22 Dhjetor 2024

Nexhmedin Arifi kryetar komune apo trafikant votash e mandatesh

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Dje, Nexhmedin Arifi, kryetar i Komunës së Vitisë, emroi kryetarin e Degës së Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Avdyl Bajramin, nënkryetar komune!! Emroi nënkryetar komune njeriun që me tërë \"takatin\" e tij të vogël në vazhdimësi ka qenë kundër PDK-së, emroi njeriun që nuk ka lënë (kjo është shumë më e rëndë), siç thuhet, \"derë magjupi\" pa trokitur për të penguar ndërtimin e banesave në Kllokot!!

U vërtetua përfundimisht se këta dy njerëz, N. Arifin dhe A. Bajramin, i bashkon Kllokoti (komuna), nëntoka e Vitisë ose siç thotë populli \"klani i Zemunit\" dhe lufta kundër PDK-së. Zgjedhësit, anëtarët dhe qytetarët e Vitisë asesi të merren vesh dhe të pajtohen se si ta quajnë këtë punë dhe si t\'i thonë kësaj pune, këtyre veprimeve të Nexhmedin Arifit.

Dikush thotë se kaq ia pret mendja, nuk di më shumë, mos ia shihni për të madhe, dikush thotë se është i sëmurë dhe e ka humbur arsyen, por ka shumë (më të informuarit) që thonë se N. Arifi po \"lanë borgj\", po përmbush obligimet që ka marrë...!! Sidoqoftë askush nuk mund t\'i quaj normale veprimet e tij që kur mori mandatin katër vjeçar.

Puna e parë që bëri sapo e mori mandatin ishte njohja dhe pranimi i komunës së Kllokotit duke tradhtuar vullnetin e qytetarëve të Vitisë, vendimin e Këshillit komunal të Vitisë dhe vendimet e degës së PDK-së për të mos e njohur dhe pranuar me asnjë çmim një komunë serbe në zemër të Vitisë!!

Ai ishte kandiduar nga Dega e PDK-së për kryetar komune. Votat i kishin fituar me shumë mund (pas humbjes së thellë nga kundërkandidati) drejtuesit e Degës dhe të fushatës me përkrahjen e madhe, me angazhimin dhe përkushtimin e pashembullt të anëtarëve, simpatizantëve dhe zgjedhësve tanë.

Një ndihmë të rëndësishme në balotazh e ka dhënë edhe Kryetari i Degës së AAK-së dhe zgjhedhësit e kësaj partie. Megjithatë, ky njeri (N. Arifi), pas zgjedhjeve nuk ka dashur për asnjë çast të bashkëpunojë me partinë që i kishte fituar zgjedhjet dhe i kishte siguruar atij mandatin!! Nuk donte t\'ia dinte për premtimet që kishim dhënë në fushatë dhe për marrëveshjet që kishim bërë me parti a grupime politike për t\'i fituar zgjedhjet!!

Dy vite u përpoqëm t\'i mbanim këto mosmarrëveshje dhe këto sjellje dhe veprime të pakuptimta të tij. Veprimet e fundit na bindën përfundimisht se ky njeri asgjë nuk ka bërë gabimisht dhe kokë më vete. Ka një qendër që e drejton nga nëntoka ose nga ajri (më shumë është nga nëntoka).

Eleminimi i çdo zyrtari apo funksionari komunal që ishte në PDK vërtetoi se ky njeri ka një përcaktim dhe angazhim të qartë kundër njerëzve tanë dhe kundër çdo kujt që ka vlera morale, politike, intelektuale, demokratike, qytetare e kombëtare, ndaj çdokujt që jeton dhe do të vdes njeri i ndershëm, bir i denjë i këtij vendi.

Veprimet e tij vërtetojnë se ai është i interesuar dhe po angazhohet me mish e me shpirt që në skenën komunale (në ballë të oxhakut) ta vendosë kategorinë e njerëzve të korruptuar, uzurpatorët, krimin e organizuar, matrapazët dhe trafikantët e të gjitha ngjyrave, spiunët dhe hyzmeqarët e të gjitha kohërave (të rinj e të vjetër)!! Turri i tij është në koherencë edhe me zhvillimet \"dramatike\" në qendër.

Ai është i bindur se është koha e tij dhe e \"padronëve\" të tij për t\'i rrënuar vlerat kombëtare, demokratike, qytetare, politike e njerëzore të këtij vendi... Shpresat e tij dhe të tyre, jam i bindur, nuk do të realizohen kurrë.

Ai dhe ata si ky vështirësi të mëdha po i sjellin këtij populli por, nuk duhet ta harrojnë kurrë se ky popull dhe vlerat e tij (atdhedashuria, besnikëria, liria, demokracia, qytetaria...) kanë mbijetuar dhe kanë triumfuar në kohë shumë-shumë më të vështira se këto të sotmet.

Ai ka përvetësuar, personalizuar dhe privatizuar mandatin që e ka fituar PDK-ja dhe këtë mandat po e ndanë dhe po e shpërdoron me dhe për interesa të grupeve mafioze (uzurpatorë, matrapazë, dallaveraxhi dhe sahanlëpirës...). Votën dhe mandatet e PDK-së po i trafikon dhe kontrabandon për interesa të pista dhe të ulta!

Ai nuk njeh norma, rregulla e ligje. Partitë politike, pluralizmi, demokracia, mandati, vota, premtimet elektorale... për te nuk ekzistojnë!! Dështimet dhe fajet e tij për mosrealizimin e projekteve, shkeljet dhe shpërdorimet e mëdha me tender e me paranë publike të qytetarit mundohet t\'i mbulojë me zhurmën që po bënë kundër PDK-së.

\"Lirimi\" nga detyra e nënkryetarit i magjistrit të gjeologjisë, Halim Halilit, dhe emrimi në vend të tij i A. Bajramit janë dëshmia më e mirë për prapësitë e tij anti Viti dhe anti PDK. H. Halili është anëtar i Kryesisë që nga themelimi, njeri shumë i nderuar dhe specialist i respektuar.

E keqja e tij ishte dhe është se nuk pranonte të bëheshin shkelje dhe shpërdorime, nuk korruptohejë. Të gjitha këto kanë shtyrë PDK-në që këtë njeri të mos e njoh më për kryetar komune dhe t\'i kërkojë ta dorëzojë mandatin e përvetësuar dhe të keqpërdorur ekstremisht...

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)