Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme vs Energjia elektrike
Shkruar nga Mr. Lulzim A. Beqiri
Barrierat dhe pengesat me të cilat përballen bizneset gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre ditore përbëjnë aspekte të ndryshme dhe janë të lloj-llojshme.
Ndër vështirësitë më të shpeshta me të cilat ballafaqohen bizneset në aktivitetin e tyre ditore operacionale është rryma elektrike, infrastruktura e keqe, konkurrenca jo lojale, mungesa e sundimit të ligjit, si dhe niveli i lartë i taksave.
Një nga kushtet esenciale për funksionimin normal të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) është furnizimi i bollshëm me energji elektrike. Mungesa e furnizimit me energji elektrike ka penguar në masë të madhe konkurrencën e ekonomisë kosovare.
Pothuajse të gjitha anketat e bëra me biznese kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre. Republika e Kosovës ballafaqohet me reduktime të ashpra të rrymës, përderisa qëndron në rezervat e treta të linjitit në Evropë.
Në rajon ku ka rritje të kërkesës për energji elektrike në dritën e mungesës së furnizimit, Kosova mundet së paku të prodhojë energji për vetveten.
Faturimi dhe inkasimi janë ende shumë të ulëta. Korporata energjetike e Kosovës, KEK, mesatarisht inkason 65% prej energjisë që prodhon që ka rezultuar me një humbje prej rreth 36 milionë eurosh. Humbjet e shkaktuara si pasojë e kësaj barten tek konsumatorët.
Gjendja e tanishme është veçanërisht e çuditshme duke marrë parasysh faktin se Kosova dikur ka qenë eksportuese e energjisë elektrike. Kosova mund të mos ketë resurse të naftës ose gazit natyror, mund të ketë probleme ekonomike e politike, por ajo ka rezerva të mëdha të linjitit - një lloj i thëngjillit që përdoret kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike.
Prandaj, ekziston potenciali që ajo sërish të eksportojë energji, por mungojnë kapacitetet për një gjë të tillë.
Ekziston një numër i madh i humbjeve teknike në rrjet sepse ka pasur pak investime në rrjetin e transmetimit. Dy termocentralet Kosova A (mbi 45 vjet) dhe Kosova B (mbi 20 vjet) nuk mund ti plotësojnë nevojat e konsumatorëve dhe për çudi shtrenjtohet ende edhe pse edhe pse ia ka nxire jetën ndërmarrësit kosovar veçanërisht me reduktime të ashpra.
Ato kanë nevojë permanente për riparime dhe shuarjet e shpeshta janë duke shkaktuar edhe më shumë reduktime të rrymës.
Gjatë sezonit më kulminant në dimër, KEDS detyrohet të importojë energji elektrike të shtrenjtë, të paguar me subvencione nga buxheti i Kosovës.
KEDS po ashtu ballafaqohet me shumë reforma qeverisëse. Kosova më në fund ka bërë progres në harmonizimin ligjor dhe është përpjekur të harmonizojë nevojat për të plotësuar obligimet nga Traktati i Komunitetit të Energjisë me tërheqjen e investitorëve privatë.
Mbesin sfida të mëdha për tu adresuar në lidhje me implementimin e ligjeve dhe politikave të energjisë, duke përfshirë zbatimin e pagesave të rrymës, menaxhimin e kërkesës duke harmonizuar tarifat me koston dhe krijimin e kushteve për investime të jashtme në industrinë e energjisë së Kosovës si bazë për zhvillim ekonomik.