22 Dhjetor 2024

Me bërryla nuk hapen rrugët

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Paralajmërimet boshe për rend dhe ligj në veri, po trimërojnë strukturat kriminale në veri dhe po legjitimojnë praninë e Serbisë në veriun e shtetit tonë. Aksionet policore dhe ato të fundit të KFOR-it, ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat të pritshëm. Kjo do të thotë, se mungon qasje serioze dhe adekuate për zgjidhjen e këtij problemi. Prolongimet dhe paaftësitë, mund të rrëshqasin në konflikt afatgjatë dhe të përmasave të paparashikueshme.
 
Përkundër paralajmërimeve për rend dhe ligj, në veriun e Kosovës, pushteti vazhdon të mbahet nga strukturat ilegale serbe. Kufizimi i lëvizjeve të mjeteve motorike ushtarake e policore, është vetëm kulmi i realiteti kuazi që ekziston në këtë zonë, tash e 13 vjet më parë. Qytetarët kanë qenë, janë e më gjasë do të mbesin edhe për një kohë, të kufizuar, kërcënuar dhe pa një të ardhme prosperuese. Politika ka dështuar në vendosjen e rendit dhe ligjit këtu. Këtu kishte dështuar edhe UNMIK-u e EULEX-i, përderisa misioni i KFOR-it është vënë pikëpyetje të madhe; jo vetëm kredibiliteti i tij, por edhe si autoritet i fuqishëm për paqe dhe siguri.

Përveç disa aksioneve spektakulare (KFOR dhe PK), lëvizje poshtë e lart, (tym zjarr e bllokim rrugësh), nuk është shënuar ndonjë hap progresiv drejt kthimit të normalitetit. Strukturat ilegale mbajnë imazhin e një zone të kriminalizuar, e cila ushqehet, menaxhohet dhe kontrollohet me kujdes të shtuar nga Beogradi. Kosova, përkundër proklamimit të sovranitetit në këndin politik, në kontekstin funksional nuk posedon mekanizma ushtarak për të menaxhuar kufijtë. Kontrolli kufitar me disa policë gjysmë të armatosur janë dëshmuar si të dështuar, për faktin se çfarëdo bande, pak hajdutë e kriminelë, mund t’i kallin pikat kufitare, të shpërfillin kufijtë shtetërorë, por edhe të vrasin pa therë në këmbë ‘kujdestarët’ e sigurisë.
 
Veriu serial ditor
 
KFOR-i dhe Policia e Kosovës, janë kthyer në serial ditor në pjesën veriore të Kosovës. Barikadimi i rrugëve urbane në këtë pjesë të territorit të shtetit tonë, është vetëm njëri kënd i pasqyrës së thyer të autorësisë së shtetësisë së Republikës së Kosovës. Në fakt atje, tash e 13 vjet nuk ekziston rendi dhe ligjshmëri. Fajtor kryesor për një situatë të tillë, është vet komuniteti ndërkombëtar(UNMIK), i cili lejoi ose toleroi, krijimin e klimës së kaosit, dhunës dhe papërgjegjësisë. Gabuan ndërkombëtarët, por gabuan edhe vendasit. Gaboi edhe qeveria e Kosovës, me strategji krejtësisht utopiste, pa koncepte të qarta dhe veprime konkrete. Duke bërë zhurmë nga ulëset e Kuvendit të Kosovës, për shtrirjen e autoritetit në veri, erdhi tek shou i fundit; kallja e kufijve dhe bllokimi i rrugëve urbane.

Aksioni i paorganizuar mirë, shënoi viktimat e para, (vrasja e policit dhe plagosja e shumë të tjerëve nga radhët e PK, por edhe nga KFOR-i). Dhe çka pas kësaj?-Thjeshtë kontrollin e bëjnë sërish bandat e kriminalizuara, përderisa KFOR-i lëvizë rrotat e makinave poshtë e lart (nën vrojtimin dhe kujdesin e strukturave kriminale). Nëse Policia e Kosovës, së bashku me KFOR-in, Qeverinë e Kosovës, por edhe me Brukselin dhe Uashingtonin, nuk koordinohen për zhbërjen e strukturave kriminale (dhe kapjen e kokave të krimit), do të jemi dëshmitar të viktimave të reja, jo vetëm nga radhët e organeve të sigurisë. Një problem qe është dashur të zgjidhet më 1999, është lënë të zgjidhet më 2011.

Por nëse serish prolongohet e njëjta specie, konflikti aktual në tri komunat veriore, mund të merr shtrirje më të gjerë, duke prekur edhe brendinë e shtetit të Kosovës. Prandaj, trokasin çastet e fundit, për t’i dhënë pikë të madhe këtij problemi. Jo duke luajtur ‘prish e ndreq\', por duke hapur rrugët dhe shuarjen njëherë e përgjithmonë të strukturave kriminale serbe. Them duhet shuar, e jo të presim qe ato vetvetiu të shpërndahen ose të integrohen përmes ndonjë dialogu të kamufluar. Është bërë modë, qe sa herë krijohen turbulenca në veri, në Beograd dalin në skenë sharlatanët e Millosheviqit, duke kërcënuar Kosovën (për ta ndarë me luftë ose me bisedime). Andaj që tu mbyllet goja këtyre lakenjve, duhet dëbuar bandat mafioze dhe kriminale nga veriu. Të gjithë jemi deshmitarë se  historia e re e Kosovës (shtet i pavarur), është shkruar në hartën e re të Evropës dhe botës. Autorësia duhet të dëshmohet edhe në terren. Ndërkaq të sëmurët e Karpateve lë të kërkojnë shërim nëpër sanatoriumet e Moskës. Por jo edhe në Kosovë.
 
 
13 vjet dështim të bashkësisë ndërkombëtare në veri
 
Misionet ndërkombëtare në veri kanë dështuar. Institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar këtu, kanë shënuar nota dështimi për instalimin e mekanizmave adekuat në veri (kushtetutshmëria RK). Këtë bindje e forcoi edhe eurodeputetja Doris Pak, e cila thekson se bashkësia ndërkombëtare ka gabuar në vitin 1999, atëherë kur NATO bombardoi caqet serbe. “Në vitin 1999, BN-ja është dashur t’ia bëjë të qartë Serbisë, se Kosova është shtet i pavarur”. Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Kristofer Dell, citon dështimin e BN-së për çështjen e veriut.

“Pa dashje bashkësia ndërkombëtare në disa raste ka qenë si në epokën e Milosheviçit në raport me kosovarët. Kjo ka ndodhur duke ua dhënë kosovarëve një dukje joreale të qeverisjes së tyre. Kosova është një test ku do të dëshmohet nëse Bashkimi Evropian është në gjendje të krijojë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Bashkimi Evropian në UNMIK, në kuadër të shtyllës së katërt, nuk ishte i suksesshëm. Flas për dështimet e UNMIK-ut në krijimin e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse. Ato institucione u krijuan, por PSSP-ja ka mbajtur të gjitha përgjegjësitë në duart e veta. Kjo ka zhvilluar papërgjegjësinë te klasa politike kosovare”.

Ndërkaq, Diplomati britanik, MacShane, thotë se Serbia me fonde që merr si ndihmë prej BE-së, financon strukturat paralele.“Bashkimi Evropian jep 200 milionë euro në vit për mbështetjen e Serbisë. E mbi 200 milionë euro në vit gjithashtu jep Serbia për mbajtjen e strukturave paralele në Kosovë. Prandaj unë dëshiroj t’i them njerëzve në Bashkimin Evropian që këto para duhet të ndërpriten.

Kosova është gjithashtu viktimë e fuqive politike në OKB. Kjo ka të bëjë sidomos në OKB e cila nuk po e njeh Kosovën. Komuniteti ndërkombëtar refuzon të njoh Kosovë në vend se të rishkruaj Rezolutën 12 44 që është njëri nga tekstet më të këqija të shkruara në historinë Kombeve të Bashkuara”.

Por, ‘mbajtësit’ e pushtetit në veri, (përfaqësuesit e strukturave kriminale) rekomandojnë qe KFOR-i të respektojë ata, duke iu ‘përmbajtur’ urdhrave të tyre “e mos të keqpërdorin mundësinë e lëvizjes së lirë nga vullneti i grupeve ilegale”. “Shpresojmë që KFOR-i do të respektojë vullnetin tonë të mirë dhe nuk do ta keqpërdorë mundësinë për kalimin e lirë, për t’i furnizuar ushtarët. Banorët do të qëndrojnë këtu dhe do të mbikëqyrin, por nuk do t\'i pengojnë ushtarët.

Ndërkaq, EULEX-i nuk mund të kalojë derisa nuk arrihet ndonjë marrëveshje me Beogradin\". Hedhja e topit në Beograd për rrugët e Kosovës është ‘lojë’ zjarri. Por, “butësia” e tepruar e KFOR-it dhe paaftësia menaxheriale e politikë bërësve tanë, por ia zgjasin jetën bandave dhe politikës arrogante të Serbisë në Kosovë. Ngjashëm tingëllon edhe aplikimi i masave të reciprocitetit të mallrave, nga e cila përfitoi Serbia, përderisa mallrat e Kosovës kërkonin trajtim specifik, pavarësisht ‘ujdisë’ së arritur.
 
Paralajmërimet boshe
 
Kosova vuan nga mosfunksionimi i kushtetutshmërisë në tërë territorin e saj. Problem ky që shoqëron veriun e Kosovës, duke u nënvizuar edhe si problem i përmasave ndërkombëtare. Veriu i Mitrovicës, me dy komunat tjera, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë paraqitur sfidë jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për vetë misionin e EULEX-it dhe KFOR-in. Por në fund të kësaj maratone, prish e ndreq, misioni evropian në Kosovë, lansoi një strategji të re për tejkalimin e këtij ngërçi politik. Në këtë kontekst, misioni i NATO-s në Kosovë paralajmëroi se do të heqë barrikadat rrugore të vendosura nga serbët lokal në veri të vendit, me dialog ose në mënyrë tjetër.

Paralajmërime të tilla kanë ardhur edhe më parë nga KFOR-i dhe qeveria e Kosovës, por gjer më të tash nuk kanë treguar ndonjë sukses të dëshirueshëm. Po ashtu edhe opsionet shtesë jashtë Pakos së Ahtisarit, realisht janë vlerësuar si zgjidhje virtuale të cilat nuk ekzistojnë. Ndërkaq, shtyrja në funksion e ligjshmërisë aktuale duke prekur edhe planin Ahtisari janë të vetmet metoda funksionale. Idetë e ndryshme nga politolog a analistë, për ndonjë ‘Ahtisari 2’, ose model i ri politik, rrezikojnë qenësinë e shtetit të Kosovës. Rrezikojnë ekzistencën dhe paqen këtu.

Çdo projekt-plan që shkon përtej Planit Ahtisari, nuk mund të tejkalojë ngërçin e veriut, por vetëm se mund të hapë opsione të reja të ndarjes. Vetëm vendosja e ligjshmërisë unike RKS, mund të zgjidhë problemin e veriut. Ndryshe opsionet tjera janë teste që prekin jo vetëm rendin dhe kushtetutshmërinë, por edhe paqen në Kosovë dhe Ballkan.

Edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Dreus e ka bërë të qartë se nëse problemi në veri nuk zgjidhet me anë të dialogut atëherë KFOR-i do të veprojë sipas rrethanave në terren. “Ne preferojmë qe problemi të zgjidhet me dialog. Nëse dialogu nuk është i suksesshëm, atëherë do të përdorën forma të tjera”. Dhe pas gjithë kësaj vazhdon vendnumërimi. KFOR-i shikon ndërsa policia ndez drita duke treguar se është ‘gjallë’, si dëshmitar rasti. “Situata e sigurisë në rajonin e Mitrovicës është e qetë. Ditët e fundit PK-ja, nuk ka regjistruar ndonjë incident që do të rrezikonte sigurinë”, vlerësojnë autoritetet policore në veri.

Situatë e qetë nën tyta armësh. Nuk rrezikohet siguria me rrugë të bllokuara!-Raporte të tilla përplot gënjeshtra kanë fshehur turbulencat e krijuara tash e 13 vjet më parë. Nëse rrugët e bllokuara, kërcënimi nën tyta armësh për qytetarët dhe policinë, nuk janë kërcënim, unë nuk shoh diçka tjetër qe mund të rrezikojë më shumë sigurinë dhe lëvizjen e lirë. Përveç ndonjë fatkeqësie natyrore. Paralajmërimet boshe për rend dhe ligj në veri, po trimërojnë strukturat kriminale në veri dhe po legjitimojnë praninë e Serbisë në veriun e shtetit tonë.

Detyrë e vetme dhe esenciale e KFOR-it mbetet hapja e rrugëve dhe shpartallimi bandave kriminale, krahas të cilit duhet garantuar liria e lëvizjes për qytetarët në tërë territorin e shtetit të Kosovës. Në këtë kontekst, mbetet edhe shtrirja e autorësisë së shtetësisë së Kosovës në veri. Ndryshe, prolongimet, ngathtësitë dhe paaftësitë, mund të rrëshqasin në konflikt afatgjatë dhe të përmasave të paparashikueshme.
 
 
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)