Monitorimi i procesit të rrugës këmbësore në Mitrovicë
Shkruar nga Ylber Vokshi-Ylli
U nevojitën të kalojnë plot pesëmbëdhjetë (15) vite që një zyrtar i lartë qeveritar të pranoi publikisht se në rastin muri në Mitrovicë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), do të monitoroi tërë procesin e ndërtimit të sheshit këmbësorë (pedonalës), në pjesën veriore të qytetit të ndarë pas luftës.
Kjo edhe duhej të ishte një nga detyrat e sajë, të monitoroi dhe të ndërhyjë, në rastet kur pushteti lokal nuk i respekton ligjet, normat dhe standardet e ndërtimit të ndërlidhura me, strategjitë, parimet, objektivat dhe politikat e definuar paraprakisht të Ministrisë, gjegjësisht të Qeveris së Kosovës.
Edhe përpara kjo Ministri prej se ekziston ajo nga viti 2002, ka pasur intervenime të rralla sporadike të ndërlidhura me interesa individuale, klanore, grupeve të caktuara të interesit si dhe aso të partive politike. Asnjë herë nuk ka qenë parimisht primare monitorimi, mbrojtja dhe zhvillimi i territorit të shtetit, që duhej të ishte detyrë kryesore e këtij dikasteri qeveritar.
Rastet e rralla të cilat u bënë publike së fundmi e që ishin pasojë e veprimeve të serbëve në pjesën veriore të Kosovës me ndërtimin e një muri, ma në fund i shtynë vendimmarrësit tanë të reagojnë dhe të kuptojnë rëndësinë e Planifikimit hapësinor dhe urban në tërë territorin e shtetit tonë.
Nuk ishin të rastësishme kërkesat e serbëve që të kenë autorizime ( ingerenca) ma të mëdha në fushën e planifikimit urban të apostrofuara në pikën rendore 4 të objektivave nën e) ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rurale, në Marrëveshjen për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe të Kosovës.
Rasti i fundit me murin, tregon se deri ku munden të shkojnë veprime absurde të tjerëve nëse tolerohen nga ana ynë, e veprime të tilla ka shumë në pjesën specifike veriore të Kosovës.
Si po lejohet të ndërtohet një kompleks banimi i cili as që ka bërë kërkesë për të marrë leje ndërtimi dhe pëlqim urbanistik në MMPH. Ministria e ka obligim që kërkesat komunale ti miraton dhe ti harmonizon me Planin Hapësinor të Kosovës, në të kundërtën duhet të reagon, të ndërpres punimet por kjo nuk ndodhi.
Se çka është në gjendje të bënë politika primitive ballkanike e tregon edhe rasti i ndërtimit të një muri të lartë dhe shndrimi i arteries kryesore të qytetit, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës në shëtitore këmbësorësh, një çmenduri të tillë urbane një profesionist i vërtetë as që mundet ta imagjinoi.
Kthehet në rrugë këmbësorësh një arterie primare komunikacioni në mes dy pjesëve të qytetit të ndarë, duke prishur tërësisht funksionimin e komunikacionit posaçërisht në pjesën veriore të qytetit, e cila është paraparë të funksionoi si komunë e veçantë me pakon e Ahtisarit. Kjo pik së pari është kundër interesave të popullatës shumicë serbe që jeton në atë pjesë.
Kjo rrugë të cilën e lidh ura famoze e vitit 1999 është projektuar, ndërtuar nga profesionistët e urbanistikës dhe është e një rëndësie të veçantë urbane, ka shërbye si rrugë lidhëse me vendbanimet tjera në veri të Kosovës.
Nëse do të kërkohej mendimi i urbanistëve që e kanë projektuar atë me siguri rrugë këmbësore (pedonale) do ta kërkonin dhe gjenin në pjesët tjera të qytetit, pasi për këtë ka mundësi të shumta kreative urbane dhe teknike.
Të kuptohemi, askush nuk është kundër pedonaleve, ato sot janë të domosdoshme për humanizimin e hapësirave urbane dhe në luftën kundër automobilave, por të keqpërdoret ky trend për të bërë bllokadë fizike të një qyteti, të cilin politika ndërkombëtare përkohësisht e ndau në dy pjesë, nuk ka arsyeshmeri urbane në shekullin XXI.
Raportet ndër nacionale me siguri në të ardhmen do të relaksohën, veprimet e pa matura urbane do të mbesin si relikt e një kohe të çmendur ballkanike mesjetare. Historia tregon se lëvizja dhe komunikimi i lirë i njerëzve nuk mundet të ndalet me mure apo zhardiniera betoni për lule apo me pedonale
Aspak ma e mirë nuk është situata hapësinore dhe urbane as në pjesën tjetër të Kosovës, si rezultat i veprimeve të komunave tona si dhe tolerimit të këtyre veprimeve nga ana e pushtetit qendror, gjegjësisht Qeveris dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Mos respektimi i disa rregullave të një jete të përbashkët urbane e ka krijuar një situatë të pa lakmueshme, në të cilën të gjithë ne që jemi të detyruar të jetojmë në këto hapësira, do të jemi humbës të mëdhenj.
Deri me sot fal mos veprimit të kësaj ministrie (MMPH) dhe shumë faktorëve tjerë të pa shpjegueshëm, kurrsesi të arsyetueshëm, Kosova ka përfunduar me mbi 350 000 ndërtime pa leje vetëm në 27 komuna të pjesës jugore të sajë, pasi për pjesën tjetër të komunave ende nuk kemi të dhëna relevante.
Është kjo e dhënë shqetësuese që ma së paku i ka shqetësuar vendimmarrësit Kosovar. Pasojat do të jenë katastrofale në të ardhmen, por ky popull si duket është pajtuar me detyrimin për të jetuar kështu ku kushtet për një jetë të dinjitetshme urbane dhe rurale mungojnë.
Kaptin e veçantë është se si është trajtuar kjo problematikë në aspektin ligjorë, që nga shtatori i vitit 2003, kur u miratua ligji i parë i Planifikimit hapësinor e deri te ky i fundit në gusht 2013. Kishte fjalë të mëdha se ato ligje do të garantojnë suksese dhe janë në frymën e progresit hapësinor në botë.
Realiteti është tërësisht ndryshe, ligji i fundit me kërkesa dhe kritere tjera të traditës hapësinore Evropiane, ka krijuar një huti në mes të nivelit qendror dhe ati lokal.
Duke u bazuar në infrastrukturën dhe pajisjet teknike si dhe kapacitetet profesionale nëpër komunat tona, me përjashtime të vogla, është i pa zbatueshëm. Këtë po e tregon gjendja aktuale nëpër komunat tona të cilat nuk munden të përgatisin dokumentet hapësinore si është Harta Zonale e Komunës, pasi niveli qendror ende nuk e ka përpiluar Hartën Zonale të Kosovës me të cilën duhet të jenë në harmoni.
Si duket Ministria ka pasur të vetmin qellim, me krijuar konfuzion edhe ma të madh, thua se nuk ju mjaftuan ato vitet e pas luftës , ku me qellim nuk u respektua asnjë normativ apo standard, në fushën e ndërtimit. E nëse është ashtu, qëllimi është arritur pasi që katër vjet kjo fushë është tërësisht jo funksionale, neve na mbetet të shohim se deri kurë do të vazhdoi kjo gjendje edhe pas shtatëmbëdhjetë (17) viteve në shekullit e ri XXI.
/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/