Migjeni, poet mjerimit të djeshëm dhe profet i mjerimit të sotëm
Shkruar nga Gani Qarri
Migjeni u lind më 13 tetor të vitit 1911 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq në moshë të re e para kohe i mundur nga sëmundja e Tuberkulozit, i cili ende nuk i kishte kaluar të 27-at,kur më 26 gusht të vitit 1938, do të ndërronte jetë në spitalin Tore Peliçe afër Torinos në Itali.
Emri i vërtetë i Migjenit ishte Milosh Gjergj Nikolla dhe vinte nga një familje e varfër shqiptare, jeta e të cilit do të rëndohej gjithnjë e më tepër nga vdekja në vdekje dhe fatkeqësi të rënda e të njëpasnjëshme familjare, të cilat i morën më të dashurit dhe anëtarët më të ngushtë të familjes së tij.
Sikur të mos i mjaftonte skamja dhe varfëria e skajshme,atë do ta godisnin edhe shumë fatkeqësi tjera të rënda e të papërshkrueshme familjare, të cilit qysh në moshën 5 vjeçare, së pari do ti vdiste e ëma,kurse tetë vite më vonë kur ishte vetëm13 vjeçar ,do ti vdiste edhe i ati, për të mbetur jetim dhe nën mbikëqyrjen e vëllezërve të sëmurë dhe Gjyshes plakë.
Edhe ata,për fatin e keq,nuk do të vononte shumë dhe do të vdisnin njëri pas tjetrit, duke lënë Migjenin krejt të vetmuar me sëmundjen e tij e cila, qe e vetmja që nuk iu nda asnjë herë deri sa e mori nga jeta në përjetësi,në moshën më të mirë rinore, nëse mund ta quajmë edhe këtë lloj shkuarje të parakohshme kështu.
Shkollën fillore ai e mbaroi në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër,për të vazhduar seminarin në Tivar kurse nga viti 1928 deri më 1932, përfundoi mësimet teologjike në Manastir.
Migjeni, edhe pse vuante nga sëmundja dhe i duhej përherë të rrinte nën kontrollin e mjekëve, sa qe në seminar ai lexonte shumë, por për fat të keq, nuk do të shkonte shumë kohë dhe ai do të mundej nga sëmurja e rëndë e Tuberkulozit nga e cila pati humbur edhe të ëmën dhe anëtarët tjerë më të ngushtë të familjes.
Megjithëse shteti i atëhershëm do ta dërgonte për mjekim në Sanatoriumin "Shën Peliçe" të Milanos, Migjeni, fatkeqësisht edhe atje nuk do të gjente shërim, duke vdekur shumë i ri dhe në moshën më të mirë djaloshare,mu atëherë kur pritej krijimtari e bujshme, dhe me vlera të veçanta letrare,i cili kur u nda nga jeta,ishte vetëm 27 vjeçar.
Përkundër të gjitha vështirësive që kaloi, Migjeni do të mbaronte me sukses seminarin, edhe pse nuk iu mundësua bursa e nevojshme për mbarimin e studimeve të larta për të cilat, ai kishte dëshirë dhe ëndërronte shumë.
Ndaj,më 1933,do të punësohej fillimisht në Vrrakë, fshat i vogël ky në afërsi të Shkodrës, i cili do të bëhej i njohur për të gjithë shqiptarët dhe më gjerë, ndoshta edhe për faktin se atje mësues do të punonte Migjeni.
Përveç punës arsimore, ai me shumë dëshirë merrej edhe me shkrime, të cilat fillimisht do ti botonte te Revista "Iliria"përmes të cilave shprehte pezmin e tij shpirtëror kundër mjerimit social dhe jetës së zymtë në vend.
Vjershat dhe tregimet që shkruante Migjeni, do ti botonte në disa gazeta dhe revista të kohës, si; "Iliria","Përpjekja shqiptare " "Jeta dhe Kultura", "Kuvendi Kombëtar", "Shqypnija e re" etj. Ndërsa krijimet e tij poetike më 1936, do ti botonte në librin "Vargjet e lira" të cilat, për shkak të pasqyrimit të gjendjes së vështirë sociale në vend, do të ndaloheshin nga censura e atëhershme shtetërore.
Gjatë gjithë kohës sa punoi si mësues, ai dimër e verë nga Shkodra deri në Vrrakë, nëpër borë dhe shi do të udhëtonte me biçikletë, nga ç`gjë do ti përkeqësohej aq shumë gjendja shëndetësore sa që për kurimin e tij,do të detyrohej të shkonte në Itali,për të mos gjetur shërim as atje.
Ndaj, nga sëmundja e tuberkulozit e cila ishte ndër sëmundjet më të rënda në ato kohë, nga e cila pak kush mundi të shpëtonte,Migjeni më 26 gusht të vitit 1938,kur ishte vetëm në moshën 27 vjeçare, do të ndahej nga kjo jetë duke mbyllë sytë përgjithmonë në vend të huaj.
Atë kohë, ai do të varrosej në Tore Pelice të Torinos, trupi i të cilit,atje do të qëndronte më tepër se sa zgjati vet jeta e tij, pra mese 28 vite me radhë.
Në vitin 1954, apo 26 vite pas vdekjes së kësaj figure madhore të letrave shqipe, së pari do ti botohej vepra e plotë,kurse dy vite më vonë,apo në pjesën e dytë të viteve të pesëdhjeta, nga Italia në Shqipëri do të ktheheshin edhe eshtrat e tij,për tu varrosur me nderime të mëdha, më 5 shkurt të vitit 1956, në Shkodër.
Vepra e plotë e Migjenit,do të ribotohej disa herë,si në vitin 1954, më 1957 dhe 1961, gjë që do të ndodhte edhe pas viteve të 90-ta.
Ai,përkundër jetës së shkurtër,pati një krijimtari të bujshme e cila e bëri Migjenin të jetë njëri nga autorët më të çmuar shqiptar me gjithë kohën e gjatë të kaluar-gati njëshekullore,që nga vdekja e tij.
Për hir të së vërtetës,duhet cekur se përkundër shndërrimeve nëpër kohë të shijeve në letërsi dhe artin e shkrimeve, të gjitha zhvillimeve kulturore e letrare të gjeneratave shqiptare, Migjeni,me veprën e tij mbetet i pazëvendësueshëm është shumë i pranishëm edhe sot kudo ndër shqiptarët,që nga vendlindja e tij Shkodra, atdheu anë e mbanë dhe e gjithë diaspora, kudo flitet dhe frymohet shqip.
Krijimet e tij ruhen dhe kujtohen me pietet të lartë,pothuajse gati deri në xhelozi ideale.
Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër,se krijimtaria e tij, ka lënë aq gjurmë të pashlyeshme, sa që edhe sot e kësaj dite,nga të gjithë brezat dhe gjeneratat,pa dallim moshe,ai vazhdon të kujtohet dhe çmohet lart, si rrallë ndonjë penë tjetër e kombit në përgjithësi.
Migjeni qe i pari i cili në letrat shqipe gdhendi dhe skaliti me aq mjeshtri të rrallë modelin e njeriut të mjerimit, të cilin e përjetësoi dhe bëri të pavdekshëm,bashkë me përjetimet që për popullin tonë, nuk ndryshojnë shumë, nga koha kur ai shkroi, me gjendjen në të cilën jetojnë edhe sot një numër i madh shqiptarësh.
Njeriu i mjerimit në vend,edhe në kohët moderne jo vetëm se vuan e heq të zitë e ullirit si personazhet e Migjenit dikur, por ai herë pas here,me pezëm gjithandej trojeve të tij nga pesha e vuajtjeve të "shekullit të ri",kohë pas kohe vetëvritet diku publikisht, herë duke u hedhur nga lartësitë shumëkatëshe, herë duke ia shkrepur vetes, apo edhe duke u vetëdjegur me benzinë në vende publike, para syve të qindra kalimtarëve i cili ndoshta kurrë nuk ka qenë më prezent dhe vetë-flijues si sot.
Ndaj, vetë gjendja e shqiptarëve ,bënë që temat e shkrimeve të Migjenit vazhdimisht të jenë aktuale dhe përmbajtja e tyre të ketë karakter të përjetshëm kombëtar edhe për faktin se i vetmi, mjerimi si dukuri është ruajtur dhe trashëguar me besnikëri dhe më shumë se çdo fenomen tjetër në këto troje.
Nga e gjithë kjo dëshmohet se nuk është vetëm magjia e shkrimeve migjeniane ajo që mbijeton ndër vite dhe mote, por është edhe gjendja aktuale e njeriut tonë,e cila mjerisht përsëritet si një "Këngë e dhembshme e një dashurie të vjetër" si mjerimi i cili tek shqiptari vazhdon pafund e mbarim dhe garanton jetëgjatësinë e veprave letrare të Migjenit, si ushqimet "BIO" të cilat jetojnë më gjatë dhe bëjnë kalimin përtej kohëve.