Na bashkoi kënga popullore, na ndau arroganca dhe injoranca politike
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
Hedhja vallës injorancë
: Sa ishim në burgun e parë në Foçë dhe Mostar, me Rexhep Malën, Skender Kastratin dhe Agim Sylejmanin, nevoja për tu informuar për ngjarjet në Kosovë, Shqipëri, Jugosllavi dhe reagimet e shteteve kryesore vendimmarrëse për këto zhvillime na detyronin të bënim çmos për të siguruar një transistor në mënyrë që ti dëgjonim të gjitha radiostacionet që ishin në interes për ne.
Siguronin radio dore por pas një kohe ndodhte që dikush nga të burgosurit të na denonconte dhe pas një kontrolle të detajuar të policisë, transistori konfiskohej ndërsa dikush nga ne përfundonte në vetmi.
Në të vërtetë, gjithmonë kur ndonjëri nga ne ka shkuar në vetmi, reagimi ka qenë i të katërtve andaj kanë qenë të kujdesshëm në raport me të burgosurit politikë! Radioja paguhej me çmim të kripur dhe ne e përballonim këtë sepse ishte burim i informatave shkaku se në burgjet jugosllave zbatohej një censure e rreptë, sidomos ndaj të dënuarve politikë.
Top emisionet e interesit tonë ishin emisionet e Radio Tiranës, RFI, Dojçe Velle, Zëri i Amerikës, BBC, radiostacionet e Jugosllavisë, të BRSS dhe të Kinës. Mund të thuhet se për sa kohë kishim transistor, kishim shumë informata dhe e bënim klasifikimin në përputhje me ate që e dëshironim.
Në qendrën e paraburgimit në Mostar ku na mbanin të veçuar nga të burgosurit politikë shqiptarë që i sollën në Foçë për shkak të mungesës së kapaciteteve (numri i të burgosurve dhe i të dënuarve për faje politike i shqiptarëve në Jugosllavi ishte jashtëzakonisht i madh) Rexhepi apo Skenderi e futën një transistor modern dhe të sofistikuar të cilin, për të mos rënë në dorë policëve që na kontrollonin, e futëm nën një dërrasë të dyshemesë, pasi që paraprakisht Rexhepi, me një lugë të ushqimit e bëri vendin kurse unë e hudhja betonin dhe dheun e gërryer në guacën e WC-së.
Çdo herë kur kishte kontrollë policore ndodhte që polici qëndronte me këmbë mbi transistor dhe asnjëherë nuk e kuptuan këtë. Rexhep Mala u lirua me 22 maj 1983 kurse unë u lirova me 25 maj 1983 dhe transistori u mbeti për shërbim Skender Kastratit dhe Agimit.
Në burgun e Mostarit, pas një greve urie 8 ditëshe, arritëm një fitore sepse na instaluan një autoparlant dhe na lëshonin emisione në gjuhën shqipe nga zyra e policit kujdestar i cili ndodhte, që në vend të Prishtinës, ta lëshonte Radio Tiranën dhe kur përmendej shpesh Tirana kërkonte nga ne ti tregonim përmbajtjen kurse ne i thonim se Azem Vllasi, Remzi Kolgeci, Fadil Hoxha, Kolë Shiroka, Ali Shukria dhe të tjerët po e kritikojnë Tiranën për irredentizëm sepse në atë kohë Radio Tirana lexonte pjesë të librit Titistët nga Enver Hoxha.
Në ndërkohë dëgjonim muzikë të shkëlqyer të Ansamblit Na Bashkoi Kënga Popullore , para se të fillonim dëgjimin intensiv të lajmeve.
Baca Adem me transistor unikal: Në llogorin e përqëndrimit në Stara Gradishkë, Baca Adem e kishte siguruar një transistor unikal të cilin ia kishte punuar nga kutia e sapunit një elektroinxhinier kroat, i burgosur politik. Ishte një transistor sapun që punonte shumë mirë dhe maskohej edhe më mirë sepse, si kuti sapuni mund të merrej në banjo apo pastrimore, pa rënë në dyshim.
Baca Adem, i vendosur në një dhomë hoteli pa banjo, pa ujë dhe pa WC por vetëm me një kavanoz të madh të metalit të ndryshkur që përdorej nga 36 të dënuar për të gjitha nevojat fiziologjike e kishte barrën kryesore për dëgjimin e lajmeve gjatë natës dhe të cilat na i tregonte në takimet e mëngjesit.
Pas një kohe, me që duhej të dëgjoheshin lajme edhe në gjuhën serbokroate, më caktuan që për një kohë ta zëvendësoj Bacën në dëgjimin e lajmeve dhe në mëngjes ua tregoja një përmbledhje të lajmeve kryesore.
Kur vinte koha tua tregojë lajmet e Radio Tiranës më konsideronin joserioz shkaku se gjithmonë e bëja një hyrje timen duke thënë se : këto lajme dhe të gjitha të arriturat i kemi duke e falenderuar Partinë e Punës së Shqipërisë dhe shokut, dikur Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Unë nuk e doja as Partinë e Punës e as shokët që i përmendja dhe lajmet i ktheja në humor.
Realisht, kur dëgjonim se sa kilometra rrugë i ka shtruar Partia, sa e sa ujësjellës janë përuruar falë Partisë dhe shokëve dhe sa lopë kanë pjellur pikërisht në saje të angazhimit të Partisë dhe shokëve, fitoje përshtypjen se jemi vendi më i zhvilluar në botë!
Në situata të vështira edhe nëse je i bindur se lajmi apo infotrmata nuk është e vërtetë disi fillon të besosh nga dëshira e madhe për të qenë ashtu e ne të gjithë e idealizonim Shqipërinë, deri në përmasa të joreales.
Unë isha i rezervuar prandaj e përballova lehtësisht takimin e parë me realitetin në Shqipëri pasi shkova atje, me një pasaport kroate, në vitin 1990, disa muaj pasi dola nga burgu! Shqipëria i ngjante Ferrit të Dante Aligerit dhe në imagjinatën më të shëmtuar nuk do të isha në gjendje ta portretizoj ashtu si ishte në të vërtetë!
Baca Adem ishte shumë i zhgënjyer, mos të them i thyer sepse, pas vizitës së parë në Shqipëri pati thënë se më i kënaqur do të ishte po të kishte vdekur me atë pasqyrën e vet idealiste për Shqipërinë se sa me realitetin që e pa gjatë kësj vizite .
Kush na solli në këtë gjendje: Në atë kohë na bashkoi kënga popullore por kush na ndau dhe pse na ndanë. Realisht, për gjendjen e mjerë të shqiptarëve, copëtimin e tokave shqiptare që edhe sot është proces aktiv, janë shumë fajtorë.
Po të kishte vullnet dhe largpamësi politike Perandoria Osmane, sot trojet shqiptare do të kishin mbi 120.000 km. sepse shqiptarëve do tua njihte pavarësinë të parëve e jo Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Malit të Zi, Serbisë etj.
Kjo Perandori, edhe kur hyri në procesin e kalbjes, i përdori të gjitha mjetet e dhunës për të shtypur kryengritjet e shqiptarëve për liri sikur edhe fali shumë toka shqiptare fqinjve ndonëse asnjëherë nuk ishin toka të këtyre grabitçarëve!
Pastaj e vazhdoi një mbret malok dhe pa asnjë pedigreje mbretërore, Mbreti Zog i cili, më shumë i shërbeu Serbisë dhe Italisë, se Shqipërisë. Shumë toka shqiptare i fali Malit të Zi dhe Maqedonisë ndërsa asgjësoi fizikisht ajkën intelektuale, politike dhe kombëtare shqiptare. Enver Hoxha bëri krime të llahtarshme kundër të gjithë atyre që e donin Shqipërinë e shqiptarëve e jo Shqipërinë e komunistëve.
Enver Hoxha e bëri diktaturën e proletariatit një mekanizëm për të shkatërruar çdo gjë shqiptare dhe fuqizoi çdo gjë antishqiptare.
E masakroi korpusin intelektual dhe kombëtar shqiptar dhe në këtë kontekst, së paku 60 -70 % të atyre që e nënshkruan Dokumentin e Pavarësisë në Vlorë, i vrau, i burgosi apo i internoi!
Sali Berisha që e sundoi Shqipërinë afërsisht 27 vite, ndonëse me Kushtetutën e Shqipërisë e ka pasur detyrim bashkimin e Kosovës, nuk bëri asgjë në këtë drejtim por e instaloi banditizmin, si mënyrë qeverisjeje.
Këta të tre, më së shumti e kanë dëmtuar Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen shqiptare sepse nuk e kanë përmbushur misionin historik siç ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, zgjidhja e çështjes çame dhe mbrojtja e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në Kosovë.
Madje, në shumë raste kanë punuar kundër interesave të shqiptarëve në ndërkohë që këta Tre Diktatorë (kush më i egër e kush më i moderuar) e kanë udhëhequr Shqipërinë së paku 80% të kohës, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.
Çështjen shqiptare e kanë dëmtuar edhe antikombëtarët shqipfolës që i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë, duke bartur poste të larta politike, në polici, ushtri, ekonomi, diplomaci. dhe në arsim.
Pjella e tyre gjenetike edhe sot punojnë kundër Kosovës dhe intereseve kombëtare. Ndarjen e kanë shkaktuar, me qasjen e tyre përjashtuese, sidomos pas përfundimit të luftës disa veprimterë të devotshëm kombëtarë, që nga idealistë janë shndërruar në materialistë dhe në grabitçarë të pangopshëm.
Tash, janë bërë sozi besnike e atyre kundër të cilëve kanë luftuar vite e vite me radhë! Çështjen kombëtare e kanë dëmtuar dhe po i bëjnë dëm të madh Kosovës ata që dikur kishin kurriz të pathyeshëm ndërsa sot janë shndërruar në servilë të pakthyeshëm!
Dëm të madh korpusit kombëtar po i shkaktojnë inxhinierët e gjenetikës që, me devijime të kromozomeve po bëjnë përpjekje ta ndajnë kombin shiptar në dy pjesë ; kombi dominant kosovar dhe pakica shqiptare.
Për këtë aventurë gjenetike janë deklaruar ata që me asgjë nuk kanë kontribuar për kombin shqiptar por u kanë shërbyer të gjitha regjimeve, nga ai i Jugosllavisë, i Serbisë deri te ai i UNMIK-ut, EULESH-it, masakruesit Ahtisari e deri te multietniku Thaçi!
Këta që po identifikohen si baballarë dhe majka të kombit kosovar janë vetëm burizanë të këtyre që i përmenda më lart! Kur ti kemi parasysh këto fakte, atëherë shumë mirë i kemi punët.
Kur ta kemi parasysh faktin se nëpër çfarë vuajtjesh kanë kaluar shqiptarët në Shqipëri nën regjimin e Tre Diktatorëve, atëherë mirë se janë gjallë!
Sporti, botën e bashkon, shqiptarët i ndanë: Në kohën kur në tërë botën ngjarjet sportive shërbejnë për ti bashkuar popujt, në Kosovë dhe në Shqipëri këto ngjarje e përcjellin vijën ndarëse të politikës duke shkaktuar përçarje, deri në armiqësi.
Në Shqipëri, të gjitha sukseset e kombëtares shqiptare lidhen me angazhimin vetmohues të shqiptarëve të Kosovës të cilët, kombëtares së Shqipërisë i dhanë shpirt dhe forcë, bashkë me shqiptarët që luajnë në klube të ndryshme të huaja!
Tash, me pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, janë formuar dy ekipe futbollistike, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës.
Dhe pikërisht në këtë hapësirë i ka futur hundët politika duke shkaktuar ndarje që përcillen me etiketime, fyerje, kërcënime dhe shantazhim! Është krijuar një mundësi jonormale që armiqësitë në fushën e politikës të barten në fushën e sportit!
Është krijuar një presedan ku, të gjithë ata që luajnë për kombëtaren shqiptare janë patriotë kurse të gjithë ata që luajnë për ekipin e Kosovës qenkan tradhëtarë!
E pabesueshme deri ku kanë ardhur gjërat dhe se në çfarë situatash na kanë sjellë injorantët e politikës që nuk kanë lënë të zezë pa i bërë pikërisht Shqipërisë dhe Kosovës! Tash sportin e (keq) përdorin për ta vazhduar armiqësinë politike, tash me mjete tjera, jopolitike!
Edhe lojtarët nuk e kanë të drejtën të përcaktohen lirisht se për kend do të luajnë, pa iu nënshtruar një poshtërimi njerëzor, moral dhe kombëtar.
Ata e pësojnë, pa fajin e tyre por për fajin e injorantëve politikë! Është një mundësi që çdonjëri të përcaktohet për ate që e ndjen dhe për çka beson apo për çka ka investuar tërë jetën.
Unë jam për kombëtaren kuqezi mirëpo në asnjë çast nuk flas keq për ekipin e Kosovës dhe është krejt e natyrshme që do të bëjë tifo për Kosovën në rast se mungon kombëtarja që unë e përkrah.
Unë nuk besoj në kombin kosovar dhe në asnjë variant nuk do të deklarohem si i tillë sikur që nuk do ta bëjnë as fëmijët e mi.
Kosova është vendi ku kam lind, ku jetoj dhe mbase ku do ta përmbyll jetën në rrugëtimin tim drejt Ferrit apo Parajsës!
Besoj se do të ndodhë bashkimi kombëtar dhe se ky ka hyrë në rrugën e pakthyeshme sikur që nuk i pranoj simbolet e imponuara e as nuk e pranoj Kosovën multietnike në një vend me më shumë se 90% shqiptarë!
Përkah homogjeniteti etnik, me Kosovën mund të krahasohet vetëm Polonia dhe Sllovenia kurse të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish Jugosllavia janë shumë më multietnike se Kosova por në Kushtetutat e tyre shkruan se janë shtetet të serbëve, malazezve, maqedonve, kroatëve, sllovenëve kurse vetëm në Kushtetutën e Ahtisar Kosovës nuk specifikohet komponenta etnika si përcaktuese dhe pasqyruese e përmbajtjes së shtetit.
Pse do të duhej të pranohej imponimi që tradhëtarët në politikë të jenë edhe tradhëtarë në sport kurse patriotët në politikë domosdoshmërisht janë patriotë në sport. Më brengos shumë lehtësia me të cilën dikush shpallet tradhëtar sikur edhe siguria me të cilën dikush shpallet patriot!
Le të përcaktohet dikush si të dojë dhe si të ndihet dhe mos ta pengojë përcaktimin e tjetrit. Nëse dikush deklarohet si përkrahës i kombëtares së Brazilit, Gjermanisë apo Anglisë, me çfarë epiteti do ta cilësojmë ?!
Ndikimi i sportit ështi i kufizuar sepse ai i bashkon njerëzit vetëm në fushën e sportit kurse fuqia e tij është e pamundur jashtë kësaj fushe.
Atje kanë ndikim politikanët, për të mirë apo për të keq, është përcaktim apo zgjedhje e tyre kurse e jona është a tu bindemi apo ti refuzojmë!
Nuk duhet të harrojmë se para se të jemi shqiptarë, jemi njerëz dhe duhet të sillemi në përputhje me këtë!
Prandaj, respekt për ata që i shërbejnë njerëzimit, nga politika si një profesion me ndershmëri të ulët deri te sporti, me një ndershmëri të lartë !