Ne zgjodhëm një mënyrë tjetër për të festuar pavarësinë
Shkruar nga Shqipe Gara-Berisha
Mesi i muajit shkurt i cili edhe në borë e acar përcolli ngrohtësi dhe dashuri në zemrat e të gjithë neve, solli festë dhe lotë gëzimi, solli këngën më të fuqishme dhe zërin më të ëmbël për të shqiptuar tri fjalë të vetme, por kuptimplota ,Urime Kosovë Pavarësia.
,Edhe unë kam shtet ishin fjalët që fëmijët me zemër shqiptonin, e të mos përmendim gjeneratat e tjera.
Këtu në mërgim janë po këto fjalë që na bëjnë krenarë, janë po këto fjalë që na bëjnë të mbajmë kokën lart dhe kudo të shënojmë gjurmë që jemi nga Republika e Kosovës. Gjurmë në mënyrën më të thjeshtë la atë ditë autobusi me të cilin udhëtonim i cili ishte stolisur me flamuj kombëtarë dhe shtetërorë.
Madje as plisi i bardhë nuk na mungonte. Gjatë rrugës kishte një atmosferë feste dhe gëzimi. Fëmijët kënaqeshin nën përcjelljen e muzikës shqipe, e që hera-herës i bashkangjiteshin refrenit dhe valles.
Me të vërtetë krijohej përshtypja se ishim në tokën tonë arbërore. Gjithçka frymonte shqip. Sa të hareshëm ishin fëmijët qysh prej nisjes nga qyteti i Heidelbergut deri në Stuttgart. Kishin njohuri për konsulatën, por në fytyrat e tyre shihej një gëzim sikur në kohën kur udhëtojnë për atdhe.
I afrohemi qendrës së Stuttgartit, por fjollat e borës nuk kanë të ndalur, ashtu sikur zërat e nxënësve që nuk pushojnë së pyetyri nëse jemi diku afër konsulatës.
Çast pas çasti arritëm te godina shumëkatëshe në muret e së cilës në një shtizë valvitej flamuri shtetëror i Kosovës, në të cilën na pritën me mjaft dashamirësi z. konsull Faket Kajtazi, z. zëvendëskonsull Imer Lladrovci dhe pjesëtarë tjerë të këtij stafi. Ishte një nderë dhe përjetim i veçantë për nxënësit dhe prindërit.
Sikur të ishim në vendlindje do të festonim edhe më shumë, do të ndjenim më afër festimin e kësaj date për gjysmë dekade. Ne megjithatë afërsinë e atdheut e ndjemë me vizitën tonë në Konsulatën e Republikës së Kosovës në Stuttgart. Aty gjetëm ngrohtësinë e atdheut, aty gjetëm flamurin tonë të valvitej në një qytet gjerman si dhe aty gjetëm një pjesë të Kosovës.
Sa shumë pyetje vërshuan nga nxënësit mbi fuksionimin e konsulatës, rolin e saj, themelimin e sipërfaqen e saj, punëmarrësit, frekuentimin e saj nga qytetarë kosovarë dhe personalitete të ndryshme gjermane.
Me mjaft mjeshtëri dhe njohuri u përgjigjën të dy diplomatët në këtë seli që mbron vlerat e popullit shqiptar i cili sakrifikoi aq shumë që ne sot në të gjithë botën të kemi mundësi që gjeneratave të reja tua mbjellim dashurinë për gjuhën dhe atdheun, që ata të ndjehen krenarë për kombin dhe shtetin e tyre.
Me rastin e ditëlindjes së pestë të shtetit të Kosovës kishim përgatitur një dhuratë modeste, por mjaft domethënëse për ata që do të frekuentojnë këtë qendër me vlerë shtetërore dhe kombëtare.
Aty gjen shumë mesazhe që kanë përcjellur gjenerata të tëra si Gjuha ruhet, aty ku shkruhet., Duaje atdhenë si shqiponja folenë! si dhe Gjuha bashkon kombin.,- ashtu siç na bashkoi ne për të nderuar dhe mbështetur një ndër shtetet më të reja në globin tokësor.
Minutat ikën shumë shpejt. Ne duhej të ndaheshim nga këto çaste të bukura dhe mbresëlënëse me shpresë se në të ardhmen do të arrijmë rezultate edhe më të mëdha në mënyrë që Kosova të krenohet me ne, ashtu siç ne krenohemi me të arriturat e saj brenda këtyre pesë viteve mvetësi.
Duke u larguar nga kjo seli, më dukej sikur flamuri dha një porosi për fëmijët: Punoni, mësoni dhe ruani gjuhën amtare, çmoni vlerat kombëtare dhe çoni përpara idealet e gjeneratave të tëra të cilat ranë në altarin e lirisë! Vlera të cilat do të mbrojnë dhe ruajnë atdheun shekuj të tërë.
Gjatë kthimit në qytetin nga ishim nisur, ashtu së bashku drekuam në një restoran dhe shkëmbyem me shumë entuziazëm mbresat e këtij udhëtimi, ku secilit i ishin ngulitur emocionet thellë në zemër.
Ky pesëvjetor do të mbetet i paharrueshëm për të gjithë ne.