Mizoria e trajtimit të kafshëve në Kosovë
Shkruar nga MSc. Afrim Berisha
Madhështia e një kombi dhe progresi i tij moral mund të gjykohen nga mënyra se si ai i trajton kafshët
E shohë të arsyeshme të reagoj përmes këtij shkrimi i nxitur nga dy ngjarje që u zhvilluan këtyre ditëve. E para është aksioni për vrasjen e qenve endacak dhe e dyta mbajtja e shtazëve të egra nëpër kafaze në disa të ashtuquajtura mini-kopshte zoologjike anë e kënd Kosovës.
Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin në qendër të vëmendjes është trajtimi mizor i kafshëve.
Si ambientalist, si dashamirës i mbrojtjes së natyrës dhe i kafshëve e ndjej për obligim që të reagoj dhe të ngre zërin për mënyrën e trajtimit të këtij problemi në Kosovë.
Dhe qëllimi kryesor i reagimit tim është të dërgoj mesazhin tek të gjitha institucionet relevante, mediumet, organizatat e përfshira në këto ngjarje, individët dhe pronarët e mini-kopshteve zoologjike, që të ndalojnë mizorinë ndaj këtyre gjallesave.
Skenat e vrasjes mizore të qenve endacak nëpër mediumet tona dhe mënyra e qasjes së institucioneve për zgjidhjen e problemit janë të pa pranueshme dhe të tmerrshme.
Ndërkohë që mbajtja në izolim nëpër kafaze me hapësira të ngushta, me kushte minimale dhe me mungesë të ushqimit të kafshëve të egra, është jashtë çdo norme dhe etike njerëzore.
Edhe pse të dhënat flasin se në Kosovë është vlerësuar të jenë më shumë se 50 mijë qenë pa përkujdesje, edhe përkundër faktit se një numër kaq i madh i qenve mundë të jetë rrezik për qytetarët, eliminimi i tyre përmes aksioneve dhe vrasjes me armë është opsioni i fundit që duhet zbatuar për zgjidhjen e problemit.
Praktikat e vendeve të zhvilluara na kanë mësuar për mënyra të ndryshme të zgjidhjes së këtij problemi që nga ndërtimi i strehimore për qenët pa përkujdesje, sterilizimi dhe vaksinimi i tyre, adoptimi dhe në raste shumë të rralla eliminimi i tyre.
Por edhe në rastet e eliminimit ajo bëhet përmes metodave më të pranueshme dhe në asnjë rast përmes aksioneve dhe fushatave të vrasjeve me armë.
Mënyra e eliminimit të qenve pa përkujdesje me aksione të organizuara, qe shpesh herë janë edhe nëpër vende publike me armë zjarri është e pa pranueshme, pikë së pari se ka ndikim shumë negativ në psikologjinë e njerëzve që i shohin këto skena dhe në sigurinë e tyre, por gjithashtu edhe për shkak të mundësisë së përhapjes së ndonjë epidemie apo sëmundje nga kufomat e qenve të vrarë, që shpesh herë mbeten rrugëve.
Sikur për të mos mjaftuar kjo nëpër shumicën e komunave të Kosovës, hapen tenderë për eliminimin e qenve endacak dhe krijohen biznese profitabile për këtë çështje. Madje është, jashtë çdo logjike po ashtu edhe përfshirja e Policisë së Kosovës në këto aksione.
Ndërsa, kur flasim për mbajtjen e shtazëve të egra nëpër kafaze tek të ashtuquajtura mini-kopshte zoologjike, si pikënisje janë shumë shqetësuese të dhënat e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, të cilat tregojnë se anë e kënd Kosovës, ekzistojnë me dhjetëra kopshte të tilla, ku shtazët e egra mbahen të izoluara me kushte të tmerrshme.
Madje në këto kopshte mbahen edhe shtazë të egra që janë të mbrojtura me ligj dhe që konsiderohen si të rrezikuara sikurse janë Ariu i murrmë (Ursus Arctos), Shqiponja e artë (Aquila Chrysaetos), Dhia e egër (Rupicapra Rupicapra), Macja e egër (Felis Sylvestris) etj.
Mjaft shqetësues është fakti se një praktikë e tillë në Kosovë është bërë trend dhe biznes fitimprurës nga restaurantet e ndryshme, të cilat vazhdojnë punën e tyre pa u trazuar nga askush.
Përkundër një fushate kaq të egër ndaj trajtimit të kafshëve, reagimet e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve relevante janë shumë të zbehta dhe të pa përfillshme.
Nëse diçka e ngjashme do të ndodhte në një shoqëri të civilizuar do të organizoheshin protesta, kundërshtime dhe reagime nga më të ndryshmet.
Ndërsa Ne, thuajse nuk jemi pjesë e këtij njerëzimi. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më shumë me gjallesat dhe natyrën e Kosovës, për tu ndërmarrë ndonjë veprim konkret nga ndonjë institucion publik relevant, organizatë joqeveritare mjedisore ose nga ndonjë personalitet me ndikim.
Derisa televizionet tona merret me transmetimin e kronikave ku në qendër të vëmendjes është vrasja dhe eliminimi mizor i qenve endacak, televizionet anë e kënd botës, realizojnë dokumentarë dhe kronika të caktuara që i kushtohen pikërisht etikës së trajtimit të kafshëve dhe aktiviteteve të shoqatave për mbrojtjen e tyre.
Janë të shumta aktivitetet dhe organizimet nga organizatat e ndryshme duke filluar nga reagimet që bëhen lidhur me rastin e vrasjes së fokave në ujërat e Arktikut, vrasjen e balenave të kaltra dhe elefantëve, ose edhe reagimet e shoqatave dhe personalitete kundër përdorimit të lëkurave të kafshëve për veshje, e deri tek reagimet kundër trajtimit të kafshëve laboratorike dhe formave tjera të shfrytëzimit të tyre.
Në mbrojtje të kafshëve organizohen fushata, mbahen protesta madje mblidhen edhe fonde për përkujdesjen ndaj shtazëve të egra. Në shumë nga këto iniciativa përfshihen edhe personalitet të njohura të jetës publike, kurse këtu tek ne nuk reagojnë as institucionet përkatëse dhe as njerëzit e thirrur për këtë çështje.
Me këtë rast dua të ju rikujtojë një fakt interesant. Dy nga veprimet që mundë të veçohen përkitazi me këtë dy çështje, kanë ardhur pikërisht nga organizatat dhe personalitete e huaja. E a para, vrasja mizore e qenve endacak në Kosovë, në vitin 2011 kishte nxitur madje edhe reagimin e aktores së famshme franceze Brigitte Bardot, tani aktiviste për mbrojtjen e kafshëve, e cila në vitin 2011, përmes një letre drejtuar komandantit të KFOR-it në Kosovë, Erhard Byhler, kishte kërkuar, që të bëjë çështë e mundur të ndalojë masakrën ndaj qenve nëpër rrugët e Prishtinës.
Dhe e dyta, u deshën të kalojnë vite të tëra pas lufte dhe të gjendet një fondacion i huaj për kafshët e egra (Fondacioni Vier Pfoten), e të na ndihmojë në ndërtimin e një strehimore për arinjtë e murrmë, që u promovua këto ditë.
Edhe pse kjo nuk është zgjidhja e duhur për mbrojtjen e arinjve pasi që atyre duhet tu sigurohet mbrojtja në habitatet e tyre natyrore, megjithëkëtë kjo është një alternativë më e mirë se sa mbajtja nëpër kafazet e mini-kopshteve zoologjike .
Në përmbyllje të këtij reagimi dua të vë në pah se mbrojtja e kafshëve qofshin ato të egra apo shtëpiake është e rregulluar me një mori Konventash ndërkombëtare dhe Direktivash të BE-së, që ne si një shoqëri që synojmë të jemi pjesë e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare e evropiane, obligohemi të tregojmë përkushtimin tonë në respektimin e tyre.
Por mbi të gjitha është kodi i etikës humane dhe një nga parimet e konceptit të biodiversitetit që thotë se çdo qenie e gjallë ka të drejtë të jetojë, ashtu si dhe vetë njeriu, ai që duhet të ngacmojë ndërgjegjen tonë dhe të vetëdijesohemi për këtë çështje.
Madhështia e një kombi dhe progresi i tij moral mund të gjykohen nga mënyra se si ai i trajton kafshët, ka thënë Mahatma Ghandi.
Andaj nëse nisemi nga ky parim, lirisht mundë të thuhet se shoqëria kosovare me qasjen dhe mënyrën e veprimit ndaj kafshëve sikurse u përshkrua nga dy rastet e mësipërme është larg të qënurit një shoqëri që kujdesin ndaj kafshëve e ka pjesë të etikës morale e kulturore.
/Autori është Master në Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit/