Na ishte dhe na është UP-ja kështu si është!
Berat ARMAGEDONI
Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina sot nuk e ka cilësinë më të dobët sesa e kishte kur është themeluar Universiteti i Prishtinës, as se ka edhe atëkohë kur kishte bërë një traditë dhjetëvjeçare të punës. UP-ja, prej që ekziston, ka pasur studiues të shkëlqyeshëm, artistë të shkëlqyeshëm, profesorë të shkëlqyeshëm, studentë të shkëlqyeshëm, studime të shkëlqyeshme, nota të shkëlqyeshme.
Po ashtu, UP-ja, prej që ekziston, ka pasur studiues të dobët, artistë të dobët, profesorë të dobët, studentë të dobët, studime të dobëta, nota të dobëta. Edhe sot ky universitet ka të tillë, të shkëlqyeshëm e të dobët. Por, ndryshe prej viteve të para të punës së tij, UP-ja sot nuk ka kontroll të studimeve siç kishte atëkohë kur është themeluar e kur ka vazhduar tu japë dije e diploma kandidatëve të studimeve themelore, atyre të magjistraturave e të doktoraturave, se tash ka studentë më shumë, se tash ka fakultete më shumë, se tash ka departamente më shumë, se tash ka kulturë gjuhësore më të mangët e më të shmangët.
Sot UP-ja e ka një rregullore për studime të masterit, e ka edhe një rregullore tjetër për studime të doktoraturës. Pak prej këtyre dy rregulloreve i njohin disa profesorë të UP-së, edhe më pak se ta shumica e studentëve të UP-së. Duke mos pasur njohuri këta profesorë e këta kandidatë të këtyre studimeve për këto dy rregullore, punimet e masterit e të doktoraturave edhe po përgatiten keq, edhe po përgatiten pa pasur nivel të shkrimit akademik punimet e kandidatëve të mastereve e të doktoraturave, duke u munguar disave prej tyre literatura, shumicës prej tyre fusnotat.
Duke u munguar, po ashtu, njohuria që fjalën e huaj të dinë ta shqipërojnë e shqipen ta shkruajnë shqip.
Po kush është fajtor për punime të tilla të dobëta, jashtëzakonisht të dobëta: mentori apo kandidati, kryetari i komisionit apo anëtarët e tij?
Të gjithë, edhe kandidati, edhe mentori, edhe kryetari i komisionit, edhe anëtarët e tij.
Kandidati i dobët, i cili nuk zotëron dije teorike e as praktike për hartim të punimeve të tilla, edhe pse ka lakmi që para emrit të vet ta vë një titull shkencor, është e pritshme që do të shkruajë një punim të dobët. Është e pritshme, po ashtu, që një kandidat i dobët do të zgjedhë edhe një mentor të dobët, (se i miri si bëhet mentor), i cili, punën e vetme që mund ta bëjë me kandidatin, është tia prezantojë një temë dhe ti thotë, pasi tia dorëzojë punimin për herë të parë e pa ia lëshuar sytë brendisë së tij, lidhe punimin, para se ti shkojë mendja ti thotë: rishikoje punimin, ndryshoje punimin, redaktoje punimin, plotësoje punimin me literaturë, lekturoje punimin e, kur ta bësh këtë draft tjetër, me këtë vargmal sugjerimesh, ma sill edhe një herë që ta shoh se çndryshime ke bërë e çmund e çduhet të bësh ndërkohë.
Këtë komunikim duhet ta ketë secili mentor me secilin kandidat të këtyre studimeve, nëse duan që ky bashkëpunim ti bëjë më të mençur e më të arsyeshëm në punë, madje edhe me ata të studimeve baçelor, qofshin ata mes vete: kandidati i biri i mentorit.
Desha të kujtoj me këtë rast se prej vitit 2004 deri më tash kam marr pjesë në qindra mbrojtje të punimeve të diplomave, të masterit e të doktoratave.
Në asnjë mbrojtje, çuditërisht, skam dëgjuar që një anëtar i komisionit, absolutisht mentori i tij, e ka kritikuar filan kandidatin për punim të dobët ose i ka dhënë vërejtje publike për filan të mete. Të gjithë, njëzëri, i kam dëgjuar se kanë deklaruar: punimi i masterit ose i doktoratës i Filan Fistekut është serioz, është i veçantë, i jashtëzakonshëm! Mund të jetë kështu siç deklarojnë dhe siç vazhdojnë të deklarojnë edhe sot shumë profesorë të Universitetit të Prishtinës për kandidatët e tyre e punimet e tyre. Por, pyetja që duhet shtruar tash është, sa për qind të këtyre punimeve të masterit e të doktoratave, qoftë atyre që janë mbrojtur në UP, qoftë atyre që janë mbrojtur në kolegje private, sot janë bërë libra, janë botuar nga UP-ja, nga shtëpitë botuese, që qarkullojnë si libra fizikë ose elektronikë në librari?!
Pse këto punime, të cilave, gjatë mbrojtjes së tyre nga kandidatët, u janë dhënë epitete të punimeve studimore të jashtëzakonshme nga mentorët e anëtarët e komisioneve, sjanë botuar?! Nëse janë të të jashtëzakonshëm, pse smund ti lexojmë si të zakonshëm e zakonisht?! Sa janë studimorë? Si shkruhet shqipja në ta dhe çfarë shkruhet në ta?!
A ka plagjiaturë në ta?! Pse UP-ja, në uebfaqen e vet, se hap edhe një rubrikë, që punimet e masterit e të doktoratave të kandidatëve të të gjitha fakulteteve, ti mbledhë një nga një e ti publikojë aty, që ti gjykojë opinioni publik para se ti mbrojnë e ti publikojnë?! Mjafton që dhjeta veta ti lexojnë e pesë prej tyre disa fjalë për ta ti thonë. Dhjetë sy shohin më shumë se dy sy. Pesë mendje mendojnë më shumë dhe më mirë se një mendje. Prandaj jam fort i bindur, se derisa UP-ja sia nis edhe kësaj procedure, për bërje publike të këtyre punimeve të masterit e të doktoratave të kandidatëve në uebfaqen e vet, veprim të cilin duhet ta ndjekin patjetër kolegjet private, UP-ja e kolegjet do të vazhdojnë të diplomojnë masterë e doktorantë analfabetë, edhe ti punësojnë ndërkohë në shtëpitë e veta e të prodhojnë ndërkohë këta kësi siç janë vetë!
Prandaj, jorastësisht në fillim të këtij teksti thashë se UP-ja ska qenë më i mirë sesa është sot, por UP-ja mund të bëhet më i mirë sesa ishte atëkohë dhe është sot. Se këtij Universiteti i duhet një njeri që kërkon një reformë të tillë, jo një rektor që u kërkon atyre karrieristëve punime në revista me impact factor. Tekefundit, dhjetë herë më i çmueshëm është një punim i nivelit të lartë studimor, që i nënshtrohet gjykimit publik, që ka kulturë shkrimi dhe kulturë akademike, sesa një punim dhjetërafaqesh i publikuar në një revistë të këtillë që ka një grusht redaksi, që më parë sesa prezantimi në të, duhet të paguhet publikimi në të.
Dhe çështë me rëndësi, punimet e publikuara në ato revista, të karrieristëve të UP-së, si konsumojmë në Kosovë, kurse librat e botuara të tyre këtu mund ti kemi për çdo ditë nëpër duar e ti vlerësojmë jo siç duam, por siç e kanë bërë punën në to autorët e tyre së bashku me mentorët e anëtarët e komisionit të tyre.
Qosja ka lëshuar pe, por është penduar
Akademik Rexhep Qosja, kur ishte profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitet e 70-80-ta, atëkohë u jepte tema të magjistraturave e të doktoraturave studentëve të Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Në disa raste ishte mentor i kandidatit, në raste të tjera anëtar i komisionit për vlerësimin e punimit të kandidatit. Punimet e mira i vlerësonte për të mirë, punimet e këqija i vlerësonte për të keq edhe para kandidatëve e familjarëve të tyre, edhe para anëtarëve të komisioneve, edhe kryetarëve të tyre dhe sekujt tjetër që ishte i pranishëm në mbrojtje të tyre.
Dy prej atyre punimeve të dobëta, të cilat, sipas Qosjes, sështë dashur të pranohen për mbrojtje, i ka përmendur në librin Dëshmitar në kohë historike (1975-1978): Ditar II, Toena, Tiranë, 2014. Qosja si përmend emrat e autorëve të tyre por ne, duke bërë një kërkim se kush ka magjistruar në vitin 1976 Mbi krijimtarinë letrare të Esad Mekulit e kush tjetër për Krijimtarinë letrare të Hivzi Sulejmanit, kemi vënë re se autor i punimit të parë është Milaim Berisha, i punimit të dytë Ibrahim Veliu. Këta të dy as i njoh as i kam parë. Përpos për këta dy kandidatë e këto dy punime, Qosja në ditarët e vet shkruan edhe për disa kandidatë të tjerë, punimet e të cilëve i zhvlerëson jashtëzakonisht shumë, disa prej të cilëve sot janë profesorë e ligjërojnë në Universitetin e Prishtinës e në kolegje private.
Këto dy gabime të lëshuara atëkohë, kur për njërin kandidat ishte mentor i tij e për kandidatin tjetër anëtar i komisionit të tij, sot e kanë vrarë ndërgjegjen e Qosjes, sepse i publikon ato shënime që i ka mbajtur në vitin 1976.
Ja se çshkruan Qosja në ditarin e vet të dytë për punimet e këtyre dy vetave që jua përmenda:
21.12.1976
Gjithë dita më shkoi duke e lexuar punimin e magjistraturës të kandidatit XY mbi krijimtarinë letrare të Esad Mekulit. Punim të këtillë magjistrature deri tani nuk kam pasur në dorë: është jashtëzakonisht i dobët. Nuk i kupton mirë çështjet letrare për të cilat shkruan; nuk di ti kompozojë krerët e punimit; nuk ka kulturë të shkrimit; nuk di as të citojë si duhet. Shkurt e shqip: i mungon dhuntia për studime historiko-letrare. Çka mund të bëj me këtë punim posaçërisht të dobët magjistrature?
Tia kthej ta ripunojë? Nuk jam aspak i sigurt se mund të bëjë farë përmirësimesh të vlefshme. Spirancat e tij nuk mund të shkojnë më thellë. Ta refuzoj plotësisht si punim magjistrature më vjen keq: do të dëshpërohej shumë; refuzimi do ti sillte dhembje të madhe. Çka të bëj? Çka të bëj? Ti mbyll sytë e ta pranoj? Do të më brejë ndërgjegjja.
Do të më brejë ndërgjegjja e refuzova a e pranova. Më mirë të pajtohem me brejtje ndërgjegjeje pse e pranova sesa me brejtje ndërgjegjeje pse e refuzova duke i shkaktuar shumë dhembje autorit. (Shihni librin e përmendur më sipër të Qosjes faqe 224)
25.12.1976
Isha në komisionin për mbrojtjen e magjistraturës me titullin Krijimtaria letrare e Hivzi Sulejmanit të kandidatit XY. Ishte ky një punim aq i dobët sa mund të quhej skandaloz. Nuk e kuptoj pse dhe si u lejua ky kandidat të dalë në mbrojtjen e një punimi të këtillë në qoftë se mund të përdoret fare fjala për punim për të! Të refuzoja ta nënshkruaja referatin vetëm unë? E papëlqyeshme? E keqkuptueshme! Duke e lejuar që të bëhet magjistër me një punim aq të dobët ne në të vërtetë i bëjmë dëm vetë autorit, por u bëjmë dëm edhe kandidatëve të tjerë që bëjnë punime të magjistraturës. Për ta mënjanuar mundësitë që të bëhen mbrojtje magjistraturash me punime kaq të dobëta është e nevojshme të bëhet me kohë, gjatë regjistrimit, përzgjedhje e studentëve të shkallës së tretë. (Shihni librin e përmendur më sipër të Qosjes faqe 230)
Dhe këto pyetje retorike për fund që skanë fund, të cilave mund tu jepni përgjigje vetë, ashtu siç është edhe logjika e pyetjeve retorike, të cilave ua dini përgjigjen sapo i dëgjoni: Pse profesor Qosja, pse ata anëtarë të komisionit kanë lejuar të magjistrojnë studiues të tillë?! Pse UP-ja edhe sot, pas kaq vitesh punë të themelimit, duhet të magjistrojë e të doktorojë kandidatë të tillë, puna e të cilëve mund të përmendet në të ardhmen në ndonjë ditar të ndonjë shkrimtari tjetër?! Pse UP-ja se bën një këshill, puna e të cilit do të ishte të gjykonte për punimet e kandidatëve e të mentorëve të këtillë, që lëshojnë pe kur duhet të kenë kritere e qëndrim?!
Për të dhënë përgjigje në këto duhet të mendojnë UP-ja, Këshilli Drejtues i tij e dekanët e fakulteteve të tij, kurse një gjë di tju them, se studimeve në fakultet sduhet tua mësyjnë njerëzit e dhembshëm e as të dëmshëm, as sduhet të ligjërojnë në fakultete profesorë që ndjejnë keqardhje, që skanë dije e as skanë dëshmuar me punë se janë profesorë të nivelit të lartë. Pra, UP-së sot, më shumë se kurrë, i duhen profesorë seriozë, që shprehen seriozisht, që mendojnë seriozisht, që vlerësojnë seriozisht që, më parë sesa ndjejnë keqardhje, duhet tu bëjnë kandidatëve qare! Vetëm kështu, duke pasur profesorë seriozë e kandidatë seriozë, ngrihet UP-ja e shkon teposhtë padituria!