Në Kosovë përparim i madh, por ka ende punë
Shkruar nga Eliot Engel
Me kaq pika të nxehta të politikës së jashtme në gjithë botën, shumë amerikanë e marrin stabilitetin në Evropë për të mirëqenë. Ashtu siç e dëshmojnë edhe ngjarjet e fundit në Ukrainë, ne kemi ende për të arritur në pikën, ku Evropa do të ishte me të vërtetë e tërë dhe e lirë.
Në Ballkan janë bërë hapa të mëdhenj, pasi disa vende kanë hyrë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërsa të tjerat janë në rrugë drejt integrimit euro-atlantik.
Por, ne nuk duhet të humbasim fokusin, pasi vendet e tjera në rajon janë ende duke punuar në konsolidimin e fitoreve të tyre dhe në kapërcimin e trashëgimisë së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Kjo javë shënon gjashtëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 2008. Që nga ajo kohë, Kosova ka ndërtuar infrastrukturën e një shteti modern. Është një demokraci e gjallë, me ekonomi dhe ambient biznesi në përmirësim.
Sot, 105 vende e njohin Kosovën dhe ajo është anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, të tilla si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Dymbëdhjetë muajt e fundit kanë qenë me rëndësi të posaçme. Në prill të vitit 2013, Kosova ka nënshkruar marrëveshje historike me Serbinë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në tetor, Bashkimi Evropian ka nisur negociatat me Kosovën për një marrëveshje që do ta sillte këtë vend më afër Evropës. Dhe, në nëntor, Kosova ka mbajtur zgjedhjet lokale, në masë dërrmuese paqësore dhe të rregullta, që kanë shënuar një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë e saj të re shumetnike.
Marrë parasysh se ku ka qenë Kosova vetëm një dekadë më parë, ky përparim është i jashtëzakonshëm. Por, me gjithë arritjet, sfidat mbesin.
Brenda vendit, norma e papunësisë është ende e lartë, korrupsioni mbetet shqetësim dhe besimi ndëretnik dhe bashkëpunimi duhet të përmirësohet. Rezultati është se puna për konsolidimin e demokracisë, prosperitetit dhe sigurisë në Kosovë, dhe në të vërtetë në Ballkan, nuk ka mbaruar ende.
Unë shoh tre faktorë të rëndësishëm për të siguruar suksesin e qëndrueshëm të Kosovës dhe të fqinjëve të saj.
Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të mbesin drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive të angazhuara në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Historia e fundit ka treguar se përparimi në Ballkan është shoqëruar gjithmonë me vëmendje të lartë të SHBA-së dhe tani, kur arritjet e dukshme të Kosovës janë ende të ngrira, nuk është momenti që të zhvendosim larg vëmendjen dhe burimet tona.
Ne kemi investuar shumë në Kosovë dhe kemi nevojë të mbesim të përqendruar për të mbajtur procesin në rrugën e duhur.
Së dyti, marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Sebisë janë të rëndësishme për zhvillimin e të dyja vendeve, si dhe për stabilitetin rajonal. Të dyja duhet të merren me detyrën e vështirë të zbatimit të marrëveshjes së prillit 2013.
Kjo do të thotë se Kosova duhet të vazhdojë me integrimin e serbëve dhe të pakicave të tjera dhe Serbia duhet të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës, të cilat janë burim i vazhdueshëm i jostabilitetit.
Edhe këtu shoh një rol kyç për Shtetet e Bashkuara, në mbështetje të procesit të zbatimit.
Së fundi, mënyra më e mirë për të ndërtuar demokracinë, prosperitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe në të gjitha vendet e rajonit është integrimi i plotë në institucionet euro-atlantike.
Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian ka qenë hapi i parë i rëndësishëm, por BE-ja duhet të përshpejtojë procesin e liberalizimit të vizave, për tiu lejuar kosovarëve që të udhëtojnë lirshëm në BE një e drejtë kjo që gëzohet nga qytetarët e të gjithë fqinjëve të saj.
Bashkimi Evropian duhet, po ashtu, ti sigurojë Prishtinës një rrugë të qartë drejt anëtarësimit eventual, pa ngarkesa politike, dhe të ndihmojë Kosovën që t\'i përmbushë kërkesat e BE-së.
Ngjashëm, Kosova meriton rrugën drejt NATO-s. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit janë ose anëtare të NATO-s, ose në Partneritetin për Paqe të aleancës, dhe do të ishte e padrejtë të përjashtohet Kosova, një nga vendet me orientimin më të madh perëndimor në botë.
Në afat më të shkurtër, NATO duhet të zgjasë ftesën për Kosovën që ti bashkohet Partneritetit për Paqe, ashtu siç ka bërë me pothuajse çdo shtet tjetër në Evropë.
Duke i mohuar Kosovës rrugën për anëtarësimin eventual në NATO, do të ruhej vetëm jostabiliteti dhe pasiguria në rajon. Në anën tjetër, një Kosovë e integruar në NATO do të thoshte një rajon në paqe dhe një ushtri e konfiguruar për të përmbushur objektivat e aleancës dhe jo për tu përgatitur për sfidat e fqinjëve të armatosur mirë.
Natyrisht, anëtarësimi në BE dhe në NATO nuk është pa çmim. Kosova duhet të bëjë punë të vështirë për të përmbushur kërkesat e të dyja organizatave dhe rruga e saj do të jetë më e rrëpirtë, për shkak të kundërshtimeve të mundshme nga shtetet anëtare, të cilat në mënyrë të padrejtë dhe jokonstruktive, nuk e njohin ende Prishtinën.
Por, unë kam besim se Kosova, me mbështetjen e saj në rritje, do të ketë sukses. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë Kosovës derisa populli i saj ka triumfuar mbi vështirësi të pabesueshme. Unë pres që partneriteti ynë të vazhdojë të lulëzojë, derisa Kosova ndërton një demokraci të begattë dhe të sigurt, brenda një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.(v.tela)
/Autori është ligjvënës demokrat, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan/
Ky shkrim i zotit Engel është botuar në revistën elektronike \"CQ Roll Call\".