Ne jemi komb i vogël, por kemi letërsi të madhe
Shkruar nga Besim Xani
Gjatë një bisede për letërsinë në një nga kafiteritë shumë të frekuentuara të Prishtinës nën re të dendura tymi nga pakoja e cigareve që soseshin shpejt e shpejt, të shoqëruara me shijen e kafesë dhe një ritëm herë-herë të rrëmbyeshëm bisedash e herë më të qetë, kujton poeti Agim Vinca një thënie të shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhënë gazetës “Drita” në vitin e largët 1973 ” Ditën që shkrimtari pandeh se ka arritur përsosmërinë le ta shpallë lirisht ditë zie”.
Aso kohe “Sintagma "Shkrimtari i madh" për Ismail Kadarenë tashmë kishte gjetur aprovim pothuajse nga të gjithë, jo vetëm nga adhuruesit e vërtetë të veprës së tij, edhe nga ziliqarët madje, edhe nga pushtetarët.
Mbase epiteti "Shkrimtar i madh" tashmë ishte bërë i zakonshëm për të dhe shpejt kishte shpërthyer edhe muret që kishte vënë diktatura në Shqipëri.
Këmbana e muzës së tij ndihej përtej këtyre mureve, edhe në Paris, Berlin e gjetkë nëpër oborret e aristokracisë letrare evropiane.
Mbase i stisur nga dashuria për artin në vazhdimësi kam kërkuar si nga Letërsia botërore, ashtu edhe nga letërsia shqipe të gjej ndonjë poezi, afër përkryerjes, diçka që është shumë përmbushëse, përtej çdo pritjeje, ndoshta po kërkoja të pamundurën, mbase Ismail Kadare ka pasur të drejtë.
E përkryera si duket është e përtejshme, diçka si koha, një vazhdimësi e pafund apo ky pohim ishte një gjykim i ashpër kundrejt egos jo vetëm të një shkrimtari, por në përgjithësi kundër egos njerëzore apo thjesht e përkryera nuk ekziston.
Përgjithësisht shumica e poetëve edhe të Letërsisë botërore edhe asaj shqipe vështirë është që në krijimtari të tyre të jenë të gjitha poezitë të arrira, ka poezi me nivele të larta, por ka edhe poezi që nuk kalojnë pragun e shtëpisë apo të një lagjeje.
Më është kujtuar një mendim për poezinë i Ali Podrimjes ai sikur e kërkon nën tekst poezinë përkryer mjafton kjo fjali e tij për të kuptuar dëshirën e tij për artin e përkryer “Në letërsinë botërore ka mbetur poet i madh vetëm me një poezi” apo bohemin Tahir Deskun i cili në një poezi thotë “poezia më e mirë ende nuk është shkruar”.
Mahnitës është edhe mendimi i nobelistit Orhan Pamuk, i cili thotë: “unë mora lapsin për të shkruar poezi, e prita Zotin që të më diktojë, Ai s’më diktoi dhe unë kurrë më nuk u mora me poezi”.
Po t’i shikojmë zhanret e artit poetik që nga antikiteti deri në ditët tona tre janë temat që janë trajtuar nga poetët lirikë, epikë dhe dramatikë: lirika zë fill qysh nga miti i Orfeut ku me artin e tij i bëri gjërat e tij të pabesueshme kushtuar eurodikës së tij ; nuk po ndalem në zhanret e tjera, në këtë shkrim do të flasim vetëm për poezinë lirike, pastaj Petrarka për Laurën që njihej si baba i poezisë evropiane, Dante për Beatriqen, si dhe shumë të tjerë që kanë mbetur si model në letërsinë e përgjithshme se si i këndohet të bukurës, dashurisë nevojë e jashtëzakonshme për lumturinë njerëzore, ku Borgesi do të thotë vetëm bukuria të falë lumturi të përjetshme apo Albert Kamy pasi vjen në përfundim se jeta
është absurde ku për mposhtjen e absurdit duhet revoltë, ai do të shtojë “s’ka revoltë pa dashuri”. E zgjata këtë shkrim për të ardhur tek poetët tanë të letërsisë shqipe duke filluar nga Agolli, Kadare, Arapi, Vinca, Podrimja, Shkreli, Dedaj, Hamiti, Shala, poetët bohemë Tahir Desku dhe idhulli i poezisë Mirko Gashi, për të përfunduar te poeti ynë botëror princi i poezisë, liriku më i madh Lasgush Poradeci.
Mjafton të përmendim vetëm tri vargjet e poezisë "Vdekja e Nositit" analizë kjo nga Sabri Hamiti me titull "Vdekja e ëmbël"
Pa nise ah! Gjirin ta godas…
Dh’e hap ah! Gjirin me një qas…
Dh’i nginj ah! Zogjtë-e vdes me gas!..
Sabri Hamiti thotë: “Vargu qendror në këtë poezi është rreshti i tretë i kësaj strofe, ngase kjo vdekje është vdekje e ëmbël, vdekje për një ideal dhe shton më tej dhe vetëm nëse arrihen këso lloj vdekjeje, vdekja mund të bëhet a pavuajtur, prandaj Nositi vdes me gas”.
Ky art lirisht mund të themi se është i përbotshëm me vlerë universale për njerëzimin i shkruar nga poeti madhështor Lasgush Poradeci, si dhe i studiuar me një kritikë të pashoqe nga studiuesi dhe poeti Sabri Hamiti.
Pasi në këtë punim, qëllimi im është që me pak rreshta poetikë, si dhe me një strofë të shkruar nga populli t’ju tregojmë lexuesve ani pse jemi një komb i vogël, kemi vlera të mëdha shpirtërore që do të na lakmonin edhe kombet e mëdha se si i këndohet dashurisë po e shkruajmë këtë strofë gati afër përkryerjes së artit, ku siç thotë Ismail Kadare marrë nga libri i tij “Autobiografia e popullit në vargje” kjo vjershë (është fjala për strofën e fundit ) është një roman i tërë i përmbledhur:
Ku ke rënë, o trendelinë?
Pse s’kujton mua të zinë?
Të kujtoj e qaj me lot,
Po jam thellë e nuk dal dot.
A s’është ky poet anonim i popullit tonë një orfe shqiptar që i këndoi aq bukur të dashurës se tij të vdekur trendelinës ashtu siç i këndoi orfeu të dashurës se tij të vdekur Eurudikës.
Këto janë vlerat e artit tonë, pra edhe pse jemi një komb i vogël, ne kemi krijuar vepra të mëdha. Mbase shkak i këtij qëmtimi u bë një poezi lirike e shkruar nga poeti ynë Fatos Arapi me titull “Si s’të desha pak më shume poezi” që i zhytur thellë në pasionin e poezisë e kam lexuar për me shumë se dhjetë herë dhe çdo herë kur e lexoja ndodhte arti përsëri i përjetuar.
Ka pasur të drejtë Borgesi kur ka thënë “çdo herë kur lexon art, arti ndodh”. U përpoqa të shkëputem nga bota ime subjektive dhe të jem tepër rigoroz dhe racional në vlerësim, por s’munda të gjej asnjë fjale apo varg që nuk e kishte vendin e vet, “një poezi që e shoqëronte sinteza e mendimit me ndjenjën, si dhe shprehja e bukur” thotë poeti dhe kritiku i madh i letrave shqipe Agim Vinca.
Kjo poezi, për të cilën u bë shkas ky shkrim, për mua si adhurues i artit poetik, meriton të hyjë në Antologjinë e poezisë botërore dhe është për t’u krenuar që ne një komb i vogël si është ky yni të kemi këta krijues të përmasave të tilla, me emra si Kadarenë e Lasgushin që të na vendosin në familjen e kombeve të zgjedhura, ngase kombet e zgjedhura sipas Ismail Kadaresë janë ato që krijojnë letërsi të madhe.
Ky shkrim pas kësaj panorama qe i bëra artit poetik nga antike deri në shekullin XX pikërisht e bëra për ta vlerësuar poezinë e poetit Fatos Arapi që për mua ndoshta është një ndër poezitë më të arrira jo vetëm të letërsisë shqipe sa i përket temës së dashurisë.
Dua ta veçoj një strofë të kësaj poezie madhështore që për mua është himn i dashurisë, vargje të përjetshme të shkruar nga poeti ynë Fatos Arapi me titull:
Si s’të deshta pak më shumë
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetës kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
i hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t’më dashurosh patjetër!
Poezi kjo që e sfidon edhe vdekjen nga fuqia e dashurisë që nuk njeh as robëri as vdekje. Për mua këto tri vargjet e kësaj strofe janë kurora e artit lirik të kulturës shqiptare.
Penat e tilla si Kadare, Arapi, Las Gushi, Podrimja, Agolli, Vinca e shumë të tjerë e kanë futur letërsinë shqipe e kanë futur kombin shqiptar në familjen e kombeve të zgjedhura të njerëzimit, ngase kombet e zgjedhura të njerëzimit janë vetëm ato kombe që kanë letërsi të madhe ani pse ne jemi një komb i vogël, jemi pjesë e një letërsie të madhe.