Nëse dëshirojmë të bëjmë kryeqytet
Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli
Një deklaratë e para disa dite e kryetarit të kryeqytetit zotit Shpend Ahmeti lidhur me reduktimin e buxhetit të komunës së Prishtinës për 6 milionë euro,për vitin 2015,më provokoi që edhe një herë të iu drejtohem organeve vendimmarrëse qeveritare,se si do të duhej trajtuar kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në aspektin e statistikave gjegjësisht numrit të banorëve rezident, si dhe rrolin e tyre në fushën e Planifikimit Hapësinor Komunal,që do të duheshin të ishin trajtuar në procesin kompleks të përpilimit të dokumenteve hapësinore Komunale.
Çka është e vërtetë këto dokumente hapësinore (Plani Zhvillimor Komunal dhe Plani Zhvillimor Urban) janë përpiluar dhe aprovuar në Asamblenë Komunale të Prishtinës,në gusht dhe shtator të vitit 2013,por sa janë respektuar nga niveli qendror,(MMPH e ka aprovuar PZhK të Prishtinës),në rastin e ndarjes së kulaçit buxhetor për vitin 2015 nga ana e Ministrisë së Financave,kjo qartë po vërehet pasi është zvogëluar buxheti komunës,që është gabim funksional të cilin gjithsesi duhet korrigjuar.
Kjo çështje është komplekse dhe duhet trajtuar seriozisht në të gjitha aspekte,e jo vetëm në numrin e banorëve si është vepruar në rastin konkret, gjegjësisht në vitet e pas luftës në të gjitha komunat në Kosovë.
Gjatë procesit të punimit të këtyre dokumenteve hapësinore te Prishtinës nga ana ime,si Kryetar i Këshillit të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor të Prishtinës,me ngulm është kërkuar,nga përpiluesit e projekteve,që të kenë në konsideratë trajtimin me kreativitet në zbërthimin e këtyre sfidave hapësinore që i ka Prishtina si kryeqytet i Kosovës.
Assesi nuk duhej apstrahu invazionin ditor,javor dhe periodik të popullsisë jo rezidente,si dhe të mysafirëve të tjerë dhe turistëve të shumtë që e vizitojnë Kosovën. Nuk duhej harru prezencën e ambasadave si dhe institucioneve politike dhe përfaqësive të ndryshme ekonomike dhe komerciale nga e tërë bota.
Të gjitha këto e rrisin enorm numrin e banorëve,dhe në procesin e Planifikimit Hapësinor dhe Urban nuk duhej anashkaluar. Është kërkuar një trajtim serioz dhe profesional i tërë hapësirës së Komunës së Prishtinës,pasi pa dyshim ka implikime hapësinore edhe në Komunat për-rreth,si dhe në ato ma larg.
Sa është realizuar nga këto kërkesa të bazuara profesionale,mundemi të vërejmë në ato dokumente hapësinore të aprovuara nga Këshilltarët në Asamblenë Komunale,të cilët me siguri do të pluhurosën ne sirtarët e komunës. Mua personalisht fare nuk më befasojnë pasojat që do të rrjedhin nga kjo qasje jo profesionale ndaj hapësirës komunale,si është çështja e buxhetit dhe shumë çështje tjera jetike për funksionimin normal të kryeqytetit.
Ende drejtorit dhe komitetet e ndryshme marrin vendime se ku me u vendosur objekte të natyrave të ndryshme,sipas kërkesave reale të kohës,që i kërkojnë investitorët e ndryshëm. Askush nuk mundet të jetë vizionar gjenial për të caktuar lokacione të ndryshme në Asamblenë komunale,nëse ato nuk janë definuar në dokumentet hapësinore komunale.
Në ketë mënyrë vetëm do të bëjmë në vazhdimësi gabime të radhës,dhe do të përkeqësojmë situatën hapësinore dhe urbane në komunë dhe në kryeqytet,ashtu si është vepruar në të kaluarën e afërt.
Po e ritheksoi edhe një herë,nuk mundet të jetë numri i popullsisë i vetmi barometër për ndarjen e grandeve qeveritare komunave,e posaçërisht të kryeqytetit të Kosovës. Për këtë duhet të mendoi Ministria e Financave pasi ndarja e kulaçit shtetëror për kryeqytetin duhet të ketë trajtim të veçantë,i bazuar në dokumentet hapësinore të mirëfillta,pasi kjo çështje është komplekse.
Për kryeqytetin duhet marr parasysh shumë elemente tjera,që nuk evidentohen në procesin e regjistrimit,si janë lëvizjet ditore të popullsisë që zhvillohen në kryeqytet ku i kemi koncentruar të gjitha kapacitetet e administratës qendrore,politikës,tregtisë e shumë aktiviteteve tjera,çka nga aspekti hapësinor nuk është në rregull. Qenësore kryeqyteti Kosovës duhet të ketë statut të veçantë ashtu si e kanë të gjitha kryeqytetet tjera në botë.
Se si është duke u punuar në Kosovë në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Urban tani po vërehet qartë,jemi duke i përjetuar dhe korrur të gjitha pasojat e këtyre veprimeve tona dhe mospunës kronike. Në të gjitha hallkat e sistemit të planifikimit hapësinor dhe urban kemi anomali esenciale,të cilat do të kenë pasoja të pa riparueshme për gjeneratat e reja,e prijës i këtyre veprimeve është kryeqyteti.
Kualiteti i jetës urbane gjithnjë po varfërohet në Prishtinë,kanë ardhur momentet e fundit kur në këtë lami duhet filluar me bëre ndryshime esenciale,duke i respektuar së pari normat dhe standardet morale të këti populli e pastaj edhe ato ndërkombëtare,pasi jemi të obliguar nëse dëshirojmë ti bashkohemi popujve të civilizuar,që dikur kemi menduar se ju takojmë. Kjo mundet të arrihet vetëm me një Planifikim Hapësinor,Urban dhe Arkitektonik, profesional, realist,që aq shumë është nënçmuar në dekadat e fundit në Kosovë.
Një thënie e kryetarit të komunës së Prishtinës nëse dëshirojmë të bëjmë qytet,unë do ta kisha plotësuar,se këtu nuk është çështje dëshirore nëse,por ajo duhet të jetë obliguese,pasi është fjala për kryeqytetin e shtetit tonë,i cili duhet të jetë pasqyrë e të gjithë neve,si dhe shembull për të gjitha komunat tjera në Kosovë dhe ma gjerë.
Me të gjitha kapacitetet profesionale dhe intelektuale të gjithë ne duhemi të kontribuojmë për një jetë të dinjitetshme dhe mirëqenie për të gjithë ne, duke anashkaluar përkatësit partiake,regjionale apo klanore, që për fat të keq ende edhe pas pesëmbëdhjetë (15) viteve po dominojnë në Kosovën tonë të pavarur.