22 Dhjetor 2024

Ndërtojmë rrugë, por dhe barriera ndaj Kosovës

Shkruar nga Artan Gjergji

Deklarata e fortë e z. Safet Gërxhalliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, në lidhje me një politikë diskriminuese të sistemit doganor shqiptar ndaj produkteve kosovare, ishte as më pak e as më shumë se preludi i një beteje të heshtur mes “vllaznish” të luajtur prej kohësh në fluksin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve të shkëmbyera mes dy vendeve të një kombi, Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fakt, duke njohur natyrën energjike të kreut të institucionit më të rëndësishëm që mbron interesat e biznesit në Kosovë, deklarata e Gërxhalliut ishte një artikulim shumë shqeto i fjalive diplomatike të ministrave të qeverisë Thaçi.

Më herët ministri Shala kishte deklaruar që Shqipëria duhet të ri-shohë regjimin e çmimeve të referencës doganore për disa produkte (kryesisht bujqësore), sepse në mënyrë të tillë luante një politikë proteksioniste (qoftë edhe pa dashje), duke favorizuar konkurrencën e pandershme të produkteve dhe mallrave të rajonit e sidomos të Serbisë.

Pavarësisht një përgjigjeje jo shumë bindëse të zv/ministrit të Financave, z. Alfred Rrushaj, sipas së cilës produktet kosovare nuk diskriminoheshin, por mbi to aplikoheshin pothuaj të njëjtat tarifa si me vendet e rajonit, nuk bëri asgjë tjetër përveçse vërtetoi “klithmat” e homologëve tanë ekonomistë nga përtej kufirit rreth kësaj politike të gabuar të Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Financave dhe autoriteteve tona doganore. Kjo kryesisht për dy arsye.

Së pari, politika e aplikimit të tarifave të referencës ndaj një vendi si Kosova është në kundërshtim me të gjitha politikat e tjera të Qeverisë mbi unifikimin e tregjeve mbarëshqiptare, nëpërmjet reduktimit të barrierave të tregtisë me Kosovën.

Kështu është paradoksale, që tek harxhojmë me miliarda euro nga buxheti i shtetit për ndërtimin e rrugës së kombit, e cila do bashkojë dy vendet tona jo vetëm fizikisht dhe ekonomikisht, çuditërisht ende vazhdojmë “të nxjerrim dhjamë nga pleshti” duke tatuar çdo kokërr patate apo rrushi që kalon kufirin nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Sipas raportit të vitit 2009 nga institucioni prestigjioz ACIT, volumi i importeve nga Kosova arrinte në nivelin e rreth 27 milionë eurove. Imagjinoni sa pak të ardhura vijnë në buxhetin e shtetit nga detyrimet doganore të këtij fluksi mikroskopik tregtar.

Së dyti, edhe sikur të lihen sentimentalizmo-nacionalizmat mënjanë, por të shihet interesi i pastër tregtar i Shqipërisë në drejtim të aplikimit të çmimeve të referencës, vendi ynë do ishte i humbur, pasi, siç njeh doktrina e ekonomisë ndërkombëtare, Kosova mund të përgjigjet me të njëjtat çmime reference sipas parimit të reciprocitetit.

Po zyrtarët e Ministrisë sonë të Financave harrojnë që volumi i eksporteve tona drejt Kosovës janë sa dyfishi i importeve. Kështu që, më tepër se fermeri kosovar, do shikojmë se do jenë më të ndikuar negativisht industria e metaleve apo mineraleve, zëra që përbënin edhe rreth 77% të eksporteve të Shqipërisë në Kosovë për vitin 2009.

Zëri i zyrtarëve kosovarë ngrihet aq fuqishëm edhe për një arsye tjetër. Sepse “çuditërisht”, çmimet e larta të referencës së doganave shqiptare aplikohen mbi mallra kryesisht bujqësore, ndërkohë që ky sektor zë peshën kryesore të eksporteve kosovare në Shqipëri, me rreth 35% në vitin 2009.

Pikërisht për këto arsye, klithma e komunitetit të biznesit, por edhe e Prishtinës zyrtare, për një rishikim të politikës doganore ndaj produkteve të dy vendeve tona, duhen analizuar me kujdes në funksion jo vetëm të përfitimeve të përbashkëta, por edhe të një qëllimi më madhor: Dy shtete, një komb, një treg i përbashkët.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)