26 Dhjetor 2024

Në kërkim të rrënjëve të krizës në UP

Shkruar nga Ridvan Peshkopia
 

Është e vështirë këto ditë që, teksa studentët e Universitetit të Prishtinës sfidojnë të ftohtin e motit dhe mediokritetin që ka kapluar institucionion e tyre, të mbetesh jashtë debatit për gjendjen katastrofike akademike në Kosovë, Shqipëri dhe në mbarë rajonin.

Edhe nëse tregohesh indiferent, rrethanat lehtësisht do të ta sjellin këtë debat në mendje. Kësisoj, mendova t’i them edhe unë dy fjalë të cilat shpesh i bisedoj me koleget e mij apo edhe i kam botuar në xhornale akademike ndërkombëtare rreth politikave arsimore.

Po e them që në fillim se unë vetëm pjesërisht solidarizohem me studentët e UP-së dhe do të përpiqem të tregoj se pse ata, pa dashur, janë pjesë e problemit. Por sigurisht unë nuk mund të nënçmoj idealizmin e tyre dhe më duhet të them se, me protestat e tyre, ata po i bëjnë një shërbim të madh vendit, UP-së, profesorëve të tyre dhe vetvetes.

Do ta filloj diskutimin nga rasti konkret për të shkuar më pas në rrënjët e problemit dhe argumenti im. Në thelb, ne do të na duhej të ishim të lumtur nëse problemi do të reduktohej thjesht në dorëheqjen e një rektori që ka botuar në xhornale të rreme.

Po ku është problemi? Së pari, pothuajse të gjithë profesorët në Kosovë botojnë në mënyrë të rrejshme. Vetëm kështu mund të quhet vetëbotimi kaq i përhapur në Kosovë. Në këtë vend, pedagogët paguajnë me paratë e tyre monografi apo tekste universitare të cilët nuk kalojnë përmes reçensës së verbër të dyfishtë.

Për shumicën e këtyre teksteve, as që bëhet fjalë për ndonjë farë reçense, të verbër apo jo, të dyfishtë apo jo. Kësisoj, Prof. Dr. Filan Fisteku i Kosovës nuk ka pse ta dërgojë Manifestin e tij Komunist në Indi.

Mjafton ta dërgojë atë në një shtypshkronjë të Kosovës, të paguajë një sasi parash, dhe ja ku bëhet me një libër të cilin e fut në CV dhe ua imponon studentëve si tekst mësimor, me para, sigurisht.

Silabuset e universiteteve kosovare janë plot me libra të tillë pa kurfarë kredibiliteti akademik dhe bartës të rrezikut që të transmetojnë tek studentët dije të rreme, koncepte të gabura, keqpërkthime nga tekste origjinale në anglisht, apo lloj-lloj marrinash që autorët grafomanë e mitomanë i shesin si dije novatore dhe të sofistikuara.

Por edhe kur autorët vendosin t’i kalojnë vetëbotimet e tyre nëpër reçense, sado paradoksale duket kjo, miqtë dhe dashamirët e tyre reçentë bujarisht mbushin kopertinën e pasme me lloj-lloj panagjerizmash për rolin e jashtëzakonshëm që na paska ky libër për shkencën kosovare (një nocion absurd) dhe për atë mbarëbotërore (ndonëse është shumë e pamundur që ndokush nga shkenca botërore t’i hyjë mësimit të shqipes për të përfituar nga gjenialiteti i autorit tonë).

Nëse kjo reçensë nuk është e verbër nga të dyja anët (as autori nuk e njeh reçentin dhe as ky i fundit nuk e njeh autorin), kjo reçensë është e pavlerë.

Në shumicën e rasteve, emrin e autorit/autorëve në kopertinë e shoqëron një varg i gjatë gradash dhe titujsh, një sinjal i qartë ky në fakt se besueshmëria e librit nuk duhet kërkuar në përmbajtjen e tij por në autoritetin akademik autorial (kur, në fakt, është shumë e mundur që, sa më i gjatë vargu i gradave dhe titujve, aq më i shkurtër është libri në vlerë).

Përveçse qesharak, ky zakon i çuditshëm e minon edhe më shumë aftësinë tonë për të qenë kritikë dhe skeptikë ndaj çdo punimi shkencor sepse, hej, kush je ti që do të kapesh më këtë Prof. Dr. MA, Msc, Magjistër Filan Fisteku?

Ai ka më shumë grada e tituj se sa ke ti fjalë në fjalorin individual. Por kjo praktikë botimi është e pavlerë, në rastin më të mirë dhe mashtruese në rastin më të keq. T’u japësh studentëve tekste të tilla është një fyerje për intelektin e tyre dhe një dëm i rëndë në përgatitjen e tyre akademike.

Unë vetëm në fund të kësaj pjese të diskutimit doja t’i kthehesha faktit që tekste të tilla shpesh janë plagjiatura por ky do të ishte shqetësimi im më i vogël. Ato zakonisht janë të shkruar tmerrësisht keq, të përkthyer edhe më keq, dhe po ashtu të prodhuar me materiale të lire e të dobëta, çka e mbyll në mënyrë kuptimplotë gjithë këtë proces të padenjë.

Nga kjo pikëpamje, rektori i UP-së ka vepruar sipas të njejtës logjikë me kolegët e tij dhe veçimi i tij prej të tjerëve në këtë pikë është vetëm pasojë e rrethanave. Jo se rektori nuk është përgjegjës.

Vetë fakti që ai dhe bashkëautorët e tij nuk e dijnë se cilat janë xhornalet e disiplinave të tyre dhe veçanërisht nuk kanë ditur të dallojnë xhornalet e rreme, siç justifikohen, tregon se ata nuk janë në lidhje me rrjedhat ndërkombëtare në fushat e tyre.

Por “mëkati” i rektorit nuk është aspak më i madh se mëkati i përditshëm i qindra kolegëve të tij të cilët u ofrojnë studentëve të tyre me pagesë libra të botuar sipas të njejtës teknologji sikundër edhe ky rektor. 
 
Po cila mund të ishte zgjidhja? Këtë nuk kemi nevojë ta shpikim por të shikojmë se ç’bëjnë vendet e tjera në zhvillim kur e marrin seriozisht rritjen e rolit të dijes dhe shkencës në zhvillimin ekonomik.

Kazakistani, Kirgistani, Azerbaixhani dhe republika te tjera ish-sovietike të Azisë Qëndrore, Japonia, Tailanda, Malaizia, Egjipti, Maroku, Turqia dhe vendet e Gjirit Persik rekrutojnë në mënyrë agresive pegagogë nga vende me tradita akademike të përparuara. Portat e universiteteve amerikane, britanike, kanadeze, australiane, neozelandeze dhe afrikanojugore janë gjithmonë të hapura për pedagogë nga vendet në zhvillim.

Në shumë prej vendeve në zhvillim, universitetet flasin anglisht ose praktikojnë një sistem dygjuhësh. Tekstet që studentët përdorin në këto universitete janë po ato që përdorin edhe studentët amerikanë.

Në disa nga universitetet publike apo private në këto vende, rektorët janë të huaj, profesionistë më përvojë në drejtimin e universiteteve, shpesh edhe jo shkencëtarë. Ata janë manaxherë (një shkencëtar i mirë nuk do të thotë se është edhe manaxher i mirë ashtu si një mjek i mirë do nuk do thotë se mund të jetë një drejtor i mirë spitali).

AUK-u lulëzon si një oaz i izoluar në shkretëtirën tonë akademike dhe ne ngurojmë të mësojmë prej tij. Akademia ndërkombëtare ndërvepron por ne i kemi mbyllur dyert për ndonjë bashkëpunim domethënës.

Akademia jonë monologon…

Atyre që do t’u dridhet zemra nga kjo “paturpësi” siç është propozimi për kthimin në anglisht të universiteteve tona dhe që do të rendin të mbërthejnë flamurin e patriotizmit në mbështetje të shkencës tonë kosovare, po u them që nuk ekziston diçka e tillë si shkencë kosovare apo shkencë amerikane dhe se ka vetem një shkencë, shkenca botërore.

Kjo shkencë, duam apo nuk duam ne, flet anglisht dhe nëse do të merresh me të, këtë duhet ta bësh anglisht.

Nesë mendojmë se e mbajmë ngrohtë sistemin tonë akademik duke ia mbuluar barkun me flamurin kombëtar, në fakt i kemi lënë zbuluar të pasmen dhe rrezikon të na ftohet nga ajo anë.

Sepse asnjë flamur kombëtar në botë, sado i madh të jetë, nuk arrin dot të mbulojë të gjithë gjendjen njerëzore dhe aq më pak të mbulojë një aktivitet ndërkombëtar siç është shkenca.

Për më shumë, përjashtimi i studentëve tanë nga të studiuarit anglisht është përjashtim i tyre nga konkurimi në tregun ndërkombëtar të punës: këtë e kanë dhuratë nga ne, pedagogët e tyre. 

Nga pikëpamja akademike, një alternativë shumë e frytshme do të ishte dalja pa pikë keqardhjeje nga Sistemi i Bolonjës, një sajesë e dështuar në të gjitha aspektet dhe që synoi të arnonte me reforma sipërfaqësore problemet e thella strukturore dhe të financimit në universitetet europiane, shumë të ngjashme me ato të Kosovës.

Disa nga sistemet akademike më dinamike në Europë, si ai britanik dhe turk e kanë refuzuar këtë sistem dhe universitetet britanike vazhdojnë të jenë ndër më prodhimtarët në Europë.

Braktisja e Sistemit të Bolonjës dhe emulimi i sistemit britanik apo amerikan, do t’u jepte mundësi universiteteve tona të ndiqnin shembullin e më të mirëve. Kaq dijmë të bëjmë, besoj…

Së dyti, është e vështirë të mos bashkohesh moralisht me studentët. Sidoqoftë, siç e thashë edhe më lart, ata janë, ndonëse padashje, pjesë e problemit. E thënë troç, studentët e UP-së marrin atë cilësi studimi për të cilën edhe paguajnë.

Kur studentët ankohen kundër pranisë së SHIK-ut në UP, ata duhet të pyesin veten përse një shqetësim të tillë nuk e kanë studentët e universiteteve private.

Kur studentët ankohen për një prorektor patetik që u bë gazi i botës në një emision televiziv, ata duhet të pyesin veten përse kjo nuk u ndodh universiteteve private. Përgjigja është e thjeshtë: qeveria e zotëron UP-në nëpërmjet kontrollit mbi financat e tij.

Ky kontroll e ka bërë UP-në një institucion krejtësisht jodemokratik dhe ku zëri i studentëve është i papërfillshëm. Jam i sigurt se shkarkimi ose dorëheqja e një rektori apo prorektori në cilindo universitet privat të vendit do të kishte kërkuar shumë më pak energji krahasuar me ato që i kanë përkushtuar kësaj çështjeje studentët e UP-së.

Në universitetet private studentët kanë shumë më tepër fuqi se sa ata në UP dhe kjo fuqi buron nga fakti se ata paguajnë për shkollimin e tyre.

Por problemi shkon edhe më tej: jam kurioz të di se si ndihen përballë studentëve të universiteteve private të cilët paguajnë shuma të konsiderueshme për shkollimin e tyre studentët e UP-së të cilët paguajnë vetëm një fraksion të tyre.

Përse këta studentë duhet të jenë papritur të privilegjuarit financiarë të sistemit, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre duhet të paguajnë për shkollim?

Ky është një sistem krejtësisht i padrejtë sepse paguan me taksat e qytetarëve, përfshi edhe taksat e studentëve të universiteteve private, shkollimin e një kategorie të caktuar studentësh të cilët, në fund të fundit, do të jenë nesër konkurentët e të parëve në tregun e punës.

Le ta shtrojmë pyetjen ndryshe: përse kemi sot në fshatrat e Kosovës mungesë të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë ndërsa numri i të diplomuarve në këto profesione në vendin tonë është shtuar ndjeshëm?

Përgjigja është e thjeshtë: sepse askush nuk mund të detyrojë askënd, përfshi edhe të diplomuarit e universitetit shtetëror, të marrin punë që nuk i duan.

Në këtë rast kemi një shpërpjestim midis modelit të ri të tregut në Kosovë dhe modelit të vjetër të financimit të sistemit akademik. Për më tej, si mund ta justifikojë një mjek privat tarifën  e tij ndaj një pacienti me taksat e të cilit ky mjek është shkolluar?

E di që komunitarianët do të kërcejnë përpjetë duke më kundërshtruar se një shoqëri ka nevojë për të diplomuarit nga universitetet.

Unë, një individualist, do të thoja: më shumë nevojë për universitetet kanë ata që duan një diplomë për të ndërtuar mbi të një karierë. Shkolla mbaron në klasën e 12-të, atje ku mbaron edhe fëmijëria, dhe në moshën 18 vjeçare fillon përgjegjësia ligjore por edhe ajo individuale.

 Pas kësaj fillon akademia. Kësisoj, nëse dikush do të marrë një diplomë universitare, nuk ka përse këtë faturë t’ia ngarkojë buxhetit të shtetit. Nëse dikush do një diplomë universitare, atëhere ai person duhet të marrë përgjegjësi individuale financiare për të.

Përse duhet taksapaguesit e Kosovës të paguajnë që ngelësit kronikë të enden më vite të tëra provimeve për vjeshtë? Dikush paguan për ata pedagogë që merren me këtë punë, për ato auditore që pastrohen, për atë rrymë që shpenzohet.

Por kur më në fund, ngelësi patologjik diplomohet, ai mburret se ka një diplomë në UP, dhe e gjen veten padrejtësisht të privilegjuar ndaj atyre të diplomuarve të universiteteve private të cilët nuk i kanë futur dorën në xhep shtetit për t’u diplomuar. Kjo është thellësisht e padrejtë.

Synimi im këtu nuk është të mbroj universitetet private (ata kanë problemet e tyre të një natyre tjetër) por të përqëndrohem tek problemi ynë i madh i përbashkët: UP-ja si një ngrehinë gjigande e atrofizuar, e zhytur në korrupsion (jo domosdoshmërisht financiar) dhe një shpërdorues i grantit vjetor qeveritar qëkurse nuk është në gjendje të bëjë diçka të mirë me të.

Slogani papagallik i UP-së se diplomon çdo vit kaq e aq studentë është krejt i pavlerë sepse diplomimi i studenteve është vetëm një nga misionet e një universiteti dhe, nëse cilësia e këtyre diplomave është e mjerueshme, ky diplomim është mirë të mos bëhet fare. 

Në fakt, UP-ja nuk do të ishte aspak problemi im si pedagog në një universitet privat sikur unë të mos isha taksapagues i Republikës së Kosovës.

Por kjo më bën mua të shqetësohem se pjesa e taksave që unë paguaj për UP-në shpërdorohet në mënyrë groteske dhe, për më tepër, kontribuon në largimin e studentëve të UP-së nga përgjegjësia individuale për shkollimin e tyre.

Po ashtu, ky sistem deformon konkurencën e ndershme në tregun e punës, nxit mediokritetin, vret demokracinë akademike dhe rrit vartësinë e jetës akademike nga politika.

Edhe këtu nuk ka nevojë të shpikim rrotën por vetëm të shikojmë se si qeveria theçerite u tërhoq brenda dy vjetësh, 1979-1980, nga financimi i universiteteve britanike duke i kthyer ata të gjithë praktikisht në institucione private jofitimprurëse.

Në të njejtën mënyrë, qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë financimin për UP-në dhe ta lerë atë t’i krijojë vetë të ardhurat e veta. Po ashtu, neni i arsimit të lartë të Republikës së Kosovës duhet të ketë vetëm një nen: “Universitetet janë të pavarura në çdo aspekt të jetës së tyre dhe jeta e tyre rregullohet me ligjet që ata vetë i nxjerrin.”

Problemet e sotme në UP janë probleme të krijuara në mënyrë të drejtpërdjejtë ose të tërthortë nga ndërhyrja e qeverive dhe Kuvendit në punët e UP-së dhe mund të riparohen duke ecur në drejtimin të kundërt prej nga erdhi problemi.

Universiteti nuk duhet t’i takojë shtetit por publikut. Ai duhet të ekzistojë jashtë sferës shtetërore dhe brënda asaj publike. Shteti është pjesë e sfetës publike ashtu siç është edhe universiteti por kjo ekzistencë është paralele, jo hierarkike.

Pavarësia nga politika, vetëfinancimi jofitimprurës dhe pjesëmarrja si aktor ekonomik dhe social në jetën e vendit duhet të jetë misioni i ardhshëm i universiteteve tona.

Në UP nuk ka nxitje për inovacion dhe zhvillim dhe kësisoj rektori e ka luksin të botojë në xhornale të rreme. Disa nga universitetet private në vendin tonë e kalojnë UP-në inovacion dhe zhvillim.

Ata janë Sokrati i uritur përballë derrit të kënaqur nga granti qeveritar, nëse i referohemi proverbës.

Universitetet private inovojnë, gjejnë mënyra të reja financimi dhe janë krijues në këtë drejtim. Ata përfshijnë studentët e tyre në këto përpjekje, duke u krijuar atyre përvoja ndërmarrësore jetësore.

Nëse nuk ia dalin në këto përpjekje, universitetet private zhduken. Mirëpo granti vjetor qeveritar ia ka hequr UP-së këto dilema ekzistenciale dhe bashkë me to edhe nxitjen për zhvillim.

Sot UP-ja është në një krizë të thellë dhe në bisht të zhvillimeve akademike në vendin tonë. Vetëm një reformë akademike bazuar mbi disa ose të gjitha propozimet e mësipërme do të mund ta nxirrte UP-në nga ky batak. Vetëm ndërrimi i disa njerëzve veç sa do e zgjaste më tej agoninë e tij.

Por një UP e pavarësuar politikisht dhe financiarisht do të detyronte, me konkurencën e vet, reformimin edhe të universiteteve private në Kosovë dhe transformimin edhe të tyre në institucione private jofitimprurëse.

Koncepti “jofitimprurës” i përdorur këtu nuk do të thotë se këto institucione nuk krijojnë të ardhura dhe se studentët nuk paguajnë.

Përkundrazi, këto universitete janë thellësisht të orientuar nga krijimi i të ardhurave dhe ky orinetim është për ta një nxitje për inovacion dhe zhvillim. Pa këtë, ata nuk do të mund të ekzistonin.

Ky koncept do të thotë se këta universitete janë pronarë të vetvetes dhe nuk ndajnë dividentë për pronarë të caktuar, ashtu siç bën një firmë biznesi, por i përdorin të ardhurat që krijojnë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Këta universitete janë pronarë të vetvetes. Një skenë e tillë akademike do të kishte shumë përparësi. Së pari, do të rritej së tepërmi ndërmarrësia jofitimprurëse dhe breza të tërë të diplomuarish do të mësonin se si administrohet dhe mendohet në një entitet të tillë. Së dyti, buxheti i shtetit do të çlirohej nga detyrime të tilla absurde si grantet vjetore qeveritare për universitetet.

Së treti, duke e transformuar grantin në projekte qeveritare për të cilat universitetet do të duhej të konkuronin, qeveria do të nxiste inovacionin dhe krijimtarinë në universitete por edhe do të përfitonte shërbime prej tyre.

Po ashtu, duke e transformuar grantin në kredi (të rikthyeshme, sigurisht) për studentë, qeveria do të kontribuonte në rritjen e përgjegjësisë individuale të studentëve për shkollimin e tyre.

Nëse një kredi do të ndërpritej kur studenti të ngelte në provime, ai student do të harxhonte më pak kohë në kafene dhe më shumë në bibliotekë.

Së katërti, qeveria mund të krijonte fonde të përkushtuara, e vetme ose në bashkëpunim me qeveri partnere, për rekrutimin e profesorëve të huaj të cilët do të sillnin tek ne më të fundit të zhvillimeve akademike në botë. Se pesti, një reformë e tillë do të vendoste drejtësi në tregun e punës dhe eliminonte diskriminimin në favor të UP-së.

Së gjashti, një reformë e tillë do të ndërpriste vegjetimin e universiteteve, shkëputjen e tyre nga shoqëria, dhe ekzistencën e tyre vetëm si fabrika diplomash.

Universitetet ndërmarrësore që po propozohen këtu krijojnë shërbime për komunitetet e tyre, ndërtojnë biblioteka, spitale, stadiume, teatro, opera, qëndra veterinare etj. Imagjinoni kur një universitet krijon bibliotekën e tij me burime të veta. Kjo është edhe një dhuratë për komunitetin, i cili është i lirë ta përdorë atë bibliotekë.

Por, psh, qendra spitalore universitare e UP-së nuk është një dhuratë e tillë sepse ajo është krijuar dhe mbahet me buxhetin e shtetit. Kjo qëndër është thjesht një spital shtetëror dhe ekziston bazuar vetëm mbi taksat e qytetarëve. 
   
Drejtuesit e UP-së mburren me historinë e këtij universiteti. Megjithatë, në një kontinent me universitete qindravjeçare, të mburresh me historinë 46 vjeçare të UP-së duket e pa-arsyeshme. Po ashtu, ata mburren me infrastrukturën e UP-së, duke harruar se universiteti nuk është llaç e tulla por njerëz.

E pra, këta njerëz UP-ja nuk i ka. Personeli i saj është i mbushur me doktoraturat e pavlera të Kosovës, Bullgarisë, Shqipërisë apo ish-Jugosllavisë, si edhe disa doktoratura të çuditëshme një e dyvjeçare në Austri.

Kosova nuk i ka kapacitetet të prodhojë doktorë shkencash dhe do të ishte e udhës që aventura të tilla të ndërpriteshin menjëherë.

Por Kosova mund t’i prodhojë ata të doktoruar që i duhen tani për tani në universitetet amerikane dhe britanike me mbështetjen e bankave dhe qeverisë dhe, vetem pas disa dekadash, konsorciume universitare ballkanike mund të krijonin, të bashkuar, kapacitetet e nevojëshme akademike për të ofruar programe doktorale domethënëse të cilët të mund të jepnin grada bazuar mbi disertacione që sjellin risi në disiplinat përkatëse, siç duhet të jetë, në fakt.
   
Kur unë kritikoj fenomene të pakëndëshme në jetën kosovare, miq të mij kosovarë tentojnë të mbrohen duke më kujtuar se edhe ne në Republikën e Shqipërisë kemi problemet tona të ngjashme. Teoritë e psikologjisë e shpjegojnë këtë sjellje: njerëzit tentojnë të mbrohen duke kundërsulmuar.

Që t’ua heq miqve të mij nga duart këtë armë, më duhet të shtoj këtu se gjithshka që shkrova më lart për Kosovën vlen edhe më shumë për Shqipërinë si edhe për të gjitha vendet ish-kommuniste te Ballkanit por edhe Greqinë deri në një farë mase.

Përjashtim këtu bëjnë disa universitete private jofitimprurëse ne Turqi dhe ndonje universitet publik në këtë vend. Por le të përqëndrohemi më mirë në problemet tona sepse, me vullnet dhe përkushtim, mund t’i zgjidhim…  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)