helm e vrer kundër universitetit, studentëve dhe profesorëve, kundër këtij institucioni të arsimit të lartë, themelet e të cilit janë ndërtuar mbi gjakun e qindra mijëra të rinj e të reja, burra, gra e pleq.

Prandaj këtu shtrohet pyetja se a duhet t’i dëgjojmë këta palaço të ashtuquajtur shoqëri civile në emër të së cilës thirren dhe ushqehen?

Mendoj se jo. Unë mendoj se jo. Është mirë të mendoni edhe Ju, për të mirën e universitetit dhe mbarë institucioneve publike.
 
/Autorja është Drejtoreshë në Bridge Education Abroad Institute - SHBA/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)