Mbretëria e Dardanisë
Shkruar nga Qazim Namani
Dardanët ishin banorët më të hershëm të Kosovës së sotme.[1] Etimologjia e fjalës dardan rrjedhë nga gjuha indoevropiane dardj-a, në gjuhën shqipe dardha (vend i dardhave).[2] Fjala darda është fjalë shqipe që do të thotë dardhë, në trajtën dardan-os del se është sufiks pellazgjik.[3]
Sipas arkeologes Edi Shukriu: krijimin e fiseve dardane duhet parë në procesin integrues që u zhvillua gjatë epokës së bronzit (2100-1100). Sipas saj të dhënat që u ruajtën gjatë historisë për fiset më të njohura dardane janë: fisi i madh i dardanëve, galabërve, thunatëve dhe daunëve.[4]
Pozitën gjeografike dhe strategjike që e zotëronin dardanët ishte me rëndësi të madhe politike dhe ekonomike për Mesdheun. Nëpër territorin e dardanëve kalonin shumë rrugë të rëndësishme antike, pastaj interesim për tregtarët e kohës zgjonin pasuritë minerare dhe punimi i metaleve fisnike të arit , argjendit si dhe të hekurit, zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë etj.
Duke u bazuar në këta faktor të rëndësishëm ekonomik dardanët luajtën rol të rëndësishëm në ngjarjet politike dhe shoqërore që zhvilloheshin në atë kohë në Gadishullin Ilirik.
Sipas shumë studiuesve qyteti ma i rëndësishëm në këtë kohë në Dardani ishte Damastioni. Ky qytet dardan i ndërtuar pranë minierave të argjendit në tokat e dyestëve ishte qendër zejtarësh dhe e organizimit politik dhe ushtarak të dardanëve.[5] Luan Përzhita për këtë qytet shkruan se ishte kryeqendra e Mbretërisë së Dardanisë.[6] Ky qytet përmendet edhe nga autori antik Straboni i cili jep të dhëna se në këtë qytet u prenë edhe monedhat me emrin \"Damastion\".
Si simbole në monedha paraqitet çekani i minatorit. Historiani antik Plini shkruan se rrathët dhe bylyzykët e arit që vinin nga Dardania quheshin me emrin Dardan.[7]
Dardanët kishin një numër të madh të skllavëve-daunët të cilët e punonin tokën. Dardanët në atë periudhë kohore u bënë të njohur për prodhimin e djathit, hardhinë e rrushit, dhjamin e derrit, pijen e njohur Sabanë etj.Të dardanët ishte i njohur për botën antike edhe kultivimi i qenit të Sharrit, kuajve, deleve dhe kafshëve tjera. Dardanët importonin kripë prej Autoriatëve dhe Ardiejve.[8]
Shkrimet e para për dardanët janë shënimet e historianit romak i shekullit te II para erës së re, Justinit (Pompe Trogu) me prejardhje nga Narbona e Galisë dhe bashkë kohanik i Tit Livit. Në këtë kohë ai jep të dhëna se Filipi i II i Maqedonisë i kishte nënshtruar dardanët dhe fqinjët tjerë.
Justini (Pompe Trogu) ishte autor i 44 librave të titulluara Historitë e Filipit. Në librat e tij përshkruhen luftërat e Maqedonisë duke filluar nga koha para Filipit të II-të e deri më rënien e shtetit Maqedon.[9] Zef Mirdita shkruan se shkrimtari antik Straboni i përmend dy fise dardane: Galabrët dhe Thunatët, analogjia e të cilëve gjendet në jugun e Italisë. Galabrët sipas të cilëve quhet edhe regjioni Calabria dhe Daunët në Apuli.[10]
Harta e Dardanise dhe fiseve Galabri dhe Thunatet
Burimet historike dëshmojnë se në gjysmën e dytë të shekullit të IV para erës sonë Dardania përbënte një tërësi gjeografike e politike më vete.[11] Sipas autorit Gërka Novak i cili jep të dhëna nga libri Geografia e Ptolomeut, dhe shkrimtarit antik Plini ne Storia natyrale\", por edhe te disa studiuesve te tjerë del se dardanët kanë jetuar në luginën e lumit të sotëm Vardar, në Fushën e Kosovës, në luginën e Moravës, në perëndim të Çaçakut, të Nishavës, në territorin rreth burimit te lumit Pingus (Pek) dhe shtrihëshin në lindje gjerë në Timachus (Timok). Këto të dhëna dëshmojnë se dardanët ishin një popull i madh i cili banonte edhe në shekullin e V të erës sonë në pjesën më të madhe të Serbisë së sotme.[12]
Dardania si mbretëri u krijua në zemër të Gadishullit Ilirik. Nëpër territoret dardane kalonin shumë rrugë të rëndësishme antike. Rruga Lezhë-Nish ka ekzistuar që nga kohët e lashta si rrugë e rëndësishme midis detit dhe trevave malore të pasura me minerale.
Kjo rrugë dhe shumë rrugë tjera që kalonin nëpër Dardani bënin lidhjen e skelave të Adriatikut me Danubin, Transilvaninë, fushat pjellore të Rumanisë, të Rusisë jugore etj.[13] Rrugë tjera me rëndësi që mund ti veçojmë në Mbretërinë e Dardanisë janë: rruga që vinte nga Tivari, Budva e Kotori dhe zbrite në Pejë, pastaj rrugët që vinin nga Kroacia nëpër luginën e lumit Ibër, duke kaluar nëpër Mitrovicë, Vushtrri, Ulpianë, Janjevë etj.
Në afërsi të Ulpianës kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme që qonin në drejtime të ndryshme, por është me rëndësi të ceket se nga Ulpiana përmes Shkupit një rrugë e rëndësishme lidhej me rrugën e njohur Via Egnatia.
Roli politik dhe ushtarak i Dardanisë filloi të rritej pas invadimit të keltëve në drejtim të Maqedonisë dhe Peonisë. Duke e shfrytëzuar dobësimin e maqedonëve dhe peonëve, dardanët e zgjeruan shtetin e tyre në rajonin e Peonisë. Sipas disa autorëve dardanët zgjerohen deri në detin Adriatik dhe në detin Jon, duke e mbajtur për një kohë në duart e veta edhe qytetin Epidamnos.[14]
Në fillim të shekullit të III para erës së re Dardania del në skenë si mbretëri me një organizim politik dhe ushtarak të rëndësishëm. Sipas njoftimeve të Justinit në vitin 279 para erës sonë Mbretëria Dardane i kishte ofruar mbretit të Maqedonisë ndihmën prej 20000 luftëtarëve për tu mbrojtur nga sulmet e keltëve, por mbreti i Maqedonisë e refuzoi ndihmën e ofruar nga dardanët.
Duke e vëzhguar situatën në Maqedoni dardanët morën masa mbrojtëse kundër keltëve. Keltët pas disfatës që pësuan në Greqi provuan të kalojnë nëpër territoret e Dardanisë por u asgjësuan.[15] Pas këtyre ngjarjeve për një kohë prej katër dekadash nuk ka lajme nga autorët antik, por mendohet se Mbretëria Dardane gjatë kësaj kohe u fuqizua edhe më shumë duke i zgjeruar kufijtë e saj në veri dhe në jug.[16]
Nga burimet historike mësojmë se Longari është sundimtari i parë dardan që ne e njohim nga shkrime e autorëve antik e i cili në vitin 231 para erës sonë e çliroi Paioninë. Duke e parë si rrezik forcimin e mbretërisë së Longarit, maqedonasit mobilizuan shumë forca ushtarake kundër dardanëve gjë që ndikoi në dobësimin e vet shtetit të Maqedonisë.[17]
Dardanët në vitin 229 para erës sonë e shfrytëzuan gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Maqedonia dhe i sulmuan tokat e saj. Maqedonët me vështirësi e përballuan këtë sulm gjatë të cilit u vra edhe sundimtari i tyre Demetri II.[18] Pas vrasjes se Demetrit pasardhësi i tij Antigon Dozoni i vazhdoi luftërat për dëbimin e dardanëve nga viset e Maqedonisë dhe Paionia.
Maqedonasit dërguan një garnizon të fortë ushtarak për ta marrë në kontroll qytetin me rëndësi strategjike të Paionisë, Bilazora që shtrihej në luginën e lumit Ankios.[19] Pasardhësi i Dozonit, Filipi i V i Maqedonisë e vazhdoi të njëjtën politikë kundër dardanëve. Në vitin 219 para erës sonë kur Filipi i V ishte në luftë kundër grekëve në Peleponez, ushtria dardane i sulmoi maqedonët dhe e çliroi qytetin Bilazora dhe disa treva tjera të Paionisë.[20]
Filipi i V e ndërpreu luftën me grekët dhe dërgoi ushtrinë për ta marrë në kontrollë Bilazorën. Në vitin 211 prapë Filipi e dërgoi ushtrinë e tij për ta pushtuar qytetin Sintia në pjesën jug-përendimore të Dardanisë.[21] Në vitin 209 Filipi i V i Maqedonisë e pushtoi prap qytetin strategjike Bilazora.
Dardanët në aleancë me Areopin, sovran i një rajoni Ilirë e sulmuan Maqedoninë. Dardanët e pushtuan Orestidën duke depërtuar deri te fushat e Argeas. Gjatë këtij sulmi dardanët morën me vete 20.000 robër lufte.[22]
Mbretëria e Dardanisë i përballoi të gjitha fushatat ushtarake që ndërmori Maqedonia në fund të shekullit të III-të dhe në vitin 200 para e.s. ajo qëndronte e fuqishme në kufijtë e saj historikë.[23] Dardanët lidhën aleancë me romakët dhe morën pjesë në luftën e dytë romako-maqedone. Për këtë qëllim Bato, djali i mbretit Longar shkoi për të biseduar në kampin e konsullit romak Galba.[24]
Në verë të vitit 197 para e.r. Filipi V e dërgoi një forcë ushtarake prej 6000 këmbësorësh dhe 500 kalorësish kundër dardanëve te qyteti Stobi dhe i mundi ata. Filipi V e dërgoi një delegacion te bastarnët tej Danubit që të bëjë aleancë për ta shkatërruar popullin dardan.[25]
Qëllimi i Filipit ishte që ti zhdukte dardanët dhe ti vendoste bastarnët në tokat dardane. Falë strategjisë ushtarake që e zbatuan dardanët duke e ndarë ushtrinë në dy formacione në betejë kundër sulmit të bastarnëve arritën që në vitin 176 para e.r. të largojnë ushtrinë bastarne prej 30.000 vetash nga Dardania.[26]
Në vitin 172 par e.r. mbreti maqedon Perseu u vu në krye të ushtrisë së tij dhe e sulmoi Mbretërinë e Dardanisë. Kjo ishte një fitore e përkohshme për maqedonasit dhe nuk i tronditi shumë dardanët. Dardanët në këtë kohë forcuan miqësinë me shtetin Ilir nëpërmjet të martesës së Etutës, bijës së mbretit Monum me mbretin ilir Gentin.[27]
Genti në këtë kohë udhëhiqte politikë anti romake dhe u ofrua me shtetin maqedonas.
Dardanët, Etiolët dhe Penestët përkrahnin romakët kundër maqedonëve. Në këtë aleancë edhe pse dardanët morën pjesë në koalicion me romakët dhe përfundimisht e mundën Maqedoninë, dardanët nuk e morën Paioninë. Romakët nuk ia dhanë Paioninë Dardanisë por dardanëve ju dha e drejta që të tregtonin kripë.[28]
Pas pushtimit të Peonisë dhe Maqedonisë nga romakët, ndryshuan marrëdhëniet mes dardanëve dhe romakëve. Pas largimit të skordiskëve të cilët me sulme të shpeshta e kishin dobësuar mjaftë Mbretërinë e Dardanisë, dardanët u radhitën së bashku me medët në luftë kundër romakëve.[29] Romakët në vitet 97 e 85 para e. re. i sulmuan dardanët dhe medët, por përfunduan me humbje.[30] Në vitin 84 para e.s. dardanët morën pjesë në luftë së bashku me fiset tjera të Gadishullit Ilirik dhe i sulmuan romakët në provincën romake të Maqedonisë, duke arritur deri në Delf.[31]
Roma duke e parë si rrezik në rajon fuqinë e dardanëve e dërgoi konzullin Gai Skribon Kurionin në provincën romake të Maqedonisë së bashku me pesë legjione ushtarake romake që ti nënshtronin dardanët. Njëri nga pesë legjionet ushtarake romake duke e parë si ekspeditë të vështirë kundër dardanëve, kundërshtuan të marrin pjesë në luftë dhe u ngritën në kryengritje. Kurioni me katër legjionet e sjellura nga Roma dhe ushtrinë romake që ndodhej në Maqedoni e sulmoi Mbretërinë e Dardanisë. Nga burimet e mëvonshme u kuptua se ushtria romake u soll mizorisht me dardanët. Kurioni me ushtrinë e tij arriti deri në Danub.[32]
Edhe pas kësaj ekspedite të fuqishme ushtarake nuk ndodhi nënshtrimi i plotë i dardanëve. Dardanët hynë në disa detyrime kundrejt romakëve. Në këtë gjendje dardanët edhe më vonë vazhduan ta kundërshtojnë politikën pushtuese të Romës. Dardanët ju kundërvënë sundimit të plotë romak dhe e shkatërruan ushtrinë e prokonsullit Hibrida (kolegë me Ciceronin) i cili kishte hy në Dardani për të plaçkitur. Fitorja dardane ndaj Hibridës patë jehonë edhe në senatin romak.[33]
Ciceroni më vonë e akuzoi prokonsullin L. Kalpurnie Pizonin që u la thesalëve dhe dardanëv ta plaçkitin dhe shkatërronin Maqedoninë, pasi që u shiti paqen me të holla.[34] Kalorësit
dardan në vitin 48 para e. s. morën pjesë në luftën e triumvirëve, duke marrë anën e Pompeut kundër Cezarit.[35]
Mark Antoni në vitin 38 para e. së re. e dërgoi ushtrinë e tij që të luftonte kundër dardanëve. Në vitin 29 para.e.re. Mark Krasi pasi luftoi kundër dakëve dhe bastarnëve e nisi luftën edhe kundër dardanëve.[36] Pas luftës së Mezisë në vitin 28 para e,së re. romakët fatin e Mbretërisë së Dardanisë e lidhën me provincën e ardhshme romake të Mezisë.[37] Me këtë romakët përfundimisht e nënshtruan Mbretërinë e Dardanisë.
LITERATURA
1. Aleksandër Stipçeviq, Historia, jeta, kultura, simbolet e kultit, Prishtinë, 1990.
2. Edi Shukriu, Dardania Antike, Prishtinë, 2004.
3. Edi Shukriu, Kosova Antike, Prishtinë, 2004.
4. Gërka Novak, Revista kulturore,Përparimi, nr.1, viti XVI, Prishtinë, 1970.
5. Historia e Popullit Shqiptar I, Tiranë, 2002.
6. Ilirët dhe Iliria te autorët antike, Prishtinë, 1979.
7. Jovan Adami, Rrugët dhe objektet arkeologjike në Shqipri, Tiranë, 1983.
8. Kristo Frashëri, Historia e Qytetrimit shqiptar, Tiranë, 2008.
9. Luan Përzhita, Mbretëria Dardane, Tiranë, 2009.
10. Spiro Kondo, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, Tiranë, 1964.
11. Zef Mirdita, Studime Dardane, Prishtinë, 1979.
Tekst-studiues nga Mr.Qazim Namani-Ilustroi dhe e përshtati për botim nga Asllan Dibrani
[1] Edi Shukriu, Kosova Antike, Prishtinë, 2004, fq.42
[2] Po aty, fq 42
[3] Spiro Kondo, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, Tiranë, 1964, fq. 248
[4] Edi Shukriu, Kosova Antike, Prishtinë, fq.42
[5] Po aty fq.28
[6] Luan Përzhita, Mbretëria Dardane, Tiranë, 2009, fq. 27
[7] Po aty fq.28
[8] Edi Shukriu, Kosova Antike, Prishtinë, 2004, fq. 81
[9] Ilirët dhe Iliria te autorët antike, Prishtinë, 1979, fq.290
[10] Zef Mirdita, Studime Dardane, Prishtinë, 1979, fq. 22
[11] Historia e popullit shqiptarë I , Tiranë, 2002, fq. 145
[12] Gërka Novak, Revista kulturore,Përparimi, nr.1, viti XVI, Prishtinë, 1970, fq.39
[13] Jovan Adami, Rrugët dhe objektet arkeologjike në Shqipri, Tiranë, 1983, fq. 37
[14] Aleksandër Stipçeviq, Historia jeta kultura, simbolet e kultit, Prishtinë, 1990, fq.51
[15] Historia e Popullit Shqiptar I, Tiranë, 2002, fq 145
[16] Po aty, fq, 145
[17] Luan Përzhita, Mbretëria Dardane, Tiranë, 2009, fq.29
[18] Historia e Popullit Shqiptar I, Tiranë, 2002, fq. 146
[19] Po aty, fq. 146
[20] Po aty fq. 146
[21] Po aty. fq. 147
[22] Edi Shukriu, Dardania Antike, Prishtinë, 2004, fq.72
[23] Kristo Frashëri, Historia e Qytetrimit shqiptar, Tiranë, 2008, fq.27
[24] Edi Shukriu, Dardania Antike, Prishtinë, 2004, fq.72
[25] Po aty, fq. 72
[26] Luan Përzhita, Mbretëria e Dardanisë, Tiranë, 2008, fq.33
[27] Historia e popullit shqiptar I, Tiranë, 2002, fq.149
[28] Po aty, fq. 149
[29] Po aty. Fq. 151
[30] Po aty, fq. 151
[31] Po aty , fq. 151
[32] Po aty, fq. 152
[33] Edi Shukriu, Dardania Antike, Prishtinë, 2004, fq. 75