24 Dhjetor 2024

Në ekonominë e sotme të diturit është monedha e suksesit të korporatave

Shkruar nga Mr.sc.ecc  Besim I. Ismaili

Rëndësia e  burimeve njerëzore në  zhvillimin e korporatave

Zhvillimet dinamike në ekonominë e shekullit XXI po diktojnë ndryshime në mënyrën e menaxhimit të të gjitha llojeve të burimeve të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së korporatave.

Edhe punonjësit e një korporate, pra burimet njerëzore të saj, duhet të menaxhohen tashmë me metoda dhe teknika të ndryshme nga ato të përdorura më herët.

Në rastin e Kosovës, pavarësisht nga lehtësia e gjetjes së fuqisë punëtore në tregun e punës, për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, disa prej  korporatave te vendit tonë kanë filluar të kuptojnë se u duhet të bëjnë përpjekje për trajnimin dhe zhvillimin e tyre në mënyrë që ata jo vetëm të mos largohen nga puna, por edhe të japin maksimumin e tyre.

Kuptimi i menaxhimit të burimeve njerëzore

Menaxhimi i burimeve njerëzore nënkupton procesin e planifikimit të nevojave për personel, organizimin, ushtrimin, zhvillimin dhe trajnimin e personelit. Secili nga funksionet e menaxhmentit nuk mund të shkojë i ndarë nga funksionet tjera.

Mirëpo, menaxhimi i burimeve njerëzore, si funksion menaxherial, merr pjesë në secilin prej tyre, nëpërmjet faktorit njeri si organizator, planifikues, si zgjedhës dhe i zgjedhur, si udhëheqës i këtyre proceseve dhe në fund si zbatues dhe kontrollues i këtyre proceseve. 

Pra, menaxhimi i burimeve njerëzore ka për detyrë që, në organizatë të planifikojë burimet njerëzore, të bëjë reduktimin e tyre, seleksionimin, të organizoj zhvillimin (trajnimin, përparimin në profesion), të bëjë zgjedhjen dhe të organizoj përshtatjen e punonjësve në punë.

Roli dhe rëndësia e burimeve njerëzore në korporata

Që një korporatë të realizoj qëllimet e veta, ajo duhet jo vetëm të disponoj me burimet e nevojshme, por edhe ti përdor ato me efektivitet. Burimet në dispozicion të një menaxheri janë njerëzore, financiare, fizike dhe të informacionit.

Megjithëse burimet njerëzore kanë qenë gjithnjë kritike për suksesin e çdo korporate, rëndësia e tyre ka ardhur gjithmonë duke u rritur dhe ky fakt është pranuar brenda dhe jashtë korporatave.

Pa punonjës të efektshëm ndërmarrja do të punonte në mënyrë joefektive dhe mund të rrezikonte mbijetesën e saj. Një tjetër arsye e fuqishme nga e cila buron rëndësia e burimeve njerëzore është fakti që ato përbëjnë shpenzim kryesor ose një kosto për korporatën.

Zhvillimi i burimeve njerëzore brenda korporatës

Studimet kanë treguar se në mjaft vende niveli i përgaditjes së punonjësve që fillojnë punën rishtazi është një problem serioz. Po kështu, për të qenë kompetitiv në treg, me rëndësi të veçantë është edhe rritja e produktivitetit të punonjësve ekzistues.

Arritjen e këtyre objektivave, menaxherët e burimeve njerëzore e realizojnë nëpërmjet trajnimit dhe zhvillimit. Studiuesit, trajnimin dhe zhvillimin i trajtojnë si dy nocione që dallohen midis tyre.

Trajnimi përcaktohet si procesi i të mësuarit të procedurave dhe teknikave për të kryer me efiçiencë punët aktuale, ndërsa zhvillimi karakterizohet si tërësi e përpjekjeve për të ndihmuar punonjësit që të aftësohen në mënyrën më të përshtatshme për punët e ardhshme.

Roli i burimeve njerëzore në rritjen e fitimeve të korporatave kosovare

Menaxhimi i burimeve njerëzore është ende mjaft i ri për korporatat, bizneset tjera dhe institucionet shtetërore në Kosovë.

Duke qenë të vetëdijshëm dhe duke pranuar që praktika të veçanta lidhur me burimet njerëzore të korporatave të ndryshme, ndryshojnë sipas dinamikave të korporatave, mungesës së talenteve, kulturës së biznesit etj, të gjitha këto të çojnë tek përgjigjja – korporatat dhe bizneset që fitojnë më shumë nga investimi tek burimet njerëzore të gjithë përdorin variacione të këtyre katër hapave: Prioritetet e korporatës duhet të bëhen edhe prioritete të burimeve njerëzore. 

Duhet të përdoren ato burime që tashmë i posedojnë korporatat.  Idetë e reja kanë nevojë për zgjidhje të reja dhe të pasuruara nga ana e menaxhmentit të burimeve njerëzore. Duhet të përshtaten dhe të integrohen praktikat e suksesshme të burimeve njerëzore dhe të integrohen në kontekstin e korporatave. 

Njëra arsye është se burimet njerëzore janë një burim vital për zhvillimin e korporatës. Veç kësaj, arsye e dytë është se strategjia e zhvillimit të korporatës shpesh përfshin ndryshime që mund të hasin në rezistencë nga punëtorët.

Në ekonominë e sotme “të diturit” është monedha e suksesit, korporatat nuk mund të ngrenë pritshmëri suksesi apo lulëzimi, pa marrë në konsideratë serioze mangësitë në fuqinë punëtore, punëtorë me një set të ngushtë aftësish dhe ndikimi që ka trajnimi dhe zhvillimi i punonjësve në rritjen dhe suksesin e organizatës.

Pas shqyrtimit nga aspekti teorik, pastaj nga aspekti praktik, mund të përfundojmë se trajnimi dhe zhvillimi i burimeve njerëzore është një përgjegjësi e madhe e menaxhmentit të burimeve njerëzore përmes së cilave i rritet vlera e korporatës si dhe ndikon drejtpërdrejtë në produktivitet dhe në zhvillin e korporatës.

Nevoja për trajnim lind nga nevoja për progres, konkurrencë, përshtatje dhe kualifikim. Korporatat, të cilat zhvillojnë trajnime të ndryshme janë ato që vlerësojnë, mbështesin, nxisin të mësuarin dhe dijen, përshtaten e ndryshojnë me ritmet që sjell vetë efekti “kohë”.

Këto korporata dinë të mbajnë punonjës me kapacitete dhe punonjës të trajnuar, pasi suksesi i një korporate varet mbi të gjitha në jetëgjatësinë e punonjësve të saj.

Në planin e përgjithshëm rekomandohen ndryshime të domosdoshme që do të sjellin ndikim pozitiv e të drejtpërdrejtë në menaxhimin e burimeve njerëzore në tri fushat e mëposhtme: fushën akademike dhe universitare, fushën e politikave publike dhe atë organizative: Specializime universitare dhe pasuniversitare për të formuar kuadro të specializuar në burime njerëzore të cilat mungojnë në Kosovë. 

Ligjet e menaxhimit modern të burimeve njerëzore mungojnë në Kosovë. Duhet të bëhet modernizimi i menjëhershëm i ligjeve të punës duke patur si qëllim favorizimin e ndërmarrjeve në aplikimin e këtyre teknikave moderne. 

Zhvillimi dhe përsosja e një modeli \"referencial\" për burimet njerëzore që do të bazohet në një sistem rekrutimi, integrimi, formimi, vlerësimi të performancave, promocioni dhe të zhvillimit të karrierës. Strategjia e korporatës është emocionuese dhe sfiduese.

Përmes strategjisë merren vendime themelore për drejtimin e ardhshëm të një organizate: qëllimin e saj, burimet e saj dhe se si ajo ndërvepron me botën në të cilën operon.

Çdo aspekt i organizatës luan një rol në këtë strategji – personeli i saj, financat e saj, metodat e prodhimit dhe mjedisi i veprimit.

Çdo organizatë ka për të menaxhuar strategjitë e tij në tri fusha kryesore: Në burimet e brendshme të korporatës; Në ambientin e jashtëm në të cilin operon korporata; Në aftësinë e organizatës që të shtoj vlerat në atë biznes që e zhvillon.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)