Menaxhimi me resurse humane, prioritet ekonomik
Shkruar nga Albana Maloku Kosumi
Në krahasim me resurset tjera fizike, resurseve humane deri më sot fatkeqësisht nuk iu është kushtuar mjaft vëmendje dhe rëndësi.
Qoftë në nivelin makro (të shtetit), qoftë në nivelin mikro (të ndërmarrjes) ato më shumë janë trajtuar si kosto sesa si potencial. Megjithatë, si pasojë e ndryshimeve demograike, sot nevoja për resurse humane po bëhet gjithnjë më e madhe dhe më e theksuar në botë.
Për të kuptuar më mirë rëndësinë e resurseve humane duhet kuptuar rëndësinë e çdo vepre të njeriut si Homo sapiens dhe Homo faber.
Që nga ekzistimi i tij njeriu gjithnjë është munduar të përdorë njohuritë apo kreativitetin e vetë për të zbuluar dhe prodhuar gjëra me qëllim të lehtësimit të jetës së tij.
Sot paksa në formë tjetër dhe në një stad më të lartë të zhvillimit, kjo filozofi vazhdon të mbetet e njëjtë. Individët apo ndërmarrjet mundohen të prodhojnë gjëra të cilat sa më mirë i përshtaten nevojave apo dëshirave të njerëzve (konsumatorëve).
Sigurisht se ekonomia hyn në punë, gjegjësisht interesohet për këto aspekte në momentin kur shfaqët dëshira apo nevoja për komercializimin e tyre.
Megjithatë, nuk duhet lënë anash faktin se superioriteti i të gjitha veprave të njeriut nga kohët më të lashta e deri më sot, përfshirë këtu suksesin ekonomik dhe shkencor të tanishëm të vendeve të zhvilluara, të korporatave të mëdha, të ndërmarrjeve, në masë të madhe është varur dhe varët nga njerëzit, nga dituria e tyre, nga aftësitë, shkathtësitë, kreativiteti, motivimi i tyre etj.
Ndonëse të zhvilluara ekonomikisht dhe të pasura me resurse natyrore sot shumë vende të botës po ndryshojnë legjislacionin e tyre, gjegjësisht politikat e punësimit për të siguruar fuqinë punëtore të profileve deficitare.
Në këtë kontekst ia vlen të përmendet tregu i punës në Kanda, Gjermani etj. Sigurisht se procesi i globalizimit në botë sjellë shumë përparësi në aspekt të mobilitetit të kapitalit dhe të fuqisë punëtore por në anën tjetër shumë vende të botës po ballafaqohen me probleme demografike, me mungesë të popullatës, me vjetërsim të popullatës, me mungesë të kuadrove etj.
Një gjendje faktike ka inicuar nevojën për ndryshime thelbësore në aspektin e sigurimit të resurseve humane prandaj duhet kuptuar pse këto resurse janë kaq të vlefshme dhe të kërkuara.
Në nivelin makro, shtetet të cilat kanë nevojë për resurse humane nga vendet tjera, tentojnë të ndryshojnë legjislacionin dhe me politika të caktuara të atraktojnë punonjësit e huaj të cilët mungojnë në tregun vendor të punës.
Këto shtete përveç shprehjes publike të nevojës për punëtorë lidhin kontrata me shtetet ku papunësia është e madhe në kuptim të identifikimit të kuadrove, ofrimit të kurseve për mësim të gjuhës, njohjes me kulturën e vendit, sigurimit të kushteve specifike etj.
Në nivelin mikro, menaxhimi me resurse humane duhet të jetë në përputhshmëri me qëllimet strategjike të ndërmarrjes, gjegjësisht me atë se ku dëshiron të arrijë ndërmarrja në 5 apo 10 vitet e ardhshme?
Në këtë aspekt resurset humane janë shumë të rëndësishme dhe duhet parë si potencial në drejtim të arritjes së qëllimeve strategjike.
Ky nuk është proces i lehtë pasiqë ndikohet nga shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Si faktorë të brendshëm zakonisht paraqiten kultura e organizatës, motivimi, zhvillimi, sistemi i shpërblimit, kontrolli etj. ndërsa si faktorë të jashtëm paraqiten dinamikat në tregun e punës, gjegjësisht bashkëveprimi i kërkesës dhe ofertës për punë.
Për të qenë ndërmarrja sa më e fuqishme duhet ndërtuar një sistem të punësimit dhe avancimit në karrierë i cili duhet të bazohet në meritat e punëtorëve në punë.
Ky sistem nuk duhet të jetë as i ndërlikuar e as i sofistikuar, por duhet dhënë efektet e pritura në drejtim të përmbushjes së qëllimeve.
Menaxhimi i resurseve humane nga aspekti i ndërmarrjes duhet të bëhet me qëllim të arritjes së objektivave të organizatës, rritjes së produktivitetit, arritjes së përparësisë konkurruese, rritjes së vlerës së tregut të ndërmarrjes etj.
Me shumë siguri mund të konkludohet se resurset humane sot janë resurset më të rëndësishme dhe më të rralla.
Vetëm me menaxhim adekuat të tyre, me politika adekuate shtetet apo ndërmarrjet do të mund të atraktojnë dhe të mbajnë punëtorët e mirë, talentët.
Mobiliteti i resurseve humane këtë detyrë do ta bëjë edhe më të vështirë. Gjithashtu duhet të ndryshojë edhe raporti i deritanishëm ndërmjet nevojave reale të tregut dhe profileve të cilat do të ndërtojnë shkollat apo universitetet.
Punëtorët e mirë, ekspertët do të jenë të vetëdijshëm për kapacitetin vetanak dhe do të mundohen të menaxhojnë me karrierën e tyre ndërsa ndërmarrjet do të mundohen të atraktojnë punëtorët më të mirë.
Ndërmarrjet të cilat do të luftojnë për mbajtjen e punëtorëve të mirë apo ekspertëve duhet të kenë parasysh qëllimet vetanake ekonomike siç janë: produktiviteti, rentabiliteti, avantazhi konkurrues etj. por në anën tjetër duhet të balancojnë shumë edhe me qëllimet sociale të të punësuarve: pritjet e tyre, interesat e tyre, përmirësimin e kushteve në punë, ngritjen e nivelit të kënaqësisë në punë, lojalitetit etj.
Menaxherët janë lidhja kryesore ndërmjet punëtorëve dhe ndërmarrjes prandaj roli i tyre është të angazhohen maksimalisht në drejtim të përmbushjes së qëllimeve të ndërmarrjes dhe qëllimeve të punëtorëve.