Mes ëndrrës dhe realitetit

Shkruar nga Aurora Pllana
A po jetojmë apo jemi pjesë e një ëndrre dhe iluzioni i cili na vërtitë furishëm nëpër skuta të errta?! Kjo herë-herë na nxjerr në sipërfaqe dhe atëherë na duket se jetojmë dhe marrim frymë!
Ndoshta De Karti, do të na jepte një përcaktim më rigoroz të pozicionit të njeriut në lidhje me ëndrrën dhe realitetin. Unë e ndjej veten realiste në këtë pikë sepse nuk mund të mendoj një realitet pa ngjyrat dhe nuancat e ëndrrës e cila shërben si indicator i lumturisë personale të çdo individi.
Realiteti pa ëndrrën do të ishte si një krijesë e vdekur që dekompozohet nga krimbat kohë.
Pa ëndrra do të ishim si kafshët apo siç thotë dhe vetë Stefan Cvajg: Në këtë botë vetëm budallenjve (njerëz me të meta mendore) nuk ju ecën në jetë, e kundërta ndodh me të zgjuarit që Zoti nuk i ndihmon më shumë sesa ata ndihmojnë veten e tyre.
Shumë njerëz e shohin jetën bardhe-zi sepse kanë frikë nga realiteti dhe nga gjërat e jetës. Mendime të tilla janë të panevojshme, ato të sjellin huti dhe një ditë mund të humbësh në ndonjë mjegullim të pafund nga i cili nuk do mundesh të lirohesh kurrë.
Çdo gjë e mirë dhe e keqe jeton në ndjenjë dhe vdekja është zhdukja e plotë e çdo ndjenje, pra nëse prania e diçkaje nuk na shkakton dhimbje atëhere frika me ardhjen e kësaj gjëje mund të quhet absurde.
Kësaj jete që rrjedh në gjithë gjerësinë dhe gjatësinë e saj i nevojitet një shpirt i thellë. Tani, ka ardhur koha që shpirti ynë të shprehë madhështinë, fuqia jonë duhet të na drejtojë dhe të shpenzohet në të mirë të njerëzimit.
Shpirti i njeriut është i fuqishëm, i thellë, pra thellësive të tilla duhet të ecim vazhdimisht.
Jeta është e bukur nëse vërtetë di ta jetosh edhe momentin e fundit, sepse nuk ka shkencë më të vështirë në këtë botë sesa të jetosh mirë dhe natyrshëm këtë jetë, vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë përpjekjet tona për të realizuar dhe për ti shijuar njëkohësisht ëndrrat tona për të cilat kemi aq shumë nevojë.
Kjo gjë na ka bërë aktivë duke ndjerë peshën mbi supet e cila na ka bërë të kërkojmë më shumë nga vetja jonë.
Në këtë botë duhet të luftosh me mish e me shpirt për të marrë ato për të cilat ke ëndërruar dhe vazhdon të ëndërrosh.
Të jetosh në një realitet me ëndrra, të jep gëzim, lumturi, shpresë dhe besim tek vetja dhe tek e ardhmja. Bota duket më e bukur, me shumë jetë.
Por edhe ëndrra pa realitetin nuk do të kishte kuptim, nuk mund të mendohet një e gjë e tillë.
Nëse nuk do të ishte realiteti brenda ëndrrës, njeriu mund të arrinte në një idealizim të qbotës, duke e larguar idin (personal) e vetë, pra do të ishte gjetiu, pa një plan se ku të mbështetej.
Kjo do ta bënte atë të ishte si një orë që vazhdimisht punon, pulson por nuk arrin një qëllim të mirëfilltë final.
Njeriu, ndjehet mirë kur ndjen se jeton duke ëndërruar. Ëndërron duke jetuar. E kështu lindin sfidat, problemet, gëzimet, hidhërimet që shërbejnë si aureola të ëndrrës dhe realitetit.
Pikërisht këto e identifikojnë njeriun si qënien më të përsosur. Jeta dhe ti! Ji realist! Ëndërro për momentet e bukura që të japin gëzim.
Duhet të përqëndrohesh tek vetja dhe të mos hutohesh pas të tjerëve, sepse kush ndalet për të kqyrur i mrekulluar hapin e shpejtë të të tjerëve, nuk do mundë kurrë të ecë përpara, pra duhet të jetosh dhe të shkëpusësh me forcë e lakmi gjithçka të mirë dhe të bukur nga kjo jetë, nga këto ëndrra dhe nga ky realitet që dita-ditës sa vjen e po bëhet më mizor, më i hidhur.
Bëje këtë duke mos u bërë merak se çfarë do të sjellë një orë apo një sekondë në rrjedhën e lojës tënde. Vidhja këto realitetit dhe në këtë rast të jesh i sigurtë se të vjedhësh nuk është mëkat.
Aurora Pllana