27 Dhjetor 2024

Misione, drejtime, nisma të reja s'na kryejnë më punë

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora


Gjuha e fushatës apo kapadaijtë e rrugës: Duket  se fushata parazgjedhore po përfundon para kohës sa ishte paraparë me ligj.

Pelegrinët partiakë, të identifikuar si militantë , me patriarkët e tyre që te ne njihen si kryetarë apo presidentë të këtyre mekanizmave për marrje apo mbajtje të pushtetit në një vend që ende nuk është shtet , si misionarë për përhapje të fesë që \vepronin dikur në kontinentin afrikan, janë shpërndarë anekënd Kosovës martire , të shumëvuajtur , të plaçkitur dhe të copëtuar në feude multietnike për ta bindur grigjën (votuesit) që votën e tyre , tash shumë të çmueshme dhe respektueshme , deri sa të përfundojnë zgjedhjet t’ua japin atyre!

Për të vazhduar pastaj me muzikë të njëjtë deri në zgjedhjet e ardhshme. Me një ritëm më të shpejtë sepse kërkesat dhe kushtëzimet do të jenë përcaktues për përshpejtimin e ritmit!

Kanë filluar tash edhe debatet në mediet elektronike ku përballen kandidatët për deputetë  të subjekteve politike me analistë dhe pseuodoanalistë.

Apo , analistë që kanë një pregatitje dhe përvojë dhe injorantë të konvertuar brenda natës në analistë. Prandaj edhe debatet janë kombinim i përkryer i injorancës së disa kandidatëve për deputetë dhe adashëve të tyre prej pseudoanaliti.

Mund të merrni me mend se çka mund të dali nga ky debat ku dhunohet inteligjenca mesatare e një shikuesi kosovar!

Për mua , ndonëse nuk paraqet ndonjë habi të madhe , dekurajuese është gjuha që përdoret në këto debate nga kandidatë që, në dukje të parë mendohet se kanë një kulturë dialogu gjykuar sipas shkrimeve apo paraqitjeve publike kur nuk ishin të kyçur në politikë!

Kur lexoni mediet e shkruara apo përcillni një debat atëherë koha kthehet mbrapa si dhe keni një bindje se jeni duke jetuar në një hapësirë gjeografike tjetër.

Disi ndjeheni sikur jeni në Çikagon e Al Kapones , apo jeni duke jetuar në Kandahar ose në Peshevar të Afganistanit apo Pakistanit! Ose jeni kthyer në kohën e Josip Broz Titos  i quajtur Shoku Tito nga një pjesë e subjekteve politike që garojnë me synim  për ta udhëhequr Kosovën në dy vitet e ardhshme!

Pastaj, lehtë mund të identifikoheni me Kolumbinë e Pablo Eskobarit dhe Radamel Falkaos. I pari, Bos i narkotikëve  i vrarë  dhe i varrosur  mbi varrin e të cilit edhe sot ka më shumë buqeta me lule se mbi varrin e Majkëll Xheksonit, ish mbretit të pakurorëzuar të muzikës pop.

Ndërsa i dyti fatmirësisht është i gjallë por me pak gjasa të luaj në kampionatin botëror të futbollit në Brazil këtë verë!

Kam shkruar edhe më parë se fushatën më të mirë po e bëjnë Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Së paku në paraqitjet publike. Hashim Thaçi nuk po e fyen askend dhe nuk po e kërcënon askend.

Se çka zihet në kokën e Hashimit nuk jam në gjendje ta them sepse askush nuk e din çka mendon Hashim Thaçi e në momente të caktuara as vet Hashim nuk e din çka mendon Hashimi!

Mirëpo fushatën po e bënë krejtësisht në kundërshtim me percepcionet që mendohen për ta! Edhe Ramushi po e bënë fushatën shumë mirë.

Po e menaxhon situatën mirë dhe dhe u “ ligështua “ pak vetëm në çastin kur Boro mbeti pa Ramizin ( Kelmendin )!

Edhe AKR  kryesisht po bënë fushatë korrekte përjashtuar kapërcimet e Agim Bahtirit të cilit asessi nuk po mbijnë këpurdhat prandaj po i rritet adrenalina duke e fajësuar Hashimin se po ia saboton punën! Po rriten këpurdhat, rriten Agimo , po e ke harruar farën dikund!

VV e ka fushatën standarde por duket se i ka ulur pak fitilat e llambës. Dhe ka bërë mirë! NISMA po e mbanë një tempo të parashikuar duke intensifikuar fushatën në vendet ku pritet të ketë më shumë vota. NISMA  duhet të lirohet nga ndjenja e hakmarrjes dhe inatet personale nëse mendon të sigurojë një prani afatgjate në skenën politike të Kosovës!

LDK nuk po bënë fushatë që është pritur nga ajo. Duket sikur është në siklet për rezultatin e zgjedhjeve prandaj ka dalë jashtë lëkurës së saj!

Ndryshe , si të kuptohet fjalori që e përdorë ky subjekt politik si : “ kotilla e Thaçit “, bandat e Hashimit , zagarët e Hashim Thaçit , kriminelët dhe vrasësit , baronët e drogës,  zhvatësit dhe haraçmbledhësit “  dhe shumë cilësime që aspak nuk i ndihmojnë LDK-së  në sigurimin e fitores dhe rritjen e numrit të votave  në zgjedhjet e 8 qershorit 2014 dhe cilësime me të cilat duhet të merret hetuesia, prokuroria dhe gjyqësori. LDK ka një qasje krejt të gabuar të fushatës dhe po vepron sikur është në panik!

Dhe kjo mënyrë e mosbërjes fushatë mund t’i hakmerret LDK-së. E them se nëse LDK nuk i fiton këto zgjedhje atëherë një pjesë e udhëheqjes së kësaj partie detyrimisht do të pensionohet për t’i lëshuar rrugë rrymës reformiste nëse kjo rrymë  del në skenë.

Deri me tani në LDK ka rrymë reformiste për aq sa kanë mbirë këpurdhat e Agim Bahtirin në Mitrovicë!

Deri më tani personi që më së shumti po sulmohet në media është Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Elmi Reçica, Latif Gashi , Adem Graboci  nga pozita dhe Isa Mustafa nga opozita. Në fakt, të gjithë këta të PDK-së por edhe Isa Mustafa i janë nënshtruar një linçimi medial dhe publik! Me Margarita Kadriun nuk po merren më  sepse vlerësimi ishte se mjafton të shkruash për te një javë jo të plotë dhe këtu mbaroi puna.

Mediet e shkruara janë më agresive se vet garuesit. Koha Ditore frontalisht është kundër PDK , më pak kundër LDK dhe AAK ndërsa favorizon VV.

Gazeta Zeri nuk e ka për qejfi PDK dhe Margarita Kadriun por është korrekte me subjektet e tjera. Gazeta Lajm është bërë ndjekëse personale e Isa Mustafës apo Xha Isos siç e quan nga “ respekti” dhe vetëm ka mbetur t’i organizojë një pritë dikund te selia e LDK –së Xha Isos. Kosova Sot ka mbetur persekutuese tradicionale e Makifete  Saliukës dhe as Xhordano Bruno nuk ka pësuar më keq se Makifete Saliuka.

Vuajtjet e Brunos kanë zgjatur për aq kohë sa janë djegur drutë në stivën ku ishte vendosur Xhordano Bruno ndërsa vuajtjet e Makifete Saliukës po zgjasin sikur seriali Sex and City.

Kjo gazetë nuk e do shumë ose aspak edhe Isa Mustafën dhe Behgjet Pacollin. Gazeta Tribuna ka një lehtësim për AKR dhe Behgjet Pacollin por deri më tani ka një qëndrim korrekt ndaj subjekteve tjera garuese.

Epoka e Re favorizon PDK por është e treguar e përmbajtur ndaj subjekteve tjera politike. Ngapak ia bën me sy AKR dhe Behgjet Pacollit. Me syrin tjetër e ledhaton NISMËN.

Bota Sot dhe Bota Press janë 100% LDK dhe me artikujt ku përdoret një fjalor shumë të rendë dhe shumë akuzues. Jam i sigurt se në këtë mënyrë më së shumti e dëmton pikërisht LDK- në. Jam i sigurt  se me këto shkrime 100% e dëmton LDK-në!

Mos u shani kur dikur ishit në dashuri dhe kur përsëri mund të përfundoni në një shtrat ( koalicion ) të përbashkët:  Të gjitha subjektet politike janë kundër koalicionit me PDK-në. Edhe LDK, VV , AAK kanë deklaruar se do të rrinë në opozitë më mirë se të bëjnë koalicion me PDK. Prej tyre i besoj vetëm VV ndërsa LDK dhe AAK e luajnë bigën sipas interesit gjë që është e lejuar në politikë.

Vijat e kuqe vendosen vetëm për çështje të mëdha të kombit dhe shtetit. Për bindjen time këta sot nuk lodhen shumë për çështje të kombit dhe të shtetit. Pozitë dhe opozitë. Së  paku nuk e kanë dëshmuar deri sot! Mund të gaboj pranda kërkoj falje nëse dikush ndjehet i prekur. Nga rriqrat! NISMA dhe AKR janë më të kujdesshme në deklarime.

Nëse zgjedhjet i fiton LDK atëherë do të jetë përcaktuese për përbërje të koalicionit. Vendos kushte dhe përcaktohet për partnerin me të cilin do e ndaj shtratin ( koalicionin ).  Sa më i lodhtë të jetë partneri ( në kërkesë për poste ) do të bëhet më i pranueshëm!

Nëse zgjedhjet i fiton PDK e që lehtë mund të ndodhë , atëherë e ardhmja e një strukture të LDK-së në me krye Isa Mustafën varet nga vullneti dhe mëshira e Hashim Thaçit dhe PDK-së. Në të kundërtën , disa krerë të LDK-së i pret  gijotina politike që nënkupton largimin nga skena politike drejt harresës dhe pasigurisë.

Është pjesë e mentalitetit tonë se kur bjen nga fiku ( pushteti) të thyhen dhëmbët! Dhe , të kafshon kush mundet dhe kush të dojë! Prandaj, LDK është dashur të investojë më shumë në fushatë dhe të bëjë koalicion parazgjedhor me një partner si AKR, AAK ose VV.

Gabim strategjik ka qenë mungesa e vullnetit për bashkimin e forcave të ndara dhe të përçara të LDK-së. Kështu, e vetme LDK e ka shumë vështirë t’i fitojë zgjedhjet. Jam i sigurt se PDK, në rast të fitores do ta lë një vend në shtrat edhe për LDK. Në rast të humbjes së LDK-së , do të ndahet një pjesë e vogël e shtratit për LDK e cila do të tëkurret. Isa Mustafa edhe ashtu nuk është shumë i madh me fizik për të kërkuar gjysmën e shtratit! Edhe në koalicionin e mëparshëm PDK – LDK , partia e Isa Mustafës ka qenë te këmbët e… Hashim Thaçit!

Nëse PDK humb zgjedhjet , Hashim Thaçi do të bëhet Jezu Krishti i ditëve tona. I gozhduar dhe i mbërthyer nga apostujt  me të cilët ka sunduar në Jude ( Kosovë ). Prandaj, sikur që dy bashkëshortë janë të detyruar të jetojnë bashkë ndonëse nuk duhen ashtu do të kenë interes të jenë bashkë PDK dhe LDK.

Të gjithë fitues, të gjithë humbës : PDK dhe LDK do të jenë njëshi dhe dyshi. Lista Srpska “ Ivica Daçiq “ mund të jetë forca e tretë parlamentare. Serbët shumë lehtë hoqën dorë nga vendet e rezervuara për t’i kompensuar me numrin e rritur artificialisht të votuesve.

VV dhe AAK luftojnë për vend të katërt. Pasohen nga NISMA dhe AKR. Dhe këtu mbyllet. NISMA  dhe AKR do të katrrithen për pragun zgjedhor. Zgjedhjet e reja do të mbahen jo më larg se dy vite pas këtyre të 8 qershorit!

Signore comandante ( capitano ) come va … ka qenë një hit i ditëve të rinisë sime, të Isa Mustafës, Gjet Pacollit dhe gjeneratës së elefantëve që po mbijetojmë në këtë skenën tonë të mbijetesës që e quajmë jetë!

Këtë këngë, që e këndonin patriotët e tij Al Bano dhe Romina Pauer mbase e pëlqen edhe Fabio Minni, ish comandante ( komandant ) i KFOR-it , përpilues apo nënshkrues i raportit të “ inteligjencës së NATO-së” në Kosovë për skenën” kriminanale” në Kosovë në të cilën përfshihen të gjithë politikanët e dikurshëm, të tashëm edhe mbase edhe në të ardhmën në Kosovë e që paskan vepruar apo veprojnë nën kupolën e SHIK-ut!

Përmeden me emra dhe mbiemra dhe me funksione në bazë të kierarkisë. Raporti është para vitit 2005 ndërsa është publikuar edhe në The Guardian në vitin 2010. Këtu përmendet edhe KMDLNj përmes së cilës SHIK-u paska realizuar disa aksione.

Hajgarexhi i madh është Fabiano! Sikur Borati! Edhe më i zi! Doli edhe lista me emra të SHIK-ut në Koha Ditore por askund nuk e gjeta emrin tim.

Kështu mbeta pa histori. Nuk jam në asnjërën nga listat e UDB që janë botuar në portale dhe gazeta të ndryshme. Stanishiqi nuk më mori në Brezovicë.

Nuk më morën as në takimin me Millosheviqin në Beograd. As në Rambuje nuk më morën e lëre më në bisedimet e Vjenës . Në Briksel , po të donte Hashimi do të më dërgonte , së paku t’ua bajë çantat dhe çadrat Edita Tahirit dhe Blerim Shalë.

Së paku do t’i rruaja do mëditje të mira dhe do ta siguroja vizën e Shengenit. Askush nuk po më beson. Mbeta pa histori, pa nam dhe pa nishan. Edhe Fabiano Minushi ka mundur të ma bëjë një shërbim duke më përmendur emrin.

Kështu, duke mos përmendur emra nuk dihet se ku kanë qenë në kierarkinë e SHIK-ut , Adem Demaçi, Pajazit Nushi , Zejnullah Gruda dhe Vehap Shita apo Mata Hari e KMDLNj –së Limka Morina na ka futë në telashe të mëdha! I ka rrënuar raportet dhe besimin ndërnjerëzor në KMDLNj. 

Medet , medet ! Signore  comandante fabiano Minushi come va…? Ku m’ je nisë ku m’ jet u shkue oooooo! Në Gjakovë o vo me rrue ooooo….. Fabiano Minushi ka ngatërruar gjërat nga informatat e gabuara të spiujëve sezonalë në Kosovë.

Shërbimi për Informim i KMDLNj-së ( SHIK ) është formuar me ditën e themelimit të KMDLNj –së , 14 dhjetor 1989 dhe çdo informatë e Këshillit e përmban këtë akronim. Nga 14 dhjetori 1989 deri më 27 maj 2014. nëse nuk shuhemi , kështu do të jetë edhe në të ardhmën, mio amore Fabiano!

Diçka për titullin:   Janë përfshirë në titull të gjitha sloganet e subjekteve politike që pretendojnë t’i fitojnë zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Po, po, do të fitojnë……Kush më pak e kush më shumë!

         

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)