23 Dhjetor 2024

Na ke ndihmuar, por edhe na ke...!

Shkruar nga Zejdush Kastrati

Diplomati është njeri që mendon dy herë para se të mos thotë asgjë (W. Churchill)

Është vështirë të gjendet ndonjë shqiptar, e veçanërisht nga Kosova, i cili e ka në zemër e shpirt Kosovën, kurse në anën tjetër i akuzon, i urren dhe i mallkon Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kuptohet, pa SHBA-të, e ndonjë shtet tjetër, si Gjermania..., të cilat edhe janë sponsoruesit dhe aksionarët kryesorë të kësaj lirie që po e gëzojmë dhe të cilat me angazhimin e tyre jo vetëm më 1999 por edhe më herët, e edhe pas largimit të forcave serbe nga Kosova, gjithnjë, për të mirën tonë, sakrifikuan edhe gjakun, edhe mundin, por edhe kapitalin, andaj me plot të drejtë gëzojnë respekt dhe janë më të besueshmit e të respektueshmit, në çdo aspekt.

Në veçanti, ushtarët amerikanë, qofshin ata të kampit më të madh ushtarak në Kosovë – atij të Bondstillit, më herët edhe të atij Monteith në Gjilan, dhe një kampi tjetër në Viti, në çdo aspekt, gjatë çdo lëvizjeje, nëpër gjitha lokalitetet e sektorit të Lindjes, janë pritur si heronj dhe, edhe sot, nuk janë raste të rralla kur nëpër lokale hoteliere, ndeja e ahengje të ndryshme, me pietet flitet për raportet dhe sjelljet shumë njerëzore e humane ndërmjet ushtarëve amerikanë dhe popullatës lokale, duke përmendur edhe miqësi të reja, martesa e korrespondenca që kanë vazhduar e po vazhdojnë edhe pas largimit të disa prej tyre, apo transferimit të tyre në shtete tjera.

Zaten, këtë konstatim e fuqizojnë edhe shumë raste që kanë ndodhur, e po ndodhin, edhe tani, qoftë në veri të Mitrovicës, kur me angazhimin e ushtarëve amerikanë gjendja e sigurisë po merr dimension shumë pozitiv, por edhe në lokalitete tjera, andaj besimi dhe respekti, sa i përket SHBA-ve, mund të themi se nuk është luhatur dhe zbehur përkundër fërkimeve, polemikave dhe ashpërsimit të gjuhës mes ambasadorit në largim, Christopher Dell, dhe pronarëve të një mediumi elektronik, përkatësisht një gazete ditore.

I nderuari ambasador Dell dhe e nderuara ambasadore Jacobson!

Për të qenë korrekt me opinionin dhe me të vetmin qëllim e dëshirë, si gazetar dhe banor i kësaj Kosove, e i këtij vendi, dua të flas vetëm si vëzhgues dhe vlerësues neutral, që edhe profesioni më obligon ta them e ta shpreh (edhe nëse gaboj), e kuptohet se, në radhë të parë, vetëm falë juve kemi arritur edhe të na krijohet mundësia të komunikojmë lirshëm e të shprehim edhe mendimet e qëndrimet tona, pa pasoja të mëdha, edhe në raste kur ato nuk i pëlqejnë dikujt, edhe kur thuhet e vërteta, andaj më lejoni të them e të paraqes edhe disa veprime të ambasadorit në largim, që në momente dhe raste të caktuara, gjatë mandatit të tij që po përfundon, patën marrë kahe të dëmshme dhe fatkeqësisht patën krijuar herë-herë edhe huti e dilema, por edhe situata e momente për parashtrim pyetjesh, por pa kërkim decidiv edhe të përgjigjeve, të cilat nuk besoj se ky popull do t’i duronte që dikush tjetër t’i bënte dhe ai t’i kapërdinte.

Nuk dua të detalizoj rastet dhe të flas vetëm “zi” për ambasadorin në ikje, sepse me shumë veprime, dhe atë shumë konkrete, në veçanti në momente delikate që ka pasur Kosova gjatë mandatit të tij, pa veprimin e tij energjik shumë gjëra do të eskalonin në ekstrem dhe pasojat do të ishin të paparashikueshme, por janë edhe disa momente të cilat pothuaj me muaj të tërë i ka kërkuar e po i kërkon opinioni kosovar, që t’i dijë dhe të njoftohet se pse ndodhën dhe si ndodhën.

Gjëja e parë dhe që vështirë mund t’i falet ambasadorit Dell, është se me dijen e këtij ambasadori, apo pa dijen e tij, si gjithnjë, rreziku më i madh për Kosovën ka qenë, është dhe do të jetë kur tipa njerëzish shumë dinakë, gjithnjë servilë dhe lakej e puthadorë, apo zvarranikë të ndryshëm, janë shtirë dhe kanë mbështetur, qoftë përmes medies, debateve, në institucione... pikërisht këtë ambasador, duke u thirrur gjithnjë në emrin e tij personal dhe të shtetit që ai përfaqëson, e në anën tjetër kanë keqpërdorur, kanë keqmenaxhuar, kanë abuzuar e kanë vjedhur pasurinë, kapitalin e buxhetin e këtij vendi.

Rasti tjetër është ai i një ish-subjekti politik, i cili qe mbështetur me gjithë fuqinë intelektuale dhe mediatike nga ambasdori Dell, e që në fund pësoi fiasko me rastin e zgjedhjeve (është fjala për FER-in) në një anë, dhe përbuzja, apo injoranca publike, që iu bë një subjekti tjetër politik, po në atë kohë të fushatës zgjedhore, e që sot ai subjekt është pjesë e Parlamentit të Kosovës (flitet për Vetëvendosjen), duke u deklaruar publikisht se nuk do të vizitohet kurrsesi nga ai, por ndërkohë, me rastin e vizitës së zëvendësndihmëssekretarit të Departamentit të Shtetit, edhe ky ambasador ishte në vizitë, dhe ky veprim ka lënë një pikëpyetje të madhe se cili ishte qëndrimi amerikan për këtë subjekt politik, apo ambasadori veproi krye në vete!

Edhe një rast tjetër, që i “faturohet” ambasadorit në ikje, e që nuk e ka “paguar”, është edhe deklarata e tij kur, në zgjedhjet e fundit, pikërisht ky ambasador, i pari tha se në këto zgjedhje janë bërë “vjedhje industriale të votave”, që ishte një e vërtetë e pakontestueshme dhe e deklaruar edhe nga mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë e vendorë, por sanksionimi dhe penalizimi i atyre që organizuan dhe zbatuan këtë strategji e këtë skenar, asnjëherë nuk u përfill në praktikë.

Pse u hesht dhe nuk u veprua në këtë rast, edhe kjo çështje është një pikëpyetje e madhe që opinioni ka kërkuar ta dijë.

Lëndimi më i madh këtij vendi e këtij populli nga po ky ambasador iu bë me “rastin Pacolli”, kur me veprime, koordinime, shantazhe e “sms”-a, u “dhunua” Kuvendi dhe “me hu në krah” u zgjodh Pacolli për president të Kosovës, një skandal që po ky ambasador tentoi ta zgjidhë edhe me kërcënim ndaj medies dhe gazetarëve.

Pra, është edhe ky një nga veprimet që, me të drejtë, shumica e kosovarëve, largimin e Christopher Dell-it e presin si lehtësim, por me shpresë se Ju, znj. ambasadore e re, do të jeni shembull jo vetëm i një diplomateje të rryer, por edhe si një përfaqësuese e një vendi ku ka lindur dhe ku është model demokracia e mirëfilltë, që këtë frymë ta mbillni edhe te ne.

Vendi im, për momentin, ka nevojë për shumëçka, por si për “bukën e kripën”, që ka njeriu nevojë, më së tepërmi Kosova ka nevojë për të qenë shtet i së drejtës dhe i sundimit të ligjit. Më në fund, dikush duhet treguar liderëve kosovarë se partitë politike janë bërë për popullin, e jo për ta.

Këtë mund ta bëni realitet dhe ta jetësoni vetëm ju, znj. Ambasadore, me shtetin që përfaqësoni dhe askush tjetër, sepse keni dëshmuar shumë herë deri më tani edhe në shumë vende të tjera të botës.

Gjatë këtyre ditëve, kur po trumbetohet se EULEX-i a duhet të jetë brenda apo jashtë Kushtetutës së Kosovës, do të ishte mirë që pikërisht SHBA-të të jenë brenda kësaj Kushtetute, sepse ata të parët e meritojnë një gjë të tillë dhe janë garanci për zhvillimin dhe mirëqenien tonë.

Suksese, znj. Ambasadore!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)