Negociatat për Thaçin janë si uji për peshkun
Shkruar nga Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës thotë që marrëveshja e tij me kryeministrin e Serbisë nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Mirëpo, të gjithë e dimë që Thaçi thoshte se nuk do të ketë më bisedime me Serbinë edhe kur u shpall pavarësia, edhe kur u miratua kushtetuta, edhe kur u bë aksioni i 25 korrikut 2011, edhe kur u përmbyll mbikëqyrja e pavarësisë në shtator të vitit 2012.
Mandej, kur kishim dialog teknik, ai thoshte se sdo të ketë dialog politik, ndërkaq kur erdhi dialogu politik, thoshte që ky dialog nuk do të jetë për veriun. Të gjithë këto u bënë, ama bash të gjitha, një nga një.
Marrëveshja do të jetë marrëveshje për marrëveshjet e deritanishme. Pra, një marrëveshje mbështjellëse në përputhje me platformën e Serbisë se nuk jemi marrë vesh për asgjë përderisa nuk merremi vesh për të gjitha.
Kështu, njësiti i veçantë i Policisë së Kosovës për eksterritoret e kishave dhe manastireve ortodokse ishte marrëveshje me Serbinë. Njësoj, edhe marrëveshja për kufirin e Kosovës të degraduar në shumësi të pikave kaluese. Së fundmi, fondi zhvillimor për veriun e Kosovës ishte marrëveshje me Serbinë.
Tash, asociacioni i komunave me shumicë serbe, edhe ky po bëhet marrëveshje me Serbinë. Që të gjitha këto marrëveshje do të përmblidhen në një marrëveshje të vetme. Më pastaj, për zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe shumë të tjerave do të krijohen komisione Kosovë-Serbi që do të mbikëqyrin zbatimin e tyre.
Pra, marrëveshjet me Serbinë për Kosovën jo vetëm që po e ndryshojnë Kosovën përbrenda (edhe në veri ku kemi legalizime e favorizime edhe në Prishtinë ku janë institucionet qendrore), por ato marrëveshje po e ndryshojnë edhe marrëdhënien Kosovë-Serbi duke e trashur lidhjen dhe varësinë.
Nga zyra e Baroneshës Ashton në Bruksel na thotë që me dialogun politik Kosovë-Serbi (që ata e quajnë Beograd-Prishtinë) do të bëhet normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve. Mirëpo, le ta shohim pak se çfarë është kjo marrëdhënie aktuale drejt normalizimit të marrëdhënieve si qëllim.
Shihet e dihet që kemi marrëdhënie asimetrike në mënyrë të dyfishtë: Kosova ka mision të BE-së me fuqi ekzekutive kurse Serbia se ka një të tillë; dhe, temat e dialogut janë çështjet e Kosovës dhe jo ato të Serbisë.
Qëllimet nuk janë aq të ndara nga mjetet. Me marrëdhënie asimetrike, normalizimi i marrëdhënieve do të jetë normalizim i asimetrisë.
Kësisoj, nga asimetria e dyfishtë Kosovë-Serbi kemi shpërputhje të dyfishtë: midis qëllimit e mjeteve dhe midis qëllimit e rezultateve. Sepse kjo asimetri në marrëdhëniet e tanishme po përkthehet në asimetri përbrenda Kosovës në organizimin dhe rregullimin e saj politik, ekonomik dhe institucional.
Rehabilitimi që baronesha Ashton, por edhe Thaçi, ia kanë bërë Nikoliqit e Daçiqit është fantastik dhe i tmerrshëm. Nëse para një viti dikush do të thoshte se Nikoliq e Daçiq do të jenë kështu të rehabilituar askush sdo të mund të besonte. Në njërën anë, Kosovës i është bërë shumë dëm përbrenda.
Në anën tjetër, jo vetëm që Serbisë i janë bërë favore për rolin e saj në Kosovë dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së, por edhe duart e djathta të Milosheviqit e Sheshelit u amnistuan e pranuan nga Brukseli dhe kryeqytetet e fuqishme në BE.
Duket që Thaçi ka interes që të mos përfundojë plotësisht dialogu me Serbinë. Pa këtë dialog ai mbetet si peshku pa ujë.
Madje edhe pauzat e gjata në dialog mund të kenë kosto fatale për të si i korruptuar e shantazhuar që është.
Vakumet në dialogun politik të Kosovës me Serbinë shndërrohen në brishtësi për Thaçin para EULEX-it. Prandaj, ai e do këtë dialog me Serbinë që i shërben si imunitet karshi BE-së.
Rezistenca eventuale e tij për kompromiset shtesë udhëhiqet veçse nga nevoja e tij që të mos përfundojë tërësisht procesi. Thaçi do zgjatje të procesit andaj mbase edhe e vonon ca ndonjë kompromis.
Ndërkohë që po rrjedh me shpejtësi shtetësia e Kosovës, qeveritarët dhe analistët e tyre vazhdimisht na e përsërisin qysh Kosova ka fituar shumë me pavarësinë e 17 shkurtit 2008 dhe me këto pesë vjet pavarësi të shpallur. Së pari, kjo tregon që ata kanë ambicie të vogla për Kosovën.
Së dyti, se ata skanë besuar në Kosovën dhe popullin e saj që do të çlirohen e pavarësohen. Dhe, së treti, se ata neglizhojnë faktin e çmimit tepër të lartë për këtë pavarësi të paplotë: vuajtjet e humbjet e panumërta përgjatë gjithë shekullit XX.
Nuk mund të ketë zgjidhje me një qeveri e kryeministër që janë shndërruar në problemin e këtij vendi. Kurrë ska qenë gjendja socio-ekonomike më e rëndë në Kosovën e pasluftës sesa sot. Dhe, kurrë ska qenë gjendja politike më e rëndë në Kosovën e pavarur sesa sot.