22 Dhjetor 2024

Menaxhimi i Financave Publike nga Komunat e Kosovës

Shkruar nga Labinot LEKAJ


Në përputhje me politikat ekonomike kombëtare dhe duke pasur parasysh qëndrueshmërinë fiskale të komunave dhe Qeverisë, Komunat e Kosovës kanë të drejtë të kenë burime të mjaftueshme financiare me të cilat mund të disponojnë lirshëm gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre komunale në përputhje me ligjet e zbatueshme të Kosovës.

 
Për të mirë të popullsisë së Komunës, Kuvendi Komunal dhe zyrtarët ekzekutiv kanë të drejtën dhe autorizimin që në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë dhe menaxhojnë burimet financiare të cilat rrjedhin nga të hyrat vetanake komunale ose të cilat i janë ndarë komunës në formë të grantit të përgjithshëm.  


Këtë pavarësi financiare të Komunave të Kosovës e garanton Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 13 Mars 2008. Po ashtu edhe llogaridhënia e Komunave lidhur me shpenzimin e parave publike është e rregulluar gjithashtu me Ligj. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, është institucioni përgjegjës i cili bën auditimin e rregullsisë së Komunave, duke dhënë një opinion se si janë menaxhuar paratë publike. Në fillim të këtij viti Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka bërë publike raportet e auditimit të Komunave të Kosovës për vitin fiskal 2008.

 

Këto raporte pasqyrojnë mënyrën se si komunat kanë menaxhuar me paratë publike. Nga gjithsejt 22 raporte të publikuara nga ZAP-i, vetëm një raport rezulton me dhënie të opinionit (Komuna e Prishtinës – Raport i pakualifikuar me theksim të çështjeve), ndërsa 21 raporte tjera rezultojnë me Refuzim të dhënies së opinionit (Mohim i opinionit).  


Në vazhdim do t’i shpjegojmë llojet e opinioneve të cilat i ka lëshuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, gjatë auditimit të Komunave të Kosovës, e të cilat opinione janë në harmoni me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA – ISSAI 400). 
Një opinion i pakualifikuar jepet kur auditori është i kënaqur në të gjitha aspektet materiale që:  


- Pasqyrat Financiare janë përgatitur duke shfrytëzuar baza dhe politika të pranuara të kontabilitetit të cilat janë zbatuar në mënyrë konsistente (të vazhdueshme),


- Pasqyrat Financiare janë në pajtim me kërkesat statusore dhe rregulloret relevante,


- Pamja e paraqitur në Pasqyrat Financiare janë në përputhje me njohuritë e auditorit në lidhje me entitetin e audituar,


- Është një shpalosje adekuate e të gjitha çështjeve materiale relevante për Pasqyrat Financiare.


Theksimi i çështjeve. Në disa rrethana auditori mundet të konsideroj se lexuesi nuk do të kuptoj në mënyrë të duhur Pasqyrat Financiare nëse vëmendja është përqendruar në çështje të pazakonshme apo të rëndësishme. Si një rregull e përgjithshme, auditori kur jep një opinion të pakualifikuar kjo nuk i referohet ndonjë aspekti specifik të Pasqyrave Financiare në opinionin e tij në rast se kjo mund të interpretohet gabimisht si opinion i kualifikuar. Me qëllim të shmangies së kësaj përshtypjeje, referencat që janë menduar si; nenvizim i çështjes, gjinden në paragrafët e ndara nga opinioni. Sidoqoftë, auditori nuk duhet të përdorë nënvizimin e çështjes për të përmirësuar mungesën e shpalosjeve të duhura në Pasqyrat Financiare apo si alternativ, zëvendësim për kualifikim të opinionit (ISSAI 400).  


Mohimi i Opinionit. Aty ku auditori nuk mund të jep opinion në lidhje me Pasqyrat Financiare, të marrë si tërësi për shkak të paqartësisë apo restrikcione të fushëveprimit që është thelbësor që një opinion që është i kualifikuar në aspekte të caktuara nuk do të jetë adekuat, jepet opinion i kundërt. Formulimi i një opinioni të tillë të kundërt na bënë të qartë që një opinion nuk mund të jepet, duke specifikuar në mënyrë të qartë dhe koncize të gjitha çështjet e paqarta (ISSAI 400). 

 

Nëse analizohen këto raporte të publikuara nga Auditori i Përgjithshëm, shihen një varg e parregullsive, dhe shumë shkelje të ligjeve nga ana e zyrtarëve komunal. Po ashtu në disa raporte kemi edhe mungesë të informatave financiare, shkelje të ligjit të prokurimit publik, mosrespektim të rregulloreve komunale etj.  


Shihet qartë se Komunat e Kosovës ende nuk kanë arritur të përmbushin standardet e transparencës dhe llogaridhënies lidhur me shpenzimin e parasë publike, andaj zyrtarët kompetent (Kryetarët e Komunave, këshilltarët komunal dhe të gjithë zyrtaret tjerë) duhet të mirren më seriozisht me permbushjen e këtyre standardeve, të punojnë konform ligjeve dhe rregulloreve të aplikueshme dhe të shfrytëzojnë sa më racionalisht taksat e qytetarëve të Kosovës, përndryshe organet kompetente që janë të thirrura për respektimin e ligjit (Gjykatat dhe Prokuroria) duhet të mirren me këto shkelje të konstatuara nga Auditori i Përgjithshëm, sepse sa më shumë që të mirren këto organe me zyrtarët të cilët nuk e respektojnë ligjin dhe keqpërdorin fondet publike, aq më shumë do të ngritet vetëdija e komunave për shfrytëzim transparent të parasë publike.


Autori është ekspert i auditimit të  sektorit publik 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)