Me shpifje e përçarje nuk mbrohen interesat dhe kërkesat e arsimit
Shkruar nga Rrahman Jasharaj
Letër e hapur për ish kolegët e mi sindikalistë Gashi e Bajrami
Nezir Gashi e Naim Bajrami kanë nisur të mbajnë takime të fshehta dhe po mundohen të gjejnë njerëz të painformuar apo të tillë që kurrë nuk kanë qenë anëtarë të sindikatës për të zbrazur barkun me plot shpifje kundër kryesisë së SBASHK-ut, pra edhe kundër meje.
U ka humbur diku burrëria e fryma sindikaliste këtyre dy ish kolegëve sindikalistë sepse po tu kishte mbetur vetëm pak burrëri e po të kishin vetëm edhe një argument të keq kundër meje e kolegëve të mi do të ishte dashur që ti ikin takimeve misterioze e të fshehta me do analfabetë në komunat e caktuara.
Ti Nezir bashkë me Nimin kishit diskutuar shumë e shumë herë në takimet e Këshillit të Përgjithshëm dhe kishit bërë publike idetë tuaja aty, por, e keni parë edhe ju u ishit bërë bajat kryetarëve të sindikatave të arsimit nga komunat e Kosovës.
Në ato takime nuk u shitesheshin shpifjet dhe prandaj, të cytur nga Haxhi Arifi, që është ujk i vjetër i përçarjeve, shfrytëzuat besimin që keni në komunat tuaja dhe atje, pa pasur kush tju demantojë , vazhduat të plasoni shpifje duke punuar rreptë për të bërë përçarje. Ju të dy keni përgatitur terrenin në komunat tuaja për këtë veprim që një kohë të gjatë.
Atje njerëzit u kishin zgjedhur ti përfaqësoni në Këshillin e Përgjithshëm të SBASHK-ut dhe ju nga takimit e këtij organi të lartë nuk ktheheshit me të vërtetat, po pasonit në takimet e nivelit komunal shpifjet dhe intrigat që i sajonit duke pirë makiato në ndonjë lokal të Prishtinës.
Ju dy ish kolegët e mi sindikalistë paskeni qenë edhe në një takim të fshehtë në Pejë dhe paskeni gjetur nja dy a tre analfabetë sindikalë dhe pastaj përmes tyre jeni munduar ta plasoni lajmin se edhe në Pejë Diçka po zihet.
O Naim burri, o Nezir sindikalisti po të kishit argumente të qëndrueshme kundër meje dhe Kryesisë së SBASHK-ut atëherë do të duhej të më ftoni edhe mua dhe kryetarin e Sindikatave të Arsimit në Pejë, Isuf kelemendi dhe pastaj para nesh ta zbrazni barkun. Kështu si keni bërë ju është jo njerëzore, jo sindikaliste dhe nuk i ka hije mësimdhënësve të punojnë fshehurazi në përpjekje për të shpërndarë shpifje, intriga e të pavërteta.
O Naim burri, o Nezir sindikalisti, po më dhimbseni që u ka shkuar gjithë ai mund kot për të ardhur në tërë atë borë në Pejë. Kot jeni lodhur e jeni turpëruar se në Pejë kishin ardhur para disave kohësh, në kohët e viteve të vrara të Kosovës do sejmenë ekspertë për shpifje në krye me Haxhi Arifin dhe kishin vizituar fshehurazi të gjitha shkollat e Pejës.
Ata atë kohë nuk kishin lënë fjalë pa thënë për mua dhe për gjithë kryesinë e atëhershme të SBASHK-ut, por ishin kthyer nga Peja të dëshpëruar.. Mësimdhënësit e kësaj komune dhe të gjithë komunave të tjera të Kosovës ishin dhe mbesin intelektualë. Ata nuk binë pre e shpifjeve dhe intrigave.
Ata e duan unitetin e jo përçarjen. Përçarjen e do Haxhiu se për të me rëndësi është kolltuku e jo interesat e kërkesat e sindikalistëve. Naim ti e di mirë këtë dhe dikur ke qenë nga më të zëshmit që SBASHK-u të largohet nga BSPK-ja, po çuditem pse ndërrove mendimin dhe tu shtua aq shumë dashuria për Haxhiun.
Nezir dhe Naim iu kurseva nga fjalët e rënda sepse nuk dua tua them në letër e nga larg. Unë e kam ruajtur respektin për profesionin dhe burrërinë dhe nuk flas rënd kur nuk iu kam para syve e në një tavolinë. Këtë stilin e shpifjeve po ua lë juve që ti thoni në takimet e fshehta, por ju lus të më përgjigjeni se për ku jeni nisur dhe me thoni pse po i mashtroni ata pak mësimdhënës, që në mungesë të palës tjetër, ju besojnë juve. A do ta kenë ata shpëtimin te ju dhe në gjirin e Haxhiut?
Ne o ish kolegët e mi të bashkuar e pa as edhe një përçarje edhe do ta kemi të vështirë të përballemi me sfidat e me plagët e përçarjeve, sado të vogla qofshin ato, do ta kemi edhe më vështirë.
Nezir e Naim me këtë letër nuk kam qëllim tua ndryshoj mendimet dhe stilin tuaj për shpifje, por vetëm desha tua kujtoj se përpjekje të tilla kishte edhe në të kaluarën, por ato dështuan dhe atyre që punuan për të dëmtuar unitetin e SBASHK-ut u mbeti turpi tërë jetën.
Nezir e Naim ju i keni më afër gjeografikisht selitë e mediave të shkruara e elektronike dhe nëse u ka mbetur vetëm edhe pak burrëri dhe nëse vërtetë mendoni se keni argumente kundër meje dhe kujtdo qoftë në kryesinë e SBASHK-ut na caktoni ndonjë paraqitje publike në emisionet e kontaktit në këto media dhe opinioni do të bindet se kush çka është.
Unë jam i gatshëm për ballafaqime të tilla prandaj leni shpifjet e mashtrimet në takime misterioze e të fshehta po ejani të dalim publikisht dhe le të na dëgjojnë të gjithë njerëzit në Kosovë se çfarë kemi për të thënë. Ju të dy nuk guxoni ta bëni këtë. Nuk guxon as Haxhi Arifi të përballet publikisht me ne . Nuk guxoni sepse aty nuk mundeni pastaj të flisni intriga e pallavra..
Ju përshëndet dhe Ju fton në duel publik intelektual e sindikal ish kolegu Juaj Rrahman Jasharaj, kryetar i Kuvendit të SAF në kuadër të SBASHK-ut