Monopoli i televizioneve në Kosovë
Shkruar nga Shpend Fazliu
Kosova nuk mund të krenohet për sa i përket zhvillimit të televizioneve, bile mund të thuhet se është në krizë, ngase aktualisht ka vetëm 3 televizione me frekuencë nacionale tokësore, përderisa pak më mirë qëndron puna me televizionet lokale që në numër janë më të madh, por kualiteti i programacionit dhe teknologjia e tyre le shumë për të dëshiruar.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, filluan organizimet për hapjen e televizioneve dhe çuditërisht atë kohë u hapën vetëm RTK, KTV dhe RTV21, që ende mbesin mediat e vetme me frekuencë nacionale tokësore në Kosovë. Prej atëherë Komisioni për Media ka vënë drynin hapjes së medieve tjera me frekuencë nacionale.
Është për tu çuditur fakti se as në kryeqytet nuk ka televizion që transmeton ekskluzivisht në frekuencë tokësore për rajonin e Prishtinës.
E tregu i varfër mediatik duket se nuk e ka brengosur fort Komisionin për media, i cili as edhe një herë të vetme nuk ka shqyrtuar mundësinë që të liberalizojë dhënien e licencave për transmetim të programeve televizive.
Gjithë kësaj situate, duket se i kontribuan edhe organizatat ndërkombëtare që pas luftës vepronin në Kosovë, e që përmes donacioneve investuan për 3 televizionet nacionale dhe për asnjë moment nuk lejuan të shtohej konkurrenca dhe investimet e tyre të shkonin huq.
Me kalimin e viteve edhe Kosova zhvillojë rrjetet kallbore, duke krijuar mundësinë që të hapeshin televizione të reja, kryesisht muzikore ngase ishte e vështirë të investohen mjete për transmetim vetëm në rrjetin kabllor.
Me hapjen e KLAN KOSOVA, paksa u thye akulli, por monopoli nuk u thye, ngase KLAN, u lejua të transmetoj vetëm në rrjetin kabllor, e assesi Komisioni për Media nuk i dha licencën tokësore.
Pati tentativa për hapje edhe të televizioneve të reja, por të cila dështuan disa muaj pas hapjes së tyre ngase nuk shihnin interes investimet vetëm për rrjetin kabllor.
U fol dhe po përfolët shumë për digjitalizim të rrjetit të transmetimit, i cili do kohë dhe investime të mëdha për tu funksionalizuar, por që shpresojmë se do ta thyej paksa monopolin.
Derisa kemi monopol të medieve, e kemi të vështirë të mendojmë se do të ketë rritje të kualitetit të transmetimit dhe konkurrencë të mirëfilltë.
Sipas Organizatës së Evropës Juglindore për Media (SEEMO) në Kosovë janë 105 media elektronike, 84 radio dhe 21 stacione televizive.
Nga 84 radiot, 49 emetojnë në shqip, 26 në serbisht, një emeton në dy gjuhë - shqip dhe serbisht, tri janë në gjuhën boshnjake, dy në gjuhën gorane, dy në turke dhe një në rome. Nga 21 televizionet, 15 janë në shqip, 5 në serbisht dhe një është turk.
(Opinion paraqet qëndrimet personale të autorit dhe jo të institucionit ku punon autori)