23 Dhjetor 2024

Nënëloket shqiptare për lirinë e Kosovës

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Alo! Teze a je ti? Po baca Osman, unë jam! A e di çka ka të re? Bamir Topi, Kryetari i Shqipërisë, më ka bërë ftesë me shku me marrë një Dekoratë për Afrimin! Ishin këto fjalët e Bacës Osman, babait të dëshmorit të kombit, Afrim Zhitia.

Ma kalo nënën Qamë në telefon të lutem Baca Osman! Hë, nëna Qamë, si po ndjehesh për nderimin që po i bëhet Afrimit? Po, u gëzova shumë. Çka të them, por pak po më vjen keq për ata shokët tjerë të Afrimit, se ai nuk ka qenë i vetëm në këtë rrugë, po me siguri Kryetari Bamir Topi, nuk ka mundur kësaj radhe me i përfshi edhe shokë tjerë të Afrimit.

Unë u gëzova shumë, por për zemrën e nënës sa gëzim, aq …iu ndalë në fyt fjala nënës Qamë, të cilën qe sa vite që e njoh dhe e shoh, e flas me te, nuk më ka ndodhur ta shoh t\'i lagen faqet me lot ashtu siç u ndodhë nënave zakonisht për bijët e tyre të rënë gjatë përpjekjeve të tyre për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga zgjedha serbe.

Por, nëna Qamë, në vend të lotëve ka ballin e qëndisur nga rrudhat, të cilat, secila veç e veç, shënojnë një epokë nëpër të cilën ka kaluar ajo, pa iu ndjerë njëherë të vetme një ankesë e vogël, ani që ndonjëherë s\'kishin as bukë (miellë) në magje, sepse familja e saj ishte gjithëmonë e përndjekur, e penguar që të bënte një jetë normale, ani që ndonjëherë s\'kishte as zjarr për t\'i ngrohur fëmijët e saj që gjithëmonë shiheshin me syrin e keq të regjimit serb, sepse ishin nipat e Sylë Zhitisë, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte luftuar burrërisht herë në Tiranë e herë në Kosovë, për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare nga Jugosllavija e Versajës, e cila ishte bërë burg për të gjithë popujt e saj, në veçanti për popullin shqiptar, që ishte copëtuar dhe ndarëw midis republikave sllave dhe po mbahej i robëruar.

Nëna Qamë, mirrte forcën dhe guximin për t\'u përpjekur që t\'i dilte zot edukimit të fëmijëve të saj, edhe nga këshillat njërëzore dhe nga urtia e viteve nëpër të cilat kishte kaluar gjyshja e Afrimit, Nëna Zade.

Gjatë varrimit të saj në moshën 82 vjeçare (gjashtë vite pas varrimit të Afrimit), bacës Osman i kishin pikur lotët faqeve …”Eh,më falni bre burra, për Afrimin nuk nxora lot, por ..për nënën..”[1]

Afrimi e kishte dashur e çmuar shumë gjyshen e tij, nënën Loke, siç e thërrisnin të katër fëmijët e nënës Qamë. Derisa  ajo duhej të punonte tërë ditën dhe të përkujdesej për punët e shtëpise, nëna Loke e përkunde Afrimin në djep duke i kënduar ninulla e më vonë duke i treguar përralla për bajlozat e zi.

Nëna Loke e donte Afrimin jo vetëm pse ishte nipi i saj, por edhe pse nipi i kishte ngjarë me tipare e karakter burrërie aq shumë gjyshit të tij Sylë Durmishit[2].

Këto tipare të të birit, i mbanin krenarë edhe dy prindërit e tij: Bacë Osmanin e nënë Qamën, e cila pavarësishtë stuhive që i sillte koha, sidomos ajo e aktiviteteve të Afrimit me shokë, e mbante gjithëmonë krenarinë më lartë se sa vuajtjet që i silleshin  në vorbullën e jetës, sepse, ajo…, nëna Qamë, krenarinë e kishte të brumosur me vitet e fëmijërisë së herëshme, sepse ishte e bija e Hakif Rimanishtës, i cili kishte luftuar e ishte përpjekur për çlirimin e popullit të tij deri në momentin e rënies heroike të tij pran brigadës së Shaban Polluzhës, me të cilën kishte bërë aktivitetin e tij patriotik.

Andaj përpjekjet e Afrimit, ajo le që i mbështeste, por edhe jipte kontributin e saj aty ku mundej. Sidomos kur shkonte në burgun e Pozharevcit aty ku ishte i burgosur djali i saj, ndeshej me lloj-lloj poshtrimesh e ofendimesh që pushtuesi jugosllav ua bënte gjatë vizitave të tyre tek i biri.

…”Bashkë me Nënën Zade, për javë të tëra thurnim triko e çorape që t\'u dërgonim edhe shokëve të Afrimit, sepse burgjet e asaj kohe ishin tepër jo-njerëzore, duke i lënë pa ngrënë, në të ftohtë, të pa veshur mirë, të keqtrajtuar e të torturuar...

Afrimi më shumë në qeli se sa me shokët, për shkak të qëndrimeve të tija. Por, kurrë nuk jepesha,thotë nënë Qama, para atyre gardianëve të burgut... edhe atëherë kur ma shkilnin me këmbë flinë që kisha gatuar për birin, po edhe për gjithë ata shokët tjerë që ishin me te.

Nuk doja që ata ta arrinin qëllimin e tyre, përkundrazi, as qehren  nuk ma shihnin, vetem e vetëm që mos ta ulja dinjitetin e Afrimit si nëna e tij, si nënë shqiptare.

Njëherë kur shkuam në vizitë, Osmani-rrëfen ajo, shkoi te drejtori i burgut dhe i tha se Afrimit ia kishin rritur vjetët, vetëm e vetëm që ta kapte ligji i burgimit.

Kur ia tregoi këtë Afrimit, ai reagoi aq në mënyrë të ashpër dhe i tha babait: ”kur të shkosh te drejtori, te unë mos eja më”- dhe e luti që vizitën ta bënte vetëm me nënën Qamë. Kështu kishte plot e përplotë momente të tilla, kur ajo gjendej pran djalit të saj gjatë vuajtjes së dënimit për ato katër vite. ”

Afrimi lexonte shumë gjatë atyre viteve të burgut të tij, dhe sa herë shkonim duhej që bile nja 7-8 libra t\'i kishim me vete. Për t\'i gjetur librat, nuk ishte punë e lehtë në at kohë, sepse njerëzit edhe nuk i kishin, por edhe frikoheshin të t\'i jepnin, andaj më duhej që lloj-lloj arësyetimesh të nxirrja para njerëzve derisa i gjeja.

Kam pasur fatin që kam pasur 4 vjeçaren të kryer dhe mundja t\'ua dalloja bile titujt e librave që djali kërkonte-rrëfen nëna Qamë, që nganjëherë në shikimin e saj dallon aq shumë gjurmë të atyre viteve…

Por, kur m\'i kthenin mbrapsht ata jelekët e çorapet që i thurnim me nënën Zade, më sëmbonte në zemër, sepse e dija që për të gjithë ata do vazhdonin edhe më tutje netët e ftohëta të burgut.

Dhe, kur kthehesha në shtëpi, e nëna Zade më dilte përpara me gjithë ato pyetjet e saja dhe brengën e saj në shpirt se çfarë lajmesh po sillja nga i nipi, nuk i tregoja se çorapet e trikon i kisha me vete, por i thosha: ”u gëzua Afrimi kur i pa dhe tha përqafoje shumë nënë-Loken e i thuaj që të dua shumë”.

E asaj, nga këto “llafe” që ia thoja, sikur i humbiste ai shikimi i saj i tretur për një çast, dhe i mbusheshin plotë gëzim që nipi qenka gjallë, dhe shpresë, se një ditë të afërme, para se ajo të vdiste nga dhimbja për te, ai, Afrimi i saj 24 vjeçar, i dënuar me 8 vjet burg, do të kthehej në votrën e tij.”[3]

Gëzimi i nënës Qamë, ishte ardhja e letrave të Afrimit nga burgu. O zot, për ditë të tëra i lexonte dhe rilexonte, derisa më asnjë fjalë nuk e huqte edhe kur i thoshte përmendësh. Sa gëzohej at ditë kur te porta vërente ardhjen e postierit, i cili me shumë gëzim e lajmëronte që kësaj here nuk kishte ardhe duarthatë, por kishte letrën e Afrimit dërguar nënës së tij:

18.V.1986

“…Letrën tënde tani e lexova edhe njëherë. Ajo mu duk sikur të më kishte ardhur sot për herë të parë. Sa i përketë përmbajtjes së saj, ne kemi pasur rast të bisedojmë edhe pasi është shkruar letra, pra ti ishe në vizitë pas ardhjes së saj, mirëpo ajo që më bën ta lexoj disa herë dhe çdo herë që e lexoj të më duket se po e lexoj për herë të parë, nuk është vetëm fakti se është një dërgesë e një personi të dashur siç është nëna.

Ajo që më bën ta bëjë një gjë të tillë, është mënyra e të shprehurit në të. Letrën tënde që nga fillimi e deri në fund e përshkon dashuria e madhe e shprehur aq thjeshtë dhe aq sinqertë, sa që, po ta them se nuk jam mallëngjyer, do të kisha gënjyer vetveten…

Këshillën tënde që të kaloj mirë me shokët këtu në burg, edhe pse tanimë e kam përvetësuar mirë, do ta ruaj dhe do të krenohem gjithëherë me të, si me një fakt që tregon se sa mirë e ka kuptuar nëna ime rëndësinë e saj…

Porosia jote ma shton vullnetin, sepse e shoh që kam një nënë, e cila është e fortë dhe e shikon realitetin në sy, e nuk lejon që ta mundin ndjenjat dhe mërzia…

Pra, vet jeta është një luftë, e cila po nuk u katrrithe fort për toke do të të marrë me valët e saj dhe pastaj vajë halli për ty…

8.III.1987

“E Dashur Nënë! Urime Festën, ty dhe të gjitha nënave! Ne i duam të gjitha nënat!  E si të mos ju duam, kur nga ju fillon jeta!

Po! Nga ju fillon jeta, por ajo më së shumti rëndon supet tuaja. Ju qysh moti e keni kuptuar se jeta nuk është e idhët ashtu nga vetvetja, siç është pelini. Ndryshe, me siguri s’do t\'i qëndronit kësaj ashpërsie.

Ajo është e idhët dhe e ashpër, por është shumë e mundur, që të bëhet e ëmbël dhe shumë e bukur. Dhe duke ditur këtë, ju vazhdoni jetën dhe jeta vazhdonnga ju… Edhe njëherë Urime![4]

23.XII.1986

Të dashur prindër! …Tani po ju shkruaj titujt e disa librave që duhet të mi sillni: S.Spasse “Novela”, Nasi Lera “Dita e tretë” , M.Sholohovi “Doni i qetë” , Katalogun e viti’86, Katalogun e vitit ’85 me titujt e nënvizuar të të gjithë librave që kemi në shtëpi. Plus librat që i kam kërkuar në letrën e kaluar. Kaq!

…Tani sa është lëshuar mbrëmja , ajo ka përhapur velin e saj , vel që të kujton çarçafin e vjetër të Lokes. Te veshët dhe sytë tanë, pas një cope të qiellit me ndonjë yll aty-këtu, pos zërit të një shpendi atje tej, vjen vetëm ngacmimi i dritës së llambave, i ndonjë zëri të radios dhe kërcitjes së dyerëve të palyera të dhomave të burgut.

Në bazë të kësaj, mund të ju “tregoj” se ora është diku rreth 18.30 min.Mirëmbrëma pra! Çdo vit i ri për ne sjellë forca të reja, sepse ne jemi “bij të shekullit të ri”.

Rrënjët tona shtrihen thellë në të kaluarën, kurse degët dhe trungu ynë kanë majat e tyre thellë në ardhmëri. Nga rrënjët ne marrim lëngun e jetës, kurse gjethet tona, thithin rrezet e Diellit “alegorik” të Madh, të cilin nuk ka forcë (e lëre më re, që sado e zezë që të jetë) që ta errësojë…

Prandaj gjërat e shenjta për ne janë : optimizmi, dashuria për njerëzit, gëzimi, qëllimet dhe suskseset… Mërzia na e prish hijeshinë…, pesimizmi na shëmton- larg nga ato!

Gëzuar Vitin e Ri 1987! ….Ishin këto disa nga letrat e shumta që Afrimi ia drejtonte nënës së tij. Andaj nëna Qamë, mirrte hov për të sunduar dhimbjen e saj që i vlonte në gji err-e terr... Mundohej që ideali i tij të mirrte krihët dhe të arrinte atje ku ai me shokë synonte.

Prandaj këshillat e saj ishin çdo herë me gadishmërinë, që qëndrimi i djalit të saj të
pasurohej dhe me dashurinë e kujdesin që ka nëna për birin e saj, sidomos në rrethanat në të cilat rropatej ai, pa u hamendur asnjë cast për rrugën që kishte zgjedhur.

Sot, 12 vite pas Luftës Çlirimtare të UÇK-së, nëna Qamë edhe më tutje e papërkulur nga dhimbja për rënien  e djalit të saj në altarin e shenjtë të Lirisë, më 2 Nëntor 1989,..ajo pret e përcjellë në konakun e saj, shokët e Afrimit, me bujarinë dhe mikpritjen shqiptare që e kemi pasur brez pas brezi në shekuj, ashtu siç e kishim idealin për lirinë e popullit nga prangat e zgjedhës së huaj, të cilin në vargun zingjiror të shekujve e kishin trasuar stërgjyshërit, gjyshërit, babai dhe nëna e Afrimit bashkë me qindra e mijëra djem e vajza, bijë e bija, qe nuk ishin ndalur, por në mozaik ngjarjesh historike, kishin lënë gjurmët e tyre- Diell për të shkëlqyer të ardhmen e nipërve dhe mbesave - Dardaneve të ardhshme të ketij populli të vuajtur, por të paepur para atyre që kishin qëllim shkëputjen nga rrënjët tona të lashta stërgjyshore, nga trungu ynë-Shqipëria!

…Edhe sot, teksa po nisej për në Tiranë për të pranuar Dekoratën -ajo ishte pak e shqetësuar, i shiheshin në fytyrën e saj të mbuluar me dhimbje e krenari bashkë, të vizatuara në rrudhat e ballit…

Atë buzëmbrëmje në LLugë, nëna Qamë ishte ndarë nga i biri duke e përqafuar me dashurinë e nënës- për t\'u takuar sot në Tiranë me Afrimin e saj me shokë: Fahri Fazliun, Adem Jasharin, Shaban Shalën, Hasan Prishtinën, Adem Demaçin, Rexhep Malën, Fadil Vatën, Fehmi Lladrocin e shumë shokë të tjerë, të cilët njësoj si Afrimi, në  këtë ditë me diell “alegorik” dhe cicërimë zogjësh, po merrnin formën e përjetësisë në Folenë e Shqiponjave.

Andaj, nga thellësia e zemrës të them: Të lumtë Nëna Qamë!... Për dashurinë, qëndresën dhe zemërgjërësinë tënde që tregove në çdo moment ndaj Atdheut dhe kombit, duke dhënë kështu kontributin tënd të palodhshëm që nga fëmijërija jote në gjirin e një Familjeje sot të nderuar nga mbarë kombi, të nderuar nga Ajo copë Shqipëri me emrin e të cilës në gojë ra Afrimi dhe ranë dëshmorët e kombit.

Vazhdove rrugën tënde me edukimin e katër fëmijëve të tu, duke i falë kombit djalin tënd më të dashur, Afrimin. Sakrifikove çdo gjë, që të jetësohej ideali i birit tënd dhe ideali i një populli që jeton dhe vdes për liri dhe bashkim kombëtar.

Nuk u përkule për asnjë çast para halleve dhe dhimbjeve që të ranë mbi supet tua,.. as at ditë kur ta sollën Afrimin në arkivol pas një lufte dhjetë orëshe që kishte bërë me shokun e tij të idealit, qëndresës dhe armëve, Fahri Fazliun, përballë një armate të tërë jugosllave, duke treguar se shqiptari e ka pasur traditë ta mbrojë tokën dhe votrën e tij edhe me gjakun dhe jetën e tij, dhe këtë e kishte të trashëguar nga gjithë ata breza që ishin munduar dhe kishin luftuar në të njëjtën mënyrë për një shekull të tërë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë nga prangat sllave.

As at ditë varrimi e rivarrimi pas 24 vitesh, që iu bë Afrimit nga personalitetet gjithëkombëtare, nga shokët e luftës, nga gjithe rinia studentore, nga dhjetëra mijëra njerëz, që kishin ardhur për t\'ia dhënë lamtumirën e fundit ti nuk u dobësove, përkundrazi, ashtu e kërrusur nga vitet, ngrite kokën lartë dhe the: “Të qoftë falë gjiri që ta kam dhënë biri im, gjaku t\'u shpagoftë ashtu siç u mundove me ato vitet tua të njoma”.

E, sot, teksa je duke udhëtuar për Tiranë, je në mesin e dy nipërve të tu: Dritëros dhe Flamurit, të cilët as ata nuk u kursyen nga urrejtja e pushtuesit që kishin për këtë vatër atdhetarësh shqiptarë, ndërsa në prehër mbanë Dardanen e vogël, të pagzuar sipas dëshirës së Afrimit.

Si lumë Dardanja çfarë tregimesh do të ketë rastin t\'i dëgjojë nga gjyshja e saj! As sot, ti nuk e ke ndermend të të duken lotët, sepse edhe ky ishte një amanet nga Afrimi, amanet që motrës së tij, Sadetes, at ditë të bukur me diell ia kishte thënë aty në Breg të Diellit, kur ishin ndarë për herë të fundit: “Të lutem Sadet, po dëgjove që kam rënë në duartë e tyre, vajtoje vëllaun tënd dhe mërzitu sa të duash, por po dëgjove se rashë duke luftuar me armë në dorë, të lutem shumë, amanet e ke, që lotë nuk do doja të të shiheshin në fytyrë.

Rruga që kam zgjedhur, nuk është rrugë e lotëve. Që të mund të më identifikosh për çdo rast, po ta them nr. e revolverit që mbajë”. ...dhe atë mëngjes Nëntori, teksa Sadetja po sillej në rrugët e Prishtinës për të kuptuar se cilët ishin dy personat e “paidentifikuar”, që kishin luftuar dje për orë të tëra me policë e ushtarë serbë e tradhtarë, në semafor afër menzës së studentëve, nga radioja e një veture që ishte e ndalur në semaforë, dëgjoi nr. e revolverit që identifikohej personi i djeshëm.

Sadetja nuk e vazhdoi kërkimin më tutje, e mori vesh se për kë bëhej fjalë dhe mori rrugën për në Lluga. E kishte vetëm një problem shumë të madh: si t\'ua kumtonte lajmin prindërve të saj!... E gjeti forcën dhe ua tha, dhe nuk u dobësua, por mori forcën dhe u hyri punëve të organizimit të varrimit që do bëhej, bile nuk harroi që t\'i vinte dhe perdet në dritaret e shtëpisë, sepse ajo donte që shtëpia e Afrimit të dukej bukur edhe në varrimin e tij.

Nuk i dolën lotët as atë moment kur i vëllai Syla arriti pak para varrimit nga Zvicra dhe kur u afrua para arkivolit të të vëllait tha:”O Afrim, a kështu e prite balin nga rruga “? Sadetja nuk u lodhë dhe nuk qau kurrë, por mori forcën dhe vazhdoi për vite të tëra në organizimin e ushtarëve të UÇK-së që niseshin për t\'i dal zot atdheut nga mërgata, nuk iu ndalë hovi Sadetes, por ngriti zërin lartë nëpër të gjitha tubimet e protestat që bënte mërgatara për realizimin e idealit të djemëve të Kosovës- të një populli të pushtuar, që luftonte në malet e Drenicës, në malet e Dugagjinit, në malet e LLapit...

Nuk i dalin lotët as sot, teksa mbanë fjalim falenderimi në emër të të gjitha familjeve të dekoruara nga Kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi...

Sot më 11 Qershor, dielli në Tiranë po ngrohë më ndryshe, rrezet e tija kanë marr përmasat e përjetësisë, për të gjithë ata që dhanë jetët e tyre të njoma, që amanetin e lashtësisë së kësaj Toke ta qonin në vend! Lavdi për jetë e mot Dëshmorëve të Kombit!

 [1] Berat Luzha –Një Histori për Sulë Durmishin
[2] Berat Luzha---Një histori pë Sylë Durmishin
[3] Intervistë rasti me Nënën Qamë
[4] Adem Gashi—Vetëtimat e Nëntorit
  Mr. Elife Podvorica

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)