Në privatizim edhe lufta e UÇK-së

Shkruar nga Fidan Mustafa
Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte njëra ndër luftërat më të mobilizuara në rajon nga populli i Kosovës. Ky mobilizim kalonte përtej mobilizimit e cila u shndërrua në një krenari, respekt dhe ideal i popullit të Kosovës sepse kjo ushtri ishte vet populli.
Por sa zgjati kjo krenari...?
Kjo krenari zgjati aq sa erdhën komandantët e Stankovecit, njerëzit uzurpatorë të cilët mbi lavdin e kësaj ushtrie të respektuar e të nderuar nga populli i Kosovës, mbi gjakun e dëshmorëve, mbi viktimat e luftës, filluan të thirren; UÇK mos e prek.
E ky zakon siç duket po vazhdon edhe më tej duke personalizuar meritat e luftës së dëshmorëve e veteranëve të luftës se lavdishme të UÇK-së, duke uzurpuar institucione, biznese madje edhe vet popullin.
Me lejoni që me pak fjalë të qartësojmë vetëm një gjë... Për të arritur deri te lufta e UÇK-së, ishte një storie e gjatë dhe e mundimshme e cila zanafillën e saj e ka qysh me përfundimin e Luftës së Parë Botërore ku filluan kryengritjet e armatosura shqiptare për çlirimin e Kosovës.
Kryengritjet vazhduan edhe më tej me protestat e vitit 1981 ku parreshtur rezistuan e vetëdisuar disa intelektualë (të cilët dikur krenoheshin me Vllaznim Bashkimin), e u dashen vite për të arritur tek ky rezultat, formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me një çmim që fillimi i luftës ishte kontributi i fundit në këtë rrugë drejt çlirimit të përhershëm të Kosovës.
Themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zanafillën nuk e ka vetëm te ata që rroken armët dhe dolën në skenë, por kjo kërkoi një përgatitje dhe hartim të një strategjie gjithë popullore ku kurorëzimi i këtij projekti ishte vet lufta. Është dashur të vriten dhjetëra qindra intelektualë, të burgosen me mijëra veprimtarë të shquar.
Mijëra arsimtarë sakrifikuan familjet e tyre, vetëm që ky popull të arsimohet, ndërsa kontribut të paçmuar dhanë qindra mjekë që rrezikuan jetën e tyre, vetëm që ky popull dhe në veçanti ushtarët e UÇK-së të shërohen.
Pas gjithë këtij kontributi, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës që e vendosi vulën e kësaj lirie.
Prandaj, çdo shqiptar ka respekt për dëshmorët, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, pjesëtarët e UÇK-së, sepse ata janë vet populli, madje ky respekt shkon edhe atje për të ndihmuar financiarisht familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, studentët për ti lehtësuar studimin (duke u liruar nga pagesat), duke u ofruar benifite si pjesë e luftës, por kurrsesi ky popull nuk pranon që mbi meritat e luftës të përfitojnë grupet e interesit.
Me pak fjalë po konsumoni çdo kartë të vlerës së popullit në emër të popullit, po degradoni çdo investim të popullit në emër të popullit, e po keqpërdorni çdo kontribut të popullit për interesa personale nga të cilat jeni bërë milionerë madje disa prej juve edhe miliarderë... mbi gjakun e dëshmorëve dhe mbi meritat e luftës, por një ditë do të ju vras vet haku i këtij populli.