Mikroekonomia e Makrokoalicionit PDK - LDK
Shkruar nga Xhevat Sopi
Të mendosh si ekonomist do të thotë të kesh gjithnjë parasysh parimin e zgjedhjes racionale, sipas të cilit, nëse përfitimi nga një vendim është më i madh se kostoja, atëherë duhet që vendimi të merret dhe e kundërta.
Po ashtu për çdo veprim që ndërmerret, duhet hequr dorë nga alternativa të tjera të tij, që në shkencën ekonomike(ekonomiks) njihet si kosto oportune (mundësi e humbur). Me këto situata njeriu ballafaqohet për faktin se dëshirat e tij janë të pakufizuara karshi mundësive të kufizuara.
Dhe meqë mundësitë e kufizuara detyrojnë në zgjedhje, atëherë duhet vepruar sipas parimit të zgjedhjes racionale duke bërë kompromise (trade off).
E në gjithë këtë situatë kushtëzimesh, matjesh dhe vendimmarrjesh, për individët qëllimi kryesor mbetet maksimizimi i dobisë, e për firmat maksimizimi i fitimit.
Nëse nisemi nga këto Parime të Mikroekonomisë(degë e ekonomiksit), atëherë edhe qasja ndaj ekonomiksit të makrokoalicionit LDK-PDK, do të ketë një arsyetim më të ndryshëm nga ai që po i bëhet, bazuar në arsyetime moralo-ideologjiko-politike të palëve kundër këtij koalicioni.
E si mund ta përjashtojmë një qasje të tillë të analizës, kur kemi parasysh faktin se kreu i LDK-së, Isa Mustafa, mban titullin e akademikut për shkenca ekonomike, si dhe është ligjërues i lëndës së Mikroekonomisë, në Fakultetin Ekonomik të UP-së.
Në leksionet e tij, për vitet të tëra ai u mëson studentëve mënyrën se si duhet menduar si ekonomist, se si duhet bërë zgjedhje racionale, pra se si të bëhet maksimizimi i dobisë/fitimit.
E derisa mjete të konkretizimit në këtë lëndë janë shembuj nga jeta e përditshme, si do të mund të vepronte ndryshe Profa, dhe si do të ishte bindës për studentët, nëse vetë ai do të bënte zgjedhje joracionale, paçka se po kritikohet nga moralistët-idealistët!?
E çka është zgjedhje racionale në rastin konkret - do të pyesnin këta të fundit, duke qenë se ndoshta nuk janë njohës të Parimeve të Mikroekonomisë?
Së pari, nëse mendohet racionalisht, ku do të ishte përfitimi më i madh për liderin e LDK-së, Kryeministër në makrokoalicionin e numrave PDK-LDK apo deputet Kuvendi në makrokoalicionin partiak VLAN, duke pritur(...derisa të del bar) të bëhet President!
Në rastin e dytë, as që do të bëjë fjalë për maksimizim fitimi por për përpjekje për minimizim kostosh që nënkupton një rrezik të madh për humbjen edhe të postit të të parit të LDK-së.
Së dyti, në rastin e një qeverie VLAN, me Haradinajn kryeministër, LDK do të kishte(në terma absolut dhe relativ) shumë më pak peshë në qeverisje se sa në Makrokoalicionn PDK-LDK.
Tani Profa ka mundësi shumë më të mëdha për të akomoduar njerëzit nga Kryesia apo Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së nëpër poste ministrash, zëvendësministrash, këshilltarësh, anëtarë bordesh, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë...!!
Prandaj sdo mend se, akademiku, siç e kanë më me dëshirë ta thërrasin në LDK, ua ka mësuar mirë parimin e zgjedhjes racionale dhe maksimizimin e dobisë/fitimit, edhe anëtarëve të Kryesisë së partisë si atyre të Këshillit të Përgjithshëm.
Përsëri, do të thotë dikush, pse këto parime nuk ua mësoi më herët?! Epo edhe në atë kohë, Profa po maksimizonte dobinë/fitimin duke qenë i pari i LDK-së dhe i Prishtinës.
E për alternativën moraliste-idealiste që LDK të zgjidhte opozitën duke i lënë AAK-së mundësinë e koalicionit me PDK-në, rezultati për Profen e Mikroekonomisë, do të ishte, jo maksimizim dobie/fitimi por maksimizim kostoje/humbjeje.
Nga ana tjetër, edhe pse në taborin tjetër të makrokoalicionit PDK-LDK më të njohur janë kuadrot e drejtësisë sesa ato të ekonomisë, duke se lideri i tyre, Hashim Thaçi, e ka mësuar më së miri parimin e zgjedhjes racionale, përmes, jo ndoshta maksimizimit të fitimi, por po se po minimizimit të kostos.
E kush nuk do ta bënte diferencën mes vazhdimit të të qenit në pushtet edhe për mandatin e tretë dhe shkuarjes në opozitë duke qenë partia e parë më e madhe në vend.
Përkundër parimit të racionalitetit, në praktikë është iracionale të jesh gjithnjë racional!
E ku është maksimizimi i dobisë/fitimit për vendin nga makrokoalicioni PDKLDK? Themeluesi i ekonomisë liberale të tregut, i famshmi Adam Smith, duke arsyetuar teorinë e tij për tregun e lirë, thotë se firmat në përpjekje për të realizuar qëllimin e tyre, që është maksimizimi i fitimit, në mënyrë të pavetëdijshëm kontribuojnë edhe në të mirën e përgjithshme të shoqërisë.
Në këto kushte të pamundësisë së zgjedhjes, qytetarëve të Kosovës nuk u mbetet tjetër vetëm të shpresojnë në pritje të këtij efekti të realizimit të teorisë së Smith-it.
(Pikëpamjet janë autoriale dhe nuk paraqesin qëndrime të institucioneve ku punon autori)