Muajt e timit e të flakës në Kosovë
Shkruar nga Xhevat Bislimi
Muajt e verës dhe të pushimit, korriku dhe gushti, janë kthyer në muaj të timit e të flakës! Ngado që të shkosh nëpër këtë copë tokë shqiptare veç tim e flakë shikon! Kudo era shkrumb e hi i vjen Kosovës! Të krijohet përshtypja që njeriu ynë vetëm të djegun e do këtë vend!?
Nuk më besohet kur shikoj kudo tim e flakë nga dora e njeriut tonë! A thua e duamë tokë të djegur vendin tonë?! Imagjinoni një të huaj që kalon për herë të parë nëpër këtë vend. Mendimi i parë: Vend pa qeveri, pa pushtet, vend i shkretë, shoqëri e hallakatur... Mendimi i dytë: Njerëz të krisur, të çmendur, që djegin tokën e tyre... Lëre që nuk funksionon pushteti vendor e qendror, po nuk ka as ndërgjegjie dhe as vetëdije qytetare.
Priftërinj e hoxhallarë gjithë kohën tregojnë përralla arabe e historira çifute dhe u flasin besimtarëve për botën e amshueshme (të përtejme) po kurrë nuk u shkonë në mendje t\'i edukojnë dhe mësojnë besimtarët e tyre si ta ruajnë, zhvillojnë dhe mbrojnë jetën dhe natyrën ku jetojnë, mjedisin e tyre - dhuratën më të madhe që Zoti i ka bërë njeriut...!! Edhe nga aspekti fetar duhet t\'u thuhet këtyre njerëzve të çmendur se është mëkat i madh të digjet toka, sepse aty digjen edhe miliona mikroorganizma që janë të domosdoshëm për jetën dhe sistemin ekologjik...
Tu thuhet se është shumë më mëkat ta djegësh tokën dhe ta dëmtosh e ndotësh ajrin që na mbanë në jetë se sa të mos shkosh në kishë a xhami dhe të mos agjërosh ala myslimançe apo ala krishterçe... Janë të përditshme, verë e dimër, edhe rastet e djegies së gomave (ndotje e tmerrshme dhe tmerrësisht e dëmshme)...
Çfarë myslimani apo i krishteri, çfarë besimtari apo njeriu është ai që djeg tokën, gomat dhe hedh mbeturinat kudo? Apo po kërkojnë të na bindin se ferri është në këtë botë e jo në atë tjetrën, se Kosova është ferr e jo parajsë e dhuruar nga Zoti ynë për shqiptarët?
Inspektorët paguhen kot nga taksa dhe tatimi i qytetarit... Kryetarët e komunave merren kryesisht me tendera dhe me udhëtime poshtë e përpjetë nëpër botë... Qeveria dhe organizata të ndryshme evropiane e botërore (qeveritare e joqeveritare) shpenzojnë miliona për dofarë trajnimesh të kota e nuk shpenzojnë për një fushatë vetëdijsimi e parandalimi të kësaj çmendurie... Po shkollat tona çfarë bëjnë?
Mësuesë e arsimtarë mund dhe duhet të bëjnë më shumë, sidomos tash kur shteti me mekanizmat e tij për parandalimin e zjarreve dhe rreziqeve që sjellin ato si dhe për mbrojtjen e natyrës e mjedisit nuk funksionon...
Mediat tona shpenzojnë ngjyrë, letër, energji, kohë e para të majme për të na njoftuar kush me kend po dashurohet, kush kend po e tradhton, cila aktore është shtatzënë... por nuk e thuan asnjë fjalë për këtë fenomen, për këtë çmenduri...
Shtoja kësaj edhe mbeturinat që po ndotin tokën, ujin dhe ajrin dhe që po krijojnë një pamje (fotografi) të shëmtuar të këtij vendi dhe ulu e vajto për këtë vend që po duket i shkretë e i shkretë nuk është, që po duan ta shëmtojnë e i shëmtuar nuk është...