Ndërtimi i Stadiumit Nacional të Futbollit në Prishtinë
Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli
Është i një rëndësie të veçantë caktimi i drejtë i lokacionit të Stadiumit Nacional të Futbollit në Kosovë,ai është interes madhor nacional i të gjithë banorëve të saj.
A u veprua si duhet me të drejtë, në rastin konkret kur u caktua lokacioni për stadiumin nacional dhe shumë objekteve tjera sportive të karakterit nacional,në kuadër të një Qendre Nacionale të Sporteve, që duhej të ishte pjesë integrale e Planit Hapësinor të Kosovës dhe e Planit Zhvillimor të Prishtinës,e jo kështu me direktiva partiake,klanore dhe regjionale,të keqpërdoret territori i vendit.
Tërë procesit është dashur ti paraprinë një studim gjithëpërfshirës hapësinor dhe urban,i ndërlidhur me analiza profesionale që bëhen në këso raste, e jo një grup i caktuar i individëve të fuqizuar me pushtet ekzekutiv të na caktojnë lokacionet për objektet e rëndësisë nacionale, pa marrë në konsideratë interesin e përgjithshëm,si po ndodh në shumë raste në vitet e fundit.
Në rastin e stadiumit dominuan vetëm interesat e grupeve të caktuara të interesit të ndërlidhura me strukturat aktuale në pushtet,e jo argumentet profesionale të cilat nëse do të bëheshin,do të ishin kundër zgjidhjes së miratuar nga ana e Këshillit Kombëtar të Investimeve.
Që të jetë absurditeti edhe ma i madh lokacionin e ka përcaktuar MKRS duke u bazuar në një vendim të veçantë që kishte marrë Qeveria e Kosovës në vitin 2014, pa u bazuar në ndonjë dokument hapësinor apo urban në fuqi.
E vërtetë është e kundërta, as Plani Hapësinor i Kosovës,as ai Komunës së Prishtinës por as Plani Zhvillimor i Prishtinës të cilët janë ende në fuqi, nuk parashohin një kompleks të tillë sportiv nacional. Në bazë të cilave kritere hapësinore dhe urbane u definua lokacioni ?
Askush nuk duhet të jetë kundër zgjidhjeve të reja hapësinore apo urbanistike,sot kemi të bëjmë me Planifikim Hapësinor Strategjikë që e karakterizon fleksibiliteti në zgjidhjen e kërkesave posaçërisht urbane, por duhet respektuar disa rregulla ligjore urbane, që në Kosovë nuk përfillën as nga organet ma të larta shtetërore Qeveria apo MKRS në rastin konkret.
Po jetojmë në dekadën e dytë të shekullit të ri,që moti kanë kaluar kohërat kur janë marrë dhe miratuar vendime urbanistike pa argumente të forta profesionale,kurse vendimmarrësit tonë edhe sot janë duke vepruar me të vjetrën pa u brengosur për pasojat që do të pësoj territori i shtetit apo si do të funksionoi ai kompleks sportiv me stadiumin në vete.
Kjo tregon një realitet të hidhët se si ne i qasemi shfrytëzimit joracional të territorit të vendi tone,që aq në mënyra vandale po e shkatërrojmë nga nivelet ma të larta shtetëror.
E çka po ndodh me qytetarët e thjeshtë në fushën e urbanistikës as që ia vlen me diskutuar,vetëm në kryeqytet i kemi të evidentuara mbi 40 000 ndërtime pa leje e askujt kurrgjë.
Ata as që donë të mendojnë të iu nënshtrohen rregullave elementare që i imponon jeta në një vendbanim,që duhej të ishte bashkëjetesa e përbashkët urbane dhe respektimi i disa rregullave (ligjeve) për të mirën e të gjithë neve që jemi të detyruar të jetojmë në qytet.
Praktika e mos përfilljes së dokumenteve hapësinore dhe urbane nga ana e vendimmarrësve të nivelit Qendror dhe të atyre Komunal është dukuri normale në vitet e pas luftës. Edhe aty ku ka pasur ose janë përpiluar këto dokumente hapësinore dhe urbane,kanë shërbye vetëm për zhvatjen e parave të shumta dhe zbukurimin e rafteve të zyrave qeveritare dhe komunale.
Edhe një e dhënë është dëshpëruese në procesin e përpilimit të dokumenteve hapësinore dhe urbane në të gjitha vendbanimet kryesore në Kosovë. Kualiteti i punëve të projektuara për tu realizuar është shumë i dobët,i bazuar në të dhëna jo të sakta e mbi të gjitha jo realiste.
Gati të gjitha çështjet kryesore për të cilat edhe miratohen këto dokumente dështojnë, në pa mundësi me u realizuar për shkak të mangësive substanciale dhe kreativitetit uban.
Vetëm një rast konkret,për shkak të mosdijes kronike janë kontraktuar punimet në renovimin e stadiumit të qytetit të Prishtinës për ta aftësuar për gara ndërkombëtare. Janë ndarë mjete bukur të mëdha materiale,afro 5 milion euro nga ana e MKRS dhe Komunës së Prishtinës.
Kontraktohen dhe fillojnë punimet në renovim të stadiumit,në ndërkohë një komision ndërkombëtar i UEFA-s konstaton se projekti i renovimit të stadiumit ka mungesa të dukshme të cilat duhemi me i plotësuar, nëse dëshirojmë të garojmë në garat e tyre,e ky ishte qëllimi i ynë parësor për momentin.
Nuk e kamë të qartë si dikush mundet me projektuar pa i respektuar kriteret,
normat dhe standardet ndërkombëtare sportive në fuqi,kjo është abc-eda fillestare në fushën e projektimit.
Nuk jam në dijeni me detalet por dikush duhet të jep përgjegjësi, për rritjen e kostos së ndërtimit si dhe për kohën e re të humbur për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në Kosovë.
Raste të tilla ku janë keqpërdorur dhe humbur mjete të mëdha materiale ka shumë, si me ndërtimin e gabueshëm të palestrave - hallave sportive (tribunat pë shikus) në disa qytete tona,e shumë raste tjera jo vetëm në fushën sportit në shekullin e ri.
Kjo formë e punës që po aplikohet tërë kohën ne shekullin e ri 21 nga të gjithë vendimmarrësit tonë pa dallim nga përkatësia partiake, tregon një të vërtetë të hidhët se ende jemi duke vepruar bashibuzukçesi në shekullin e 19-të, kur në këtë vend nuk ka pasur fare Dokumente Hapësinore dhe urbane, të cilat si të tilla fare nuk i respektojmë.
Së paku dikur me atë nivel primitiv të zhvillimi të territorit tonë është respektuar kodi etik dhe moral i pa shkruar,e sot ku jemi katandisur kështu.
/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/