24 Dhjetor 2024

Në dy shekuj dy Lidhje Shqiptare, rastësi apo domosdoshmëri

 Shkruar nga Gani Qarri

Kaluan mese 135 vite që kur Elita Shqiptare pati marrë përsipër përmbushjen e misionit për çlirimin e trojeve tona etnike,ngritjen e shtetit dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

Nga ajo që kanë pa dhe përjetuar shqiptarët,në dy shekujt e kaluar, dy ishin Lidhjet Kombëtare, idealet e të cilave nuk u realizuan tërësisht,por prodhuan dy shtete të njohura ndërkombëtarisht.

Njëra ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit,nga idealet e së cilës lindi Shqipëria ani pse jo e plotë dhe me shtrirje në tërësinë e trojeve tona kombëtare.

Kurse e dyta, ishte Lëvizja Gjithëpopullore e viteve të 90-ta, e njohur si LDK, nga idetë e së cilës u nisën dhe ndërtuan themelet e Republikës së Kosovës, mbi të cilat sot mbijeton ky shtet i vogël por sovran dhe i pavarur.

Por për të arritur deri këtu,vuajtjet nëpër të cilat kaloi populli ynë ishin të gjata e të rënda,nëpër periudhat më të vështira e të pafund që njohu historia, derisa shtypja dhe diskriminimi i pareshtur,e detyroi popullin shqiptar të zgjedh rrugën e qëndresës dhe kapjes së armëve për mbrojtjen me luftë të qenies kombëtare, identitetit dhe mbijetesës së tij si popull ndër shekuj.

Megjithë rezistencën shekullore dhe përpjekjet e mëdha  e të pareshtura që nga ajo kohë,deri më tani  nuk u arrit ajo që synohej,ndaj populli shqiptar ka humbur mëse gjysmën e trojeve të tij nga procesi i shpërbërjes kombëtare, tkurrja e të cilave mjerisht vazhdon edhe sot në shekullin XXI.

Siç është e ditur për të gjithë,askund në botë, nuk ekziston formë më bindëse e ruajtjes së përkatësisë etnike, sesa përdorimi i gjuhës amtare e cila mbron nga asimilimi dhe siguron mbijetesën kombëtare të cilit do Popull edhe nën robëri.

Por  popullin tonë e përcolli një fat më i keq  se të tjerët, ngase përgjatë gjithë pushtimit 500 vjeçar të trojeve tona nga ana e perandorisë osmane,vetëm për shqiptarët, përdorimi i gjuhës amtare, shkrimi dhe mësimi i saj nëpër shkolla ishte i ndaluar.

Ndaj shqiptarët ishin të fundit nga gjithë popujt tjerë nën perandorinë osmane, të cilët vetëm më 1908 guxuan ta krijonin alfabetin e tyre kombëtar dhe të fillonin hapjen e shkollave të para në gjuhën e tyre, por vetëm për kohë të shkurtër ngase ,qeveria pushtuese e turqve të rinj ,do ti mbyllte shkollat shqipe përsëri,me forcën e shtetit.

Kështu që historia jonë u përshkua me vrasje,shtypje,burgim e internime gjatë gjithë kohës së këtij pushtimi i cili që nga fundi i shekullit XIX, do të pasohej edhe me rrezikun e copëtimeve dhe pushtimeve të reja nga shtetet hegjemoniste fqinje,të cilat vazhdojnë edhe sot.

Si pasoj e gjithë kësaj,pas përndjekjeve të mëdha dhe padrejtësive të shumta, edhe shqiptarët u detyruan të ngriheshin në një kryengritje të pashembullt deri atëherë, për mbrojtjen e vendit dhe vetvetes me luftën e tyre.

Ky vetorganizim i njëmendët kombëtar i paparë deri atëherë, që nga koha e Skënderbeut, kulmin e organizimit do ta arrinte me 10 qershor të vitit 1878,pra vetëm tri ditë para se ti fillonte Kongresi i Berlin,ku pas një muaji punimesh,nga13 Qershor, deri më13 Korrik të vitit1878,u nënshkrua traktati i Berlinit i cili zëvendësonte traktatin e Shën Stefanit.

Mjerisht në këtë Kongres nuk u ftua as pranua Populli shqiptar, me ç`rast u projektua edhe vizatimi i hartës famëkeqe, e cila vuloste ndarjen e trojeve tona etnike.

Kurse copëtim i vërtetë i tyre ,do të ndodhte,një vit pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë etnike më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë, copëtim ky i cili do të miratohej më 29 korrik të vitit1913,nga ministrat e jashtëm evropian, ,në të  ashtuquajturën Konferenca e Londrës.

Thënë të drejtën, aty do të merrej vendim për pranimin edhe të një principate shqiptare, por vetëm në hapësirat e Shqipërisë së sotme administrative, duke lënë jashtë kufijve të saj, shumicën e tokave shqiptare.

Nga atëherë e deri më sot ,drama jonë kombëtare vazhdon pa ndërprerë,sa nën grek të cilët me zjarr e hekur arritën ta zhbënin çamërinë dhe popullin e saj shqiptar, aq nën sllavët e jugut, nga robëria e të cilëve,shqiptarët as pas luftës së dytë botërore, nuk arritën të dalin me një zë dhe të realizonin idealin e lirisë së ëndërruar dhe bashkimit të tyre kombëtar.

Kështu që këtij Populli të shumëvuajtur dhe të robëruar , edhe në vitet e 90,kur po shkatërrohej e ashtuquajtura Jugosllavi, nën pushtimin e së cilës ndodhej Kosova dhe trojet tjera shqiptare të ndara në tri ish republika sllavësh,i duhej një Abdylë Frashër i ri, për ringjalljen edhe një herë të Lidhjes së famshme Kombëtare Shqiptare, por tani në një formë më tjetër veprimi dhe organizimi.

Lidhjen e re,të njohur si LDK, e cila u kthye në lëvizje gjithëpopullore arriti ta krijonte dhe udhëhiqte për shumë vite me sukses, filozofi, kritiku, letrari e politikani dhe intelektuali i mirënjohur shqiptar, Dr. Ibrahim Rugova.

Angazhimi i tij në politikë, erdhi si pasoj e gjendjes së rëndë të krijuar,në momentet kur një okupim klasik dhe i panatyrshëm po hynte dhunshëm midis nesh dhe përpiqej të bënte vend me forcë,dhe mashtrim në trojet dhe jetën e shqiptarëve-të cilët edhe kësaj radhe,i gjeti të pa organizuar -sa dhe si duhet.

Pra,në kohën kur lavdisë së rrejshme të ish sistemit komunist,tanimë po i shthureshin të gjitha fijet kurthuese të mashtrimit dhe paturpësisë sunduese, ai arriti ti unifikonte të gjithë bashkëkombësit e tij në të gjitha trojet e okupuara nga sllavët,pa dallim krahine, moshe ,gjinie apo besimi, të cilët për herë të parë ndiheshin Një dhe të bashkuar, duke u mësuar me ndjenjën e Unitetit, dëshirën për çlirim dhe shpresën për bashkim e liri kombëtare.

Ngritja intelektuale, vendosmëria dhe afiniteti i tij unifikues, ndihmuan atë që jo vetëm ta udhëheqë por  edhe orientoi drejtë kombëtarisht, lëvizjen e parë gjithëshqiptare të shekullit XX, në trojet tona të okupuara nga sllavët,në atë periudhë delikate dhe të rëndësishme historike për fatin dhe ardhmërinë e popullit tonë.

Rugova, arriti për herë të parë në historinë e pas okupimit sllav,që ti ndante shqiptarët nga pushtuesi, siç i thonë fjalës popullore; si sheqerin nga shapi, duke ngritur vetëdijen e tyre vepruese e organizative, bërë ata kolektivisht të padëgjueshëm ndaj pushtuesit,dhe refuzues të vendosur ndaj ligjeve të dhunshme e të padrejta serbe duke larguar pothuajse të gjithë bashkëkombësit pa dallim, nga çfarëdo bashkëpunimi me sistemin okupues të Serbisë.

Natyra e tij e pashpjegueshme pati guximin që në kohët më të vështira kur kërkoheshin mendje të holla vepruese për lirimin e popullit nga mjegulla e robërisë dhe nxjerrjen e tij nga balta ku e kishin katandisur ish udhëheqësit e frikësuar komunist,përvjetorët e të cilëve, aty këtu edhe sot festohen, të mos lejojë që vitet e ndërrimit të sistemeve të ktheheshin në tragjedi të reja dhe kohë të humbur për popullin e pambrojtur shqiptar.

Rugova, për herë të parë pas aq vitesh, përçarjeje kombëtare e dëgjueshmërie totale, deri në bindje e nënshtrim ndaj pushtetit të okupatorit, arriti të krijonte një unitet përmasash të panjohura deri atë herë, kombëtaro- historike dhe gjithëpopullore i cili në kohën kur ai udhëhiqte u shtri dhe zgjerua në të gjitha hapësirat e trojeve tona etnike, që nga Manastiri, Ohri, Shkupi e Kumanova, Presheva, Bujanoci, Pazari i Ri, Rozhaja,Tuzi, Malësia,Ulqini e Tivari dhe të gjitha trojet shqiptare nën ish Jugosllavi.

Ata i`u kundërvunë bashkë, përpjekjeve antishqiptare të pushtuesve sllav si dhe kërkuan pa reshtur,unik dhe me vendosmëri, të drejtat e tyre të munguara statusore dhe kombëtare, si popull i pushtuar që mëtonte Lirinë dhe bashkimin kombëtar, pas rënies së komunizmit në ish konglomeratin jugosllav.

Ndaj kur shumë kush mendonte, bile armiqtë e kombit tanimë  shpresonin se kishte ardhur momenti i tyre që edhe historia e mesjetës të tallej me ne si popull i ndarë e coptuar shumëfish nga pushtimi shumëshekullor, ai u nis si feniks i pamposhtur për të ringjallur idealin e lirisë dhe shtetformimit tek populli i tij, duke u kthyer në një burrështetas karizmatik, lider të pakontestueshëm politik dhe kryetar të parë - historik të Republikës së Kosovës.

Sado që me rastin e çfarëdo takimi që pati kudo nëpër botë dhe vend me liderët e mëdhenj të popujve dhe fuqive vendimmarrëse evropiane dhe botërore, ai nuk pushoj së kërkuari asnjëherë si krijimin e shtetit ashtu edhe pavarësinë e vendit të vet,gjer sa vdiq, zhvillimi i ngjarjeve në teren do ta detyronin Rugovën për qasje me kujdes të shtuar në veprimet politike të kohës.

Madje,i frymëzuar edhe nga premtimet e mëdha dhe përkrahja e fuqishme që kishte marrë nga e gjithë bota demokratike për rrugën paqësore, ai udhëhiqej nga parimi se në kohët moderne,liria mund të arrihej pa gjak dhe shoqëria e re duhej të krijohej pa dhunë.

Rugova nuk mund të vendoste për veprime të pamatura,edhe për dy shkaqe; e para ishte pasiguria për ardhjen e ndihmës në kohën e duhur nga jashtë,dhe e dyta ishte dhembshuria që ndjente për popullin e tij të pa mbrojtur brenda në Kosovë, i cili pa forcën e vet të mirë-organizuar ushtarake dhe mbështetje të njëmendët ndërkombëtare, rrezikonte shumë.

Ndaj droja se me nisjen e luftës,pa komponentët e lartcekura të forta dhe jetike, populli i tij do të shpërndahej e me kalimin e kohës edhe mund të shkrihej në detin e madh të degdisjeve në emër të strehimit dhe azilmarrjes nëpër botë, e shtynë Rugovën të mendohej seriozisht dhe më tepër se një herë për vendimmarrjen në atë kohë e cila nuk ishte e lehtë dhe kërkonte shumë përgjegjësi.

Në gjendjen që atëbotë mbretëronte,çfarëdo vendimi i pamenduar mirë dhe i papeshuar me kujdes,mund të ishte fatal dhe i pakthyeshëm për shqiptarët, sepse një luftë e pa organizuar mirë,do të kthehej në zbrazje të pandreqshme të vendit dhe zhbërje të popullsisë shqiptare në Kosovë,e cila do të shndërrohej në tragjedi kombëtare, pas së cilës- të gjitha arsyetimet e mundshme dhe shprehjet e "zgjedhura" ngushëlluese,do të mbeteshin përgjithmonë boshe dhe pa asnjë vlerë.

Megjithatë,lufta erdhi edhe në Kosovë,dhe ajo nxiti mu ato që druante prej kohësh Rugova, si; shpërnguljet e mëdha dhe degdisjet e detyruara të popullsisë shqiptare në të gjitha anët, ndaj me gjithë dhembjen që ndjente për popullin e pa mbrojtur, largpamësia e tij  domethënëse, do të  kthehej në porosi këshilluese për të gjithë shqiptarët, që ata të mbronin pragun e shtëpisë dhe vatrat e tyre stërgjyshore.

Madje, ai si një personalitet me sinqeritet të rrallë i drejtë dhe me afinitet të madh afrues edhe në momentet më dramatike të luftës do ti mbetej besnik popullit të tij- deri në çastet e fundit, duke bashkëjetuar me të dhe përjetuar dramat më të dhimbshme të mbijetesës,bashkë me familjen dhe shumicën e shqiptarëve nën terrorin e pushtuesit serb.

Ky njeri, nuk mundi asnjëherë t`ua kthente shpinën bashkatdhetarëve as në çastet më të vështira dhe të kërkonte shpëtimin vetëm për vete edhe në momentet e fundit të dramës shekspiriane për jetë a vdekje,kur lufta serbe për shfarosjen e shqiptarëve po arrinte kulmin e çmendurisë së saj.

Kështu që, për shumicën e popullsisë udhëheqja e tij e matur,vlerësohet e kujdesshme dhe shpëtuese, sidomos për banorët e pa mbrojtur shqiptar në kohët më delikate të vrasjeve dhe shpërnguljeve masive të planifikuara që më parë nga Serbia e cila do të përpiqej që të gjitha qëllimet e saj antishqiptare,ti realizonte për kohë sa më të shkurtër në të gjithë Kosovën.

Ndaj, kujtimet e pa harruara,respekti i madh si dhe dashuria mbarë-popullore që ai gëzonte si për asnjë politikan, intelektual a personalitet tjetër kombëtar deri më sot, mbetën të pashuara në zemrat e shqiptarëve kudo, për presidentin historik të Kosovës,Dr. Ibrahim Rugova.

Vetëm bindja në të drejtën e Republikës së Kosovës për shtet të pavarur dhe shpresa te mbijetesa e popullit shqiptar e bënë atë aq të durueshëm dhe mundën t`ia zvogëlonin vuajtjet gjatë viteve të vështira të luftës si dhe e ndihmuan që  t’i përballonte të gjitha  mundimet nga sëmundja e rëndë deri në çastet e fundit  të jetës së tij e cila  e mori papritur shpejt dhe para kohe në amshim.

Megjithëse sukseset në politik dhe arritjet diplomatike, për cilindo personalitet, çmohen me nivele të ndryshme vlerësimi,edhe pse pas lufte Rugova do të rraskapitej së tepërmi duke vuajtur shumë nga sëmundja e rëndë e kancerit të mushkërive,kontributi i tij konsiderohet meritor dhe i suksesshëm në shumë fusha,vepra e të cilit nderohet me pietet gjithkund, kurse kujtimet për personalitetin e këtij lideri,vazhdojnë të jetojnë edhe sot në zemrat e shumicës së shqiptarëve kudo.

Ashtu si qëndrimi paqësor i preferuar nga Rugova edhe lufta e fundit e shqiptarëve,ishin treguesit më të mirë para botës së civilizuar se ne vërtet e çmojmë shumë paqen por mbi të gjitha e duam lirinë, për të cilën jemi të gatshëm edhe të flijohemi, siç veprojnë të gjithë popujt e lirë të botës, në raste të tilla.

Ndaj,bashkëpunimi me miqtë amerikan dhe euro-perëndimor me të cilët na familjarizoi Ibrahim Rugova,u dëshmua si mbështetja më e sigurt për çlirimin përfundimtar të Kosovës dhe realizimin e idealit shumëvjeçar të popullit shqiptar, pa ndihmën dhe përkrahjen e të cilëve ne as sot nuk mund të ecim as mbijetojmë si shtet i lirë. 

Veprimtaria e tij ka një domethënie të veçantë për trojet tona etnike nën pushtimin sllav,Kosovën dhe popullin e saj, e cila kërkon vend të merituar në historinë më të re të kombit shqiptar,sado që  mu burrat më të devotshëm të kombit, të cilët gjithë veprën dhe jetën e tyre,me devotshmëri, i`a kushtuan lirisë dhe çlirimit të vendit, sot nuk çmohen as nderohen sa dhe si duhet.

Madje,megjithëse edhe dëshmorët dhe heronjtë e këtij vendi të cilët në kohërat më të vështira, dhanë jetën për atdheun dhe kombin,para aktit të rënies lan porosi që amanetet e tyre të qohen në vend, jo për të vjedhur shtetin dhe krijuar pasuri e kushte marramendëse për vete dhe bashkë-familjarët, por për ta ndërtuar atë e forcuar ligjin dhe përparuar kombin që i  takojmë,korrupsioni dhe varfëria kanë arritur kulmin e së keqes, e cila do duhej ti përmbyste me turp,shkaktarët e saj.

Por,me gjithë përpjekjet dhe luftërat e pareshtura populli ynë,edhe nga shkaku i gabimeve dhe të metave të faktorit njeri, ende nuk mundi të  jetësojë qëllimet e Lidhjes as pas më tepër se 135 vjet përpjekjeje,ndaj kërkohet ende mund e sakrifica për realizimin e idealeve të saj,për bashkimin e trojeve dhe kombit shqiptar.

Sepse edhe lufta për çlirim-kombëtar kundër pushtuesve serb,falë ndihmës së NATO-s, solli lirinë e Kosovës së ngushtë, por flijoi disa pjesë jo të vogla shqiptare, të cilat mbeten edhe më tej nën pushtimin sllavë.

Madje,sikur mos të mjaftonin vuajtjet e së kaluarës,populli dhe trojet tona,kohët e fundit janë dënuar me skamje e përçarje dhe varfëri të skajshme me të cilat sot është nënshtruar Kosova dhe banorët shumicë të saj. Ndaj, ky është dënimi më i rëndë dhe më i pamerituar që ka mundur ti ndodhë në këtë shekull Popullit shqiptar nga pushtetarët e tij. 

Mjerisht jo-vetëm se shumë idealistë dhe luftëtarë të kombit Shqiptar, ranë në përpjekjet për liri, por shumë të tjerë u shuan dhe dita ditës po shuhen edhe pas çlirimit dhe pavarësisë së vendit,në luftën e padrejtë dhe të pabarabartë që po zhvillohet edhe në ditët e sotme për mbijetesë personale dhe familjare në Kosovë.

Kontribut të madh për të arriturat e deritanishme dhanë edhe brezat e mërgimtarëve kudo nëpër botë, të cilët patën përherë mallë- familjen dhe vendlindjen, por edhe dhembje e dashuri të madhe për atdheun, ndaj kjo i bëri gjithmonë të çmuar dhe u dha vlerë të përjetshme mërgimtarëve.

Madje, si fryt i punës së tyre fisnike,ata deri më tani arritën t`a ruanin gjuhën shqipe dhe identitetit kombëtarë shqiptarë, në cilën do pjesë të Kontinentit dhe Botës.

Për fat të keq,përkundër të vërtetës së hidhur se mëse gjysma e trojeve tona etnike ku dikur jetuan të parët tanë, sot nuk janë më shqiptare, edhe në pjesët ende shqipfolëse, vazhdojnë pa asnjë pengesë trendet e tkurrjes,ndarjes dhe përçarjeve brenda- shqiptare.

Përditë e më tepër vërehet,paraqitja e të njëjtëve njerëz me disa flamuj,ngritja e bastioneve lokale e rajonale në pjesët ku ata sundojnë, fuqizimi i dialekteve krahinore, dhe rritja e urrejtjes ndër-fetare, nga të cilat ndoshta populli ynë në të ardhmen jo fort të largët nuk do të mbetet më ky që është, në qoftë se nuk arrin ta ruajë të pastër dhe të pacenuar gjuhën, flamurin dhe historinë e unisuar kombëtare në hapësirat ku sot jeton.

Madje është e pakuptueshme se si edhe tani-njëjtë si dikur,emigrimi i popullatës shqiptare mbetet i pandalshëm, proces ogurzi ky, i cili për fat të keq nuk sjell asgjë të mirë, përpos zbrazjes së trojeve tona nga banorët dhe rinia e pa-perspektivë shqiptare.

Largimi nga vatrat e varfra të Kosovës dhe ato shqiptare kudo-vazhdon me ikjen e të rinjve të papunë e në kushte të rënda ekonomike të cilët detyrohen të marrin katandinë dhe botën në sy, nga shkaku i rrezikut për mbijetesë në vendin e tyre të varfër.

Bile,kjo grupmoshë për të dal jashtë vendit, janë në gjendje që të futen në kredi dhe borxhe të mëdha, për të ikur nga vendlindja,gjë që nuk ndodhë edhe me popujt tjerë në rajon. Sipas shtypit ditor, ata paguajnë nga 1500 deri në 2000 Euro,për të arritur qoftë edhe deri në Hungari, apo në rastin më të mirë deri në Vjenë të Austrisë, pa ditur se a mund të qëndrojnë dhe rehatohen edhe atje apo gjejnë punë në cilindo vend tjetër perëndimor.

Ndaj,gjendja e krijuar ,tregon qartë sesa shtrenjtë po e paguan ky popull i mjerë mungesën e intelektualëve të njëmendët, të cilët do të ishin më aktiv në këto ngjarje, dhe do ti dilnin përpara kësaj të keqeje apo cilësdo çoroditje tjetër- kolektive dhe kombëtare. 

Megjithatë,siç do shprehej edhe shkrimtari ynë i mirënjohur Mitrush Kuteli: Atdheu është atdhe, edhe atëherë, kur ai të vret! ndaj, mërgata shqiptare duhet të jap shembullin e saj edhe një herë,me një organizim më të mirë duke u faktorizuar si subjekt kombëtar,për të ndihmuar si në realizimin e idealeve të lidhjes së Prizrenit ashtu edhe në zbutjen e varfërisë në vend e cila po vret dhe shpërngul shqiptarët nga vatrat e tyre, edhe në këto kohë dhe rrethana të pas Pavarësisë.

Kjo vërteton edhe njëherë më tepër se Lidhjet Shqiptare ndër shekuj, nuk ishin rastësi, por nevojë e kohës e cila te shqiptarët përsëritet. Ndaj gjendja plot halle dhe me kaq shumë probleme të grumbulluara të cilave askush nuk arrin tu dal zot, gjejë as ofroj zgjidhje- edhe sot, si dikur,e bën të domosdoshme një Lidhje të re kombëtare,e cila do  ta shpëtonte këtë popull nga përhumbja, zgjonte nga përgjumja, çliroj trojet e pushtuara dhe bashkojë një herë e përgjithmonë shqiptarët, si i vetmi popull evropian- ende i ndarë e i sunduar nga shumë shtete në Ballkan.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)