26 Dhjetor 2024

Mos mendoni menjëherë në përfitime materiale

Shkruar nga Agim Tahiraj

Sportet luftarake janë ato që mund të na sjellin medalje e medalje nga garat e ndryshme dhe kjo është dëshmuar në muajit e vitet e kaluara.

Është boksi, xhudoja, gjithsesi shpresojmë edhe mundja, kick-box-i e sporte tjera që mund të na sjellin medalje nga garat e ndryshme ndërkombëtare.

Shqiptarët janë të lindur për sportet luftarake, këtë e kanë dëshmuar edhe në të kaluarën dhe faktikisht kemi edhe traditë.

Prandaj, xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, boksierja Donjeta Sadiku janë frymëzim për të gjithë sportistët tanë.

Në edicionin e ri të boksit shpresojmë në cilësi më të mirë, që do të ishte vërtet edhe një e mirë për të gjitha klubet, sepse kur rritet niveli rritet edhe rivaliteti dhe shtohet edhe shikueshmëria nëpër palestrat sportive.

Besoj se do të rregullohen edhe disa gjëra tjera, por flitet se po aprovohet ligji për sponsorizim, do të afrohen edhe donatorët edhe më shumë dhe do të kompletohen kushtet ashtu si iu duhen sportistëve apo klubeve.

Shpresojmë se edhe boksi do të ketë kualitet dhe në rezultate më të mira në të ardhmen sidomos në garat e ndryshme.

Klubet janë futur në sistem prej se jemi pranuar në Federatën e Boksit Botëror, AIBA, pra jemi prej federatave ndër të parat që jemi pranuar.

Jemi në rrjedha dhe po mundohem të jem në hap me kohën po ashtu edhe të kemi rezultate, sidomos po shihen edhe rezultatet impresive të Donjetës.

Megjithatë, shpresojmë se në vitin 2020 do të kemi dikë nga boksierët në Lojërat Olimpike në Tokio.

Sepse konsideroj se kemi garues dhe që mund të bëhen të gatshëm për këto beteja shumë të mëdha. 

Në radhë të parë, të gjithë jemi dëshmitarë, se kemi shumë talent, por disa prej tyre u mungon vullneti.

Nuk është vullneti sikurse ka qenë më parë edhe pse ka kushte nëpër palestra, por duhet të sigurohen disa gjëra tjera.

Infrastruktura sportive më nuk është problem, por duhet trajnerët e boksierët të kenë më shumë vullnet. Ne e kemi sistemin e turneve në boks, besoj e shpresoj se do të jetë edhe më atraktiv kampionati i sivjetshëm.

Të rinjtë duhet ta kuptojnë, se kur fillojnë në boks ose sport tjetër, mos të mendojnë menjëherë në përfitime materiale. Për të pasur përfitime materiale duhet të kesh rezultate.

Ai që ka rezultate, normalisht se do t’i fitojë mjetet materiale ashtu siç është e rregulluar me rregullore nga Ministria e Sportit.

Ai që siguron medalje olimpike, botërore e evropiane, e ka të garantuar me ligji pensionin si sportist, ky është një privilegj që shumë shtete nuk e kanë.

Trajnerët duhet të punojmë me shumë me boksierë e sportistë dhe t’ia shpjegojnë se çfarë do të thotë të fitosh medalje të nivelit të lartë dhe kjo do të ishte edhe një përfitim për vetë sportistin që ka rezultate.

/Autori është trajner i klubit të boksit e kick-box Rigoro nga Prishtina dhe gjyqtar i boksit/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)