Nga Forumi Botëror i Demokracisë
Shkruar nga Dren Shahini
Demokracia nuk ka nevojë për mjete të reja; asaj i duhen vlera të reja!
( Abdou Diouf, Sekretar i Përgjithshëm i Frankofonisë)
Javën që kaloi, prej 23 deri më 29 nëntor, në qytetin e Strasburgut, nën organizim të Këshillit të Evropës zhvilloi punimet Forumi Botëror i Demokracisë. Tema qendrore e këtij viti ishte: "Ndërlidhja e qytetarëve me institucionet në epokën digjitale".
Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 115 shtete të botës, shtete anëtare dhe jo anëtare të këtij Këshilli. Rol të veçantë në këtë forum kishin shtetet që përfaqësoheshin nga shkollat politike të tyre, shkolla këto që organizohen nën mbikëqyrje të Këshillit të Evropës, organizata të tij në këto shtete përkatëse, si projekt drejt edukimit dhe avancimit të mendësisë politike, rritjes së pjekurisë politike e zhvillimit të përditshëm të demokracisë.
Kosova si vend jo anëtar i Këshillit të Evropës në punimet e këtij Forumi u përfaqësua nga Shkolla Politike e saj.
Shkolla Politike nga Kosova, e themeluar dhe e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, kishte të pranishëm në këtë Forum 22 përfaqësues, me një llojllojshmëri prejardhjeje e aktivizimi, si nga shoqëria civile, nga parti politike, nga dikastere qeveritare e nga organizata ndërkombëtare.
Pas një viti me shumë aktivitete, si ligjërata, prezantime, debate e udhëtime brenda e jashtë Kosovës, pjesëmarrja në Forumin Botëror të Demokracisë ishte e veçantë.
Pas ceremonisë hapëse të Forumit, ku impresionuan me fjalimet e tyre z. Abdou Diouf, Sekretar i Përgjithshëm i Frankofonisë, dhe z. Amin Maalouf, shkrimtar dhe anëtar i Akademisë Franceze, punimet filluan të zhvillohen në disa klasa (laboratore) me tema të ndryshme, por me emërues të përbashkët - avancimi i demokracisë.
Dy nga shumë tema ngjallën interes të madh nga pjesëmarrësit : Demokracia likuide - sfidat e partive politike dhe Demokracia e drejtpërdrejtë përvoja zvicerane. Ceremonia e diplomave, Panairi i Demokracisë dhe pritja në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut ishin disa nga aktivitetet që ishin rezervuar për pjesëmarrësit.
Nuk mund të harrohen as mbrëmjet, si ajo e pritjes nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagaland, si dhe ceremonia e ndarjes së çmimit për drejtësi dhe demokraci, të cilin e ndan qyteti i Strasburgut dhe quhet Falcone Prize, në nderim të prokurorit të madh italian Giovanni Falcone.
Qyteti i Strasburgut për këto ditë me të drejtë u cilësua kryeqytet i demokracisë, ndërsa ndërtesa e Këshillit të Evropës - shtëpia e demokracisë.
Mundësia për të njohur njerëz e kultura të ndryshme ishte e madhe dhe natyrshëm kontakti me përfaqësues të shteteve fqinje ishte më miqësor. Edhe zilia ndaj tyre nuk mungoi.
Zilia ndaj shkollave të tjera, e sidomos atyre nga Ballkani, mu shfaq që në ditën e parë të arritjes sonë. Jo se treguan njohuri më shumë se ne, sepse në takimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishim ne përfaqësuesit e Shkollës Politike nga Kosova që treguam angazhim dhe pjekuri politike.
Zili, sepse ata e ndienin kujdesin shtetëror edhe atje! Që në arritje e deri në përfundim, nga biseda me ta mësova se gjatë tërë vitit janë mbështetur nga qeveritë e tyre. Ne atje prezantuam Kosovën. Ne atje ishim Evropianët e Rinj.
Turp për Ministrinë e Punëve të Jashtme! Turp për Ministrinë e Integrimeve Evropiane! U turpërua edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë.
Në ditën më të shenjtë të kombit tonë, më 28 Nëntor, ajo lëre që nuk organizoi asnjë eveniment, por askush nga stafi i saj nuk e mori mundin të paktën të na takojë neve, përfaqësuesit shqiptarë!
Ne, jo se mbetëm pa festuar! Fiks në ora 00:00 të datës 28 Nëntor, në një bar francez, pas insistimit tim, pronari i lokalit lëshoi këngën Xhamadani vija-vija! Krenari e nder. Ishim bashkë: Tirana, Shkupi e Prishtina. Përballë nesh: serbët, kroatët e maqedonasit.
Ndjenjë e paharrueshme. Falënderim për drejtoreshën e Institutit të Prishtinës për Studime Politike , znj. Leonora Kryeziu dhe stafin e saj, për kujdesin dhe përkushtimin që ne në Forum të prezantohemi sa më denjësisht.
Punimet e Forumit u mbyllën më datë 29, me një konkludim të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve se demokracinë në vendet tona duhet ta ushqejmë çdo ditë.
/Autori është Zëdhënës i Lëvizjes për Bashkim/