Nevoja e reformimit të shkollimit juridik në Kosovë
Shkruar nga Dren Ajeti
Po e ceki qysh në fillim: Ky shkrim nuk synon të jetë gjithpërfshirës. Për më shumë, ajo paraqet vetëm një mendim personal që shpreh dëshirën e flakët për përmirësim dhe reformim të vazhdueshëm të shkollimit juridik në Kosovë.
Sot shumë punëdhënës ankohen se punëtorët e tyre të dalur nga karrigat e universiteteve nuk janë të përgaditur për tregun e punës.
Ky problem po vërehet edhe në administratën shtetërore, ku shkaku i paaftësisë së zyrtarëve shtetërorë, shpesh nxjerrën vendime në kundërshtim me ligjin. Hiç më mirë nuk qëndrojnë as prokuroritë, avokatët dhe gjyqësori.
Njëri ndër shkaqët e kesaj paaftësie sigurisht se është shkollimi i ulët që ofrohet në universitetet e ndryshme publike dhe private. Prodhimi i njerëzve me diploma dhe jo kuadrove të shkolluar, duket se është motoja që e ka përcjellur punën e universiteteve në vend.
Kjo më ka brengosur edhe mua, veçanërisht për fushën e studimeve të mia drejtësinë. Shumw nga studentët e shkencave juridike gjatë katër viteve lexojnë vetëm librat që iu servohen për provim.
Ndonëse ligji është fusha e studimeve të tyre, ka nga ata të cilët arrijnë titullin Jurist i diplomuar pa rënë kurrë në kontakt me një tekst ligjor dorë, e lëre më ta ketë lexuar apo analizuar.
Fakultetet juridike në Kosovë (po iu referohem vetëm atyre tw universiteteve publike, pasi disa universitete private qëllim kanë vetëm fitimin material e jo nxjerrjën e kuadrove të aftë) kanë nevojë për një reformim të shkollimit dhe ligjërimit.
Këtu i kam cekur vetëm katër pika me të cilat do të mund të bëhej një ndryshim dhe rritje e cilësisë së kuadrove juridik. Ato janë cekur vetëm sipërfaqësisht, pasi sëcila pikë është det në vete dhe fushë pedagogjike e studimit.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të jetë gjithpërfshirës. Për më shumë, ajo është vetëm një mendim personal që shpreh dëshirën e flakët për përmirësim dhe reformism të vazhdueshëm të shkollimit juridik në Kosovë.
Ulja e numrit të brucoshave
Qëllimi i Universiteteve publike nuk duhet të jetë akomodimi i gjithë maturantëve, por vetëm aq sa kërkon tregu i punës. Andaj edhe numri i atyre që studiojnë shkencat juridike duhet të jetë në proporcion me kërkesat e tregut të punës.
Numri vjetor i atyre që pranohen fatkeqësisht është tepër i lartë dhe i papërballueshëm, si për objektet e fakulteteve dhe poashtu për ligjërim normal.
Ne fakultetet juridike gjermane, numri i studentëve që pranohen në studimet fillestare është 500-700, përderisa numri në Kosovë është 1500-2000 studentë në vit (vetëm në fakultetin juridik të UP-së, duke mos përfshirë ato private), e që i bie se një profesor i Filleve të së drejtës apo së Drejtës romake në Gjermani duhet t`iu ligjeroj 250-350 studentëve (pasi shumica ligjërojnë së bashku me një professor tjetër), ndërkaq një profesor në fakultetin juridik të UP-së duhet t`iu ligjeroj 750-1000 studentëve.
Do të duhej që ky numër të zvogëlohet edhe me vet faktin që edhe në studime një raport i afërt Profesor-Student është i preferuar.
Përsëri një krahasim: përderisa në Gjermani përballë një profesori të së drejtës qëndrojnë 82 student (për shkak këtij numri, fakultetet juridike në Gjermani quhen fakultete masive), në Kosovë ky numër është shumfish më i madh.
Përfshirja e rasteve studimore dhe punimeve seminarike gjatë studimeve
E drejta nuk është asgjë tjetër vetem se subsumim (aplikim) i një norme juridike në një rast konkret.
Si e tillë, detyra jetësore e një juristi është subsumimi i normës juridike në rastin konkret.
Filozofi Karl Popper thoshte Das Leben ist Problemlösen - Jeta është zgjidhje problemesh, thënie kjo që e përcjellë juristin gjatë gjithë jetës.
Teoria e ka vlerën dhe vendin e vet, por ajo në punën e juristit nuk luan rol të madh.
Nuk mjafton që studentëve t`iu ligjerohet se çfare është vrasja, si arrihet posedimi i sendit apo mënyra e adoptimit, kur studentët janë të paaftë që këto njohuri t`i subsumojnë në raste.
Shembull: e dijmë se posedimi është pushtet real, pra ai që e ka në dorë sendin është edhe posedues.
Ta kthejmë këtë mësim në rast praktik: Si duhet vepruar në rast se personi Arbeni (A) është pronar dhe posedues i një makine prodhuese, por makinën ia jep personit Burimit (B) që bëhët posedues direkt, duke e kthyer vetën në posedues të tërthortë. Në këtë pozitë A vendos që sendin t`ia shes firmës Celula (C).
Personi B refuzon t`ia dorëzoj makinën C-së duke u arsyetuar se ka kontratë të qirase me A deri në fund të vitit.
Nga kush duhet ta kërkoj dorëzimin e makinës personi C, ndërkohë që klientët e C-së kërkojnë produktet e paguara paraprakisht, të cilat C mund t`i prodhoj vetëm me atë makinë.
Nga kush duhet të kërkojë C makinën dhe fitimin e humbur ? Cilat norma juridike duhet aplikuar?
Me raste studimore studentët arrijnë që të mësojnë metodologjinë dhe aplikimin e së drejtës në raste konkrete dhe ndërlidhjën e fushave të ndryshme të së drejtës, duke u përgaditur edhe më mirë për tregun e punës.
Andaj gjatë ligjeratave, profesorët do të duhej që së bashku me studentët të zgjidhnin vazhdimisht raste; kështu studentët mësojnë qasjen ndaj problemeve të ndryshme civile, penale, administrative, etj.
Fakulteti juridik duhet të angazhoj si ligjërues të kohëpaskohshme edhe gjyqtarë, prokuror dhe avokat, qëllimi i së cilës është ofrimi i ligjeratave sa më afër praktikës dhe njohja me përvoja personale të juristëve.
Për më shumë, në vlerësimin e studentëve do të duhej të futej edhe zgjidhja e rasteve në shtëpi dhe punimi përfundimtar.
Në Universitetin e Tübingen-it në Gjermani, studentët gjatë studimeve iu jepen 6 raste të mëdha për t`u zgjidhur në shtëpi për një periudhë kohore prej gjashtë javësh. Punimet kanë një gjërësi prej 60 mijë shenja (afër 30 faqe).
Zakonisht rastet përfshijnë disa fusha (p.sh në një rast të vetëm është e përfshirë e drejta familjare, administrative, e drejta e delikteve dhe e drejta penale për të mitur.)
Siç u cek më lartë, studentët kështu arrijnë që të mësojnë zgjidhjën e rasteve konkrete duke mësuar mënyrën e argumentimit juridik dhe aplikimin e drejtë të ligjit.
Në fund, çdo student në modulin e tij të specializimit do të duhej të shkruantë një punim përfundimtar, me të cilën do të dëshmonte se është aftësuar të bëj kërkime shkencore dhe hulumtime juridike, se është i aftë të argumentoj juridikisht dhe të aplikoj të drejtën në rastet konkrete.
Praktikat në institucione të ndryshme
Si pjesë e përfundimit të suksesshëm të studimeve juridike, cdo student duhet të kryente disa praktika nëpër institucione të ndryshme.
Fakulteti juridik i UP-së ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi më institucione të ndryshme në Kosove dhe kjo vërtetë është për t`u përshendetur.
Por do të duhej të ishte obligative që çdo student të bëj disa praktika gjatë studimeve me qëllim që kështu të njoftohet edhe me punën e juristëve të ndryshme dhe të fitoj një ndjenjë se çfare ka për t`a pritur në të ardhmën.
Shtimi i publikimeve shkencore
Fatkeqësisht studentët e fakulteteve juridike po ballafaqohen me mungesë të literaturës juridike.
Ndonëse në vitet e fundit është shtuar literatura juridike përmes botimeve dhe përkthimeve e poashtu edhe numri i revistave shkencore, fakulteti juridik duhet të lidh marrëveshje me revista të ndryshme që studentët të kenë qasje online në këto revista, apo edhe përmes blerjës së tyre.
E më e rendësishmja do të ishte që profesorët tanë, të njohur me te drejtën vendore, të shtojnë numrin e librave dhe komentarët e ligjeve dhe vendimeve gjyqësore, që kështu të filloj një spirale e të shkruarit të artikujve dhe punimeve shkencore juridike.
Poashtu edhe gjyqtarët, prokurorët, avokatët etj. duhet të kontribuojnë në këtë aspekt, që shkollimit juridik t`iu qasën edhe në aspektin praktik.
Edhe këtu është për t`u përshëndetur iniciativa e organizatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ, për përkrahjën dhe shtypjën e komentarëve të ndryshme si dhe programet e ndryshme të USAID-it.
Këto janë hapa të parë, por të cilat duhet të shërbejnë vetëm si shtytje për të vazhduar edhe më tej me publikimin e literaturës dhe punimeve shkencore në fushën e drejtësisë.
E më kryesorja: Të mos falet askush gjatë vlerësimit, por gjithkush t`iu nënshtrohet kritereve të njëjta gjatë pranimit në studime dhe gjatë vlerësimit në provime.