22 Dhjetor 2024

Nëse Adem Demaçi ka qenë komunist, Valon Syla është aborixhin i Afganistanit

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora A

Koha e pishpirikëve, hip-hopit dhe patriotizmit jugosllav:  Para  shumë vjetëve, një politikan i profilit të lartë të PDK-së, që e kishte bërë një luftë të paqtë çlirimtare por se pas luftës  e preferonte jetën si në serialet e Beverly Hills, çdo herë kur më takonte më drejtohej me fjalët: “ nëse asgjë nuk ke bërë në këtë jetë, atëherë të gjitha të falen shkaku se kurrë nuk iu ke ndarë Adem Demaçit, duke i ndejtur gjithmonë afër ...”.

Pasi këto fjalë kaluan, më tepër në përpjekje të zhvendosjes së vëmendjes prej kritikave që ia bëja për sjelljet pas përfundimit të luftës, për ta ndërprerë këtë lloj komunikimi iu përgjigja: “ Po pse ju nuk po i qëndroni afër Bacës Adem Demaçi përveç rasteve kur iu vjen veja te b...a apo kur keni nevojë për vota . Kush po ua ndalon ! Pse e bëtë Pacollin president dhe nuk e bëtë Bacën Adem  dhe shumë pse të tjera “  !

Bacën Adem Demaçi, abetaren e luftës për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar sikur shumica e të rinjve të asaj kohe e kam njohur për kohën e gjatë, thuaja 30 vjet të kaluar nëpër kampet e përqendrimit të ish – Jugosllavisë e që i quanin burgje, shkaku i romanit “ Gjarprinjtë e Gjakut “ , me një fjalë më shumë e përjetoja si mit, se një realitet jo i prekshëm apo i përjetuar.

Në demonstratat e vitit 1968, kur isha “ sa troha “ por se vrapoja pas demonstruesve tërë kohën në Prishtinë, pa e patur një qëllim të qartë pse e bëja këtë, emri më i brohoritur ishte i Adem Demaçit për të cilin nuk kisha informata përveç atyre që i përmenda më lartë.

Patriotët e viteve të 60 –ta në Llap si i papërsëritshmi Xheladin Rekaliu Elhame Shala – Bogujevci,  Hamit Berberi, Hakif Sheholli, Ibrahim Durulaku, Qazim dhe Ibrahim Stublla dhe shumë të tjerë, që, ose kishin mbajtur më heret, ose u arrestuan më vonë për organizim të demonstratave të vitit 1968, të gjitha i bënin në frymën e Bacës Adem Demaçi .

Në atë kohë në Llap frymëzues për çdo veprim patriotik ishin Shaban Shala që vdiq nën torturë në burg duke kënduar se :” nuk është more këtu, as Serbi e as Jugosllavi por është Shqipëri ...” dhe Baca Adem Demaçi që e kishte botuar Manifestin, udhëzuesin dhe frymëzuesin për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar ...”, Gjarprinjtë e Gjakut që qarkullonte duar në duar dhe të cilin, për herë të parë e kam parë,  në disa vazhdime në tavanin e shtëpisë sonë në Podujevë kur isha dikun 10 vjeç, në revisten Jeta e Re.

Shtëpia e Shaban Shalës – Bajgorës, Babushit tim ishte e vetmja shtëpi shqiptare në atë kohë në qendër të qytetit të Podujevës e  rrethuar me shtëpi të serbëve, 95% e të cilëve ishin çetnikë të përbetuar.

Nëse deri në vitin 1968 patriotizmi dhe sakrifica ishin shprehje e një rrethi të ngushtë me vetëdije dhe ndërgjegje kombëtare, pas vitit 1968, me rrëzimin e Rankoviqit dhe me një hapje, më vonë edhe me Shqipërinë, u rritë edhe vetëdija kombëtare.

Atëherë mësuam se nuk është e jona Beteja e Kozarës por Beteja në Fushën e Albulenës, e mësuam se Mirko dhe Sllavko nuk janë heronj tanë por se është Avni Rrustemi, Bajo dhe Çerçiz Topulli, filluam të mësojmë se AVNOJ është festë e serbëve dhe jugosllavëve kurse shpallja e Pavarësisë në Vlorë është festa jonë.

E mësuam se Flamuri me shqiponjën dykrenare është Flamuri i vet qenies dhe ekzistimit të shqiptarëve kurse trobojka e Jugosllavisë është flamur i jugosllavëve dhe shqipfolësve jugosllavë që na shtypnin më shumë se vet serbët dhe jugosllavët.

Filluam të mësojmë se kryeqyteti ynë nuk është Beogradi por është Tirana. E mësuam se himni ynë është: “ Himni i Flamurit “ e jo: “  Hej Slloveni ...”.

Në ngritjen e vetëdijes kombëtare ndikoi edhe diaspora që sillte literaturë nga jashtë si dhe profesorët dhe ligjeruesit që vinin në Kosovë, nga Shqipëria. Falë kësaj, erdhi te ngritja e vetëdijes kombëtare, me një dinamikë të shpejtuar.

Prandaj erdhi viti 1974, 79, 1981, 1989 dhe viti më i lavdishëm, jo për jugosllavët shqipfolës por për patriotët e vërtet shqiptarë, viti 1998 kur e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës e nisi dhe e përfundoi luftën çlirimtare .

Kur e takova Apostullin e çështjes kombëtare, Bacën Adem Demaçi: Sikur që për çdo besimtar të besimit Islam, vizita në vendet e Shenjta, në Mekë dhe Medinë  sikur edhe vizita e Varrit të Profetit Muhamed është detyrim dhe synim jetësor, sikur që për një besimtarë të krishterë vizita në Vatikan dhe bekim nga Papa është synim i gjakuar, sikur që për një besimtar çifut vizita në Jerusalem, te Muri i Vajtimit apo vizita në Nazaret, apo aty ku qenka gozhduar Krishti është përmbyshje e detyrimeve fetare dhe njerëzore apo për budistët vizita në Tibet dhe takimi me Dalaj Lamën që konsiderohet inkarnim i Budës, është arritja e nirvanës shpirtërore, fetare dhe njerëzore, edhe për çdo të burgosur politik shqiptarë e që është patriot i vërtetë, takimi me Bacën Adem Demaçi është qëllimi dhe vendi ku hedhet spiranca kombëtare dhe patriotike.

Në vitin 1981, pas një vizite të Xhevdet Hamzës në Sarajavë dhe takimit me autoritetet represive të Bosnjes dhe Hercegovinës, si preventivë dhe për ta frikësuar komunitetin e madh shqiptar në Sarajevë, na dënuan tre shqiptarë ; dy studentë dhe një punëtor krahu nga Kumanova.

Mua më dënuan 3 vite burg, Hidajete Krasniqin nga Leshani i Pejes, studente me 2 vite burg sikur edhe punëtorin nga Kumanova.

Realisht, gjë prej gjëje nuk pata bërë përveç se flisja, kudo dhe kurdo për të drejtën e mohuar të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi. Kam patur shumë fat që në burg të Foçës takova Rexhep Malën dhe Skender Kastratin, që lindin njëherë në 500 vjet e më vonë edhe Agim Sylejmanin.

Në vitin 1984, as edhe një vit pasi dola nga burgu, sa isha ushtar në Ushtrinë Jugosllave ku shkova pasi nuk doja të ikja jashtë vendit ndonëse, kudo që të shkoja, për 60 minuta do ta fitoja azilin politik, më arrestuan në kazermën e Ilirska Bistricës për të më dënuar me 12 vite burg në Gjykatën Ushtarake në Zagreb, pa bërë gjë prej gjëje, me një aktakuzë e ngjashme me këto të Gjykatës Speciale Raciste në Hagë .

Jemi dënuar 9 ushtarë shqiptarë kurse dëshmitarët kanë qenë 99 % shqiptarë sikurse hetuesi kryesor ka qenë një shqipfolës që pastaj ishte punësuar në Institucionet e Përkohshme të Kosovës.

Kur jemi arrestuar, komandant togu ka qenë Xhavit Kurtishaj, më kanë thënë se është kthyer në Kosovë por se asnjëherë një fjalë nuk e ka nxjerr nga goja për ta treguar të vërtetën.

Nejse, kur më kanë dënuar 12 vite burg mendimi i parë që më është sjellur në kokë ka qenë se: “ pasi jam i dënuar politikisht për herë të dytë, si recidivist e i papërmirësueshëm do të më dërgojnë në Kampin e Përqëndrimit në Stara Gradishkë ku ishte Baca Adem Demaçi dhe shumë të burgosur të tjerë si: Fehmi Lladrovci, Hafir Shala, Haki Gashi, Tahir Hani, Zaim Beqiri, Bejtullah Ademi, Asllan Rushiti, Baca Zeqir Emini, Ismet Sopi ( në Lepogllavë ), Nuhi Ahmeti, Adem Salihaj, Riza Demaj, Avdullah Dërguti, Halit Krasniqi, Hysen Shurdhani, Xhabir Morina, Rrahim Rama dhe shumë të tjerë ..”.

Me qenë në një burg me Bacën Adem Demaçi 12 vjet, jo që e merrja si dënim por si arritje e madhe imja. Mirëpo, si ta dinin dëshiren time dhe më dërguan në Burgun e Lepogllavës e që për mua ishte një zhgënjim i madh.

Të jem i sinqert, sa kam qëndruar në Burgun e Lepogllavës, së paku 80 % të kohës e kam kaluar në vetmi e që e bëja me të vetmin qëllim të më transferojnë në Stara Gradishkë.

Në mesvitin e vitit 1988, me një grup të të burgosurve politikë  na dërguan në Burgun e Gospiqit ku na mbajtën të izoluar 13 muaj e pastaj, më në fund, më dërguan në Stara Gradishkë ku edhe e takova Bacën Adem Demaçi.  

Pra, për t’u takuar me bacën Adem Demaçi kam bërë 5 vite vetmi dhe izolim dhe afërsisht 3 muaj grevë urie.

Më duhet të them se në vitin 1981 -1982 burgu i Gospiqit ishte vendi ku ishin torturuar në mënyrën më çnjerëzore të burgosurit politikë shqiptarë, duke i detyruar madje ta rrahin edhe njëri – tjetrin . Kjo për një kohë tjetër.

Gjatë qëndrimit me Bacën Adem Demaçi në Stara Gradishkë, afërsisht një vit mësova shumë gjëra që nuk i kisha mësuar në asnjë institucion arsimor.

Baca Adem thoshte se vetëm liria nuk ka çmim dhe se kur është në pyetje liria, ia vlenë në çdo kohë të ipet jeta.

Gjithashtu, nuk kishte asnjë dilemë kur duhet përcaktuar midis përfundimit të jetës në mbrojtje të dinjitetit dhe jetës, qoftë edhe 200 vjeçe, pa dinjitet.

Baca Adem thoshte se në luftë për liri, duhet të bashkëpunoni me të gjithë pranadaj ai bashkëpunoi më vonë me Bakallin, Vllasin dhe Fadil Hoxhën, eksponentë të spikatur të politikës jugosllave dhe përndjekës të patriotëve shqiptarë.

Kjo qasje e Bacës Adem bëri që, pas daljes nga burgu të shumicës së të burgosurve politik shqiptarë në vitet e 90 –ta, jo që nuk formuam parti politike por e përkrahëm LDK-në dhe Ibrahim Rugovën.

Të jem i sinqertë, asnjë i burgosur politik shqiptarë, gjatë vuajtjes së dënimit nuk kishte asnjë konsideratë për asnjë politikan shqiptarë që tash ishin rreshtuar në LDK-ë e që më parë kishin qenë pjesë e nomenklatures politike jugosllave.

Po të mos ishte maturia e Bacës Adem Demaçi, pasi dolëm nga burgu kishim disponim ta bënim skenën politike  lëmsh dhe lesh sikur që nuk do t’i linim askund vend asnjë hetuesi, polici, prokurori apo gjykatësi që kishin përndjekur, torturuar, vrarë dhe dënuar patriotë shqiptarë.

Kështu, unë erdha në një pozitë jonormale, Gazmend Maliqi, udbashi gjakpirës m’a kishte torturuar shoqen time, Fexhrije Bilallin – Shala një vit në burgun e Mitrovicës, si e burgosur politike kurse unë, me sugjerimin e Bacës bashkëpunoja me Shkelzen Maliqin, vëllaun e Gazmendit.

Kishte shumë raste të tilla që e bënim për ta krijuar një bashkim apo front politik dhe kombëtar pasi që bëheshim gati për luftë. Bacën Adem kam filluar ta njoh më afër në Burgun e Stara Gradishkës dhe nuk iu kam ndarë asnjëherë, deri në ditën kur ka ndërruar jetë dhe ka kaluar në amshim.

Në Burgun e Stara Gradishkës kam qenë në gjendje ta bajë në qafë dhe të bëjë çdo gjë për t’ia hequr disa detyrime  por, në anën tjetër kur është dashur të japë mendimin politik, nuk kam lëvizur aspak nga qëndrimi im prandaj edhe më ka dashur sikur të më kishte vëlla.

Gjatë qëndrimit në Stara Gradishkë jam bindur se Baca Adem nuk ka pasur as edhe një gram të vetëm bindje komuniste por se ka qenë 100% nacionalist shqiptar, që ka qenë në gjendje në çdo kohë të sakrifikohet për popullin shqiptar por se nuk ka pasur aspak urrejtje ndaj asnjë populli në botë, madje as për popullin serb. E madhërishme !

 Disa të burgosur politikë shqiptarë që e lexonin Leninin, Marksin, Engelsin  apo Stalinin, Baca me të butë i këshillonte të mos humbin kohë me Leninin dhe Stalinin por të lexojnë dhe studijojnë gjuhën dhe historinë shqiptare.

Ishte plotësisht i vetëdijshëm se 99 % e të burgosurve shqiptarë nuk kishin kapacitet intelektual ta lexonin dhe kuptonin Karl Marksin.

Kurrë dhe në asnjë rast nuk e kam dëgjuar Bacën duke dëgjuar apo kënduar këngë për Titon apo Enverin por  ka kënduar për Dedë Gjo Lulin apo Çerçiz Topullin.

Madje, në shumë biseda Baca thoshte se gjatë varrimit do të kishte dëshirë t’i këndohej kënga e Dedë Gjo Lulit për dallim të disa analistëve të sotit dhe prindërve të tyre që e kanë kënduar: “ Druzhe Tito, mi ti se kunemo, Shoku Tito ne të betohemi ...”.

Në kohën tonë ishin dy mundësi, ose të mbijetosh dhe të përparosh duke i kënduar Titos dhe Rrahman Morinës , ose të burgosesh dhe të dënohesh si përkrahës i Enver Hoxohës ?!

Midis Titos dhe Enverit, për një patriot shqiptar nuk kishte fare mëdyshje, ishin për Enver Hoxhën sepse ishte udhëheqës i Shqipërisë.

Edhe mua, kur më kanë dënuar në dy raste me 3 dhe 12 vite burg, më kanë bërë më enverist se vet Ramiz Alia ndonëse për Enver Hoxhën kurrë nuk e kam çarë trapin.

Madje, çdo i burgosur që ka qenë me mua në burg edhe vetëm 5 minuta, është bindur se nuk kam asgjë të përbashkët me Enver Hoxhën, jo të PDK-së por të Shqipërisë.

As Baca Adem nuk ka patur asnjë konsideratë për Enver Hoxhën gjë që e ka bërë publike pas vizitës së parë në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në Stara Gradishkë Baca Adem më ka treguar për shumë intelektualë kosovarë që kanë qenë dëshmitarë kundër tij e që deri vonë kanë zënë vende të rëndësishme në kierarkinë politike dhe intelektuale të Kosovës e që kanë qenë mjeranë të vërtetë, spiujë të ulët.

 Të tillë i kanë edhe fëmijët sot e që, një pjesë e tyre po merren me vlerësimin e personalitetit të Adem Demaçit.

Adem Demaçi kurrë nuk e ka nënçmuar apo fyer Rugovën por ka bërë përpjekje të marrë përgjegjësi  në luftë për liri dhe çlirim. Ibrahim Rugova, jo se nuk e ka dashur lirinë por nuk ka qenë në gjendje ta bëjë as sakrificën më të vogël për liri, personale dhe familjare.

Sa për Ibrahim Rugovën kurrë në Kosovë nuk do të kishte luftë dhe rrjedhimisht as liri dhe çlirim. Ky ka qenë dimensioni me të cilin nuk ësht pajtuar Baca Adem me Ibrahim Rugovën.

Shumë më keq janë sjellur me Ibrahim Rugovën disa zyrtarë të lartë të LDK-së, se Baca Adem. Ata janë gjallë, edhe unë jam gjallë dhe i kam faktet.

E keqja është se Baca Adem,  për disa gjera më ka thënë të mos i bëjë publike tash por t’i lë të shkruara. Ate edhe jam duke e bërë.  

Pas daljes nga burgu, me të mësuar se Baca Adem nuk e ka mendjen të formojë parti politike, shumë karrieristë janë larguar nga Baca dhe ka mbetur një rreth i ngushtë që nuk iu është ndarë Bacës, në asnjë rrethanë.

Para lufte Baca Adem është shoqëruar me Rexhep Ukën e sidoms me Ahmet Haxhiun  ( gjyshin e Albulenës ) për të cilin ka pasur respekt dhe dashuri vëllazërore, deri në koën kur ka vdekur.

 E ka patur mik Muamer Gjinollin kurse vazhdimisht e ka vizituar Rexhep Abejen ( Avdullahun ) dhe Pashk Stakën të NDSH-së.

 Derën,  24 orë e ka patur të hapur te Shashivar Makolli, Nuhi Ahmeti, Avdullah Dërguti dhe te unë, Behxhet Sh. Shala. Realisht, ne i kemi ndejtur afër deri në vdekje, pa iu ndarë as edhe një ditë të vetme për dallim nga disa të tjerë që, pasi u sëmurë e kanë vizituar, 1 herë në 12 muaj.

Në Maqedoni , Tahir Hani ka qenë strehë dhe përkrahje e përhershme, pa kursyer asgjë për Bacën Adem.

 Hetem Ramadni dhe Fatmir Zymberi  e kanë përkrahur çdo herë Bacën ndonëse Baca ka qenë shumë modest në shpenzimet që i ka bërë .

Paratë kryesisht i ka dhënë për shokët e burgut, me gjendje të vështirë materiale dhe familjet që kanë humbur anëtarë të familjes. Respekt të veçantë Baca Adem ka patur për Rexhep Malën, Hasan Malën, Hanife Malën, Fitore Malën që i ka vizituar shpesh.

Për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin ka pasur dashuri të veçantë si edhe për dr: Hafir Shalën. Ilmi Reçica në Ferizaj dhe Prishtinë, dr. Haki Gashi në Therandë kanë qenë shokë të pazëvendësueshëm .  

Vlerësim të jashtëzakonshëm ka patur, deri në kohën kur ka ndërruar jetë për Kadri Veselin dhe Adem  Jasharin.

Sejdi Gega në Gjermani dhe Hysen Shurdhani në Zvicër kanë bërë shumë për Bacën. Pas përfundimit të luftës, investimin më të madh politik Baca Adem e ka bërë në Albin Kurtin.

Pa Adem Demaçin dhe përkrahjen e të tjerëve, Albin Kurti nuk do të ishte ky që është. Mirëpo, madhështia e Bacës Adem është se  e ka gjetur kohën kur është tërhequr nga Albin Kurti .

Për këtë sigurisht do të shkruaj më vonë për faktin se kam aq shumë informata sa që do të ishte mëkat të mos bëhen publike.

Baca Adem ka qenë personi më i sulmuar në Kosovë, nga ish titistët por edhe më i nëpërkëmburi, nga ish ata që janë shitur si shokë të tij !

Kur Bleron Baraliu propozoi që baca Adem të zgjidhet President i Kosovës i patëm dy pole, e kundërshtuan dhe nuk pranuan ata që do të duhej të ishin përkrahës më të mëdhenj dhe të pakundërshtueshëm, PDK dhe LVV kurse, në këtë aspekt 100 mijë herë kanë qenë më korrekt Isa Mustafa i LDK-së dhe Daut Haradinaj i AAK-së.

Edhe për këtë kam shumë argumente të cilat i dijnë edhe Albini, edhe Shimi, edhe Isa sikur edhe Dauti.

Në çastin kur midis Pacollit dhe Adem Demaçit, mendermethënë klasa politike e Kosovës u përcaktua për Pacollin, e prekëm fundin e ndryshkut moral dhe njerëzorë prandaj zhvillimet e mëvonshme sikur edhe këto të sotit, nuk kanë  mundur të jenë tjera !

Baca Adem, njeri i madh dhe shqiptar i madh dhe asnjëherë komunist: Adem Demaçi është njeri që lind një herë në një mijë vjet, ndoshta edhe më rrallë.

Është njeri që çdo gjë e ka dhënë për njerëzimin dhe shqiptarët, është respektuar nga njerëzimi dhe është përbuzur nga mendermethënë shqiptarët.

Adem Demaçi ka qenë autoritet moral dhe ka patur autoritet moral, kurrë nuk ka synuar të bëhet autoritet politik, në kundërshtim me vlerat morale dhe kurrë nuk ka patur pushtet politik.

E vërteta është se gjithmonë e kanë penguar, pikërisht ata që e kanë patur detyrim ta përkrahin.

Në kohën kur ndryshku moral është bërë lëkurë dhe veshje e përditshme e një grumbulli horrash, është e natyrshme që nuk vlerësohet figura, personaliteti, vepra dhe jeta e Adem Demaçit madje bëhen përpjekje për denigrim të Adem Demaçit .

Adem Demaçi nuk ka qenë urryes i askujt, as nuk ka punuar për të keqen e askujt por, Adem Demaçi ka falur shumë, madje edhe ato që nuk falen.

 Me Adem Demaçin nuk ka mundur të manipulojë as Jugosllavia, as Serbia, nuk ka mundur ta blejnë me asgjë dhe disa injorantë sot e thonë të kundërtën duke e injoruar faktin se për interes të Kombit dhe të Shtetit, Adem Demaçi është shndërruar edhe në tepih mbi të cilin kanë shkelur garda e pandershme e horrave .

Këtu qëndron madhështia e Adem Demaçit të cilën nuk e ka asnjëri nga ne që jemi kalimtarë të rastit në këtë botë ! Dikush e sulmon Sali Berishën se ia paska prerë thonjtë Enver Hoxhës dhe e akuzojnë për këtë .

Në kohën kur Baca Adem ka qenë sëmurë, unë ia kam prerë thonjtë 100 herë, çdoherë kur është dashur dhe nuk ka patur shërbim që nuk kam qenë në gjendje ta bëjë dhe përsëri më duket se nuk kam bërë asgjë, se i kam mbetur borxh një personaliteti që çdo gjë e ka dhënë për lirinë e popullit e që disa nuk e meritojnë sepse e duan një liri tjetër, lirinë e kohës së Jugosllavisë dhe Serbisë.

Çështja e vlerësimit të personalitetit dhe ndërtimit të një tregimi për personalitete apo procese historike i krahasoj me çështjen e kontabiliteti;  mashtruesit, për të fituar sa më shumë dhe sa më pandershëm udhëheqin kontabilitet të dyfishtë, njërin për mashtrimet e veta e tjetrin për autoritetet tatimore .

Kështu pati bërë edhe Al Kapone por pikërisht kontabiliteti dhe kontabilistët ia hëngrën kokën. Edhe këta përfituesit e çastit dhe të rastit në Kosovë po veprojnë pikërisht si Al Kapone, po përpiqen ta zhvleftësojnë Adem Demaçin dhe, në të njëjtën kohë të mbivlerësojnë antivlerat apo ndryshkun moral dhe njerëzor, për një grusht parash.

Adem Demaçi, Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë vlera dhe vepra të përjetshme që e tejkalojnë çdo kohë dhe çdo ineteres politik.

Sa më shumë përpiqeni t’i ngulfatni dhe t’i gjuani në harresë, bëhen edhe më të mëdha. Por jo në kohën e horrave dhe të ndryshkut moral dhe njerëzor.

 Figurat madhështore dhe veprat madhështore në asnjë vend të botës nuk janë vlerësuar për së gjalli të atyre që kanë krijuar vepra por është dashur të kalojë një kohë kur është bërë vlerësimi i drejtë .

Sot, për Adem Demaçin flasin më së paku ata që e njohin Bacën sepse ia kanë shitur shpirtin djallit për një interes politik a material e më shumë flasin horrat për të cilët nuk më mbetet aspak hatri për faktin se të parët janë horra më të mëdhenj se këta horrat – morrat, me prejardhje politike jugosllave. Janë si Ali Pashë Tepelena, trupin në Kosovë, kokën në Serbi ! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)